Krasniqi: Adem Jashari, legjendë e përjetësisë

jakup_krasniqi_zedhenes_i_uckMe rastin e Epopesë së UÇK-së, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, ka nderuar të rënët e Prekazit dhe Llaushës. Ai kujton se si mëngjesin e 5 marsit, para orës 6:00, mbi Prekazin e Poshtëm dhe Llaushë fillon një sulm i fuqishëm nga të gjitha armët e artilerisë armike.

 

Sulmi, siç kujton Krasniqi, kryesisht ishte bërë nga Fabrika e Municionit, nga kodrat e Skenderajt, Lisat e Xanit e pozicione të tjera që kishte ngritur armiku.

 

Sipas tij, i fuqishëm ka qenë edhe zjarri i njësitit të UÇK-së që ishte gjetur i rrethuar.

 

“…Dëgjohej fuqishëm mitralozi i Adem Jasharit, Besarta më vonë do të tregojë se nuk kishte pushuar as kënga e Komandantit Legjendar. Kështu shpesh herë në histori, shqiptarët e pranonin “vdekjen si me le” e më se miri këtë e tregon rënia heroike e Komandantit Legjendar – Adem Jasharit.

rugovic_milloArmiku mendonte se duke vrarë Adem Jasharin me familje e farefis do ta shuante qëndresën e shqiptarëve, dhe se shqiptarët do të frikësoheshin, do t’i nënshtroheshin pacifizmit dhe do të vazhdonte loja e pakufi e marrëveshjeve mes Rugovës dhe Milosheviqit. Por, kështu nuk mendonte udhëheqja politike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e as populli liridashës shqiptar”, ka shkruar kryeparlamentari Krasniqi në Facebook.

 

Në luftën e Prekazit u vranë 58 shqiptarë, fëmijë, gra, pleq e të rinj dhe kjo qe një humbje e madhe për tërë kombin, e sidomos për Drenicën e Jasharët. Mirëpo, sipas Krasniqit, llogaria që bëri armiku doli e gabuar, sepse radhët e UÇK-së po shtoheshin në mënyrë marramendëse.

 

“Populli, e sidomos rinia, po bindej gjithnjë e më tepër se nderi e dinjiteti i kombit e Atdheut do të mbrohej me luftë të armatosur e jo me përulje prej zvarraniku. Lufta veç kishte filluar. Pushka kishte qenë ajo që gjithherë kishte mbrojtur nderin dhe dinjitetin e kombit. As tani s’mund të pritej diçka tjetër. Vrasja e komandantit legjendar, sakrifica kolektive e tre brezave të Jasharëve (Kushtrimi Ademi e Shaban Jashari, nipi, baba dhe gjyshi të rënë me pushkë në dorë), hapi një epokë të re të lavdisë e të madhështisë në historinë tonë të re”, shkruan më tej Krasniqi.

 

Krasniqi thotë se në këtë periudhë, lufta për liri po hynte në një rrugë pa kthim dhe do të vazhdojë deri në fitore.

 

“Shqiptarët e fituan jo vetëm lirinë, por në rrugën e shtet ndërtimit e fituan edhe Botën Demokratike. Bota shpejt u bind për vendosmërinë e shqiptarëve, për pathyeshmërinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila po njihte vetëm ngritje. Adem Jashari u bë legjendë e përjetësisë. Ora e Kosovës kishte ardhur.

Vetëm tradhtarë e frikacakë kishin frikë nga liria. Liria po vinte për të gjithë. Më të guximshmit në krye me Adem Legjendarin nuk hezituan t’i hapin flatrat si shqiponja për t’i dal zot Atdheut në kohë furtunash të rrezikshme. Lavdi!”

 

Shperndaje ne

The Author

JAKUP KRASNIQI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.