ShQIPTARIZMA ËShTË BOShTI VERTIKAL

DIALEKTET DhE KONFESIONET JANË PASURIA E JONË KOMBËTARE

Për popullin-kombin shqiptar, sot, është e paktë të mësohet edhe gegërishtja(gegnishtja), kuptohet e unifikuar. Madje duke patur parasysh strukturën konfesionale të kombit tonë do të ishte i domosdoshëm mësimi i konfesioneve fetare që frymojnë ndër ne shqiptarët sot e tërë ditën. Kjo, bashkë me mësimin e gegërishtes, perveç pasurimit të dijes do të forconte edhe bashkimin kombëtar,sepse bashkimi kombëtar nuk bëhet i njëanshëm, ai ështe i gjithanshëm! Individi që ka vlera krijuese të mirëfillta, ai, penën e vet e ngjyen në dy ngjyrat po aq sa i ka flamuri i jonë kombëtar; në ngjyrën e zezë të truallit stërgjishor dhe në ngjyrën e kuqe të gjakut arbëror.

Që të dy ngjyrat çojnë drejt rrënjëve tona, pra njerëzit e penës ia kanë kanë për borxh kombit t’ia pasurojnë gjuhën dhe jo t’ia varfërojnë apo dhe më keq t’ia ndryshojnë atë duke futur fjalë të huaja në formë të neologjizmave vend e pa vend.Shumë fjalë që sot janë në fjalorin e gjuhës shqipe, në formën siç janë, shqiptohen me vështirësi kurse të njëjtat fjalë janë të gjalla në gegnishten e që shqiptohen me lehtësi.

Çdo standard gjuhësor duhet të zbatohet gjithsesi por dhe duhet të punohet në pasurimin dhe përparimin e tij. Në pjesën lindore të Shqiptarisë ka fjale të gegnishtes që janë të njëjta me ato të toskërishtes, nuk e kanë vetem ë-në në fund, ka dhe shumë fjalë që janë të gjalla, pra i përdor populli por nuk janë përfshirë në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe.

Mos të flasim për studimet gjuhësore të cilat do të ishin të mangëta pa njohjen e thellë të gegërishtes(gegnishtes). Pra, gjuha shqipe është një! Kombi shqiptar është një! Madje kultura dhe historia shqiptare është një, tjetër s’ka?! Dialektet dhe konfesionet janë pasuria e jonë që duhet ruajtur me respektim të ndërsjellë, ato nuk e prekin boshtin dhe nuk mund ta dëmtojnë asesi atë, për arsye se boshti është ShQIPTARIZMA dhe, ajo është e gjallë njësoj tek të gjithë shqiptarët, pa dallim feje apo dialekti, krahine apo rajoni!

Po ky bosht, pikërisht ky bosht i qëndron besnik vertikales së vet me mijëra vjet, para e pas Krishtit,madje ka sfiduar shumë e shumë momente torzioni nga forcat përdredhëse që i vinin si nga jashtë e si nga brenda, por s’ka forcë që e përdredh këtë bosht, sepse, ai është monolit dhe homogjen në nëndëdhjetëenëtë fije, veçse një fije të vetme e ka ndryshe e cila fije asesi nuk ngren peshë sado që të jetë e veçantë!

Shqiptarizma mbetet gjithmonë shqiptare, ajo përmes emblemës së vet mijëvjeçare të shqiponjës dykrenare; me njërin sy e shikon lindjen e Diellit e me tjetrin sy e ndjek perëndimin e Diellit, krahët i ka të hapur veri-jug apo jug veri është e njëjtë. Pra këto dy koka trupin e kanë të përbashkët, e kanë një, e mbanë vertikal, aty në mes, në mes të Ballkanit, tek ShQIPTARIA e shtrirë në trojet e stërgjyshërve, në truallin e lashtë të Atit Pellazg!

 

© Kasam ShAQIRVELA

Shperndaje ne
Updated: 6 Janar, 2018 — 17:49

The Author

Kasam SHAQIRVELA

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.