Tradhëtia shqiptare me emrin “Për rrëzimin e regjimit komunist”!

CIA zbardh lëvizjet e Apostol Tenefit kundër regjimit komunist, ja lidhjet e tij me Titon dhe Koçi Xoxen, si Ahmet Zogu bashkëpunoi me amerikanët CIA zbardh lëvizjet e Apostol Tenefit kundër regjimit komunist, ja lidhjet e tij me Titon dhe Koçi Xoxen, si Ahmet Zogu bashkëpunoi me amerikanët.

CIA i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe përçarjes së krijuar në Shqipëri pas marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha. Në një dokument të deklasifikuar, tregohet se si amerikanët bashkëpunonin me rivalët e Hoxhës për të rrëzuar regjimin. Një emër që përmendin amerikanët është Apostol Tenefit, ku sipas amerikanëve ishte mbështetës i Titos dhe Koçi Xoxes.

Lëvizjet guerile

Raporti i referohet artikullit të publikuar sot në gazetën New York Times (sipas një gazete franceze) me titull “Raport mbi guerrilët dhe grushtin e shtetit në Shqipëri. Deri tani ne nuk kemi asnjë informacion për mbështetjen apo vërtetësinë e informacioneve në lidhje me aktivitetet guerile të gradës së gjerë, të cilat raportohen të jenë kryer nga Apostol Tenefi dhe rreth 50.000 mbështetësit e tij. Përkundrazi, përfaqësuesit e CIA që kanë folur me përfaqësues të UDB në Beograd më 16-17 shkurt, u këshilluan se forca totale e këtyre elementëve të refugjatëve shqiptarë të Lidhjes së Prizrenit (të drejtuar nga Tenefi) nuk i kalon 5000 njerëzit. Për më tepër, zyrtarët e UDB deklaruan se Komiteti i Prizrenit nuk zotëron dhe nuk ka gjasa të zotërojë në të ardhmen e afërt, një forcë të mjaftueshme për çlirimin e Shqipërisë. Ndërsa brenda Shqipërisë, sipas UDB, nuk ka grupe të organizuara të rezistencës dhe regjimi i Enver Hoxhës është në kontroll të plotë të vendit. Edhe nga agjentët tanë nuk ka raportime për grupe guerile që zotërojnë krahina të vendit. Kjo mbështetet gjithashtu nga ideja e marrë nga agjentë të ndryshëm të CIA që kanë hyrë në Shqipëri në kohë të ndryshme dhe nga vështirësitë që ata kanë hasur për të operuar në vend. Kush është Apostol Tenefi?Apostol Tenefi është ish-anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe u largua nga Shqipëria për në Jugosllavi në vitin 1946. Në maj 1951 ai u zgjodh në krye të Lidhjes së Prizrenit të refugjatëve shqiptarë. Tenefi është titoist i flaktë dhe mik i ngushtë i ish-ministrit të brendshëm të Shqipërisë Koçi Xoxe. Tenefi raportohet të jetë inteligjent, i arsimuar dhe plotësisht besnik ndaj regjimit jugosllav që i dha azilin e kërkuar. Në disa raste ai është raportuar për alkoolizëm. Zoti Jean francois Devay, gazetari francez që raportoi mbi planet e Tenefit në gazetën e Parisit javën e kaluar, ka një reputacion për gazetari sensacionale. Sipas një prej burimeve ai është ish-anëtar i partisë komuniste franceze dhe kohët e fundit ka qenë në kontakt me liderët e partisë komuniste jugosllave, prandaj disa besojnë se mund të ketë shkruar sipas udhëzimeve të ambasadës jugosllave në Paris, duke tentuar të diskreditojë mbretin Peter dhe rrethet jugosllave të emigracionit. Megjithëse ne nuk kemi shumë besim në gazetën në fjalë, ajo është vënë në vëmendjen e autoriteteve në një telegram ku UDB-së i kërkohen komente mbi lajmin dhe autorin.

6 shtator 1951

Diskutim mbi Shqipërinë dhe çështje të tjera të lidhura

Departamenti i Shtetit, CIA/OPC

Më datën 8 gusht është mbajtur një takim në zyrën e zotit Reinhardt me qëllim rishikimin e politikave tona në lidhje me Shqipërinë. Si rezultat i kësaj, u vendos të hiqej masa e ndalimit të Departamentit të Shtetit për lëshimin e broshurave të propagandës në Shqipëri dhe kryerjen e lëshimit të të broshurave nga ajri në një të ardhme të afërt. Teksti i lëshuar do të jetë një formë reagimi ndaj tekstit të lëshuar nga jugosllavët mbi Shqipëri (në emër të Lidhjes së Prizrenit) i cili sulmonte Komitetin Kombëtar për Shqipërinë e Lirë. Teksti do të hedhë dyshime mbi vlefshmërinë e Lidhjes së Prizrenit si një lëvizje demokratike dhe e pavarur, dhe do të ngrejë lart Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, si një lëvizje e bazuar në parimet e demokracisë, me mbështetjen e të gjitha kombeve liridashëse. U ra dakord se nëse Lidhja e Prizrenit sulmon Komitetin me mënyra më të ashpra në të ardhmen, edhe Komiteti do të kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë. U pranua gjithashtu se tekste të mëtejshme për t’u lëshuar do të aprovoheshin nga Departamenti i Shtetit. Kjo nuk përfshinte lëshimet e vogla të teksteve që përdoren për të mbuluar operacione të veçanta.

Infiltrimet

U përcaktua gjithashtu se dega e OPC duhet të zgjerojë operacionet e saj duke shtuar të infiltruarit dhe mbështetjen e tyre me deri 50 njerëz, deri në fund të vitit 1951, dhe më pas forca e agjentëve në vend të mbahej në këtë nivel. Agjentët do të përdoren për krijimin e grupeve të rezistencës, e pikave të sigurta si dhe detyra të tjera operacionale për të cilat do të marrin udhëzimet e nevojshme. Më tej u diskutua programi i luftës psikologjike, dhe u pranua nga të gjithë se kur ky aktivitet të përforcohej me bllokime të transmetimeve, do të kthehej në një program të plotë. Zoti .. propozoi se një seri veprimesh të vazhdueshme duhet të zhvilloheshin në mënyrë që programi të mos humbiste efektivitetin e tij, në formën e lëshimeve nga ajri të qeseve të miellit apo furnizime të tjera. U pranua nga të gjithë se ky propozim kishte merita dhe duhej të ndiqej.

Stërvitja e agjentëve

U ra dakord nga të pranishmit se ishte e dëshirueshme për OPC që të krijohej një kuadër prej rreth 500 trupash shqiptare të stërvitura që do të shërbenin si thelbi i rezistencës së dominuar nga SHBA, të aktivizuar në rast situatash të mundshme krize, si më poshtë: Në rast se bëhej politikë e Shteteve të Bashkuara nxitje dhe përmbysja e regjimit komunist me anë të një revolucioni. Në rast se dëshirohej të ruhej influenca e SHBA në Shqipëri, për kushtet që mund të formoheshin në rast të një agresioni nga Jugosllavia për përmbysjen e pushtetit. Një revolucion i tillë do të sillte padyshim edhe ndërhyrjen greke në jug të vendit, prandaj një situatë e tillë e rrezikshme do të sillte nevojën e një force amerikane që do të justifikonte dhe lejonte ushtrimin e influencës në situatën e komplikuar që mund të shpalosej. Në rastin e një pushtimi jugosllav e grek të Shqipërisë, prezenca e një force “parandaluese” e sponsorizuar nga SHBA do të shërbente për kontrollin e situatës… Përmendi se numri i madh i problemeve me të cilat po përballet aktualisht regjimi komunist shqiptar, e bëjnë të dëshirueshme rritjen e numrit të njerëzve të gatshëm për operacione të OPC. Zyrtari përmendi se masa e kompanisë së gardës shqiptare mund të rritej në 500 me shpejtësi, pa shtuar rreziqe sigurie, dhe OPC do të merrte hapa për arritjen e kësaj. Zoti Reinhardt sugjeroi që OPC të përgatisë një dosje me të gjithë aktivitetin e njohur të Jugosllavisë kundër Shqipërisë dhe kundër NCFA (Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë). Një tjetër mbledhje do t mbahej menjëherë si pikënisje e diskutimeve me jugosllavët, nëse sigurohemi se ata janë vërtet duke zgjeruar aktivitetet e tyre për marrjen e kontrollit në Shqipëri, në mënyrë të hapur ose të fshehtë.

11 janar 1949

Kairo, Egjipt

Propozim për përmbysjen e pushtetit aktual në Shqipëri

Drejtorit të inteligjencës, Uashington

Më 23 dhjetor 1948. Zoti Sotir T. Martini, ministër i oborrit mbretëror të Shqipërisë, erdhi e më la një memorandum të mbyllur. Disa ditë më vonë unë po udhëtoja në Aleksandri për punë të tjera, dhe pata rastin të takohesha me ish-mbretin e Shqipërisë, Zog, i cili më shpjegoi më shumë mbi projektin në fjalë. Unë e dëgjova me interes por pa komentuar. Siç parashtrohet në memorandum, ish-mbreti mendon se tani ekziston një mundësi e veçantë për rivendosjen e një qeverie të re në Shqipëri, miqësore me Perëndimin. Populli i Shqipërisë është shumë i zhgënjyer me regjimin aktual dhe janë gati ta përmbysin atë në mundësinë më të parë. Raporti i vështirë aktual i Titos me vendet e Cominform, mund të shfrytëzohet për të siguruar mos-pjesëmarrjen e tij. Një Shqipëri miqësore do të bënte shumë për zgjidhjen e problemeve aktuale në Greqi. Krisja e parë në rrethin e vendeve satelite të Bashkimit Sovjetik do t’i jepte zemër vendeve të tjera të shtypura.

Pretendimet e Zogut

Zogu thotë se është në kontakt me Shqipërinë dhe veçanërisht me liderët fisnorë të zonave malore, dhe se me pak ndihmë nga jashtë ai mund të mbledhë bashkë këta elementë dhe të përmbysë regjimin aktual, që mbahet vetëm me një forcë të vogël policie. Pasi të ketë bërë këtë, ai është gati të formojë një qeveri të lirë të përcaktuar nga populli, duke shtuar disi me keqardhje se të jesh mbret i një vendi nuk është gjithnjë diçka e bukur. Propozimi i tij është organizmi i një ekspedite force me rreth pesëqind teknikë e luftëtarë të zgjedhur, të armatosur e pajisur mirë. Në shumicën e punës, këtë mund të zgjidhen nga shqiptarët e emigracionit. Në të mund të përfshihen edhe polakë, gjermanë dhe hungarezë anti-sovjetikë. Ai mendon se kjo sipërmarrje nuk duhet të kryhet prej Italisë pasi pozita e saj është shumë delikate. Ai mendon se asgjë nuk mund të përfitohet nga një bashkëpunim me Titon, pasi pozita e tij mund të ndryshojë në çdo moment. Po ashtu ai trembet nga pretendimet e Grekëve dhe aspiratat e tyre në Shqipëri, në rast bashkëpunimi me ta.

Operacionet nga Egjipti

Është një problem vendndodhja e bazës sekrete të nisjes së operacionit. Zogu thotë se kjo mund të bëhet në Egjipt dhe Faruku do të pranonte, por vendi është shumë i mbushur me agjentë sovjetikë për të ruajtur një sekret të tillë. Zgjedhja e tij e parë do të ishte Transjordania, dhe sigurisht heshtja e britanikëve. Abdullahu ka simpati për të dhe do të pranonte menjëherë. Trazirat aktuale në Palestinë e përjashtojë atë, por një tjetër sugjerim do të ishte Libia.

Megjithëse në ekzekutim kjo do të ishte një çështje tërësisht shqiptare, operacionet kërkonin ndihmë dhe asistencë materiale, e cila mund të jepet me anë të agjencive shqiptare jashtë vendit, veçanërisht në SHBA. Unë nuk mund të gjykoj sesa me sa saktësi Zogu mund të llogarisë situatën e brendshme në Shqipëri, por kam kaluar ca kohë në atë vend gjatë luftës Italo-Greke dhe jam dakord se struktura sociale e popullsisë dhe regjimet fisnore janë një terren shterpë për komunizmin. Masa e propozuar e operacionit duket shumë optimiste, por kjo mund të justifikohet me gjendjen aktuale në vend, dhe operacioni do të paraprihej nga një fushatë paraprake e brendshme. Kam kuptuar se rreth një vit më parë para prishjes së Titos me sovjetikët, Zogu përsëri i ka propozuar Departamentit të Shtetit për plane të tilla. Ata e vlerësuan idenë por menduan se nuk ishte momenti i përshtatshëm. Prandaj ky memorandum po dërgohet për t’u marrë në konsideratë nga ju. Zogu siguron se nuk ka tentuar qasje të tjera dhe nuk do të bëjë avancime derisa të marrë përgjigje nga unë.

Letra e dërguar nga: Sotir Martini

 

Njerëzit e besuar të Zogut

Është e ditur se ish-mbreti Zog i Shqipërisë beson se çdo komitet që mund të formohet për drejtimin e vendit dhe përfaqësimin e popullit shqiptar duhet të ketë përfaqësues të rajoneve fetare dhe atyre gjeografike, si dhe përfaqësues të grupeve të ekzilit. Më saktë, ai ka sugjeruar personalitetet e mëposhtme dhe vlerësimin përkatës për secilin: Mit’hat Frashëri, mysliman, i Ballit Kombëtar, jugu u i Shqipërisë, personi më i pranueshëm si lider. Marko Markagjoni, katolik, grup i pavarur, bir i ish-kapitenit të Mirditës Gjon Markagjoni. Ky i fundit i papranueshëm për arsye të bashkëpunimit me fashistët, por i biri ka të dhëna të pastra dhe familja e tij është me influencë në veri të Shqipërisë. Ismail Verlaci, mysliman, legalist (zogist) me origjinë fshatare dhe pa njohuri gjuhësh të huaja, me influencë në Shqipërinë qendrore, me eksperiencë në luftën guerile, i besuar i ish-mbretit Zog. Abdul Sula, mysliman, zogist, kreu i misionit diplomatik (zogist) shqiptar në Kajro njohës i gjuhëve të huaja e diplomacisë.

Ndërsa për fenë ortodoske do të ishte e vështirë gjetja e një lideri të përshtatshëm. Personi i vetëm i sugjeruar është Nushi Kota, bir i ish-kryeministrit Kosta Kota, ky i fundit i vrarë nga komunistët. Nushi tashmë jeton në Francë dhe ka një parti të vogël të quajtur Partia e të Rinjve. Ai është i ri, intelektual dhe nuk ka qenë në Shqipëri që para luftës, njeh frëngjishten dhe anglishten, dhe mund të ketë njëfarë influence mes ortodoksëve shqiptarë për arsye të opozicionit të familjes së tij ndaj komunistëve dhe kolaboracionistëve. Nëse situata ndërkombëtare e bën të dëshirueshme, Komiteti mund të përfshijë liderë edhe nga Kosova, por duhet pasur parasysh se gjashtë të shtatat e Kosovës gjenden brenda në Jugosllavi dhe vetëm një e shtata në Shqipëri. Liderët e mundshëm kosovarë janë: Xhafer Deva, mysliman, i urryer në Shqipëri si ministër i brendshëm nën pushtimin gjerman, por popullor me kosovarët e Jugosllavisë Spahiu (emri i parë i padisponueshëm) mysliman, gazetar, intelektual, nga pjesa shqiptare e Kosovës, ka të dhëna të mira po jo ndonjë influencë të veçantë. Said Kryeziu, mysliman, nga pjesa jugosllave e Kosovës, i konsideruar pro-Tito, ka punuar me britanikët para luftës. Mit’hat Frashëri ka përmendur disa prej këtyre emrave si liderë të mundshëm shqiptarë në emigracion, ai ka shprehur gjithashtu dëshirën për të bashkëpunuar me emrat e mëposhtëm në një lëvizje të tillë: Marko Makagjoni; Ismail Vërlaci; Abas Kupi; Disa ish-anëtarë të lëvizjes shqiptare të rezistencës gjatë luftës kanë treguar besim se emrat e mësipërm janë më të rëndësishmit. Britanikët kanë shprehur favorizim për Abaz Kupin dhe Said Kryeziun.

 
Shperndaje ne
Updated: 7 Janar, 2018 — 20:29

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.