Nostalgjia otomane të mos shndërrohet në dyfytyrësi diplomatike

Nga Fahri Xharra

Në vitet 1890, armenët e rinj të edukuar në universitetet e Europës bënin presion në Perandorinë Otomane duke thirrur për ndryshime kushtetuese, të drejtën e votës dhe fundin e praktikës diskriminuese të tatimit të popullatës së krishterë. Në mes të viteve 1894-1896 mbi 100 mijë fshatarë armenas u zhdukën prej regjimenteve speciale të sulltanit. Por, përfundimisht shpresat e armenëve të shkolluar u rrënuan edhe më tepër kur në pushtet arritën me 1913, Turqit e Rinj.
Treshja Mehmet Talaat, Ismail Enver dhe Ahmet Xhemal e forcuan pushtetin e ri me planet e tyre për ardhmërinë e Turqisë: “Turqia, vetëm e turqve”. Ata donin të bashkonin të tërë popullin turk në një perandori të përjetshme të quajtur “Turan”, me një gjuhë dhe një fe. Gjatë këtij “Turanizmi”, u bë ngritja dramatike e tundjes fundamentaliste islamike në krejt Turqinë. Ekstremistët islamikë, në tokat armene, vetëm me një rast në vitin 1909 i zhdukën mbi 200 fshatra dhe i masakruan mbi 30 mijë njerëz.

Armenët ishin më mirë të edukuar dhe shkolluar, në krahasim me liderët osmanë që i jepnin pak rëndësi kësaj dhe nëpërmjet të udhëheqësve despotikë dhe autokratikë bindjen e verbër dhe besimin e pakufizuar ndaj tyre. Vendimi për zhbërjen në përgjithësi të popullatës armene erdhi nga Treshja në fuqi. Ambasadori amerikan në Turqi Henry Margenthau raportonte: “Urdhrat janë për vdekjen e garantuar të tërë racës”. Këtë e vërtetonte edhe teksti i një telegrami të Turqve të Rinj dërguar prefekturës së Halepit :
“Shteti ka vendosur shkatërrimin e të gjithë armenëve që banojnë në Turqi. Duhet të përfundohet me ta , pa marrë parasysh moshën e as gjininë”… U kryen masakrat, u krye gjenocidi. Viti 1915 i mori me vete 1.5 milionë armenë. Ishte ky gjenocid? Por, nocioni gjenocid u hodh dhe ende hidhet poshtë nga Turqia. Pranimi i tij nuk u bë kurrë. Shefi i qeverisë së sotme në një konferencë shtypi thoshte që është “ëndërr” që Turqia të pranojë gjenocidin mbi armenët.


Nga qeveritarët turq dhe historianët e tyre, të gjitha krimet mbi armenët i lihen një perandorie të perënduar otomane që nuk ka lidhje me Turqinë e sotme. Mohimi i së vërtetës me anë të “çështjes otomane” dhe e “vërteta e luftës civile” në mes qytetarëve turq dhe atyre armenë i sjell në asnjanësim (neutralitet) krimet e kryera.
Si qëndron puna ndaj nesh? Qëndrimi ndaj nesh është krejtësisht tjetër. Këtu kërkohet vazhdimësia e “vëllazërimit” 5-shekullor. Te na kërkohen themelet e Turqisë së sotme. Shteti turk si “vazhdimësi e vllazërisë otomane” (?!) i mohon meritat e saj në katandisjen, zhbërjen dhe zvogëlimin e popullatës dhe tokave shqiptare. Veprim i dyfishtë i diplomacisë turke ndaj nesh në krahasim me atë ndaj Armenisë. Në librin “Thellësi strategjike” shkruhet: “Kriza ballkanike, ajo kosovare dhe boshnjake pothuajse u shndërrua në një operacion likuidimi të identitetit osman”. Kurse publicisti dhe historiani francez Thomas Therrier shkruan se ka qenë fat dhe mençuri e shqiptarëve që nuk kanë marrë pjesë në luftën e Bosnjës.
Nëse “çdo xhami në Ballkan, çdo institucion islam, çdo element tradicional janë një gur themeli i ndikueshmërisë së Turqisë në këtë zonë dhe kështu është e pashmangshme mbrojtja e gjallë e kulturës otomane-islame” (Po Aty) . Në revistën Turkish Review qeveritarët turq deklarojnë: “Në një mjedis krize dhe kaosi (mendohet në Kosovë dhe Shqipëri) nevojitet një elitë e re, dhe Turqia i ka kapacitetet e saj dhe ofron forcë të pashoqe që t’i mbushë nevojat e atij vendi. Pra Turqia duhet t’i rizbulojë rrënjët e veta”. “Turqia është parajsë dhe vend-shtëpi e sigurt për shqiptarët dhe…”.

Thelbi i dyfytyrësisë së politikës turke ndaj të kaluarës së saj otomane është ky: “Koha otomane në Ballkan ishte një sukses i madh, ajo duhet të kthehet përsëri (Turkish Review). Ne, të konsideruar si mbetje osmane pra duhet të jemi vazhdimësi e civilizimeve të hershme (?). Diplomati (sipas Aronit ) e në këtë rast diplomacia kosovare duhet ta dijë mirë se ekzistojnë “lojërat” diplomatike me rezultatin e zeros dhe ato të jozeros. Te lojërat me rezultatin e Zeros, humbjet janë të njëjta te të dy palët dhe që loja me rezultatin e Jozeros nuk është e thënë që të arrihet gjithmonë pa humbjen e tjetrit. Në këtë rast, ku bie Kosova? Në marrëdhëniet ndërkombëtare përdoret metoda që jep apo merr më shumë ku në këtë lojë, “lojtarët” dalin me interesa të kundërta të njërit me tjetrin.
Ne, ku po biem? E sigurt është se në lojërat diplomatike luajnë rol të madh subjektet nacionale, si diplomacia e mirëfilltë, fuqia ekonomike, burimet natyrore, potencialet demografike. Tendencat dhe ambiciet imperiale të Turqisë së sotme shihen në tezen e lavdërimit dhe thirrjes në madhështinë e periudhës osmane. Ne i gjasojmë atij elefantit “të papjekur” që ndahet nga turma nga vetëmashtrimi dhe bie pre e hienave, çakejve dhe coftinarëve të tjerë. Arbër Xhaferri thotë: “Hapi i parë është të pranojmë se Perandoria Osmane nuk ishte okupatore e jashtme, por erdhi në një hapësirë gjeografike të pasunduar”, pa zot shtëpie, pastaj ndërrimi i historisë dhe të tjerat vijnë vetë.
Nga vijnë këto? Këto vijnë ngase ne kurrë nuk i kemi kërkuar Turqisë një kërkim faljeje për ato që ka bërë këtu. Në rastin tonë politika turke e përdorë sindromën e mohimit i cili i ka 3 elemente të mëdha: mohimi i krimit, mohimi i viktimës dhe mohimi i atyre që kishin për t`u gjykuar; dhe e përdor gjithashtu edhe sindromën tjetër të së kaluarës së përbashkët. Ne e kemi një mangësi se me ato prova që i kemi e që kishin mundur të jene lëndë për kërkim falje, ne e përdorim sindromën e vetëmohimit duke e pranuar ndërrimin e historisë.
Kemi prova të pakontestueshme që të lypim nga “vëllai ynë i madh” për “hatër” të “ së kaluarës së përbashkët” që ai të pranojë kërkimin tonë për falje. Provat i kemi bindëse, me burime të sakta, ku përveç tjerash mund të ceknim edhe marrëveshjet e ndryshme turko-jugosllave dhe turko-greke për bartjen e qenies sonë në Turqi. Ata i dinë këto, dhe normalisht për çdo siguri kalojnë në kanalin e shfrytëzimit “të miqësisë” shekullore dhe “vëllazërimit” fetar. Ne kemi në dorë shumë dëshmi të pakundërshtueshme. Por çdo gjë varet nga diplomacia e sinqertë kosovare, e aftë për ballafaqime dhe një diplomaci jo e lidhur me dobësi intelektuale e panjohuri historike. Diplomacia jonë duhet të ketë vetëbesim. Nōlī turbāre circulōs meōs!” (viti 212 p.e.s) thoshte Arkimedi, e ne, duke mos u ndarë nga rruga ditore e diellit, u themi të tjerëve: “mos na i prishni rrathët tanë”.

Fahri Xharra, 05/09/2011
Gjakovë

Shperndaje ne
Updated: 24 Janar, 2018 — 13:38

The Author

Fahri Xharra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons