Fahri Dahri: SUDETËT, ISTRIANËT, IZRAELITËT, ÇAMËT DHE MODELI PËR ZGJIDHJEN E “ÇËSHTJES ÇAME” (I)

Luftërat Botërore të shekullit të kaluar, megjithëse kanë kaluar mbi 70 dhe 100 vjet, kanë lënë pasoja të rënda tek disa popuj mbi të cilët shkeli dhe kaloi thundra pushtuese. Në këtë trajtesë do njihemi shkurtimisht me këta popuj, dy prej të cilëve (istrianët dhe sudetët) ishin pjesë e popujve që shkaktuan luftërat dhe dy të tjerë (Izraelitët dhe çamët) nuk ishin pjesë e atyre popullsive, por ngjarjet historike i kanë bërë pothuaj të ngjajshëm.  

Nisur nga fakti se këto vitet e fundit, sipas shtypit shqiptar, janë hedhur mendime nga personalitete të ndryshme shqiptare lidhur me zgjidhjen e problemit të komunitetit çam, ish banorë autotktonë në rajonin e Çamërisë, duke ofruar modelet e përdorura nga shtetet përkatëse për istrianët dhe sudetët, lindi nevoja për ti njohur konkretisht ata popuj dhe modelet e zgjidhjeve. Nga hulumtimet rezulton:  

1.- Sudetët.  

Pas Luftës së Parë Botërore, emri Sudetenland erdhi nga Republika e parë Çekosllovake me popullsi të madhe etnike gjermane. Në vitin 1918 u shpall shteti jetëshkurtër Sudetenland, në krahinën gjermano-austriake, në pjesën veriore të Moravias dhe Silesias austriake rreth qytetit Opava. Termi është përdorur në një kuptim më të gjerë, kur më 1 tetor 1933 Konrad Henlein themeloi Partinë gjermane të Sudeteve. Parti që u referohej të gjithë gjermanëve indigjenë (etnikë) në Çekosllovaki. Ata ishin të grumbulluar në të gjithë periferinë malore të Çekisë, jo vetëm në ish Moravian, Provincë e  Sudetenland, por edhe përgjatë vijës kufitare veri-perëndimore të zonës që më parë quhej Bohemia gjermane. 

Në total kjo pakicë gjermane, para Luftës së Dytë Botërore, numëronte rreth 20% të popullsisë së përgjithshme kombëtare. Duke shkaktuar “Krizën Sudete”, Hitleri i dha Sudetenland-it, sipas marrëveshjes së Munihut të vitit 1938, shumicën e fortifikimeve kufitare të Çekosllovakisë, duke e lënë pjesën e mbetur të zhveshur nga kufijtë e saj natyrorë dhe në fund e pushtuar nga Gjermania në mars 1939. Me aneksimin nga Gjermania naziste, pjesa më e madhe e rajonit ishte ripërcaktuar si Reichsgau Sudetenland.  Sudetenland Reichsgau (qark çek i perandorisë sudete) u formua nga pjesa më e madhe e zonave të Çekosllovakisë të përfshira më 1938 dhe që ekzistonte në Perandorinë Gjermane nga viti 1939 deri më 1945.  

Në krye të administrimit të territorit ishte guvernatori i Rajhut Konrad Henlein. Sudetenland Reichsgau u nda në rrethet administrative Eger, Aussig dhe Troppau, në tetor 1938 kishte një sipërfaqe prej 22.608 km ², në dhjetor të të njëjtit vit, si rezultat i korrigjimeve të mëtejshme territoriale, ajo mbuloi 29.140 km2. Me rivendosjen e territorit të Çekosllovakisë, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, historia e Sudetenland Reichsgau përfundoi.   

Pas Luftës së Dytë Botërore, shumica e popullsisë gjermane brenda Sudetes çekosllovake dhe polake, u dëbuan me dhunë në bazë të Marrëveshjes Potsdam dhe dekreteve Benes. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë çekosllovake më pas kundërshtoi fuqishëm përdorimin e periudhës së Sudetëve.  

Sudetët ishin me origjinë gjermane në trojet e Çekisë dhe të Polonisë dhe u aktivizuan në Luftën e Dytë Botërore përkrah me gjermanët. 

2.- Istrianët.  

         Struktura e popujve indigjenë(vendas) të Istrias ishte: italianët (45%), kroatët (33%), sllovenët (19%), Istrorumeni (3%). Siç ndodh në rajone të shumta kufitare, konceptet e etnisë dhe kombësisë tregojnë limitet e tyre edhe kur ato janë aplikuar në rajonin Julian (i përbërë nga Trieste, Gorizia, Istria dhe Fiume), shpesh përdorin termat italiane, kroate, sllovene dhe Istrorumene për etnicitetin e istrianëve. 

Në të vërtetë, këto mbiemra janë shumë të nuancuara (ngjyrosura) dhe shpesh janë vetëm ndjenja të përkatësisë, që mund të ekzistojnë edhe në mungesë të karakteristikave gjuhësore, kulturore dhe historike. Nga ndonjëherë ato janë rezultat i një zgjedhje personale, për shembull, irredentistët e Triestes, të njohur si Guglielmo Oberdan, ishin përzierje familjesh slloveno-italiane dhe u quajtën Oberdank; ndërsa shkrimtari Slataper Scipio, patriot i njohur, vullnetar në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, ishte, pjesërisht me prejardhje boheme. Ka shumë raste të familjeve që janë shartuar në degët sllave dhe italiane (madje edhe në nivelin e vëllezërve dhe kushërinjve) në varësi të ngjarjeve personale. 

          Në kontekstin (vështrimin) Istrias, termi italianë, mund të lidhet me një pasardhës të atyre italianëve që lëviznin gjatë sovranitetit italian, është i lindur në gjuhën Venetiane ose gjuhën Istriane. Grupi i Istrianëve mund të përfshihen edhe tek pasardhësit e popullsisë së skllevërve që banonin në zonat rurale të cilët adoptuan gjuhën dhe kulturën e borgjezisë italiane, në kohën kur janë zhvendosur nga fshati, në qytetet me shumicë italiane. Duke shkuar drejt natyrës së vërtetë të Istrias, shumë istrianë sot priren ta quajnë veten thjesht të Istrias, pa asnjë ndjenjë të mëtejshme kombëtare. Në të gjithë territorin e Istrias tani është e pranishëme një kërkesë e rëndësishëm drejt lëvizjes për autonomi që është shprehur në mënyra të ndryshme, por kishte vetëm një konfigurim  (model) politik kroato- Istrian, ku regjionaliste (lokalistët), kuvendi (Diet) i Partisë Demokratike të Istrias ka fituar hegjemoninë (dominimin) në politikën lokale . 

Sipas Raoul Pupo (²) (Giornale di Brescia më 9 shkurt, 2006), Milovan Djilas që ishte  një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Titos bashkë me Edvard Kardelin, u dërguan në Istria në vitin 1991 për të pranuar publikisht largimin e tyre nga vendi, por rezulton se në vitin 1946,  italianët ishin detyruar “me çdo mënyrë të largoheshin? “. Pupo ka deklaruar se: “Ju do të habiteni, por kohët e fundit ajo u hodh poshtë, ato ishin të infektuara, rezultoi se ishte një “mashtrim” i madh, gjuajtur (ndezur) nga Gjilas, i cili si disident nuk i kishte humbur prirjet e tij të njohura për të treguar gënjeshtra. Një studiues i Lubjanës është i kënaqur, përtej një hije e dyshimi, se në atë vit Gilasi kurrë nuk kishte shkuar në Istria”(4). Ndërsa për Kardelin, Pupo është shprehur “Ai në fakt shkoi atje, por për t’i bindur njerëzit për të qëndruar me Titon, me këtë donte t’u provonte aleatëve, të cilët ishin angazhuar në përcaktimin e kufijve të rinj post-luftës, që aneksimi të bëhej me “vullnetin e italianëve, më pas dha udhëzime që ata mund të jenë të detyruar për tu lidhur me regjimin dhe jo si emigrantë”. Me eksodin, i cili duhej të ishte sa më masiv, lokalët (vendorët) ishin vendosur për çështjen e kufijve për të mbetur të hapur edhe në vitet në vijim. Prania në Itali e një komuniteti masiv dhe kompakt i refugjatëve siguroi një bazë masive për të vazhduar shqetësimin për rishikimin e kufijve. Nga këta 70% ishin banorë indigjenë (vendas, autoktonë), ndërsa pjesa e mbetur 30% ishin emigrantë italianë nga rajone të tjera të Italisë pas Luftës së Dytë Botërore, si rezultat u bë kalimi i këtyre tokave në Mbretërinë e Italisë që më parë i përkisnin Perandorisë Austro-Hungareze. Sipas të dhënave të një komisioni të kryesuar nga Amedeo Colella, të botuar në vitin 1958, vlerësohej se numri i të internuarve  ishte midis 250,000 dhe 270,000 vetave.  

Istrianët rezultojnë me identitete të diskutueshme, por pjesa më e madhe e tyre ishin të etnisë italianë,  të shtetit që shkaktoi Luftën e Dytë Botërore. 

3.- Izraelitët. 

Në vitet 1020-930 para Krishtit, në Izrael sundonte monarkia. Mbreti i parë ishte Sauli i cili ligjëroi kalimin nga sistemi fisnor në monarki. Pas tij erdhi Davidi i cili e bëri Izraelin një fuqi të madhe në rajon duke mposhtur filistinët(¹). Davidi caktoi Jeruzalemin si kryeqytet dhe bashkoi të 12 fiset hebraike nën një mbretëri.  

Solomoni (Sulejmani), djali i Davidit (Dautit), sipas Biblës ka qënë mbreti i tretë dhe më i rëndësishëm i Izraelit dhe Judesë i cili mbretëroi nga viti 970 deri në vitin 930 p.e.s. Ai është njohur si një nga njerëzit më të mençur të njerëzimit; me emrin e tij janë lidhur “Libri i këngëve”» si dhe “Libri i proverbave”. Ndaj thonë “dije solomonike”. Vdekja e Solomonit krijoi turbullira në vend, të cilat e ndanë Izraelin në dy pjesë: Izraeli u përfshi në Mbretërinë e veriut; Jude u përfshi në Mbretërinë e Jugut. Mbretëria e Izraelit zgjati 200 vjet dhe Mbretëria Jude zgjati 400 vjet.  

Asirët (fis arab) e shkatërruan mbretërinë e Izraelit. Babilonasit rrafshuan Tempullin dhe pjesën më të madhe të banorëve e përzunë. Këtu filloi edhe emigrimi masiv i hebrenjve. Ata ikën nga të mundnin, por lidhjet me tokën nuk i shkëputën asnjëherë. Së shumti qëndruan pranë lumenjve të Babilonisë dhe në mënyrë solemne shpreheshin: “Në rasat se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi; m’u lidhtë gjuha me qiellzën “. Izraeli është atdheu i vjetër dhe i ri i popullit hebraik. Një popull i veçantë në histori, në gjuhë, në kultet e veta, në kulturë, në shkencë. Në këta kufij është zhvilluar një pjesë e madhe e historisë botërore ku 2.000 vjetët e parë janë pjesë e ndërtimit të librit më të madh të botës “Bibla”. Lëvizën masivisht në të gjithë botën por ruajtën qenien e tyre fizike aty. Të shpërndarë si asnjë komb tjetër, ata mundën të ruajnë identitetin kulturor e fetar.  

Pavarësia e tyre kishte humbur plot 2.000 vjet dhe ajo u ripërtëri vetëm në vitin 1948, me të ashtuquajturën “Deklarata e Balfourit” (³). Kufijtë ndërshtetërorë të Izraelit, pas luftërave të shumta, janë vendosur sipas marrëveshjeve në vitet 1949, 1973, 1976 dhe me Egjiptin sipas marrëveshjes së vitit 1979. Sipërfaqja e Izraelit është 27, 817 km². Veri-Jug ka një gjatësi 450 km dhe lindje-perëndim 135 km. 

4.- Çamët.  

Për fisin e vjetër të thesprotëve, me fillimin e shekullit të XX-të, nisën shqetësimet tronditëse me prirje uzurpuese nga një shtet i formuar më së shumti prej luftëtarëve të etnisë shqiptare. Në tremujorin e parë (27 mars) të vitit 1913, ndaj atij fisi, filluan të shfaqen lakmitë territoriale dhe zelli i madh i zgjerimit për helenizmin e shuar. Kështu filloi lëkundja e fqinjësisë normale ndërshekullore me fiset e lashta greke, të cilët u shndërruan në agresorë nga mëkimi “ortodoks” i  “Magollidesë”, të nxitur dhe të përkrahur fuqimisht nga ortodoksia ruse. Ishin këto politika që hap pas hapi shkaktuan urrejtje, vrasje, rrëmbim pasurish dhe dy emigrime masive të çamëve myslimanë.  

Çamët u dëbuan dhunshëm. Emigrimi i parë ishte i detyruar për të shkuar në Turqi (vitet 1922-23), ndërsa emigrimi i dytë, u shoqërua me masakra çnjerëzore (1944-1945), nuk mori dhénë, por u strehua brënda territorit etnik, kufi me tokën e tyre, ngjitur me tokën e të parëve. Tek këta banorë, janë të gjalla lidhjet me atë vend dhe nuk do të shkëputen asnjëherë.  

Prindërit tanë, të cilët i përfshiu e “keqja e zezë”, sot nuk janë, por amaneti, dhimshuria, respekti dhe ndjenjat e brezave pas tyre, nuk do të shuhen kurrë, në mënyrë solemne, të padiskutueshme dhe tepër serioze, shprehemi në betim: “Çamëri! Ne, kurrë nuk do të harrojmë. Ti je e jona”. Thesprotia apo Çamëria është atdheu i vjetër dhe i ri i popullit shqiptar të Çamërisë.  

Rajoni i Çamërisë, deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, kishte përbërje etnike homogjene me mbi 82 përqind të popullsisë me etni shqiptare. Për të mos qenë të pabesueshëm, po marrim për bazë statistikat e shtetit Grek të vitit 1937, të cilat raportojnë se në rajonin tonë (Çamëri) kishte 279 fshatra me një popullsi prej 112.619 banorë, nga të cilët 92.415 ishin shqiptarë, ndërsa 20.204 banorë ishin grekofonë (vllehë, çifutë, kolonë grekë) (92.415×100:112.619= 82%). Në atë periudhë kishte ndryshuar struktura e popullsisë, mbasi në vitet 1922-1925 ishin dëbuar 35.200 çamë myslimanë dhe kishin ardhur në atë rajon 16.000 ortodoksë aziatikë. Sipas këtyre lëvizjeve popullsia e Çamërisë në vitin 1937 do ishte 131,819 banorë; nga këta 4.204 banorë do ishin jo shqiptarë, ose 3,20 %; ndërsa çamë të etnisë shqiptare (të krishterë e myslimanë) do të ishin 127,615 banorë ose 96,80 %. 

Mbas tre muajsh, mbushen 74 vjet, që banorët autoktonë të Rajonit të Çamërisë u ndodhën përpara masakrimeve dhe dëbimeve masive. Në mënyra të ndryshme, gjatë gjithë kësaj periudhe, çamët e kanë ngritur zërin në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në përputhje të Konventave dhe Ligjeve Ndërkombëtare. 

Ndërsa shteti ortodoks Grek, po gjatë këtyre 74 viteve, ka mbajtur të pandryshuar kursin e tij politik dhe diplomatik me këmbëngulje të ashpër në mohim të ekzistencës së komunitetit etnik shqiptar në rajonin e Çamërisë. Nuk njeh gjenocidin e kryer ndaj çamëve myslimanë dhe as të drejtat e pakicës etnike të shqiptarëve çamë ortodoksë. Nuk pranon asnjë bashkëbisedim për problemin “Çështja Çame”. Përpara një qendrimi të tillë nga pala greke, si shkaktarja e lindjes së problemit “Çam”, janë bërë herë pas here përpjekje dhe kërkesa nga institucionet shtetërore shqiptare, por pa efekte. Deri para vitit 2013 trajtimi i të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë nga pala shtetërore ka qenë e vakët, gati e harruar. 

“Çështja Çama” hyri në programet zyrtare nga viti 2013 me qeverisjen e majtë. Nga ky vit e në vazhdim, me kurbë në rritje, janë bërë përpjekje që në takimet me partnerët ndërkombëtarë, problemin kombëtar të shqiptarëve të Çamërisë, ta trajtojnë me seriozitet dhe është siguruar një arritje pozitive për informimin dhe tërheqjen e vëmendjes të BE-së, siç ishte Deklarata e komisionerit Hahn dhe e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA-së).  

Problem i marrëdhënieve shqiptaro-greke nuk kushtëzohet vetëm me problemin e banorëve të rajonit të Çamërisë, por është problem në tërësi për të drejtat e njeriut edhe për banorët në rajonet e tjera me popullsi autoktone etnike shqiptare në anën tjetër të kufirit me Shqipërinë. 

Mendime lidhur me mundësitë 

për zgjidhjen e problemit të shqiptarëve të Çamërisë. 

Historiani dhe diplomati i njohur Pëllumb Xhufi e shikon zgjidhjen e “Çështjes Çame” sipas modelit që aplikuan dy vendet Kroacia dhe Italia. Kroacia nuk lejonte shtetasit italianë të Istrias të shkonin në tokat e të parëve të tyre në Kroaci, siç ka vepruar dhe vepron edhe shteti Grek për çamët myslimanë, por me ndërhyrjen e BE-së u arrit që istrianët e fituan të drejtën e lëvizjes së lirë, gjithashtu të dy vendet (Italia dhe Kroacia) nënshkruan marrëveshje edhe për dëmshpërblimin financiar të të prekurve. 

Profesor Xhufi sugjeron: “Unë mendoj se kjo çështje mund të zgjidhet si konflikti i disa viteve më parë mes Kroacisë dhe Italisë. Edhe në këtë rast shtetas italianë kryesisht banorë të Istrias nuk lejoheshin nga autoritetet kroate të shkonin në pronat dhe tokat e paraardhësve të tyre në Kroaci. Në atë kohë Kroacia ishte kandidat për në BE dhe Italia një nga anëtarët e BE dhe për Bruskelin ishte e papranueshme që shtetasit europianë të pengoheshin të lëviznin lirshëm në hapësirën e saj. Pavarësisht kundërshtimeve të Zagrebit, BE detyroi Kroacinë që të lejonte shtetasit italianë jo vetëm të shkonin në tokat e të parëve të tyre por çështja u zgjidh me marrëveshje mes dy shteteve përfshirë këtu dhe dëmshpërblim të madh financiar”.  

Ndërsa studjuesja Blerina Sadiku, zgjidhjen e “Çështjes Çame”e shikon të mundshme sipas modelit të Sudetenlandit, e cila banohej në pjesën më të madhe nga popullsi gjermane. Mendim për zgjidhjen e “Çështjes Çame” sipas modelit me Sudetelandët ka shfaqur edhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtëme i Shqipërisë.  

Krahina e Sudetenlandit, ishte e përfshirë drejtpërdrejt në politikat e Gjermanisë naziste, sipas marrëveshjes së Munihut 1938, pasi etnikisht ajo popullsi ishte gjermane.  

Znj. Sadiku vazhdon argumentin se: “Si çamët ashtu sikurse edhe sudetët u dënuan kolektivisht, të parët nga Greqia dhe të dytët nga Çekosllovakia. Pengesat ligjore, të debatueshme ende në ditët e sotme, për çështjen çame e përben Ligji i Luftës, i vitit 1940, ndërsa për çështjen e sudetëve janë dekretet e Presidentit Benes. Gjithashtu, dhe dënimet respektive kolektive dhe në mungesë nga gjykatat e vendeve përkatëse”. Në vitin 1990 u deklarua ndjesa e parë zyrtare nga Presidenti i Çekosllovakisë Vaslav Havel, në një takim me homologun e tij gjerman, i cili gjithashtu shprehu ndjesën e tij publike për krimet e kryera nga nazistët”. 

Trajtimi i çështjes çame dhe çështjes së sudetëve vjen në dy rrethana të ndryshme. Çështja çame është problem midis Greqisë anëtare e Bashkimit Europian dhe Shqipërisë kandidate. Kurse çështja e sudetëve ishte problem midis shtetit të tyre “Amë” Gjermanisë, vend anëtar i BE-së dhe Çekisë, vend jo anëtar, por që u anëtarësua në vitin 2004. 

Në marrëdhëniet shqiptaro-greke, kundrejt një gjendjeje të ngjashme, ndodhemi përpara një ngecje absurde, ku pala greke, siç ka deklaruar edhe kryeministri grek Mitsotaqis në janar të vitit 1991: “Problemi çam nuk ekziston dhe për qeverinë greke konsiderohet i mbyllur”. Qendrim i cili vazhdon edhe sot i pandryshuar. Ndërsa pala çeke ka deklaruar zyrtarisht falje për akuzat kolektive ndaj sudetëve; po ashtu pala gjermane i pranoi gabimet e kohës naziste. Krejt ndryshe reflekton pala greke lidhur me të drejtat e komunitetit çam. Mitsotaqis, kryeministër i Greqisë paraqiti justifikimin se edhe lëvizjet e popullsisë gjermane, që ishte miliona banorë, pas Luftës së Dytë Botërore, sipas tij nuk kërkuan rikthim në vendin e tyre (një dredhi e momentit për të justifikuar qendrimet greke). Dihet se deklarata e tij nuk ishte korrekte, pasi në të vërtetë si popullsia e Sudetëve dhe ata të Istrias e kërkonin njohjen e problemit, bile donin edhe ndryshimin e kufijve.

Vazhdo 

Shperndaje ne
Updated: 8 Prill, 2018 — 08:38

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons