Brahim AVDYLI: GROPA NË SHPIRT

GROPA NË SHPIRT

(Shkrimi i parë që e lexova nga Agron Iliriani)

-Dashuria është energji pozitive e cila i drejton të gjithë njerëzit e mirë drejt një caku dhe e cila identifikohet me Zotin. Ai nuk është në formen e një njeriu, por energjia më madhe e universit, i mbushur plot me dashuri jetëdhënëse… Dashuria është polivalente…

Autori.

Brahim AVDYLI:

Me kohë u grumbulluan ngarkesat e përditshmërisë. Sa ndalesha ndonjë çast për të marrë frymë, më afrohej një ngarkesë tjetër fare e papritur, e cila më shtërngonte edhe më shumë të vijoj rrugicave të përpjekjes. Kjo përpjekje bëhej një përpjekje e pakursyer, duke e harruar veten nëpër lëvizje.

Isha i larë në djersë, por nuk kisha kohë të numëroj hapat e mi me të rrahurat e pamatura të zemrës, e as të kthehesha e të fshija djersët e përpëltjes së panderprerë.

Kisha lindur me zemër të butë, të cilën koha dhe pashpirtësia e saj, e kishin kthyer në një strajcë të mbufatur, në një thes gjigant të hapur, madje edhe për ata që e kishim ndonjë hall, ndonjë problem, ndonjë bregë, apo një detyrë. Vrapoja sa andej e këndej, pa aspak qetësi. Nëpër hallet, brengat, shqetësimet, problemet e detyrave të të tjerëve po renditja sikur të qenë të miat. I ngjaja kuririt të përhershëm  që vraponte pa pushim, natë e ditë, me strajcën e zemrës të mbushur me hallet e të tjerëve, për të shkuar deri në buzë të shkatërrimit, duke i ndihmuar vetëm ata.

Çdo gjë që e bëja, e bëja falas, nga shpirtmadhësia ime, me përkushtim, ndonëse nuk jipej e nuk e kërkoja asnjë cent nga devotshmëria e ime.

Këtu ishte bërë sikur një gropë e thellë në shpirtë. Vëllimi i kësaj grope në shpirt, e cila mund të merrej si zemër e dytë mjaft e madhe, barazohej apo kompletohej me dashurinë e veçantë për vëllezërit, motrat, prindërit, nipat e mbesat, të dashurit e mi, qytetarët dhe njerëzit e nderuar prej meje, etj. Përkujdesja ime për ta më ishte bërë e përhershme dhe ishte obligimi i vetëm e jetësor që më preokuponte. Habitesha shpesh herë me veten time, si mund të vrapoja nëpër udhë apo në ngushtica të jetës me atë barrë të rëndë detyrash të ngarkuara me porosi, apo me halle të mëdha të tjerëve, sepse më duhej të rendja pa pushim dhe nuk kisha si t`i bëj as dy tri orë gjumë sipërfaqësisht, kur papritmas më zgjonin thirrjet e tyre, duke e shtrydhur nëpër kohë zgjidhjen e këtyre halleve, të cilat nuk ishin aspak të miat. Kisha ardhur për ta e dukej se nuk kisha as kohë për hallet e mia…

Pa vetëdije, një gjë e tillë më kishte kaluar në një dashuri tejet të veçantë, që buronte prej zemrës, për të gjithë ata që kisha njohur gjatë kësaj që quhet jetë, emra të veçantë të kartotekës sime, nga të cilat nuk arrija të marr një përshëndetje të ngrohtë apo një buzëqeshje edhe ashtu të ngatërruar, e cila, ndër të tjera, nënkuptonte faleminderimin e përzier me njëfarë epërsie të të tjerëve, dhe e forconte sadopak përvuajtshërinë time ndaj halleve që i kisha marrë mbi vete, që të tjerët e ngjallnin mendimin se ata apo dikush tjetër qenka më i aftë, më i përkushtur se sa unë. Këtë gjë, nuk e kisha kuptuar. Jo, jo, aspak. Madje, asnjëherë deri këtu, në burg…

Kështu, njerëzia kishte krijuar përrreth meje njëfarë shtrati minimalizues që më detyronte të vrapoj apo të rivrapoj ende më shumë se përpara për të ngritur kullat e suksesit të atyre që rrinin ulur apo për të krijuar njëfarë vetëkënaqësie. Nuk po më këthellohej mendja, por paditurisht e përtërija këtë sjellje në njëfarë rrethi. Më shumë më shqetësonte fakti se nuk po arrija të gjëj mjaft energji që të shpërndahem kudo e të ekzistoj në një gëzim të një qenie mbinjerëzore, përderisa po merreshesha me fatin njerëzor dhe po fluturoja nëpër kullat e jetës që të mbikëqyrë e të mbrojë pakrahasimisht këtë popull të vuajtur e të ndryrë nëpër fatkeqësinë e gjërë dhe të pafund. Ai kishte hyrë në zemrën time, sapo kisha lindur. E kisha bindur veten time se një ditë apo vetëm një çast, këta të njohur, miq e farefis, dashamirë të mi, do të logjikonin se asnjeri nuk do të mund të kishte bërë më shumë se unë për ta, për çështjen e tyre, e ndonjëherë më vetëtinte në mendje mendimi se asnjë njeri nuk kishte bërë të pamudurën për të mbrojtur të drejtat e tyre, e njonjëherë tjetër do të kisha shpurdhur nëpër tokë e nëpër qiell, për t`ua mundësuar mirëqenien e sigurtë. Madje, i pari do ta kisha shqyer gjoksin tim përpara krijesës së madhe të natyrës, në vend se të kisha lejuar dikend që të bie viktimë. Ishte e pamundur që për mua të më brente dyshimi se këto krijesa njerëzore harronin merzitë që i kanë trashëguar nga vrapi im, aftësia, dashuria, përkushtimi i afërt dhe i sinqertë, etj, të cilat ua leja nëpër duart e tyre të takimeve tona. Pra, ishte e pamundur që ndonjëri nga këto gjymtyrë të shumta të dashurisë sime të dështonin një ditë në pikën më të thjeshtë të natyrës njerëzore. Kjo madje ishte më e çuditshmja formë e ekzistencës së tyre. Njerëz ishin ata e mbinjeri isha unë. Kuptohet, në renditje…

E kuptoja kështu natyrën e vrapit. Më ishte e pakapshme gjatë tërë kësaj përpëlitje shumëvjeçare që të logjikoja sadopak se një ditë do ti ngjaja një mekanizmi të konsumuar të konzervave, të ngrëna pa respekt e të hedhur pa kujdes në një pikë të një sheshi, të cilën, fëmijët e lastruar e godasin me shqelma, për ta përplasur sa më largë, si diçka të pa vlerë, e cila vetëm të argëton. E kisha gërryer veten time natë e ditë, duke ngarendur prej një garde krijesash, e duke menduar se ashtu do të mbyllja plagët e shpirtit tim gjatë një shërbimi, për mua ishte aq hyjnore sa edhe njerëzore, i bindur se energjia që më kishte falur natyra u dedikohej pikërisht atyre krijesave, në mesin e të cilëve frymoja edhe unë. Më dukej se kisha lindur për të zgjidhur vetëm këto çështje, devotshmërisht e vëllezërisht…

Tani, jam ndalur para një pasqyre magjike dhe e shikoj të copëtuar të kaluarën time në dashuri me zemër e me mendje për njeriun; një dashuri të dhimbshme për hallet e tyre; një ndjenjë superiore dhe jo instiktore. Ndoshta nuk ishin hallet e tyre, por ishin çështje, me të cilat më vërtitëshin. E shoh sa më keqkuptojnë ata; sa më qeshim e luajnë; shoh një gropë aq të madhe në shpirtin tim, të thellë sa krateri i një vullkani të ngrirë, llava e të cilit vjen e ftohet, duke u shndërruar në një shkëmb të nxirë kryesisht nga vetëdija e pakuptim e këtyre njerëzve. Kjo është gropa në shpirt, i mbetur si shpërblim i mundit dhe dashurisë sime. Edhe kjo është dashuri, një dhembje e madhe njerëzore, sepse dashuria nuk është asnjëherë një dashuri trupore.

Pra, as vizitorë të rrallë nuk kalojnë nëpër rrethin e djegur të dashurisë e të përkushtimit tim. Çdo gjë shndërrohet në harresë, pasi m`i kanë vjedhur vitet, në mosmarraveshje, në përqeshje të zezë e të hidhur për mua.

Është trishtim i thellë të ndalesh buzë kësaj grope e të mendosh kohërat e tjera, kur nga hullitë e kësaj magme të madhe të shpirtit ziente ndjenja më e zjarrtë, më e fuqishme për njeriun. Tani, ku janë të gjithë ata zogj krahthyer që janë rrëzuar e tretur nëpër hapësirat të kësaj energjie të pakursyer?!…

Në princip, qenia njerëzore përgjithësisht paska defekte të mëdha. Sa më shumë të copëtohesh për njeriun, aq më tepër mosmirënjohës tregohet.

Jeta qenka një sprove e këtillë dhe një jetë e përkohshme. Është provë e sfidave; është provë e luftërave; është një sprovë e të gjithë njerëzve…

Megjithate, në thellësitë e qenies e ndjej se prap më djeg prushi i zemrës.

E thash kështu sepse kështu jam i lindur…

Hëhëëë! Po t`u kthehem librave të shenjta të feve të ndryshme, diçka tjetër më vjen në medje. Po, po, diçka tjetër më vjen në mendje…

Kush dëshiron të jetë i pari ndërmjet jush do të jetë shërbëtori i të gjithëve”- u thoshte nxënësve të tij, Jezusi, Isaja, pra Krishti.

Kjo është metaforë e parë ungjillore, që e kam bartur gjatë në qenien time. Këtu paska qenë fakti që nuk kisha kohë të shoh shpirtin tim, si thes i madh i jetës sime, por vrapoja nëpër kohëra, si shërbëtor i të gjithëve.

A kam dashur të jem i pari, në mes njerëzve?!…

Atëherë, gropën e kam në shpirt dhe me te e shoh gjithësinë…

Shperndaje ne
Updated: 3 Janar, 2018 — 10:38

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.