Letersi Shqiptare: Mushtishti vendlindja ime e shtrenjtë

Shkruan: Avdi Ibrahimi

Dielli i mesditës, të fillim Janarit, mu duk shumë i ëmbël i vendlindjes time. Gjithnji mahnitem me vendlindjen time, se si e kujtoj edhe tani në këtë moshë që kam, tash e 59 vite më parë kisha lindur dhe për herë të parë më kishin ngrohur rrezet e diellit, linda aty në mes të dy limenjeve me ujëra të pastra, afër Lumit të Bardhë e paksa më larg Lumit të Zi, aty ku nisin të ndriçojnë agimet e para të rrezeve të diellit tej maleve me një natyrë romantike të vendlindjes time në Mushtisht.
Sa me nastolgji e kujtoj natyrën e mrekulluar në Bjeshkën e Mushtishtit, aty ku unë linda dhe u rrita, aty ku shkela pëllmbë për pëllëmbë bjeshken time te shenjtëruar… Bashkëfshatarët e mi në Mushtisht nga kjo Bjeshkë e thithin ajrin e pastër dhe jetojnë të shëndetshëm.Me siguri kësaj natyre të mrekullueshme si kjo nga Bjeshka e Mushtitit i ka kënduar vargjet më të bukura poeti ynë i madh rilindasi Naim Frashëri???!!!…
Ky fshat shtrihet rreth dhjetë kilometra në juglindje të Suharekës, rrëzë malit të Sharrit në një luginë. Është një nga fshatrat më të mëdhenj në Kosovë. Nëpër fshat kalojnë dy lumenj që në bazë të gurëve që kanë në shtratin e tyre të bardhë dhe të zi e kanë marrë emrin Lumi i Bardhë dhe Lumi i Zi. Karakteristikë tjetër në këtë fshat është edhe bashkëjetesa e këtyre fiseve: Bytyçi, Basha, Kabashi, Sopaj, Gashi, Krasniqi e Shala, që kurrë nuk patën hasmëri me njëri tjetrin, por përkundrazi janë miq në mes vete… Pastaj karakteristikë e vaçantë janë edhe toponimet si: Guri i Përgjakun, Kryqi, Maja e Zezë, Tuma, Gradaca, Tri Koritat, Nëntë Koritat ku kanë pirë e shuar etjen burrat e burrëreshat e dheut e në veçanti ka pi ujë bjeshke edhe kaçaku Sali Shabani e Jakup Jakupi e ndonjë tjetër… Pastaj ajo Maja e Bajrakut, Balta e Qajes, Guri i Musës, Prroni i Thatë, Vrella, Muqurishte, Uji i Verdhë, Ledina e Gatë, Qukarku, Matozi, Konaku i Fanës, Presllopi, Guri i Hortit, Tropi, Bigori Lluki, Llokme, Zhagu i Trent, Koçishtet, Balka, Bjeshka e Çajes, Guri i Zi, Guri Bubrrecit, Ashta e Keçe, Rrezina, Buka, Guri Gatë, Trashevina, Gryka e Rusenicës, Ploshe, Shirinat, Ormni, Braneshi, Arat mbi Dubovë, Padeshi, Rrafshi i Ufllave, Verteshka…, për çka unë në moshën time fëminore me kusheririn tim Bislimin i kishim shkelur e marrur ajrin e pastër nëpër bjeshkët e fshatit.

Nga e tëra kjo që u tha më lart sipas traditës popullore, mendohet se Mushtishti është vendbanim shumë i lashtë. Sipas fakteve të botuara nga historianë të ndryshëm thuhet se në këtë fshat kultivohej hardhia e rrushit dhe sipas prodhimit të parë të verës (mushtës), ku kemi edhe një fjalë nga urtia popullore: ”…Nuk pihet mushti pa u pjekur rrushi.” Nga kjo mendohet se mori edhe emrin fshati Mushtisht. Ky vendbanim mjaft i madh dhe i njohur është krijuar shumë herët qysh nga antika. Në lokalitetin e fshatit gjenden e dhe sot e kësaj dite topgërmadha Gradishta, e përmbi të edhe topgërmadha tjetër Gradaci që ka një pamje të mrekullueshme natyrore ku fshatarët gjatë stinës së verës dalin me bagëti në stanet e tyre, topgërmadha këto që pa dyshim dëshmojnë se ishin vendbanime dardane. Në malet e këtij fshati rriten mbi 400 lloje bimësh një e veçantë nga flora rritet halori i llojit gjingjer si dhe nga fauna rritet rrëshqe-bulli nga familje e maces së egër dhe leopardit, ku rritet në katër grykat e bjeshkëve me ujin kris-talor. Fshati ka një fushë bujqësore pjellore prej qindra hektarësh. Shënimet statistikore tregojnë se qysh në vitin 1879 fshati kishte 104 shtëpi banimi, ndërsa statistikat e vitit 1998,1999 tregojnë se fshati kishte 510 shtëpi banimi me mbi 5500 banorë shqiptarë.

Në të hyrë të fshatit me të arritur në qendër ndodhet Shkolla Fillore “V.I.Lenini”, tani ka ndërruar emrin në “Edit Durham”, ku kam marrur diturit e para nga mësues e mësuese të talentuar si, Avdi Osmani, Vehbi Jakupi, Sejdi Salihu, Ali Selmani, Hasan Tahiri e ndonjë tjetër, pastaj dituri të çmuara morën edhe brezat tjer të kësaj shkolle me mësimdhënës si, Halit Demiri, Xhevat Kabashi, Sedat Jemini, Arif Mala, Mehdi Tahiri,Halim Osmani e ndonjë tjetër, ku edhe disa nga shokët e shoqët e klasës time tani janë mësimdhënës të kësaj shkolle si Arife Mala, Bislim Ibrahimi, Atim Salihu, Nebih Hamiti, e ndonjë tjetër, i kujtoj me dashamirësin më të madhe edhe shokët dhe shoqet e klasës për 7 vite me radhe, si Sanije Osmanin, Shyqerije Hoxhën, (tani të ndjerë), Sadete Salihun, Rrushe Mala, Vahide Shala, Hava Hajdari, Hava Ajazi, Sofije Halitjaha, e ndonjë tejtër…, pastaj shokët e klasës, Agim Demiri, Sadik Xhemajliu, Milaim Sopaj, Hysni Qerimaj, Milazim Tahiri, Sherif Tahiri, Nazif Halitjaha, Sherif Hamza, Maliq Gashi, Hasan Gashi, Mahir Gashi, Bislim Ibrahimi, Hajrush Behluli, nxënësin shembullor Shaqir Mala e ndonjë tjetër… Ndërsa nga ana e majtë në rrugën që të shpie për në fshatin malor të Maçitevës, ku përshkon në këtë pjesë të fshatit uji i Lumit të Bardhë, ndodhet Restorani dhe pishina ku fshatarët dhe vizitorët shkojnë atje për të pushuar dhe për t’u relaksuar në atë vend të mrekullueshëm që ka dhuruar nëna natyrë. Lumi i Bardhë duke u futurë në pjesën e majt të fshatit, dhe Lumi i Zi, duke u futurë në pjesën e djathtë të fshatit gjarpërojnë dhe përdridhen përherë e më fortë në sytë e mi të mallengjyer, dhe në fund duke lëshuar psherëtimën e tyre derdhen në Lumin Drini i Bardhë.

Për këtë ai Lumi i Zi, tregon për vuajtjet, dramat, tragjeditë që përjetoi shqiptaria, ndërsa ai Lumi i Bardhë tregon pastërtinë shpirtërore e njerëzore të shqiptarëve që mbajnë fjalën, e mbajnë besën. Por ne fshatarët kanë këto kuptime dy lumenjt tanë, Lumë të Bardhë i themi që në shtratin e tij të rrjedhës përbën pjesën më të madhe të gurëve të bardhë ashtu siç është plisi ynë i bardhë, ndërsa Lum të Zi i themi që në shtratin e tij të rrjedhës përbën pjesën më të madhe me gurë të zi.

Më kujtohet se shumë here kisha përshkuar rrugën me bashkëmoshatarin e kusheririn tim, Bislimin për të guri i Matoosit. Pyelli ishte i dendur, me lisa të gjatë, siç thoshte poeti dhe, i thellë. Aty valviteshin togje hije të zeza, kishte sheshe drite dhe hije, re të murrme me ndërçelje drite që binte nga copat e kthjellta të qiellit të asaj pranver-vere, për një çast më kishite fluturuar mendja, sikur të ishte sot në këtë ditë të 7 Dhjetorit të këtij fillim viti. Më ishin qfaqur në mendje ato shpella të thella, gropa errësirash e humnera të pista. Pastaj sikur dëgjoheshin dridhje lisash, shushurim kafshësh, zhaurim ujërash, rrëshqitje zvarranikësh, përpëlitje zogjësh, krrokama korbash, vaje shtrigash, psherëtima zanash e përplot fshehtësi të tjera që ruante pyelli në fund të atyre fshehtësive të thella. Përposh tyre Lumi i Zi çante perms maleve të veshura ma barë e drurë, përms fushave pjellore, që kishin filluar të merrnin ngjyrën dimërore, duke vazhduar rrjedhës së vet u jepte jetë, pishave gjethe mbajtëse, lisave gjetherënës e degëshumtë, murrizave therrtarë, gështenjave të ëmbëla, arrave të forta, shkurreve, lajthive të egra, plepave të bardhë dhe shelgjeve lotuese, që në krahët e tyre përshkonin errësirën, bufi dhe hutni.

Më ra ndërmend në shkollë ai njeriu me kitarë që vinte për vizit në fshatin tone te mësuesi i muzikës Ibrahim Hamiti, ngase të dy kishin qenë në shërbimin ushtarak në Armatën Popullore Jugosllave, që aso kohe nuk ja dija emrin, por që në të vërtet ishte nga Duboviku i Deqanit, që sot është heroi ynë kombëtar Jusuf Gërvalla, nga fshatrat e Deqanit kishim edhe arsimtaret që jepnin dije në shkollën tone me sa mbaj mend edhe, Haki Pajaziti, Ymer Alimusaj e ndonje tjetër?

Mendja pësëri më rri aty te poeti, të artisti i madh Jusuf Gërvalla…Eh!…me siguri ai kishedi sa here i ka dëgjuar me vëmendje këto legjenda, nga fshatarët e Mushtishtit. Ai, thonë fshatarët, i ka shëtitur pëllmbë për pëllëmbë këto bjeshkë të mrekulluara. Kush e di sa here ka hyrë për kurreshtje nëpër thellësitë e këtyre pyjeve. Andej, ku fishkëllimat e erës duken si vaje misterioze; klithma bishash; dhe nga legjenda aq here të dëgjuar, që fatalisht robëron tërë qenien, poeti me siguri ka mbajtur shënime për këto legjenda. Ka ndodhur disa here pas dëgjimit të këtyre legjendave, ta merrte në dorë kitarën dhe me shokun e tij të ushtrisë, i cili i binte mire fizharmonikës, së bashku krijonin një mini – orkestër, me ato jone të ëmbla, frymzuese dashurie. Shumë nga ato melodi qenë krijuar prej tij. Pastaj shpjegimi për lulet dhe thuarja e tyre në vargje ishin gjëra më të bukura për të. Ata njerëz që gjendëshin pranë tij përjetonin çastet më të mrekullueshme të jetës, thoshin fshatarët, që kishin pasur rastin të rrinin më të në natyrë apo në oda miqësh. Ai qe një artist i vërtetë dhe një shpirt poet i talentuar, dhe tani është heroi ynë kombëtar.

Një ndër kujtimet më të çmuara të jetës time për 15 vite në vendlindje është edhe ajo e Shoqërisë Kulturore Artistike “Aferdita” nga Mushtishti, sot njihen nga populli me “Bilbilat e Mushtishtit”, si artist/e më të famshme të muzikë sonë shqiptare, Afize Fejaza, Rrushe Behluli, Shkurte Fejza, Shyhrete Behluli, Remzie Osmani, Motrat Mustafa, Naxhije Fejza, Lumnie Ibrahimi, Nexhat Osmani e ndonjë tjetër, ata me zërin e tyre të ëmbël dhe me këngë popullore shqiptare kontribuan dukshëm në luftën për lirie të drejta kombëtare nga shkelësit e regjimeve të huja, me veshjet kombëtare shqiptare të regjioneve tona folklorike kanë orgjinalitetin e vet, koloritin e jashtëzakonshëm dhe janë shumë të lashta. Ato bëjnë pjesë në fondin botëror të veshjeve të popujve të Evropës dhe të Botës. Me këto veshje populli ynë ka bërë jetën e vet në përditshmëri, në festa, në lindje dhe në vdekje; në luftra dhe në paqe. Me to ka kënduar dhe vallëzuar. Me to edhe sot këndon dhe vallëzon përmes ansambleve amatore dhe profesionale të këngëve dhe valleve. Me këto veshje shqiptari/ja është krenuar, sepse në to ka shprehur ndjenjat e veta prej artisti gjenial. Veshjet kombëtare shqiptare, një pasuri e rrallë kostumografike, në nivel planetar, i kanë lakmuar dhe i kanë pëlqyer njerz të shquar nga mbarë Evropa, dhe Bota.

Çfarë ka ndryshuar mes arsimtarëve, shokëve dhe shoqëve të klasës, me bashkëfashtarët e mi të nderuar e shumë të respektuar që na ndau jeta por që ishim bashkë vetëm 47 vite më parë. Mbetën vetëm kujtimet rreth shkollës dhe vitet pas saj, kujtoj me nostalgji momentet që kisha kaluar së bashku për 7 vite më radhë, me që klasën e VIII-të, vitit shkollor 1972/73, nuk e mbarova në vendlindje, por në Shkollën Fillore: “Bajram Curri” në Krushë të Madhe, pasi ne me familje ishim shpërngul nga vendlindja ime shumë e dashur Mushtishti, dhe jetonim në Krushë të Vogël. Por për fat të mire me disa nga shokët e klasës kam ruajtur shoqërinë, kur shkoj në vendlindje, ndërsa me shoqët e shokët e tjerë të klasës nuk më kujtohet t’i kam takuar ndonjëherë?! Do të kisha dëshirë që mbrenda mundësive të bëheshim edhe një here bashkë, ashtu si ishim dikur të uleshim në bankat e Shkollës Fillore: “Edith Durham”, për të përkujtuar 47-48, vjetorin e mbarimit të shkollës që kemi aq shumë kujtime. Jemi mu ato fytyra të njejta, por tashmë paksa të rrudhosura, ashtu të çmallemi me njeri-tjetrin e të bisedojmë njësoj si në kohën kur ishim adoloshentë. Të paktën të mblidhemi njëherë, edhe pse jo të gjithë, ngase dikush nga shoqët e shokët e klasës mund të kanë ndërruar jetë, ose ndodhen jashtë atdheut?! Apeloj për një ritakim pas kaqë shumë vitesh, falë teknologjisë mund ta gjejmë njëri-tjetrin nëpërmjet Facebookut, të lajmërojmë njëri-tjetrin që të mblidhemi një ditë, me që nuk jemi parë me njeri tjetrin. Nuk kemi mundur ta ruajmë shoqërinë pas shkollës, pasi sejcili nga ne kemi ndjekur drejtimin tone të jetës. Pra kemi ruajtur shoqërinë vetëm me anë të kujtesës. Në klasën tone, në bankat e shkollës jemi ulur të gjithë ne që familjet tona na sollën për të nxënë dije, për tu edukuar, për mirëqenien dhe prosperitetin e atmëmëdheut shqiptarë! Më këtë rast le të kujtojmë stafin pedagogjik të shkollës, në periudhën tone, mirnjohje për gjithë ata mësues e mësuese, arsimtar e arsimtare, shoqe e shok të shkollës për ata që janë, dhe ata që s’janë! Nderim e respekt për arsimtarët/e që na dhanë dijet e para të arsimimit…nderim e respekt për shoqët, dhe shokët e klasës që janë në mesin e të gjallëve, ndërsa ata që kanë ndërruar jetë, u qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë!

Nderim të pafund për dëshmorët e Fshatit Mushtisht që dhanë nga gjaku i tyre për lirin e gjithë neve. i përulemi heroizmit dhe sakrificës së tyre.

Mushtisht 7 Janar 2018.

Shperndaje ne
Updated: 9 Janar, 2018 — 10:10

The Author

Avdi Ibrahimi

Autori ish- Z.kom i Brigadës 128. ZOP

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons