Kthehuni fytyrë me fytyrë, vëllai me vëlla! Pyeteni Zotin, drejtësinë, Kushtetutën,

riza_grecevci“Jam Zot i Kosovës,

pronari jam unë: Populli!”

Publikuar: E mërkure 8 Tetor 2014,

Prifti së pari e bekon mjekrën e tij, e pastaj…

Kthehuni fytyrë me fytyrë, vëllai me vëlla! Pyeteni Zotin, drejtësinë, Kushtetutën, Kushtetuesen…Uluni bashkë, vëllezër jeni! Ngrijeni dorën, formoni Parlamentin, Qeverinë, bashkë rreth një sofre, le të buzëqeshin fëmija, le të buzëqesh demokracia, lë të pëlcet armiqësia…

(Populli: Kur të takohem, o deputet, me ty: a me të përqafua, a me të pështy?)

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Jam Zoti i kësaj toke, populli jam!

Me njihni mua? Po, po, me njihni! Po me vjen tepër keq, kur disa liderë të partive politike sot po përqafojnë, po puthin e po shtrëngojnë duart me Jablanoviqin, po hanë darka e dreka të majme, po pinë vodkë ruse, me ata të cilët dje dogjën, vranë e masakruan, përdhunuan nënat e motrat e nuset shqiptare, mbushën gjithandej tokat serbe me eshtra të fëmijëve, nënave, burrave, djemve, pleqve shqiptarë…Po puqin çlirimtarët e djeshëm, faqen për faqe me rodin e rodit çetnik-kriminel nga Beogradi, që as sot, as nesër, (e siç betohen publikisht para Evropës, OKB-së, para botës, kurrë s’do ta njohin Kosovën shtet!), po puthen e po hanë dreka e darka të majme me Jablanoviqët, dhe me iqët e tjerë, para popullit të Kosovës, të uritur, i  kapluar në varfëri të skajshme, i papunë, dhe, ndofta, kushedi, për hatër (të një grusht votash!) të thikës çetnike-kriminele, po ua krisin sharjeve, fyerjeve, pa ia krisin betimit para Beogradit, të pangopurit për shtet e hyqymet, liderë shqiptarë dhe po betohen. Kurrë s’do të komunikojmë me vëllain, Hashim Thaçi, me liderin më karizmatik që ka pasur deri më sot Kosova, me njeriun politikanin më të çmuar nga Evropa, Amerika, Brukseli, me të nominuarin për Çmimin ‘Nobel’ për Paqe, për udhëheqësin e bisedimeve në Rambuje, dhe në anën tjetër, publikisht që mbi tre muaj betohen se kurrë nuk do të përshëndeten me Hashim Thaçin dhe me shokët e partisë së tij… betohen që mbi tre muaj rresht se as që do të ulen bashkë rreth një tavolinë me vëllezërit e vet, me gjuhën e me gjakun  e vet, me djepin e me specien e popullit të vet dhe, me çdo kusht, për asnjë çmim nuk do të lëshojnë pe për të futur në grusht  pushtetin e hyqymetin. Vallë, jeni bërë prush e hi për me marrë pushtetin, thoni? E çka iu vyen ai Kuvend: Çka u vyen ajo Qeveri? E çka iu vyejnë ato institucione kur s’flisni me vëllain tuaj, kur doni me ia nxjerr sytë vëllait tuaj, kur doni me ia shkërmoqur mishin nga kockat e me ia pjekur vëllait tuaj shqiptar, vëlla, me gjuhë, me djep, me gjak, me dinjitet. Dëgjoni, o të pangopur për shtet e hyqymet:

Jam Zot i Kosovës, pronari jam unë: populli!

Vallë, ju që fyeni, shkelni, abuzoni,  si të ishin pronë e bahçes së babait tuaj, institucionet e Kosovës, doni me i bërë pronë private të xhepit tuaj? Ju, medet, shpresojnë, unë, populli po iu dua shumë, po i përkrah, po u jep leje me pështy e me poshtërua e me shemb vëllai të vëllain, lirinë, pavarësinë, Parlamentin, Qeverinë, Kushtetutën, ligjet, drejtësinë?! Edhe pak minuta kanë mbetur durim me iu mbushur mendja juve bllokaxhinjve, të kuptoni se zoti jam unë! Pronari i Kosovës jam unë? Pronari i institucioneve jam unë! Pronar i Parlamentit, i Qeverisë, i Luftës Çlirimtare të Kosovës jam unë! Pronar i Pavarësisë, i lirisë, i secilës pëllëmbë të Kosovës jam unë, dhe vetëm unë? E dini kush jam? E dini, e dini, mos e ulni kryet. S’i ka hije shqiptarit, ndryshe ndër sy, ndryshe pas shpine! Merrni vesh, o të mashtruar për një bythë pushteti: Jam zot i Kosovës! Pronari jam unë: populli!

Jam Zot i Kosovës, pronari jam unë: populli!

Edhe pak minuta kanë mbetur durim me iu mbushur mendja juve që po digjeni në flakën e lakmisë vetëm për pushtet, se për gjë tjetër s’keni zotësi as çon miza mbi krah! Qy, qy, prapë me bllokadë, a? Kuptoni se zoti jam unë! Kthehuni fytyrë me fytyrë, vëllai me vëllai! Pyeteni Zotin, drejtësinë, Kushtetutën, Kushtetuesen. Uluni bashkë, vëllezër jeni!Ngrijeni dorën, formoni Parlamentin, Qeverinë, bashkë rreth një sofre, le të buzëqeshin fëmija, le të buzëqesh demokracia, lë të pëlcet armiqësia. Hapni udhë, se u bëtë horr për jetë e mot: Formoni damarët e shtetit, mbushni ata damarë me gjakun e moralin e dashurinë e përgjegjësinë tuaj! Lëshoni le të ecën, lë të gjallojnë pronat e mia, të miat janë, kuptoni o analfabetë, he buka e Kosovës u vraftë!

Jam djepi, gjuha, gjaku juaj, populli jam unë!

Unë, populli, jam djepi, jam ninulla, jam gjiri, jam fryma, jam gjuha e dielli e zot e për mbi zot për këto fe e për këtë atdhe! Po, ç’janë gjithë këto fyerje, gjithë këto thika e sakica e gota me helm në sofrën e vëllait me vëlla, të liderit ndaj liderit shqiptar, gjithë kjo urrejtje e përbuzjeje e fyerjeje e bllokut bllokues ndaj  ligjeve, Kushtetutës, Kushtetueses, ndaj personaliteteve vendore dhe ndërkombëtare, kërcënime e thirrje për bojkotim të rendit kushtetues, thirrje e kërcënime edhe për trazira gjithëpopullore, mohim e fyerje ndaj ligjvënësve, dhe të te gjitha personaliteteve udhëheqëse, vetëm e vetëm me arritur realizimin e lakmive tuaja për pushtet, me çdo kusht, pa çmim, për pushtet dhe karrierë politike. Mësoni përmendësh, mësoni edhe fëmijëve tuaj, miqve e shokëve tuaj, edhe Zotin bëni me dije, këtë që ua them unë, Zoti, djepi, buka, rrita, nderi juaj, populli: Jam djepi, gjuha, gjaku juaj, populli jam unë!

Unë vendosi, unë jam Ai – pronari i gjithçkaje mbi këtë dhe e fe:populli!

“Arsyeja që një person të urren është se ai dëshiron të jetë si ti”. Mbani në mend , o të pangopur  për pushtet e hyqymet: UNË;  po dëgjoj, po shoh, mashtroni veten tuaj, s’jam i verbër jo, as budalla, as frikacak, as tyxhar. Çka iu desh juve gjithë kjo mëri, hasmëri, primitivizëm, gjithë kjo marre: Vëlla nuk doni! Miq nuk doni, ndërkombëtar nuk doni! Bisedime me vëllain nuk doni! Vendimet e Kushtetueses nuk i doni! Presidenten nuk e doni! Nuk i besoni! E mohoni! Marrëveshje s’doni! Qeveri kalimtare nuk doni! Zgjedhje të parakohshme nuk doni! A vetëm pushtetin dhe hyqymetin e doni, aaaa? Hallall u qoftë, po trima, po burra, po politikanë që jeni, po demokratë që jeni! E, pushtetin e kërkoni ju? Të popullit të Kosovës, thoni? Atëherë, pyeteni popullin tuaj, që me votën e lirë u rrëzoi hundë e buzë, e…A i besoni ju marrës? Boll ma! Boll ma! Hapni sytë mirë, mësojeni dhe mbani në mend sa të ketë dritë dielli: Unë vendosi, unë jam Ai – pronari i Atdheut (Kosovës!), kam pronar i  gjithçkaje mbi këtë dhe e mbi këto fe, nga toka deri mbi re: Jam populli, Krijuesi juaj…!

Mos u bëni merak: Ju njoh të gjithëve, si grurin e kuq!

Ju njoh, betohem në Krisht dhe Allah, ju bëj be në bukë e kripë, ju njoh dhe e di Kush i do me zemër, fe dhe atdhe! Kush me do dhe me nderon mua, fare pak, e kush s’më do fare. Po qysh s’e di kujt ia dhashë bukën, kujt ia dhashë pushkën, kujt ia dha bekimin Zoti. Po qysh s’e di, Unë, sovrani numër një i Kosovës: kush derdhi gjak e dha jetën për lirinë e tij, për të sotmen dhe për ardhmërinë e tij, e kush ua bëri gropën pas shpine: Maleve mbushur me çlirimtarë! Kush e puthi në ballë, e kush e kafshoi si gjarpër UÇK-në! E di, krejt i di Unë: Kush i dha krejt çka pati Kosovës, e kush i mori shtatë fish ma shumë. Kush ia rropi lëkurën Kosovës dhe kush ia shëroi plagët, e ndërtoi, e nderoi me punë e suksese për të. Mos u bëni aspak merak: Ju njoh të gjithëve, si grurin e kuq! Bile-bile juve që po përpiqeni me nda ndërmjet vete lirinë, demokracinë, po përpiqeni me nda e me përça secilin djep, secilën sofër, secilën pikë gjaku që derdha unë, populli ju flet, o bijtë e mi, prandaj mos bëni pazarllëk me institucionet e mia, me shtetin dhe me Qeverinë time, me Parlamentin dhe me amanetin e dëshmorëve, boll ma, he ju vraftë buka ime!

Shikoni fytyrën tuaj në pasqyrën e popullit, o deputetë…!

Dijetarët, mendarët, kanë lënë amanet për brezat, prandaj, o deputetë, s’keni pikur nga qielli jo, jeni bijtë e mi, të popullit jeni, jo të partive politike, jo të qorrave dhe analfabetëve lakmitarë që po përpiqen me e nda vëllazërinë, me nda fe dhe atdhe, me nda lirinë dhe pavarësinë, me nda Shtetin, Qeverinë, Parlamentin me nda me njëri-tjetrin, sot, në fillim shekullin e ri të demokracisë buzëqeshjet, rritën, abetaren, shkollën, me nda  tokë e qiell për përfitime të veta! Dijetarët, pleqnarët, atdhetarët e denjë kanë porositur brezat, e Unë, populli, po u lus në çastet e fundit të durimit: Shikoni kokën, sytë tuaj! Shikoni gjymtyrët dhe gjuhën tuaj! Shikoni gjakun, zemrën, mushkëritë tuaja! Shikoni veten sot e mot, në pasqyrën time, e thoni të vërtetën, dhe vetëm të vërtetën: A s’më përngjani mua, me fe e atdhe e ADN? Lakmoni tjetër atdhe? Kërkoni tjetër Zot? S’ka tjetër gjuhë, tjetër Parlament, tjetër Qeveri, pos kësaj që ka gjakun e gjuhën e ADN-n time!

Ngrijeni dorën, formojini Parlamentin,Qeverinë…

Kthehuni fytyrë me fytyrë, vëllai me vëlla!Pyeteni Zotin, drejtësinë, Kushtetutën, Kushtetuesen…Uluni bashkë, vëllezër jeni! Ngrijeni dorën, formojini Parlamentin,Qeverinë, bashkë rreth një sofre, le të buzëqeshin fëmija, le të buzëqesh demokracia, lë të pëlcet armiqësia…Përndryshe: Haram i paçi: djepin, qumështin e nënës, bukë e ujë, gjuhën që ua fala unë, populli juaj, sot, kur ju, që tre muaj përpiqeni me ia nxjerr sytë njëri-tjetrit, vëllait me vëlla, para Evropës, para prindërve tuaj, para fëmijëve tuaj, para varreve të dëshmorëve, ndër sy të dreqit e të birit të dreqit, ndër sy të Beogradit, të Rusisë Kinës, përpiqeni me i bërë institucionet e Kosovës si bahçen e babës, kjo pasuri dhe hise e popullit, përpiqeni me i bërë mish për korba moralin, ndërgjegjen, besën, traditat, përpiqeni me i qitur faqe të zezë historisë së lavdishme të UÇK-së, përpiqeni me i poshtërua, me i ligështua, gjyshërit e stërgjyshërit tanë, duke kërkuar kokën, mishin, sytë, gjakun e nderin e vëllait veç për një bythë karrige pushteti e hyqymeti. Haj medet, haj, ju të pangopurit për shtet e hyqymet, po i leni brezave një mesazh të keq, tepër të keq, sa u kënaqen armiqtë e deridjeshëm, të cilët Evropën e botën, po rrejnë e mashtrojnë, se armiqtë shekullorë kinse janë bërë miq të Pavarësisë, të shtetit të lirë, Kosovës!

Shperndaje ne
Updated: 1 Janar, 2015 — 23:47

The Author

Riza GREICEVCI

1 Comment

Add a Comment
  1. Aftesia shqiptare per te zgjidhur probleme mungon dhe shumellojshmeria e proqeseve zhvillohet aq shpejt sa qe per cdo gje jemi te vonuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.