ShTIGjEVE TË ATDhEUT

CIKËL POETIK – 14-6 shkëputur nga libri “ ETJE PËR KËNGË “ , poezi
të autorit: Kasam ShAQIRVELA

TEK BUNGU I LAKUAR

Bungu ankohet për pleqërinë
Një ditë dimri plot me acar
I thot hënës ballëndritur
Ti dëshmo për jetën time
Sot jam plakur e lakuar
Por ti fol veç për djalërinë

Gjethet m’bien pa më pyetur
Degët m’thahen pa u takuar
Edhe lahuta nga dega ime
Dje ka dalur e sot lahuton
Vaji i saj përplot sublime
Vuajtjen time e këndon

Sa stuhi e sa rrebeshe
Mu vërsulën ballë për ballë
Sa sopata dhe sa sharra
Gjithmonë gati për t’më çarë
Unë s’u tunda as s’u shkula
Nuk u theva as s’u përkula
Derisa erdha n’këtë shkallë
Toka ime mua më mbajti
Për atë u lidha me një fjalë
Shpresa qe, kjo fjalë hyjnore
Falë asaj un’ mbeta gjallë.

Era e detit mua më rahu
Atëherë Botën kur e mbështolli
Farën time krahëbardhë
Gjithandej ajo e mbolli
Ndonse sot nga pesha e viteve
Trupi im më është lakuar
Mua datëlindjen para hititëve
Ati-Diell ma pat shkruar.

UDhË E ShTIGjE ATDhEU

Tek po kapem në mendime
Një pasdite plotë me ndodhi
Pranë një Lisi hije rëndë
Zog i Arbrit m’bën shoqëri

Dhe sa herë, unë, aty ndalem
Më shkon mendja ndër kujtime
N’krahë të artë Zogu i Arbrit
Më merr n’soditje të tokës sime

E kur lodhet ai në fluturim
M’zbret nga krahët, m’lëshon n’tokë
Shkeli zbathur unë tokës mëmë
Jo i vetëm por me shumë shokë

Itineraret janë shumë të moçme
Udhë e shtigje ne kapërcyem
Ku kanë shkelur Burrat e Kombit
Rrugëve të njëjta sërish iu kthyem

Dhe qytetet po më grishin
Një nga një e radhë me radhë
Kur shpalosin gjoksin e tyre
Duken t’bëmat që u kanë ardhë

Unë takohem dhe përqafohem
Me shumë Burra të tokës mëmë
Vepra e tyre s’më lë t’frikohem
Emrat e tyre, emra me namë

Drama popujsh edhe tragjedi
Dëbime masive te zogu i shqiptarit
Luginës Preshevës
Deri në Çamëri…
Rrjedhës së Vardarit
Dhe përtej Tivarit

Djegie e vrasje, përplot llahtari
Kosova eksperiment për gjenocide
Shqipëria drejt amullisë, nga
Projektuesit e metodave perfide
Dhe zbatuesve të zellshëm
Pareshtur gjatë historisë..?!

Por, nuk na zbehën se nuk deshëm
Me nëndë plagë qënduam në këmbë
Dhëmb për dhëmb me ta u ndeshëm
Se robëria na vinte shumë e rëndë

Dhe nga lodhja un kur sfilitem
Ndër hije t’Lisit sërish ulem
Trungut të tij prapë i ngjitem
Se nuk bëj më të përkulem

Etja ma merr trupin n’krahë
Por unë prapë nuk po druaj
Mrizave, shpateve anembanë
N’kroje t’Arbnit etjen shuaj

Edhe malli kur i djeg gjinisë
Shpirt e zemër m’i shkrumbon
Prapë i kthehem unë Etnisë
Atje ku Bilbili bukur këndon

Kapi Lahuten e Malsësisë
Zëri i saj m’del me kumbim
Veç ajo plagët m’i shëron
Brez pas brezi s’don harim

Nuk mba mendja kaq trimëri
As derdhje gjaku e jetëra falë
Me mijëra vjet ndër histori
Veç filiza duke mbirë e dalë

Për të shtrenjtën Atë Liri
Për të shenjtin Atë Atdhe!
Ku Burrat e Dheut lindën e rranë
E ku vdesim për të lindur ne
Për t’i ruajtur këto vlera me nder
Udhëve e shtigjeve të Atdheut
Të gjithë sëbashku tu vëmë derë
Sa herë që dikush t’na e msyjë
Pa trokitur një herë në portë
T’mos mundë brenda më të hyjë!

VALËT ShKOJNË E VIJNË PRANË TEJE

Jeta vetë i qendis ngjarjet dhe ndodhitë
Me fije ndjenjash ia qepë pëlhurës së zemrës
Një kujtim i hidhur nuk të lë të qetë
Të sillet ndërmend pa të marrë leje
Dhe ti shkon te deti i yt ndër valë
Aty qëndron në heshtje, n’meditime
Kur valët shkojnë e vijnë pranë teje
Ti mundohesh ta kapësh porosinë
Që peshkatari asaj dite të kobshme e dha
Dhe barka e vjetër mbeti pa lundërtarin
Përse ai lundroi në pakthim detit me hata?!
Por shkuma e detit sërish po krijohet
Sa herë i përqaf shkëmbinjtë e bregut të vet
Ajo zallit të pangirë me afsh rrëzohet
Por krijimin e vet gjithnjë e ka të lirë
Porosinë që dikur e more pa hir
Të ngeli enigmë, akoma s’të qartësohet
Ndonse dëshira s’të hiqet a shpresa të nget
Shpirti e pret shpirtin për një ëmbëlsim t’vërtetë
Veç atëherë dhembshuria mund të shterohet.

VIJ BAShKË ME KUJTIMET

Selanik, o i bukuri Selanik
Unë të erdha siç vjen një mik
Krahëhapur ti më ke marrë
Në përqafim të paparë

N’hotelet e tua unë prehem
Ti port i ndritur, Ti Selanik…
Por, prapë, zemra m’çon të kthehem
Në at’ të bukrin, Shkupin tim antik

Atje ku frymon edhe Bardhari
Ku ma këndon timen historinë
Me ujë të kulluar sikurse ari
Gjithnjë i bekuar për njerëzinë

Mes valësh lumi dhe këngë etnie
Të vjen sikurse një fllad vere
Përmes Pollogu e Pellagononie
N’Egje të derdhet si n’koshere.

Vula ishim dhe vulosëm ngjarje
Dhe jashtë sinorit gjithnjë të parë
Prapë vazhdon mes nesh kjo ndarje
Merrna një herë Bardhar pët t’na e larë!

KU TRETI FJALA JOTE
(DEPUTETIT)

Ku mbeti
ku treti
fjala jote,
në ç’pus rra,
e mbushur
përplot me çallëm,
kur rrihje gjoks
shesheve të qytetit,
n’uluritje,
gojën plot
thoshe: unë
pa unë jam!
shumë shpejt
bishtin tënd
të gjatë,
ta zuri dërrasa
ose ta kapi
ngrica që ra,
dhe më
që atëherë
sheshit, a
rrugëve
të dalësh
nuk të kam pa,
tani kujtohem
dhe pendohem,
përse dikur
të dëgjoja
dhe besoja,
gjithçka
që thoshe,
edhe pse ishte
tallava…
e unë i shkreti
vetëm që
nuk kisha qa,
sa e pafytyrë
qenka politika,
kjo kodoshe,
mjerrë ata që
n’prehën veç i ka,
apo i ka marrë,
dhe bojën që
ua ngjyejnë
në fytyrë…
kurrë s’kanë
për ta larë.

S’KAM KU TA LË MALlIN PËR TY

Ah, moj e bukra, ti luja ime!
Nuk di më se çka të të them
Për këtë mall të shpirtit tem
Që nuk po shuhet por ndizet më
Tregoma vendin se ku ta lë

Ah, moj e ndritura, ti luja ime!
Edhe pse u bëra një plak me gunë
Brenda në zemër unë ty të ruaj
Por edhe ti më ishe sikurse unë
Se qesh i joti dhe s’jam i huaj
Nuk e kam dert edhe pse vuaj.

Ah, moj e vyeshmja, ti luja ime!
Ka shumë kohë që s’po të shoh
Mallëngjimi për ty rrugë ka marrë
Vullnet e shpresë ç’m’i ka tharë
Edhe dimri i egër mua më pret
Zemra ime e lodhur tani mu ftoh
Pleqëria pa ndalur n’derë m’troket.

Ah, moj e ëmbla, ti luja ime!
Që kur më ike, prapë s’të kam parë
Dhe sytë s’pushuan por veç lotuan
Kujtimet tona detit të lotve notuan
A thua vjen ti edhe një here?
Këtë zemrën time t’ma ëmbëlsosh
Dhe në ardhsh ti pranë meje!
Unë me sy më nuk të shoh
Por mos ki dert! Moj e bukra dheut
Se, hijen tënde të bukur
Dhe zërin tënd të ëmbël
Akoma unë i njoh,
Kurrë nuk i harova
ata jetuan, përherë, me mua
edhe unë me ata jetova.

LOTI SYVE MU NGRI

Koha më shteri mundim pas mundimi
trungu po m’vyshket degët po m’i then
i egër ndër ne tufani dhe tundimi
shtegdalje të vockër asnjë nuk më len
edhe pse mbahem dhe nuk jepem dot
hakmarrja e mërgimi më lodhën për mot.

Dy plagë lanë vragë t’pashlyeshme ndër ne
për të cilat u dogjën zemra, u derdhën sa oqeani lot
njëra me gjak të pafajshëm derdhur për hasmëri
tjetra me lot mallëngjimi fhirë me shami
asgjë nuk u fshi ndërkohë, asgjë nuk u harua ende
ato po e vazhdojnë rrugëtimin e vet për mot.

Un’ qava e ofshava por nuk ndryshova
durova derisa loti rrëke syve s’mu ngri
për dhimbjen e madhe ilaçin kërkova
tek lotët e një fëmije të rënë n’dëshpërim
që rrodhën kohës sikurse uji i Drinit Zi
larg gjirit të nënës degdisur në mërgim.

© Kasam ShAQIRVELA

Shperndaje ne
Updated: 6 Janar, 2018 — 18:09

The Author

Kasam SHAQIRVELA

1 Comment

Add a Comment
  1. SHTIGJEVË TË ATDHEUT;BRIGJEVË KË ATKREUT;MAJE MË MAJE BJESHKËVE T’LARTA,OUUU,
    SKAJE MË SKAJE RRESHKËVE TË ZJARRTA;NGA KUMI KUMTESA,LUMI LUMSHPRESA,DUKE NA
    THIRRË,NXIRRË;GODITUR,TRONDITUR,THELLË,THELLË-KËSHTJELLË,RILIRIE,RIHIRIE,OOH
    LARTË MË LARTË;TË SHTATË PALË QIELLI,TË SHTATË PALË TOKE,OUUU,TË SHTATË VALË
    DIELLI,AHIII,TË SHTATË VALË OOOJ,NENË LOKË;TË SHTATË COPA,GROPA SHPIRTI,AAAH
    TROPA HIRTI,NDARA DHE PËRÇARA,QE TË RIBASHOHËN,RITRASHËGOHËN,RIATDHESOHËN,OR
    TË RINGJALLËN,PRIRVALLËN,DUKE RIKTHYER,RIHYERË,RISHPËRTHYER,RISHPËRBLYER,OOR,
    QË GJEGJI I TERË ATDHEU,SI PËRJETË MOT,ATKREU,DHE SOT;I LUMI ZOT,PËRGJERGJI
    KASTRIOT-SKENDRBEU;KRY UÇK.HYREGJENDARIN OUUU,MË ADEMA KRYLEGJENDARIN,AHIII,
    QE NA GJEGJKA NË TANDEMA;PLOT OR PLOT,GJERGJA MË ADEMA;GJERGJA MË ADEMA!!.
    TË FALA NJË REFUGJAT LUFTË NGA KOSOVA,WANAQUE,NEW JERCEY,07 JANAR 2018 USA.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.