Letërsi Kombëtare: Rustem Geci – “Gjegj Kastrioti – Skënderbeu”

Gjegj Kastrioti – Skënderbeu
 
– p o e m ë
 
Në bashkësinë e kombeve
në historinë e luftrave
nuk ka një hero të ngjashëm
që mund ta ngrejë aq lart
emrin e dhéut dhe të atdhéut
dhe emrin e popullit të tij
sa trimi ynë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu
Në kohën e Babushit tonë
Shqipëria ishte një tërësi
e zgjuar në çastet e kohës.
E zgjuar për luftë dhe beteja.
Nën qeverisjen e Gjergjit
edhe guri kishte kurajon
që atdheun e shqiponjave
askush të mos e lakmojë.
Në atë epokë të ndritur
Gjergj Kastrioti, – Skënderbeu
i bashkoi gjithë shqiptarët
në luftë kundër osmanëve…
 

2
———————————–
 
Në takimet e tij në Durrës
në Vlorë, Korçë e Gjirokastër
në Shkodër, Shkup e Kosovë
në Preshevë e në Çamëri,
Gjergji e bashkoi popullin,
që populli ynë t´i përgjigjej
proceseve të qytetërimit!..
Në Thanë ai i foli popullit:
“S´di çfarë ju bën të dashur,
s´di çfarë ju bën të lumtur,
por nën tehun e shpatave
me shpatë duhet të luftojmë!”
Dorëheqje nga liria nuk ka!
Pra, para se t´ia behë lufta,
para se të vijnë Osmanët këtej
këtu ishte Gjergj Kastrioti
biri i Shqipërisë – trimi ynë,
Ai që në çastet më të vështira
I doli zot të katër Vilajeteve.
Gjergji i dha shkëlqim tokës
Ai i çau të gjitha rrethimet
që Shqipëria të mos shkilet.
 
3
——————————–
 
Në  njëzet  e  katër  luftra,
në  njëzet  e  katër  beteja
në njëzet e katër fitore,-
Gjergji ishte lavdia jonë;
Ai që i dha përgjigje kohës
të rrojë për jetë Shqipëria!
– Princa të mirë të Arbrit
i fliste Këshillit të luftës:
mos u ligështoni, mbahuni,
jini në detyrë të atdheut!
Përbashkohuni!Mos u ndani
të mbrojtur vetë Shqipërinë,
veten dhe gjënë e gjallë!..
Lufta na bënë nder të gjithëve
që liria  të  jetë  Shqipëri,
që liria të jetë shqiptare,
dhe liri të jetë flamuri ynë.
Princa të zgjuar të Arbrit,
lufta është ekuacion me
Shumë të panjohura,
kjo luftë kundër pushtimit
është luftë për Shqipërinë!..

4
————————————-
 
Princa të nderuar  të Arbërit,
princa të paqes dhe të luftës,
gjaku i lirisë sonë nuk tretet
edhe sikur të na vrasin , edhe
sikur të na mundin e therin;
farë e huaj këtej s´do të mbijë
Shqipëria është gjak i stërmoçëm,
gjak i shkruar nëpër epoka
gjak i shkruar në faqe malesh
në gryka lumejsh, nëpër libra e dëftere
Në këtë vend shumë të pasur
me klimë të butë dhe me det
të gjitha parajsat janë këtu;
për të lindur e për të palindur!
Këtë pasuri të dhënë nga zoti
duhet ta ruajmë e ta mbrojmë!
Shqipërinë ta bëjmë më të fortë
të qëndrueshme dhe moderne.
Shqipërisë sot i duhen fitoret
mbase vetëm me fitore mund
të shkruajmë gurin e pashkruar!
 
5
————————————
 
Shqiptarë të të gjitha vilajeteve
këtë tokë me det dhe me diell
që ne e quajmë Shqipëri,
vetë duhet t´i dalim zot; për
këtë kam urdhër nga zemra,
nga toka, nga dielli, – nga ai lart,
që humbjet të mos i ndjejmë.
Shqiptarët duhet të jemi gati
Ta mbajmë njëri-tjetrin, ta duam
se i munduri çdoherë paguan,
gjobën e rëndë të pushtimit.
Në këtë orë të proceseve,
në këtë orë të historisë sonë,
Shqipëria është gjaku ynë
Adresa jonë  në  këtë  botë !

Rrustem Geci – Dortmund, 2017

 
 

Shperndaje ne
Updated: 20 Dhjetor, 2017 — 23:18

The Author

Atdhe Geci

Rrustem Geci është një poet i njohur. Ai u lind në Roganë të Dardanës. Mësimet e para i bëri në vendlindje, kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rrusta u kulturua më tej në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Ekonomik. Rrustem Geci 15 vjet ishte gazetar, në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai mërgon në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton e vepron. Deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 vepra; 1. “Demonstratat e luleve”, 2. “Antolologjia personale" 3. “Jeta në Letër”, 4. ”Mielli dhe uji”, 5. “Lirikë”, 6. “Dridhjet e barit”, 7. “Atdheu”, 8. ”Erdhëna”, 9. “Arbëreshët”, 10. “Shqipëria”, 11. “Trojet e mia” , 12. “Rogana”, 13. “Heroika”, 14. “Gacat e prushit”, 15. “Atdhetarët”, 16. “Pasha këtë tokë”, 17. “Kanuni poetik”, libri më i vëllimshëm në gjuhën shqipe me poezi, 2 mijë faqe, dhe mbi 23 mijë vargje. Motivet në poezinë e Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qenit poet. Poezia përfiton shumë nga e bukura, nga dashuria. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, prej vitit 1995, dhe është i përfaqësuar në gjashtë Antologji me poezi, dhe në një Antologji për gazetari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.