DOLI NGA SHTYPI VËLLIMI POETIK "KOHË TË PËRFLAKURA" I POETES XHEMILE HOXHA-ALIU Botoi Shtëpia Botuese "PROKULTPRESS", Prishtinë, 2018 – Bashkimi i Shqiperise

DOLI NGA SHTYPI VËLLIMI POETIK "KOHË TË PËRFLAKURA" I POETES XHEMILE HOXHA-ALIU Botoi Shtëpia Botuese "PROKULTPRESS", Prishtinë, 2018


Botoi Shtëpia Botuese “PROKULTPRESS”, Prishtinë, 2018

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Poetja Xhemile Hoxha-Aliu edhe në vëllimin poetik “Kohë të përflakura” na paraqitet me karakteristika të një poeteje të kultivuar dhe të kujdesshme, si një krijuese me një stil të vetin, të veçuar dhe interesant, ku përdor një gjuhë të bukur, të cilën ia del që ta shfrytëzojë artistikisht në përmasa të arsyeshme.
T’ua rikujtojmë lexuesve se kjo autore vjen nga diaspora (Gjermania) dhe tanimë njihet me vëllimet poetike „Ngjyrat e atdheut“ (Prishtinë, 2017), „Dhembje shpirti“ (Prishtinë, 2017) dhe „Copëza jete“ (Prishtinë, 2017). Vëllimi poetik „Kohë të përflakura“ (Prishtinë, 2018) është libri i katërt i saj.

Ritimi i gjallë, melodika dhe ecuria e rrjedhshme e poezisë së poetes Aliu janë veçori karakteristike të saj si poete, elemente këto që na joshin dhe ngazëllejnë, duke na dhuruar plot emocione, kënaqësi e bukuri të përjetimit artistik. Pra, poezia e poetes Xhemile Hoxha-Aliu ka një ritëm të gjallë dhe të rrjedhshëm, prandaj na josh dhe na bën që ta lexojmë dhe rilexojmë, ngase na dhuron mbresa të papara.
Edhe në vëllimin poetik “Kohë të përflakura” poetja Aliu shkëlqen për kah talenti, kujdesi, maturia dhe nga shumë veti të mira të krijimtarisë së saj. Kjo poete në këtë përmbledhje poezish shtjellon motive të ndryshme, por domonantë janë motivi i atdhedashurisë, i kurbetit dhe motivi i dashurisë (në kuptimin edhe intim, edhe më të gjerë), motive këto të marrura nga jeta dhe aktualiteti, që përkojnë me dinamizmin e jetës, me të cilat hasemi përditë.
Edhe në poezitë e kësaj përmbledhje vërejmë se poetja Xhemile Hoxha-Aliu i kushton kujdes të posaçëm vargut, e skalit dhe e shtjellon në tërësi harmonike. Matja e vargjeve me njësi të përkryeme metrike është element që e ka pasur parasysh autorja në krijimet e këtyre poezive, ngase e kupton se me të është i lidhur parimi kryesor i krijimtarisë poetike. Prandaj të gjitha këto elemente (motivet, ritmika, metri, rimat, gjuha etj.) që i hasim në këtë vëllim, na bindin se autorja Aliu di të krijojë sipas kërkesave teoriko-letrare.
Motivet dhe tematikat e poezive të Xhemile Hoxha-Aliut janë dëshmi gjeturie, ndërgjegjësimi dhe prirjeje poetike. Vërtet ato i ka trajtuar me një përkushtim të madh, duke i gdhendur vargjet, duke i dendësuar poezitë, duke e matë dhe rimatë çdo njësi të kësaj poezie. Meqë të gjitha këto elemente janë shtjelluar dhe janë shtrirë në një tërësi harmonike dhe kuptimplote, del rezultati i pritur se poezia e Aliut është ngritur në nivelin e kënaqshëm artistik. Vërtet, kështu siç janë, poezitë e poetes Xhemile Hoxha-Aliu kanë ngjyrim individual dhe tingull të veçuar dhe me disa elemente zgjojnë interesim, por ka edhe shumë gjëra (si p.sh. figuracioni i pasur poetik) që u japin vlerë të njëmendtë artistike.
Kemi vërejtur se poetja Aliu më shumë është e prirur për ta shtjelluar vargun e gjerë shumërrokësh dhe motivin atdhetar, me të cilin edhe identifikohet. Qysh në librin e parë me poezi lirike “Ngjyrat e atdheut”, poetja Xhemile Hoxha-Aliu paralajmëronte dhe na bënte me dije se ka dell për krijimtari dhe tanimë gjithnjë e më shumë është duke u afirmuar dhe puna e saj krijuese po jep frute për çdo ditë.
Dhe fare në fund, konstatojmë se poetja Xhemile Hoxha-Aliu shquhet me stil të veçantë individual, me trajta të reja dhe përpiqet për të sjellë diçka të re në fushë të krijimtarisë poetike. Veçoritë e saj të të shtjelluarit poetik janë dëshmi dhe premtim se kjo poete e talentuar në të ardhmen do të na dhurojë realizime poetike edhe më të mëdha.

Shperndaje ne
Updated: 11 Shkurt, 2018 — 05:21

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons