Letërsi Shqiptare: Xhevahiret e një shpirti të trazuar

Xhevahiret e një shpirti të trazuar

Përkitazi me librin poetik të Kujtim Matelit,
„Qetësojmë shpirtin e trazuar“, EMAL, Tiranë 2017.

Brahim AVDYLI

Kujtim Matelin e kujtojmë që moti, qoftë nga librat e Dodonës, qoftë nga poezitë e tij, qoftë nga gazeta përmetare “Dëshnica”. Si intelektual i veçantë e shohim të priret nga ndjenjat e larta, nga dashuria e pakufishme për Atdheun, për historinë tonë dhe identitetin e spikatur që shqiptarët e kanë formuar ndër shekuj. Për këto këndon papushim, midis dy maleve të larta të Shqipërisë: Tomorrit hyjnor dhe Trebeshinës që i ka shkruar dy vepra për Dodonën, si dy sinonime të vërteta orientuese për gjallërim dhe mbijetesë.
Pjesa e parë “Ndiq udhën e pikave të vesës“ fillon me poezinë “Tani është koha”. Kjo poezi është një përballje e realitetit të sotëm me atë që disa persona, me duart e tyre misterioze “I fshehën të vërtetat nën gurin e rëndë“, siç do të thoshte poeti. Ata hiqeshin si “shenjtorë”dhe hidhnin farën e përçarjes. Me këto poezi të ciklit të parë, autori na shpie në vite të largëta, ku ndien dëshirën përvëluese të brezave, ndjenjat e forta e përpjekjet e përsëritura për ta thënë me forcë të vërtetën.

Gjatë kësaj përcjelljeje e kësaj përplasjeje, brenda kornizave të meditimit na del e nesërmja, që duhet të jetë më e bukur e më e drejtë.

Brezat pasojnë njëri-tjetrin, Fëmija rritet e pret të shohë të nesërmen drejt në sy. Jeta kërkon që të dilet përtej vetmisë, të bëhesh pjesë e jetës, e cila kërkon nga gjithësecili ta duam më shumë njeri-tjetrin dhe t`i flasim njëri-tjetrit me gjuhën e së vërtetës. Poeti u këndon me vëretje politikanëve të kohës së tij. Të jenë më afër shqetësimeve të popullit, të sakrifikohen për të drejtën dhe të vërtetën, të mos heshtin kur këtë e kërkojnë interesat e larta të atdheut dhe shoqërisë. Poezia mban brenda vetes epikën dhe lirikën e shqetësuar, të cilat shkrihen me njëra-tjetrën, prej poezive meditative deri te motivi popullor, nëpër pjesën vijuese “Duke ndjekur gjurmët e një ylli”, “Në kornizën e fatit”, “Në verilindje të Atdheut”, “Trëndafilla në kurorën e lirisë”, dhe “Brigjeve të Vardarit”. Na rrubullaksohet përafërsisht treshja e Atdheut.

Pjesa e III-të, “Në kornizën e fatit”, pas vjershës përkujtimore për nënën, përcillet me “Kujtim vjeshte”, kur dhe zogu sikur po hesht, për të vazhduar me motivin popullor, duke dashur të afrojë vetë poezinë e tij me vjershërimin e këngës. Në pjesën e IV në “Verilindjen e Atdheut”, e cila fillon me orakullin e Prishtinës dhe vazhdon me vargje, deri te poezia “Të qoftë me dritë udha, Kosovë”. Pastaj, cikli i V-të, “Trëndafila në kurorën e lirisë”, me mjaft poezi atdhedashëse, për të vazhduar me pjesën e fundit, “Brigjeve të Vardarit”, për mua brigjeve të Bardharit, sepse kam qenë vetë deri te “Gurrat e Bardha”, prej nga rrjedhë Bardhari. Në këtë cikël fillon poezia për Shkupin dhe eseja “Mrekulli shqiptare në qendër të Shkupit”. Është ese shumë e veçantë. Prandaj, me përmbajtjen e tij, ky libër e meriton leximin, anë e përtej trojeve shqiptare.

Fushë Kosovë, 03.12.2017

Shperndaje ne
Updated: 9 Janar, 2018 — 10:03

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.