RRUGËT E NDËRDIJES, PËRPLASJA E RALITETIT DHE KONTRADIKTAT E TË VËRTETËS

(Pjesa e I-rë) 

Autor: Brahim AVDYLI

Studim për librin me tregime të shkurtëra “Heroi i rrugës” të Prend Buzhalës 

Botoi  SHB «ROZAFA», Prishtinë 2017. 

 Prend Ndue Buzhala është një autor i njohur në disa fusha të krijimatrisë e të shkrimit letrar: në atë të poezive, kritikave letrare, eseve, studimeve letrare e monografike, vështimeve të ndryshme, të prozës e romanit, të publcistikës historike e kulturore, dhe disa librave të tjerë, të përgaditur për shtyp apo i botimit me bashkautorë. Janë mbi 50 vepra të rendituara deri sot, prandaj të rreket një njeri i mirë i penës e ka të vështirë të shkruajë për disa nga këto vepra. Shkrimtari, kritiku, studiuesi, poeti e prozatori, apo krijuesi i denjë ka një shpirt të mirë dhe të ngritur, i cili, thellë në vetvete, i zien artistikisht të gjitha njohuritë e kësaj bote; e njëkohësisht zëri që lexojmë në këto shkrime, vjen shpesh me lëndën përmbajtjesore mjaft të hidhur e të çuditshme, herën tjetër me zemrën e ndjeshme si të një fëmije, të cilën e shqipton  në prozën e tij, “Mrekullia e shikimit” (faqe 8), derisa po i zbulonte kështu “mrekullitë e shpirtit të mbredshëm”

Ndërmjet mendimit se a ia qëllojmë kur shkruajmë për një vepër të veçantë të prozës së shkurtër të Prend Buzhalës, “Heroi i rrugës”, kur e lexojmë për herë të parë, gjatë leximit të dytë apo të mëtutjeshëm, i shohim këto shkrime midis prozës poetike dhe prozës moderne, apo siç na thotë, ai kur i kualifikon si “tregime me pak fjalë”, të cilat na e shpalosin postmodernizmin e tij

Na kujtohet Prof. Dr. Agim Vinca, cili, në veprën e tij “Kurs i teorive letrare”, na thoshte se “Në qoftë se modernizmi e drejtonte vëmendjen nga shoqëria tek individi, domethënë në botën e brendshme të njeriut, postmodernizmi shënon kthimin e vëmendjes kah një realitet i ri”, i cili na është realiteti i veprës së caktuar letrare. “Letërsia postmoderne-thotë Profesori i ynë- pavarësisht nga fakti se a na pëlqen apo jo kjo gjë, ushqehet nga vetja dhe e ka objekt vetveten… Teorija e intertekstualitetit e mohon pikëpamjen tradicionale për ndikimin diçka e palejueshme ose diçka që duhet fshehur nga lexuesit. Për botëkuptimin postmodern, nuk eksiston <origjinaliteti> në letërsi; e gjithë letërsia është <intertekstuale>”.1 

Pra, intertektualizmi në këto tregime të Prend Ndue Buzhalës shihet prej fillimit e deri në fund të veprës, të cilat na janë “tregime me pak fjalë” dhe e drejtojnë kështu syrin nëpër tema të veçanta të një realiteti të ri të prozës sonë. Është një realitet, i cili në pikat kyçe kudo na përplaset me të vërtetën e hidhur e nuk e di sa na shqetësojnë kontradiktat e jetës sonë të përgjithshme me këtë realitet të ndërdijes. Në vend se të shkruajmë një vështrim të shkurtër për këtë libër tregimesh me pak fjalë, teksti na detyron të shkruajmë një analizë më të gjatë e të thuktë në përqasjet mes realiteti dhe të intertekstualizmit postmodern. 

Kur e potencojmë intertekstualitetin postmodern të Prend Buzhalës dhe dimë se “teorija e intertektualitetit e nxjerr nga loja nocionin e ndikimit letrar dhe e relativizon konceptin e origjinalitetit ose thënë më drejtë, e ripërkufizon atë”, 2 atëherë është e padiskutueshme pa e marrë këtë përkufizim teorik të Prof. Dr. Agim Vincës për të shpjeguar këtë anë të drejtë të superpersonifikimit të rrëfyesit, që është tipik në prozën e tij, ku pozicioni i rrëfyesit varet pandashmërisht nga perspektiva e rrëfimit. 

Autori rrëfen nga një kënd i posaçëm me aq sa dëshiron apo i përshtatet personazhit. Perspektiva e rrëfimit është në kuptimin e një rrëfyesi monoperspektiv, zakonisht i lidhur ngushtë për rrëfimtarin e veprës. Këtu lëvizjen e rrëfyesit të parë, i cili është autori, intertekstualizohet në rrëfimin e personazhit lirshëm e shkurtimisht, sa ndonjëherë në këto shkëputje moderne kalohet pavërejtshëm në një tjetër rrëfyes, por edhe shlyhen gjurmët në mënyrë të pahetueshme, që të themi, sikur Prof. Dr. Mario Andreotti, është kjo çasje aperspektive.3 Kjo është diçka e re në prozën e shkurtër të Prend Ndue Buzhalës, në përmbledhjen “Heroi i rrugës”.  

Këto tregime me pak fjalë (anglezët e kanë termin short story dhe very short story, très courte conte francezët, Kurzgeschichte gjermanët etj), janë sikur proza poetike (por ndryshojnë thellësisht për shkak se tregimi i tillë ka fabul, personazhe, tematikë etj si një roman a tregim letrar, kurse proza poetike nuk i ka këto elemente, për shkak të strukturave poetike tekstore); këto janë proza me pak detaje, të lidhura poetikisht, e ndonjëherë me pamje të qartë, me detajet që do të na mungonin, por do të mendoheshin e do t`i kishin të qarta të gjithë njohësit e mirë të artit të shkruar, ndërsa të tjerët duhet që të mendohen e të mendohen dhe t’i gjëjnë të gjitha gjërat që nuk janë thënë prej autorit, për ndonjë arësye të veçantë. 

Ato autori i ka fshehur me qëllim të caktuar. Ai shkuan pak dhe shkruan mirë. 

Duhet të dihen këto detaje, të cilat i ka fshehur autori i tyre apo që na i thotë me pak fjalë personazhi në këtë vepër. Pra, personazhi nuk na i thotë pikërisht ato detaje, të cilat nuk ka qenë e nevojshme të na i thotë autori i tregimeve me pak fjalë e që nënkuptohen. Po e marrim një thënie nga kroati Milivoj Solari dhe teoria e tij e letërsisë, kur thotë se “cilësia e përgjithshme e prozës është formësimi i botës artistike me mjete që vetë për vete nuk janë kurrfarë karakteristikash që i përkasin vetëm formës së shprehjes artistike përkatësisht letrare: arti në prozën artistike parimisht mund te realizohet në mënyrë që për asgjë të mos ndryshojë nga proza… (e heqin një konstukt shtesë apo origjinal, sa për ta lidhë mendimin tonë): e të folurit të rëndomtë, nga proza e gjuhës filozofike ose nga proza e studimeve shkencore.“ 4  

Te ne, fjala është për tregimet e shkurtëra të prozës së librit “Heroi i rrugës”. „Përkundrejt poezisë, proza përdor fjalët kryesisht si shenja, sa në një mënyrë „fotografon“ botën e vet të posaçme… Për shkak të kësaj cilësie, për të kuptuar struksturën e veprës letrare në proze, rëndësi mjaft të madhe ka zgjidhja e temës, mandej lënda derisa edhe burimet prej ku shkrimtari thithë lëndë për vepën letrare”.5  

Në fakt, mund të shtohet se autori na tregon edhe metaforikisht prej ku e thith atë material letrar e artisikisht, apo nga vetë jeta e përgjithme, dhe njeriu duhet të mendohet për ta pasur të qartë këtë punë krijuese të këtij autori. „Rrethi i gjerë i temave të mundshme të prozës së artistike kërkon që të kihet kujdes për interesimin e lexuesve, e sidomos që u është dedikuar vepra”, në këtë rast vepra e prozave të shkurtëra të shkrimtarit, poetit, publicistit, kritikut e shkencëtarit Prend Ndue Buzhala. “Kurse vet zgjedhja e temës, lëndës dhe burimet eventuale, nga ana e vet, me të madhe e kushtëzojnë sajimin e saj.“ Një ndër parimet e klasifikimit të veprës letrare, „mund të mbështetet mbi themelet e formave të vogla letrare“, 6 e në rastin tonë vie në format e prozës së vogël letrare, të cilat ndonjëhere janë të zhveshura nga rrëfimi i zgjatur i tregimeve, në ndonjë formë mjaft të vogël e artistiksht të patjetërsueshme, dhe këto na e bëjnë veprën artistikisht të qëlluar, të thuktë e të shkurtër, që do ta lexojmë edhe rrugës duke udhëtuar në autobus, në tren, në aeroplan etj. por do të na mbetet përgjithmonë në mendje, pa na ngarkuar më tepër se sa duhet. 

Prend Buzhala dhe autori i shkrimit Brahim Avdyli

Sa e hap librin e këtyre tregimeve, të bie në sy “Heroi i rrugës dhe vajza me fjongo të zezë”, sepse “heroin e rrugës” e mban si titull vëllimi. 

Ky është një titull mjaft simbolik. Heroi i rrugës” dhe “vajza me fjongo të zezë” sikur bëjnë dy skaje të vetëdijësimit tonë, njëkohësisht janë një pjesë e kësaj vepre. 

Cikli fillon me “Kënaqësinë e heshtjes”, ku takohen dy miq ”të një hileje”, pra edhe të librit, të cilët, kur ndahen njëri e faleminderon tjetrin, sepse “ishte kënaqësi që heshtëm së bashku”, dhe në të vërtetë  është ai që të shoqëron deri në fund të kësaj vepre “me pak fjalë”. Le ta lexojmë si një prolog shënjues narrativ që sugjeron poetikën e këtyre tregimeve. 

Kjo “heshtje” nuk është heshtje. Është zë me shkrim dhe me pak fjalë, të cilat thuhen me ato që nuk mund të heshtësh. 

„Gjatësia ose shkurtesa e tekstit në prozë, … kurrsesi nuk është ndonjë cilësi e parëndësishme që mund t`i referohet formës së jashtme“ 7–na thotë Milivoj Solari. Disa prej tregimeve në këtë libër nuk do t’u referohemi. Është me mjaft rëndësi të thuhet këtu se “shkurtësia kërkon dendësi të shprehjes, mënyrë të posaçme të lidhjes së ngushtë të motiveve, përqëndrim të jashtëzakonshëm në detajet, që mandej kërkon zgjedhje të veçantë të temës”.8 Tregimet e këtushme i kanë gjërat e fshehura, por edhe të thëna ndonjëherë me dendësi të shprehjes. Shkurtesa e tekstit në këtë prozë nuk është e parëndësishme dhe tregon lidhje të ngushtë të motiveve. Para së gjithash, ajo tregon një përqendrim të jashtëzakonshëm me këto motive.  

Tregimet “Mrekullia e shikimit”, Zyra e regjistrimit të shtëpive”, “Rrëfimi për njeriun që nuk ekzistonte si qenie” dhe “E bukura ra për tokë e u lëndua” lexohen me mjaft interes. Tregimi për “Heroin e rrugës” vie pastaj, sepse luftëtari kishte rënë në luftë, derisa gjithë jetën e ëndërronte si do të shërbente për ndërrimin e emrit të rrugës me ermin e vet (në fakt, me emrin e vet për ta ndryshuar realitetin e dhunës shtypëse pushtuese), edhe pse i kishin folur bashkëluftëtarët se mund të bëhej “hero rrugaqësh” apo “banditësh e maskarenjëve”, por djaloshit i kishte mbetur në kujtesë thënia e tij se do të bëhej hero i rrugës së vajzës “me fjongo të zezë” (ato që i mbajnë flokët me një fjongo të zezë, mbajnë zi për dikend); sepse nëpër atë udhë do të parakalonin të dashuruarit dhe pikërisht andej do të parakalonte edhe kjo vajzë, që ishte e bukur, por ai nuk e pati fat ta ketë. (Heroi i rrugës dhe vajza me fjongo të zezë, faqet 15-16). Tregimi merr tone të heroizmit të personazhit dhe të një balade dashurie e që gërshetohen natyrshëm në strukturën tekstore-narrative.  

Ne nuk e dimë deri në fund të veprës pse ajo vajzë i mbante flokët e saja me fjongo të zezë. E kundërta e kësaj do të ishte fjongo e bardhë. Njeriu që bie dëshmor dhe vajza me fjongo të zezë, e cila parakalonte andej krijojnë një antitezë. Atë ngjyrë e kanë edhe në rroba të krishterët ortodoksë, prej perandorisë së njohur fillimisht ilire e Bizantine. Simbolika e kësaj antiteze do të na shoqërojnë deri në fund të veprës.  

Pastaj na vjen tregimi “Ndodhitë e çuditshme të një Këshilltari shpirtëror” si “ekspret i Fjalës”, që do t`ia forconte besimin personazhit e lexuesit, sepse lëvizte nga fjalët e perëndisë deri te fjalët-amë e fjalët-predha, për të konfirmuar edhe njëherë fjalët e shenjëtores Nëna Terezë, e cila ishte kundër luftës shkatërruese, dhe “e përsërit fjalën Dashuri, nëse dëshiron të shpëtosh”. Pikërisht ne ndodhemi në gjendje të këtillë, të humbin tërësisht. E këtë paradigmë, këtë fatkeqësi e tragjedi shkatërrimtare, apo justifikimin e smirëzinjëve anë e përrreth do ta ndalte dashuria, sepse masa e pavetëdijshme e përsëritte “kështu e ka shkruar Perëndia”. Dashuria është fjalë e Zotit. Dashuria është energji pozitive, e cila i drejton njerëzit e vullnetit të mirë drejtë një caku, që idetifikohet me Zotin. 

Kjo është receta e Këshilltarit Shpirtëror, që e lë para nesh. Energjia më e madhe e Universit është e mbushur me plot dashuri jetëdhënëse, që njerëzit e vetëdijshëm dinë që ta përfillin këtë dashuri të vërtetë të Universit e jo vetëm dashurisë së polit tjetër, sepse dashuria është më së pari dashuri polivalente e jetëdhënëse, ndërsa ata të cilët nuk e kanë këtë vetëdije e shpërfilin dashurinë, e denatyrojnë apo e kthejnë në anë të kundërt, përmbytazi, dhe nuk e kanë këtë të dhënë kardinale të jetës e filozofike. Atëherë, të mirën e jetës e merr e keqja, e liga, e prapta, smirëzia dhe vetë djalli. Dashuria është hyjnore, ndërsa antidashuria është djallëzore. 

“Ëndërrat prej guri” na mbetet në kujtesë nga qenia e panjohur, i cili vjen prej epokës së gurit dhe e kishte formën e Profetit të Gurit. Në fund edhe ai nguroset në “Ëndërrenprej Guri”. Nga “Epoka e Gurit”, epoka më lashtë e njerëzimit, ai e la profetin “pa Fytyrë e Pa Formë” dhe erdhi në kohën moderne “ta bluaj Botën” e “ta vras Njeriun”, dhe “ta shpikë Artin Modern”, por jeta e tij mbeti ëndërr e trishtë, madje edhe përfundoi si e tillë. Është ngjajshëria analogjike me një fije të njerëzve tanë, të cilët rropaten prej antikës e duan të ngatërrojnë ëndrrën e realitetin. Madje, i riu, pa përvojë të madhe deklaron se do t’i mjaftojnë “tri ditë” për “ta vrarë pushtetin”

Kjo ndjenjë më e thellë e pështirosjes, e cila sikur “ta kall kupën”, na vjen prore në tregimin “Gjarpëri në xhep”, ku një fatmjerë, i cili “ra papritmas në një situatë të palakmueshme” dhe u bë papritmas “Dikushi”, të cilit edhe monedhat i qenë bërë si “koka gjarpërinjsh” dhe kafshimet e “gjarpërit-para, kishte ndodhur para shumë kohësh”, dhe ky farë tipi na ishte bërë pronar gjarpërinjsh. 

Nuk do mend për të shpjeguar pronarët e sotëm, që dje ishin kurkushi dhe tani janë bërë dikushi, duke u siguruar nga gjarpinjtë të mbledhur nëpër rrugë, që t’i fusë në xhepat e tij. Pa marrë parasysh se çka u tha për gjarpërinjtë, këtu fjala është për askushin e luftës, i cili sot na është bërë shumë i madh, pra me “gjarpërinjtë në xhep”. Fati i zi për shqiptarët. Ai, papriturazi e kishte themeluar edhe firmën më të madhe. Gjarpërinjtë nuk ishin simbole të pellazgo-ilirëve, por ishin të armiqve tanë shekullorë, të ashtuquajturve konglomeratë “grekë”, “serbë”, “rusë”, etj. 

Kundër këtij tregimi, në vijim është tregimi “Dora e të operuarit qëndronte tek shamia”, sepse në radhë të parë kirurgu i huaj e kishte parë në zemrën e tij kosovaren, e cila më fund i qëndronte mbi kokë, që është pozitiv dhe shpërthyes. Sikur thotë: njeriu nuk duhet të humbë shpresat e tij; edhe nëpër errësirë të madhe shpreson se dikur do të vijë drita; se një çast deomos do të jetë shpëtimtar; prapë do të shohim e do të gjejmë udhën; megjithatë, do të na mbajë shpresa gjallë; pa shpresë, nuk ka jetë të mirë; se ky luftëtar që e ka mbajtur një shami të zemrës portretin e një vajze dhe flamurin kuq e zi, përderisa është i plagosur, nuk u hap rrugë mendimeve negative. Fuqinë për ta përballuar gjendjen e rëndë midis jetës e vdekjes, luftëtari e gjen te gërshetimi aq domethënës i atdhedashurisë dhe dashurisë e që e fuqizojnë shpirtërisht atë. Vajza kishte udhëtuar nga Kosova për të shkuar në botën e jashtme, pranë luftëtarit, për t’i qëndruar pranë; dashuria kapërcen të gjitha pengesat, si në[ legjenda… Liria është e përjetshme; dashuria dhe flamuri janë të përjetshëm”; ky është litari që i mban të lidhur ata të cilët shpresojnë se megjithate do ta gëzojnë Lirinë; që dashuria dhe ata që duan një gjë të mirë në jetë dhe flamurin që i identifikon si etni, janë ato që më së pari i bartë tërë jetës, si shenjë e dallimit nga të tjerët; pra, këto janë të përjetshme. 

Prend Ndue Buzhala na i dallon këto shenja të mirëfillta të jetës sonë si busollë e vetme e rrugëtimit kudo që dalim jashtë territorit tonë, në këtë rast luftëtari operohet nga një mjek i huaj, pra edhe nëpër luftë ruhen fuqimisht simbolet kombëtare. 

Nuk do të ndalemi më shumë te “Mbreti i syrit të Hyjit” ku secili mund të kuptojë se Dielli, Mbreti i Hyjit, shikon gjithçka e nuk kërkon asgjë, madje nganjëherë është i pikëlluar kur i sheh njerëzit e pikëlluar, si personazhi, dhe kur është ai i gëzuar duket edhe Dielli i gëzuar. Dielli është vërtetë Mbret i Hyjit në këtë Univers dhe na krijohet një analogji simbolike reflektive. Personazhi, njeriu e sheh diellin siç është vetë. Kjo ka të bëjë thjesht me pasqyrën magjike, një pasqyrë e jetës, shumë e madhe, të cilën e kam thënë metaforikisht në poezinë time “Pasqyra mitike”9. Ne, kemi ardhur në këtë jetë, sepse Zoti na ka krijuar me kualitetet e mira dhe të liga. Ai na lë në sprovë, gjatë gjithë jetës. Në qoftë se ecim kah e mira, e kemi dhënë provimin. Në qoftë se ecim ka e keqja, kemi dalur jashtë dorës së Zotit dhe na gllabëroi djalli. 

Por, nuk do të ndalemi aq shumë në tregimin “Në mes të jetes”, në të cilën del personazhi në një luftë për jetë a vdekje, i cili i vendos dy ushtritë brenda vetes, të cilat nuk shihen askund në dyluftim, por personazhi e përqafon njërën anë dhe fiton, që do me thënë se njeriu ndodhet në dyluftim në mes të mirës e të së keqes, si Katër Kalorësit e Apokalipsit; dhe po ndalemi në “Maestro i pëshpërimës” apo “Monolog në dy pamje i një spiuni”, në të cilin flitet për një spiun, Inspektor i UDB-së (Unutrašnje Državne Bezbednosti), e cila ndahet “me politesë e me policën policeske”, d.m.th. policor, që e ndanë dosjen me politikë (me politesë) në dy pjesë: para luftës, gjatë kohës së tij si Inspektor i UDB-së; pas luftës, kur fillon rolin e gazetarit, intelektualit, dhe të vet si maestro i pëshpërimës, mu siç e quante regjisori, kur luante “pas perdeve” dhe di të pëshpërisë e të pëshpërisë deri kur arrin që ti “edukojë” brezat t`ia falin gabimet me “libra të shenjtë” nëpër foltoret deri në parlament, pasi “arti të shpëton”. Prandaj shkon edhe te varri i “Njeriut që fal armiqtë” dhe t`ia fal atij që e kishte vorrosur si qen dhe pikërisht vetëm, njeriut që thoshte “Fali o Zot, se nuk dijnë çka bëjnë”.  

Kontradikta e kontradiktave na del këtu, sheshazi, si të pathënë kaq hapur e kaq dukshëm në prozën tonë, siç ndodh në jetën tonë të përkohshme, si pavërejtur, për të mos e besuar të vërtetën, por është fakt i gjallë “i transfomimit” të jetës sonë në përgjithësi dhe një e vërtetë artistike. Njerëzit e ligj fshihen pas artit, aty ku nuk e mendon njeriu, dhe ai nuk është art i vërtetë, të cilin një pjesë e madhe e popullatës nuk e njeh dhe nuk ka kohë të preokupohet me ndjenja e shije të artit, aq më tepër në gjendjen e popullatës sonë të lindur e të rryer me punë fizike apo me ato punë që sjellin para, e jo më tepër; në emër të “artit” fshihet antiarti, njerëzit e rryer të sistemit që e kemi ditur se “e rrëzuam”, por prapë i solli vetveten në skenë; aty fshihen edhe më të rrezikshmit, pra armiqtë tanë kombëtarë, kundërshtarët më të sertë të artit të shenjtë, policët më me renomé të së kaluarës, të cilët fillojnë punë në gazetari, siç e bëjnë sot disa gazetarë të stacioneve televizive këtë punë, e përfundojnë në pëshpëritës të magjisë e rehabilizimit të persekutuesve më të rrebtë të së kaluarës; kriminelët më të mëdhenj, etj. dhe askush nuk mendon se aty është e vërteta lakuriqe. Kriminelët tanë më të mëdhenj aty gjenden ku nuk ua pret mendja njerëzve të thjeshtë, nëpër faltore deri në parlament. Mua automatikisht më kujtohen qindra UDB-istë, me të cilët jam grindur qindra herë, prej agjensive të udhëtimit e deri në udhëheqës të firmave; prej fetarëve e deri në gazeta, redaksi e parlament. Këta, si fara e hithit janë dhe si fara e atyre luleve që i përshtillen diçkafit deri në lartësi, apo trapit të dreqit që të bie papritur në çdo drejtim. Njerëzve të sinqertë, njerëzve të vërtetë, njerëzve të thjeshtë nuk u lënë askund vend të lirë.  

Këto, në mënyrë tipike dhe në mënyrë artistike, na i thotë Prend Ndue Buzhala dhe arti i tij na e plas edhe njëherë zemrën. Të bëhemi edhe ne “hero të rrugëve” apo të jemi si ai që i “mungon ulësja kurdoherë”, madje në çdo vend, dhe mbetej në këmbë duke ia lëshuar vendin të tjerëve, nëpër goditjet e tjerëve me brryla, të atyre që vinin përpara me furtunë, dhe përfundonte në rrugë. Ai ishte si heroi i rrugës, njeriu që duhet të vdesë, sepse si i mirë nuk mund të jetojë (“Ulësja që mungon”), dhe është i përjashtuar nga jeta. Kjo është kontradikta e dytë. Të jeshë njeri i vërtetë, me edukatë të mirë, në botën ku mbretërojnë të ligat, është vështirë, është e pamundur. Në rrugë është vendi ku kompenzohen të gjitha ato që i ka mohuar apo i ka injoruar një kohë; mund të krijohet identiteti i ri, me sa lejohet dhe nëse lejohet; në rrugë janë rrugaqët, të varfërit, të dobëtit, por edhe heronjt, nëse ka mundësi për këtë provë të jetës; nëpër rrugë mund të shkohet apo niset në çdo drejtim; nëpër rrugë ka gjithçka, edhe njerëz të mirë; edhe me ironi mund të thuhet se rruga na nxjerr heronj e të tjera. Kemi rrugën e errësirës dhe rrugën e dritës, rrugën e lirisë dhe të palirisë, të cilat përplasen me njëra-tjetrën. Është kjo kontradikta më e madhe e shekujve që nuk pajtohet dhe nuk pushojnë asnjëherë të përpasen. Jetë e rrejshme është kjo jetë… 

Prandaj, nuk po flasim më tutje për këtë çështje, që është një temë me vete, as nuk po flasim për “Ajo vraponte drejt pëshpërimës”, as gjatë për tregimin tjetër “O Zot, më shpërngul me gjithë shtëpinë time në parajsë”, sepse personazhi nuk ka kujt t’i besojë më tutje, “as të vërtetës së armikut”, “as të vërtetës sonë”, as “portretit në trastë”. Aty ku është mbyllur një Profet nuk depërton drita. Profeti është simbol i dritës e shkëlqimit. 

Do të ndalemi në një tregim të fundit të ciklit, “Guva e padukshme”, në të cilin flitet për mësuesin autodidakt, që ua mësonte shkrimin e leximin turmave analfabete; i mësonte ata si bëhej Atdheu; që populli i tij të dijë si mund të bëhej me dituri, e si mund të bëhej më së miri Atdheu. Atë popull të vuajtur shekuj me radhë e kishin lënë totalisht analfabet qindra grabitës të tokave të tyre. Ai i mëson edhe gjëra të tjera të jetës, deri te këngët kreshnike me lahutë apo të luftës së Skenderbeut. Personazhi i këtij tregimi po bënte pova për ta nxjerrë të vërtetën nga guva e padukshme, në cilën qëndronte gjashtëdhjetë vjet me radhë mësues i dënuar “si armik i rrezikshëm”, duke shfrytëzuar turmën e pangritur. Përpiqej të rikonstruktojë rrugën e tij jetësore, sepse ishte vrarë nga socializmi në Luftën e Dytë Botërore, pa pasur asnjë faj, madje pa e “okupuar” asnjë njeri shtëpia e tij. E pse ishte “i rrezikshëm”? Sepse përhapte “ide të rrezikshme”, të cilat nuk ishin të rrezikshme; sepse mësonte me një alfabet të tyre, i cili mungonte shekuj me radhë, e ata e quanin si “alfabet i rrezikshëm”, që u mësonte “mjeshtri të rrezikshme”, prandaj turma e cila nuk dinte asgjë nga këto konstrukte i besoi, sepse vinin në emër të çlirimit dhe brohoriti. E arrestuan mësuesin e tyre dhe e liruan “Informatorin besnik të Krajlit”, pra socializmi nuk e sjellte aspak çlirimin. 

Sapo mori rreze të agimit liria shumëshekullore e shqiptarëve, erdhi socializmi jo i vërtetë, që vetë Krajlin e restauronte, i cili ngritej në pushtet me viktimat e papritura të mësimit të kahmotshëm të popullit të shtypur, dhe ai popull po e hante sot vetveten, në guvën e padukshme të ëndërrave të veta të lirisë.  

Po e përmendi edhe njëherë një fjalë të urtë të popullit tonë: “është lehtë të fitosh, por është zor me e mbajtë!” Vështirësia më e madhe është për të mbrojtur atë e cila është fituar, është vështirë më tepër për të sendërtuar lirinë, sepse paliria dhe ajo që ka qenë djallëzore para luftës, i gjen rrugët prapë për ardhur në pushtet. 

Luftat i bëjnë heronjtë, ndërsa qeverisin ata që nuk ia donë të mirën lirisë…

Shperndaje ne
Updated: 11 Shkurt, 2018 — 20:28

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.