NJË LIGJËRIM NDRYSHE PËR ATDHEUN

Ti të jesh gjithmonë i mirë, i drejtë, i durushëm, jo sulmues, pritës, besnik, i buzëqeshur edhe ndaj armikut kur kërkohet, i qetë, vetëmohues, i denjë, dhe stabil. Vatani është vatra e atdheu. Atdheu nuk lejohet kurrsesi të shpërfilllet me dinakëri e dredhi të shumta nga armiqtë e përbetuar, rreth e rreth nesh. 

(Shkrimi i tretë që e lexova nga Agron Iliriani) 

Brahim Avdyli:

Kur më rrihnin çdo ditë e pa ndërprerë, aq sa jeta më ndodhej në zgripc, e nuk flisja, as nuk bërtisja dhe fare nuk qaja, sado që ndonjëherë nuk e dija në isha gjallë apo i vdekur, një fije drite futej nëpër gropat e syve të mi e deri në mendje. Më dukej se prapë bashkohej drita me DIELL, i cili, tek të parët tanë, pellazgo-ilirët, konsiderohej ZOTI I MADH, që mbante çdo gjë të gjallë nëpër duart e veta. Dielli i shpërndante me dhembje rrezet e veta mbi ne, dhe po të shikonim, dukej sikur befasohej pak nga qëndrimet tona.

Dielli kur i zbret rrezet e veta mbi tokë rriten lulet, rritet bari, rriten gjethet, pra është gjithandej pranvera, është përtrirja e madhe. Ne nuk e kuptonim këtë përtrirje të botës së gjallë, por vriteshim me njëri tjetrin, preheshim ndërmjet veti, sepse edhe mendimet na i kishin prishur të ligjtë e shumtë përskaj nesh. Ne, urreheshim e çakërdiseshim ndërmjet veti. Mendimet pozitive qenë si Dielli, ndërsa mendimet negative të sillnin të ligat, ishte pranverë apo stinë tjetër: ”jo vija duhet të bie këndej e jo andej; jo megjen ma ke shtyrë, jo megja ime është deri atje; ma ke këtë borgj, jo nuk të kam borgj; jo nuk mi ke dhënë-jo ti kam pas dhënë; jo është rendi im, jo more nuk është i yti; kjo është e imja-kjo nuk është e jotja; etj., e sa e sa gjëra kështu të imta, që të rriheshim në mes vete, me një hile të madhe se sa vetë çështja. Nuk ishte me të vërtetë një “argument”, sepse ne për tjera gjëra zakonisht rriheshim, çakërdiseshim, vriteshim e vdisnim. Në vend se të përqafoheshim, nuk i zgjidhnim pak më ndryshe ato “probleme”

Hilja i përkiste hileqarit e hileqari nuk ishte me Zotin, por me djallin. Djalli mbillte mendime negative, e njerëzit nuk kishin kohë të mendonin pozitivisht. Kur sundojnë mendimet pozitive prej të imtave deri te ato të mëdhatë, atëherë njerëzit janë në dorë të Zotit, Diellit, Dritës e djalli i madh nuk ka punë aspak me ta. Aty është barazia dhe sundon dashuria. Ata bashkohen, nuk ndahen. Ku ka një ndarje, futet përçarja, futet hilja, e prapta, djalli. 

Në fakt, me pak fjalë, kjo është një ligjeratë për jetën tonë e atdheun. Unë nuk jam shkrimtar, por çdo gjë del nga përvoja. Përvoja fillon me gjërat e vogla. 

Përvoja ime vie nga vuajtjet e ato nxjerrin mendime, siç është i gatuar njeriu. Kur është njeriu pozitiv, nxjerr mendime pozitive. Përvojat shtohen një nga një në një ligjëratë për të tjerët. Nuk shkruhet për vete, por për të gjithë ata që mund të mësojnë diçka të mirë prej tyre e të mos e ndjekin të njëtën rrugë. 

Nëse duhet të ndjekin pikërisht atë rrugë, ata duhet të mendojnë pikësëpari provat e dhëna prej këtij njeriu të sprovuar. Kështu, mua ma merr mendja, dhe ky është njëri prej qëllimeve të shkrimit. Prandaj, po ua lë juve këto ligjërime. Nëse mund ti lexoni, janë një përvojë e gjallë e kësaj jete, e cila mund të quhet jetë, me dhunë e goditje, me vuajtje të mëdha, të shkruara me gjakun tim. 

Po, po, e marr me mend se ju e kuptoni këtë fakt. E kam marrur në vend të ngjyrës gjakun e damarëve të pastërt prej zemrës sime, sepse ajo vetëm për ju mbahej gjallë, që të mësoni ju nga përvoja ime, e këtushme, e mesdheshme, e rrahjeve, pra nga një përvojë që po kthehej në një ligjëratë. 

Ligjëratat e mija janë më parë për njeriun, për jetesën, për lirinë, për besën e për atdheun, atëherë për çështje të tjera. Dheu ku lind, ku jeton e vdes, është origjina e burimi i vetëm i gjithëçkafes, është burim i të gjitha sprovave. Njeriu jeton nëpër këto sprova. Ai lind në një dhé, në një dhé Amë, në një Atdhe. Me te ka kuptim jeta, pa te nuk ka kuptim. Kjo është toka e trashëguar prej ATIT, i cili është DHEU dhe quhet ATDHEU, të cilin duhet t`ia lëmë trashëgim bijve tanë, nipave e mbesave tona, mundësisht pa kurrfarë problemesh. Hileqarët e të ngjashmit u pikë goja lëng për të marrë një pjesë të tokës sate, që të ka lënë amanet babai, prej babait të tij, nga paraardhësit. Këtu lindë dinakëria nga ata që të shohim se je mirë, me dashuri, me paqe, me liri, me punë, me barazi edhe ndaj seksit tjetër, pra të gjithë njësoj. Ai është hileqari, dinaku e vetë djalli. 

Për të jetuar i lirë e në një vend të lirë; për të punuar një punë të premtuar para Zotit të Madh, të cilit i ke premtuar para se të lindësh, se do ta bësh këtë punë në dheun që do të lindesh, në atdhé, plot gjelbërim, pyeje e pisha, ara e livadhe, lugina të blerta dhe kodra plot gjelberim, plot me Diell, duhet të jetë i lirë prej barbarëve, hileqareve e armiqve. Mund ta sjellësh pa probleme bukën në sofër, të prerë prej molikave. Kjo tregon se atdheu është mbi të gjitha. 

Është detyrë e parë e njeriut të jetojë në një atdhé të lirë, dhe nëse do të jetë i bashkuar me atdhé në të tjera “bashkësi”, atëherë detyra e parë do të jetë që një njeri të bëjë çmos që ta ruajë idetitetin e vet dhe identitetin e njerëzve të tjerë të të njëtit komb në ketë bashkësi, ta garantojë me ligje e ta ketë barazinë. Kemi një gjak vëllazëror, një komb, një gjuhë të vetme dhe një territor, i cili është i denjë për shkëmbime të rëndësishme, pastaj vinë të tjerat. 

E nëse të ka përfshirë e keqja, nëse të rrezikon e liga, nëse të rrethon me të gjitha të pariturat e saja më të liga, të cilat i kanë pushtuesit e tokës sate me vete, pra armiqtë e përbetuar kundër teje, me besën e djallit apo Kryedjallit, e që duan patjetër të nxjerrin nga toka e jote; që të dënojnë me shumë vegla të tyre, sepse ata nuk njohin dhé e atdhé, gjuhë e kulturë; apo të të vrasin pas shpinde, e cila është kundër Zotit të Madh, jo përballë. Ti e sheh me sy dhe do ta mbash në mendje, për të treguar. Atëherë, nëpër shumë pyetje që do ti kesh, me dhembje apo pa dhembje, me humbje apo pa humbje, do të ngritesh në një luftë, fillimisht në mënyrë demokratike, pastaj me mjete të tjera, deri në fitore apo humbje. Një logari e thjeshtë është kjo logari: duhet të kesh një trup të plotë e të shëndosh, një familje të mirë, një farefis e një fis shëmbëllor, një atdhé, një flamur, një gjuhë, një kulturë, një tregëti të garatuar dhe të jeshë i lirë-ose të flijohesh për këto. Do të kesh edhe miq, farefise, fise e popuj vëllezër, shete që të ndihmojnë, dhe ndër to edhe superfuqi, që të mbështesin. 

Të jetosh i lirë e në vëllazëri, nuk është kurrsesi e lehtë, aq më pak në jetën e përkohshme. Aty, dy hise lindin prej djajve e një hise prej Zotit, thuhet në disa rrethe. Sa është e vërtetë, nuk dihet, porse shumë më të ligj ka mbi tokë e fare pak njerëz të mirë. Në luftë të përhershme je me ta, me të ligën, me të keqen. 

Jeta në tokë është jetë e vështirë. Sa qel e hapë sytë mund të përfundosh si unë, në një kthinë: tek brenë miza hekur, në mes të ujit që tronditet, errësirë sikur para shtërgatave, fërfllazë përjashta e përplasje të përhershme, vetëm e brenda këtij muri, pa asnjë të njohur pranë teje! As babë e nanë, vëlla e motër, mik që të shtrinë dorën! Je në një dhé të largët e të braktisur, të ftohtë, të zymtë, të mbyllur nga të huajtë, pa ndenja të dashamirësisë. Je pra mjet mbi të cilin përplaset dhuma e programuar, si një trup që rrokulliset nëpër goditje e lëshohet teposhtë nëpër gurë. Kur mezi e pret që ata të përplasin nëpër baltë e gurë të thepisur, dhe midis tyre të gjësh një vend për të marrë frymë, sepse dije se shpirti nuk del pa urdhërin e Zotit të Madh. Aty e bën vendin tënd, sepse ditët e fundit të jetës janë të numëruara. Ti je pa dhé ku u linde, pa atdhé, pa njeri tuajin, në tretdhé. Je i paliri! I lindur dukesh me përdhunë. 

Po e sjelli një thënie të bukur të një fillmi kinez, “Dragon Blade”, në të cilin thuhet kushtimisht: “Të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë. Por, e ardhmja është në duart tona.” Duhet kuptuar këtë punë pa trokitur e keqja në derë. 

E ardhmja duhet të jetë në duar të sigurta. Në duar të pasiguarta nuk mund të lihet. Në duart e pasigurta rrëshqet fati i kombit, i atdheut, i lirisë, deri në shkatërrim. Mbajeni mend dhe luftoni për këte! Duhet kuptuar fatin tuaj dhe pa trokitur në derën tuaj fati i lig. Duhet të dishë dhe mbroshë të mirën nga e liga, të mbarën nga e prapta, të drejtën nga e padrejta, fitimin nga humbja, lirinë nga paliria, atdheun nga humbja e atdheut. Nuk e thashë më kot atë thënie legjendare: “Atdheu është mbi të gjitha!”. E lehtë është ta kuptojmë edhe thënien e pleqëve tanë, se rrëniet tona janë të lashta, shumë më të lashta se sa njerëzimi, e janë të mbushura plot e përplot me histori të lavdishme. 

Të tjerët janë ata që kanë si qëllim të pandryshueshëm që të ndërrojmë gjak e të ndërrojmë atdhé, por kjo gjë e madhe nuk është bërë. Gjaku uj nuk bëhet! Fjala e popullit është: “Duaje vatanin tënd dhe ndihu krenar që je Shqiptar!” 

Ti të jesh gjithmonë i mirë, i drejtë, i durushëm, jo sulmues, pritës, besnik, i buzëqeshur edhe ndaj armikut kur kërkohet, i qetë, vetëmohues, i denjë, dhe stabil. Vatani është vatra e atdheu. Atdheu nuk lejohet kurrsesi të shpërfilllet me dinakëri e dredhi të shumta nga armiqtë e përbetuar, rreth e rreth nesh. 

Kaq sa për sonte. Mbroje të drejtë nga e padrejta!… 

Shperndaje ne
Updated: 15 Mars, 2018 — 20:27

The Author

Brahim Avdyli

DISA SHËNIME BIOGRAFIKE PËR AUTORIN DHE VEPRAT Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX). Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)... Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010. Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizative, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike... Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra: -"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983; -"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990; -"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992; -"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994; -"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997; -"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999; -"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë, 2000; -"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003; -"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005; -"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007; -"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008; -"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2009; -"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011; -"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012; -"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë, 2013; -"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014; -"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015; “Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017. “Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019. Tani, pritet të botohet vepra “Die Verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019... Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë... Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë... Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht. Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS); dhe i disa organizatave të tjera. Këto poezi lirike janë nga libri më i ri i poezisë së tij lirike...

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.