Një kod për mbrojtjen e gjuhës së folur e të shkruar

Gjuha_shqipe

Nga Petraq FLOKU  

Në Gushtin e vitit 2010, më saktësisht më datë 28/08/2010, në rubrikën “Opinion” të një të përditshmeje, kam botuar një shkrim me titull “Mos ka ardhur koha të krijohet dhe Policia Drejtshkrimore?!”. 

 

Në shkrimin tim të sipërcituar, u nxita dhe mora shkas nga mënyra se si ishin shkruar disa tabela dyqanesh, lajmërime, reklama, postera etj, por dhe nga gabimet në titrat e disa prej filmave të ndjekur prej meje, pa përjashtuar gabimet e rëndomta në gjuhën e folur tek një pjesë e konsiderueshme e të ftuarve në emisione të ndryshme radiofonike dhe televizive, sigurisht dhe në Parlamentin Shqiptar. 

 

Ndonëse që nga ajo kohë kanë kaluar muaj, vë re me keqardhje dhe zhgënjim, një përkeqësim të fenomenit. Dhe kjo sepse dita-ditës, nga njëra media në tjetrën dhe thuajse në të gjitha bisedat me të ftuarit në to, vijojnë të përsëriten të njëjtat gabime, për të mos thënë duke u shtuar, jo vetëm në mënyrën e artikulimit dhe të të shprehurit të mendimeve, por sidomos në aspektin gjuhësor. Ky artikulim përcjell tek ndjekësit e shumtë, qofshin këta dëgjues apo shikues, një kulturë të mangët gjuhësore fonetike, njëherësh dhe një zhvlerësim gradual të lektorëve që shtrojnë dhe analizojnë probleme jo pak shqetësuese, duke mos u shqetësuar aspak për rregullat më elementare të gjuhës së folur shqipe, madje duke qenë vet ata të parët, që me apo pa dashje, e shformojnë atë, i marrin nektarin duke i dhënë një shije që s’e ka të vetën. 

 

Faiku_gjuhaTrajtimi nga ana ime i këtij shqetësimi ka vetëm një motiv: të kthejmë kokën nga problemi në fjalë pa e nënvlerësuar aspak atë, sepse përmasat që ai është duke marrë hera-herës, rrezikojnë të deformojnë e të prishin gjithçka që me aq mund, djersë e sakrifica, kemi ndërtuar në breza. Unë vendin tim e dua. E respektoj dhe e dashuroj gjuhën e tij. Synimi im ka qenë dhe mbetet mbrojtja e pastërtisë së kësaj gjuhe me sa të mund. Është pikërisht kjo një nga arsyet, pse unë prej kohësh kam ndjekur dhe vazhdoj të ndjek me vëmendje analitike, të mbaj shënime e të bëj objekt në mjaft biseda shoqërore apo dhe më tej, gjithçka vë re, duke mos nguruar të shprehem, kur dikush shfaq simptoma të keqpërdorimit të saj. 

 

Dëgjojmë me admirim të huajt kur flasin shqipen tonë të bukur me një korrektesë të admirueshme dhe shpesh ju themi “përgëzime për shqipen Tuaj, të cilën e flisni kaq rrjedhshëm!” Pra jua themi këtë të huajve dhe mirë bëjmë. Është krenari, lartësim dhe mburrje kur dikush vlerëson dhe do gjuhën e kombit tënd. Po sa e vlerësojmë, sa e respektojmë dhe sa e zbukurojmë ne këtë gjuhë Perëndie?! Si e flasim, si e shkruajmë dhe si e përdorim në përditshmërinë tonë gjuhën e nënës?! 

 

Ja disa shembuj, të nxjerrë tani kohët e fundit nga ndjekja me vëmendje e bisedave të shumta në disa prej mediave tona, ku jo vetëm të ftuarit, por edhe vet gazetarët, janë pjesë e mjaft gabimeve gjuhësore: “Kjo është një mendim…”, “Ana ligjore e kësaj amendamenti…”, “Ky ishte një nga arsyet…”, “Reagim si kjo e përmbytjeve…”, “Fatkeqësia natyrore ishte i yni…”, “Është e gabuar provimi i mjekëve…”, “Vendi i punës është e rrezikuar për arsimtarët…”, “Ky nuk quhet Reformë administrative…”, “Cili është ajo që pranon…”, “Jemi dy motra që bëjmë shumë për njeri-tjetrin…”, “Kjo ka qenë shkaku i rrahjes së Toni M…”, “Kërkesë që bëri fshatarët e zonës për…”, “Kjo është një rast shumë…”, “Ky është bujqësia dhe gjendja pas përmbytjes…”, “Kërkesat kanë qenë e gjithanshme…” e të tjera, e të tjera si këto. Madje pak ditë më parë, në një televizion prestigjioz dhe pikërisht në intervistën para një gazetari gjithashtu prestigjioz, dëgjova personazhin e ftuar të shprehej: “Për secilën kapitull…”, por më i keqardhur u ndjeva kur lexova në titra, emrin dhe pozicionin që ky personazh mbante në vendin e tij të punës. I çfarëdolloj shkence qofsh, me njohuri apo formim profesional cilësor të jesh, mungesa e një kulture gjuhësore, natyrisht kjo sipas meje, të zbeh, të ul e të zhvlerëson personalitetin para të tjerëve dhe jo vetëm kaq. Moskorrektësia gjuhësore, e vë në dyshim nivelin e individit në fjalë, duke e bërë argumentin e tij jo fort bindës, sepse ai përcillet nëpërmjet përdorimit me gabime të gjuhës së folur.

 

Në tabela të ndryshme, madje në vende dominuese nga fushëpamja, lexon: “Hoxhaqe dhe Hulluqe Xingato”, “Mish CICI”, “Furë drruri”, “Pije të nxeta”, “Shes zhpi”, “Mall firmato”, “Dyshek original”, “Lule naturale”, “Farmaci Buiqësore”, “Buk thekëre”, “Akullore me çikollat”, “Qymir druri”, etj.

 

Gjithashtu, përdoren krejt pa vend njëra pas tjetrës dy fjalë me të njëjtin kuptim, si për ti dhënë peshë e rëndësi shprehjes së rastit, p.sh: “Shumë, tepër, vonë…”, “Me një memorie mendore…”, “Një dominim që mbizotëron…”, “Shkëlqim brilant që ndriçon…”, “U përpoq të tentonte…”, “U acarua i agravuar…”, “Në hulumtim të kërkimeve”, etj.

 

Jo në pak shkresa zyrtare dhe korrespondencë institucionale, gjen gabime drejtshkrimore, me ortografi jo korrekte dhe shenja pikësimi të pa sakta. Në një masë të konsiderueshme, ky nivel formimi, sikurse është folur shpesh, e ka origjinën dhe tek ato shkolla-kërpudha, ku në varësi të lekëve që nxjerr nga xhepi, të fut në xhep atë lloj diplome që as e kishe ëndërruar ndonjëherë, por ama veç në letër, se për sa i përket vlerave reale, meriton të diskutohet. Edhe zënia e vendeve të zgjedhura të punës nga njerëz që s’e kanë fituar atë me meritë, por duke e siguruar në rrugë e forma të pa ndershme, reflekton dukshëm në vijimësi, nivelin e ulët të formimit të tyre e si rrjedhojë, rëndon dhe mbi kulturën gjuhësore që përcillet nga institucioni përkatës dhe jo vetëm. 

 

Jo vetëm në biseda mes kolegësh të medias, në diskutime me shokë e miq të fushës së arsimit, por sipas rastit, edhe në takime me disa akademikë të njohur dhe profesorë në gjuhësi, janë shprehur shqetësime jo të vogla, duke dalë në përfundimin se, problemet apo boshllëqet e shfaqura si mangësi në formimin e përgjithshëm intelektual gjuhësor, janë të dukshme dhe lehtësisht të kuptueshme. Mangësi të tilla veç shijes jo të mirë që lënë tek auditori, nxjerrin zbuluar dhe personazhet në të gjitha skenat ku ata shfaqen.

 

Mendoj se si çdo gjë, edhe ky problem e ka zgjidhjen e vet; natyrisht nëse merremi seriozisht me të. Më vjen ndërmend puna që bëhej vite më parë, jo vetëm me mësuesit e Gjuhë-Letërsisë, por me krejt stafet pedagogjike nëpër shkolla, për edukimin gjuhësor. Nëse format e edukimit të atyre viteve, nuk ja vlen as ti zësh në gojë, trajnimet sistematike për të përdorur me korrektesë gjuhën letrare, me rregullat e saj drejtshkrimore, morfologjike dhe sintaksore, ishin dhe mbeten (sipas meje) një ndër praktikat më rezultative dhe tejet të domosdoshme. Në mos kjo formë, ka dhe mund të gjenden të tjera alternativa, të cilat duhet të synojnë mos lejimin e deformimit të gjuhës sonë nga asnjë individ apo institucion. Këtu s’e kam fjalën për karakteret mes gegërishtes dhe toskërishtes, por për ato rregulla të përbashkëta e të njësuara të gjuhës sonë. 

 

Ndoshta është e nevojshme të rishikohet struktura programore dhe të studiohet në një optikë të re shpërndarja e orëve mësimore lëndore, duke parë mundësitë rregullatore në raportet mes tyre, me objektiv parësor, lëndën e gjuhës shqipe. 

 

Jo me më pak rëndësi do të konsideroja kualifikimin e vazhdueshëm të mësuesve në përgjithësi dhe të atyre të gjuhës në veçanti, për një edukim dhe vetedukim gjuhësor vijues, duke pretenduar atë që secili mësues, pavarësisht lëndës që jep, luan një rol jo të vogël në këtë aspekt.

 

S’do ishte keq që gjatë kontrolleve të ushtruara në orë mësimi nga instanca të ndryshme brenda dhe jashtë shkollës, veç vlerësimit në aspektin shkencor dhe metodik, të bëhej një vlerësim special dhe për përdorimin me korrektesë të gjuhës gjatë procesit mësimor. Kjo si për mësuesit, ashtu dhe për nxënësit. 

 

Mendoj se sot është i mundur edhe monitorimi i herëpashershëm, pse jo, edhe sigurimi dhe mbrojtja e vendit të punës, në bazë të krediteve të fituara në vijimësi, mbi keq apo mirëpërdorimin e gjuhës së folur. Sikurse për mjaft vende pune, një ndër kriteret e vendosura është mbrojta e një gjuhe të huaj, nuk ka arsye që konkurrentët garues, të mos i nënshtrohen dhe një testimi për gjuhën shqipe, të shkruar e të folur. S’do ishte keq prania e një asistenti gjuhësor në institucione të veçanta, ose një në disa institucione me një prezencë të programuar sipas nevojave të paraqitura, jo vetëm në institucionet mediatike, shtetërore apo private qofshin, por edhe më gjerë, duke synuar kështu përmirësimin ndjeshëm të paraqitjes në përgjithësi, njëherësh dhe duke kontribuar dukshëm në edukimin gjuhësor në vazhdimësi të një numri relativisht të madh ndjekësish. 

 

Edhe seanca apo emisione të posaçme televizive, me pjesëmarrjen dhe kontributin konkret të specialistëve, gjuhëtarëve dhe akademikëve mund të organizohen. Në disa radio dhe televizione, ka vërtet një përvojë të lavdërueshme dhe tejet përçuese tek një audiencë e konsiderueshme. Jo në pak prej tyre shohim shpesh programe me tematika mjaft të larmishme, të cilat rrahin problematika nga më të ndryshmet, që nga ndotja e mjedisit, ushqimet e skaduara, këshilla për konsumatorin dhe shëndetin e tij e deri tek ato që lidhen me njohuritë seksuale dhe erotizmin, pa përmendur temat politike, të cilat dominojnë dukshëm në të gjitha mediat tona. Një gjetje dhe shembull i drejtpërdrejtë që vinte gishtin mbi plagë, njëherësh dhe një personazh mjaft interesant, ishte ai i Skrapit të “Portokalli”-së dhe mesazhet e zgjuara që ai transmetonte, gjë që evidentohej dukshëm nga duartrokitjet e të pranishmëve. 

 

Të vlerësohet mundësia nga mediat për tu çelur dhe një rubrikë e përjavshme (kjo sipas mundësive, më shpesh apo më rrallë), ku nëpërmjet bisedave, shembujve konkretë (natyrisht pa denigruar njeri se nuk është ky qëllimi), analizave, shkëmbimit të mendimeve, konsultave, diskutimeve të gjera nga njerëz të moshave, profesioneve dhe përkatësive të ndryshme, nëpërmjet dhe ndonjë sekuence filmike apo inskenimi të posaçëm për ta bërë më interesant dhe tërheqës programin, mendoj se do jepte një efekt sensibilizues dhe do rriste përgjegjësinë e gjithsecilit përballë fenomenit në fjalë. Për tema të një natyre kaq sociale, përgjithësisht njerëzit janë të ndjeshëm dhe aktiv. Mjafton konceptimi i drejtë dhe qartësia e moderatorit, që nëpërmjet telefonatave dhe sugjerimeve të shumta, problemet e gjuhës së folur e të shkruar si dhe pozicionimi i gjithsecilit në mënyrë graduale, të marrin një tjetër rrjedhë, natyrisht pa pretenduar që ta presim lisin me një të rënë sëpate. Sigurisht, nuk them që është e lehtë, sikurse nuk e shoh as si të pamundur, por ama duke qëndruar pasiv, indiferent dhe sehirxhinj, s’bëjmë gjë tjetër, veç pranojmë heshturazi degradimin shkallë-shkallë të asaj vlere kombëtare që na bën të ndjehemi krenar për origjinën dhe emrin që mbajmë.

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.