LETËRSI SHQIPTARE: FJALA E BUKUR NË VENDIN E DUHUR

Shkruan Rrahman Hyseni

Pesë çmimet e ndara në fushën e letërsisë gjatë vitit 2017 për zonjën Nora Lokaj, më bënë përshtypje dhe më nxitën që unë me vëmendje t’i përcjell shkrimet e saj. Poezia e saj kuptohet, posa lexohet edhe atëherë kur thuhet gojarisht, e veçanërisht edhe kur shkruhet, më lehtë do të mbahet mend, duke na u futur në shpirtin tonë dhe duke na dhuruar emocione të fuqishme, prandaj edhe do të na cytë për ta analizuar, vlerësuar dhe studiuar ( vargje këto dhe fjalë zemre të thurura aq bukur me një stil të veçantë).

Këto vargje të poetes Nora Lokaj trajtojnë çaste dhe tablo nga më të ndryshmet të jetës. Ato flasin për pjesën më të mirë të kohës, siç është rinia, pastaj flasin për punën, veprën, vështirsitë, gëzimet, hidhërimet, dashurinë, trimërinë e bujarinë. Të gjitha këto tema dhe motive do t’i gjejmë në poezitë e autores Lokaj. Pra, kontributi i saj është real, ngase me vargjet e veta na fton për paqe, tolerancë, respekt, mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit kudo që të ndodhemi. Përmes poezive të kësaj autoreje, ne e kuptojmë të kaluarën, e shohim të tashmen dhe pastaj e imagjinojmë edhe të ardhmen. Këtu në këto vargje, kjo krijuese shkrin forcën krijuese dhe i vërsulet me shpirtin e madh prej artisteje muzës poetike me fuqi, në netët pa gjumë, me ndjenjat më të fuqishme, prandaj me të drejtë dhe me shumë bindje konstatojmë se poeten Nora Lokaj do ta bëjë që të kujtohet gjatë nga lexuesit e shumtë, dhe pse jo, atë e shpall të pavdekshme vepra që e ka krijuar vetë me përkushtim.
Poetja është hulumtuese, kërkuese e zbuluese. Ajo me armën artistike më të fuqishme-fjalën, shpërfaq atë që ndjen, dëgjon, sheh dhe në fund kënaqet kur gjen fjalën e bukur në vendin e duhur.
Henry Ward thotë me të drejtë:
“Ku është natyra njerëzore më e brishtë se në një librari?”.
Shkruajmë atëherë kur e ndjejmë dhe vlerësojmë, atëherë kur ka kuptim dhe kur kemi frymëzim…Nga ky parim do të niset edhe autorja e talentuar Nora Lokaj.
Edhe arti ndahet në shije. Kritika ndahet në mendime krijuese e artistike.
Të shkruarit nga njëri te tjetri në ditët e sotme rrënohet, mirëpo kjo ishte rrënuar e shtrembëruar edhe më parë, por për dallim këto i ndan arti, i cili jeton dhe do të jetojë dhe nuk do vdesë asnjëherë. Kjo e ndan vlerën nga mosvlera e në fund humb kuptimin, apo do të ketë gjithmonë kuptim ai shkrim që vlerësohet apo jo nga lexuesit. Atëherë syri i kritikut vë gishtin në kokë. Ata/ato i vlerëson lexuesi. Një vepër jo shumë rrallë nuk u prit mirë nga një kritik, por nga të gjithë të tjerët ishte e suksesshme. Koha i fut në pjesën si të pavdekshme apo në arkivol. Ndërsa te rasti i poetes Nora Lokaj, vepra e saj u mirëprit, si nga kritika, ashtu edhe nga lexuesit.

Të shkruajmë me ndjenjat tona, është jo vetëm meçuri, por edhe trimëri, sepse është shpërthim i fuqishëm i një shkrimtari zemër trimi. E kështu vepron pa hezitim edhe poetja Nora Lokaj. Si dëshmi i vlerave të saj si krijuese janë vetë çmimet e shumta, me të cilat u nderua gjatë vitit 2017.
Motivi i dashurisë në librin e autores Nora Lokaj, zë vend të veçantë, ngase pa dashuri s’ka jetë. Jo rastësisht thuhet se njeriu pa dashuri është si peshku në rërë, pra pa ujë. Dashurisë i kanë shkruar njerëzit në të gjitha kohërat. Kur flitet për dashurinë, njerëzve u buzëqesh fytyra edhe atëherë, kur rrudhat e ballit lëshohen si akullnajat mbi qerpikun e syrit, ngase është ndjenjë e bukur dhe themi prandaj se i shkruhet me shumë rigorizitet, kujtimit dhe përjetimit të saj, pra të kaluarës, sepse e ardhmja është imagjinatë.
Poezia nga Leonora Lokaj, jep një frymë dhe ngjyrë pozitive nga ajo që jeta din dhe të na dënojë.

Ta lexojmë poezinë në tërësi

Mëngjese të ndrojtura lindin,
himne pa melodi zgërdhihen,
shtigjeve lavire të jetës
zgjohen shqetësimet,
buzëqeshje të brymosura falin.
Mendimeve u vjen era,
harqeve të shumta hapur
horizonteve të mjegullta,
zogjtë artificial ushqehen
me të vjellat e fjalëve,
që çdo ditë u vdesin ndjenjat.
Ti botë prej hekuri,
me akujt e kobit
ëndrrat e mbijetuara i shpon,
shpresave të rebeluar
ua mbyllë portat e kthimit,
fatet e popujve i kryqëzon,
në majëlartën e Olimpit.
Pse nuk zgjohesh bleruar
në një të vetmen ditë?
Le të flas në ëndrrën tënde
Allahu…Zeusi…Jehovai…!
…kushdo, vetëm ngrihu!
Shembi muret e marrëzisë.
Helmin gjarpërorë
largoje nga buzët,
puthe pafajësinë e fjetur…
Ëndrrave falu flatra,
…me dhëmbë ujku mos lejo,
kafshimet e dinjitetin tënd!
Zgjohu!!!
Autorja Nora Lokaj me anën e artit të fjalës shpërfaq rrëfime, përjetime të jetës sonë në përgjithësi. Atë që shpalos që nga jeta rinore me këto veti, poeten e bëjnë të jetë edhe më admiruese nga lexuesi, ku me shprehjen artistike prek majen e zemrës të çdo lexuesi.
Me shpirtin e saj emocional në vargjet e veta, poetja ka shfaqur edhe grimca revolte. Mbi të gjitha vargu ka dëlirësi si vetë shpirti i autores, me të cilin na dhuron emocione, të mbështjella mirë me petkun e mirësisë, ku përmban mesazhe edhe për paqen, tolerancën, e mbi të gjitha mirëkuptimin, si në poezinë “Përjetësisht të lumtur…”
Në epruvetën e jetës,
si varkë lundroj,
lumit të qetë të natës…
Besa, shpesh lidhim
të dy varkat,
në të njëjtin dru;
dalim e shkelim
tokën e ndaluar!

Askush nuk heton,
si përvidhemi, tinëzisht,
kurrizit të natës
dhe, nën dritën
e zbehtë të hënës,
thithim gjoksin e jetës!

Shpirti, si algat në det,
ledhatohet,
nga floku i fildishtë
i kujtimeve…
Në qetësinë e një nate
ciklopi, si kjo,
dëgjohen zhurma
kryqëzimesh…
Je apo s’je ti?!

Të ndiej afër edhe pse s’ të shoh!
Ç’ mister ngritët, mu përballë?
Me valixhe, mbushur plot, vrapoj
Natës, që po vdes ngadalë…

Kush i shkopisi kopsat, i pari
dhe ia përkëdheli gjoksin, hënës?
Virgjërinë e agimeve, kush e prishi?
Jo, s’ mbaj mend
përgjigjen,
për lakuriqësinë e një jete, kaq të shkurtër!

Ne, kuptohemi shumë mirë bashkë;
sytë nuk vrapuan kurrë, ta kapin
Kopshtin e Edenit;
shijojmë një këngë të plagosur,
që na bën përjetësisht të lumtur
…larg syve të botës.

Fjalët e përdorura në poezitë e autores Nora Lokaj janë të vlefshme, sepse në poezitë e saj ajo gjuhën e përdor me korrektësi, duke e përdorur me sukses edhe figurshmërinë poetike me mjeshtëri artistike e letrare dhe kështu na siguron se ka çka t’i japë letërsisë sonë, ngase fjala e saj është e shkruar me kujdes, prandaj edhe ka vlerë artistike. E poezia është dhunti, dhe poet lindesh e nuk bëhesh.

Shperndaje ne
Updated: 28 Janar, 2018 — 04:49

The Author

Rrahman Hyseni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.