NDËRMJET IDEALEVE KOMBËTARE DHE ATYRE SOCIALE

Demokracia_sotDemokracia sot

Shkruan: BAJRAM PEÇI

Bajram PeciAfërmendsh që janë zgjedhjet e kryetarit të partisë, sot Kryeministër, prania e një sërë të zgjedhurish dhe deputetë të grupit të majtë që me gjendjen e tyre pasurore lënë të kuptosh se ndodhen aty për interesat e tyre e aspak të partisë ku mbajnë ofiqet. Një i tillë ishte Tom Doshi, me gjendje sociale, “i pasur”, me gjendje shoqërore që i përket së djathtës. Të tillë Partia Socialiste ka pasur kohë pas kohe me tepri, zgjedhje si të Nanos ashtu dhe të Ramës. Pas zgjedhjeve të 23 qershorit, struktura sociale e deputetëve të PS-së i ra në sy edhe të djathtës, e cila nuk vonoi që me cinizëm të bëjë publike listën e milionerëve të partisë së të “varfërve”. E gjithë kjo sjellje lë të kuptosh se, ndërkohë që shoqëria dhe mësimi tani janë shumë më të larta sesa ishin kohë përpara, ende shumica e njerëzve vazhdojnë të jetojnë në horizontin e formuar kryesisht nga kultura dhe zakonet tradicionale të vendit të tyre. 

Parimet e partive

Normat themelore të përkatësisë së krahut partiak kanë qenë e janë të ngurta, që nga zanafilla e hershme e politikës së kohëve moderne. Nga periudha kur në Angli morën formë antipodet, e djathta konservatore dhe e majta laburiste, shembulli i saj shërbeu si tregues i ecurisë demokratike për të gjitha vendet që aspironin ndërtimin e shoqërive përparimtare. Në thelb, “e djathtë” dhe “e majtë”, ka kuptimin e pronës, të pasurisë, ku e djathta ndërmerr programe, vendos dhe mbron sistemin e pronës private, mbron interesat e elitës së saj pasurore, oligarkisë financiare, mbron interesat e prodhuesve dhe industrialistët e mëdhenj; dhe e majta, që vendos ligje për mbrojtjen e shtresave në nevojë, që mbron të varfrit, të dobëtit dhe kujdeset përmes uljes së taksave për ngritjen e nivelit të mirëqenies së tyre. Me këtë organizim, qeveritë demokratike, herë të majta dhe herë të djathta, në “konflikte” parimore, me qendër parlamentet, prodhuan një sistem politik dhe ekonomik të fuqishëm, saqë nisi të kopjohej gjerësisht rreth e rrotull botës.

Rasti shqiptar

Të flasësh sot për të majtën e të djathtën tonë nuk ka shumë kuptim. Fillesat ishin shpresëdhënëse në ditët e para të shembjes së regjimit monist. U krijuan parti me emërtime dhe programe të djathta, të majta dhe liberale të qendrës. S’vonoi dhe deformimet u dukën qartazi. Fillimisht nga e djathta u larguan një grup nismëtarësh të themelimit dhe më pas liberalët. Drejtues të së djathtës u shndërruan në qeveritarët e botës paskomuniste, shumica e të cilëve shpesh vinin nga aparati i vjetër, si partiak ashtu dhe shtetëror. Ishin këta që filluan të rindërtonin shtetin demokratik dhe të përqendronin pushtetin në duart e tyre, që filloi gjithnjë e më shumë të mbështetej në organizimin politik në bazë familjeje dhe turme. Partisë Demokratike “të djathtë”, për rrjedhojë të politikës populiste, iu bashkëngjitën gjithë të varfrit e të mjeruarit e krahinës së origjinës, siç iu bashkëngjitën Partisë Socialiste biznesmenët e rinj, “ata që lanë pushtetin politik – siç e cilësonte situatën Berisha – dhe kapën pushtetin ekonomik”. Këtë formë, që studiuesi i historisë së njeriut, Ernest Gelneri, e quajti, “Tirani e kushërinjve”, e kaloi Shqipëria përmes viteve qeverisëse të Berishës President. Forma politike që ai vendosi mbështetej e kufizohej si forcë te rrethi i të afërmve të fisit dhe krahinës, me synim (nuk ka rëndësi, të ndërgjegjshëm apo të pandërgjegjshëm) pushtetin autoritarist. Kjo zgjedhje e kjo sjellje i solli Shqipërisë fatkeqësi të shumta, provokuar nga udhëheqësi autoritarist, Berisha i tjetërsuar, që donte të forconte pushtetin e tij, si dhe grupeve të tjera të shoqërisë, që kanë dashur një sistem demokratik. Përfundimi i qeverisjes berishiane, i mbështetur në këtë formë, ishte shthurja e shtetit, me pasojat e mbi 3000 të vrarëve, rrënimi i institucioneve dhe mungesa e rendit. Britmat e tyre të frikshme prej fitimtarësh, edhe sot kur i kujton, të ngjethin mishtë. Aktualisht sot, njëzet e kusur vjet pas vendosjes së pluralizmit, ka kryetarë që nuk luajnë nga posti. Partia ku ndodhen është një çiflig politik i tyre. Ndonëse njeriu është e vetmja qenie që i skuqet faqja, këtyre kurrë s’u ka ndodhur.

Zgjedhja e deputetëve

Meqenëse Kodi ynë Zgjedhor nuk ka konkurrim individësh, por partish, zgjedhja është e sigurt po qe se vendosesh në listë, brenda kufirit të aftësisë së grupit që ka partia. Mendja ta do që listëbërësi fillon dhe seleksionon, nisur nga idealet kombëtare dhe sociale, më të diturit, më të aftët, më përfaqësuesit e shtresës sociale që mbron e përkrah partia, por gaboni! Nga këtu fillon deformimi, shenjat e të cilit janë dhënë që me formulimin e Kodit Zgjedhor, me praktikën e zgjedhjes së forumeve drejtuese dhe me formalizmin e paraqitjes për miratim të kandidatëve në bazë. Zgjedhjet e kandidatëve për deputet nuk lidhen më me parime, por me interesa të ngushta. Kështu, kryetari fillon e bën llogaritë e pushtetit që do mbajë, nga e cila i del se duhet të ketë edhe pasanikë, “për t’i ndërtuar shtëpinë” të mjerës Dhora Gjoni në Novoselë dhe për shpenzime të tjera; i duhen dhe të “fortë”, me muskuj dhe që zotërojnë pushtet bajraktarësh në zonat e origjinës, si për të mbrojtur votat, aq dhe për të mbrojtur fizikisht pushtetin; i duhen dhe biznesmenë, ndonëse ligji i ndalon dhe bizneset e tyre formalisht kanë ndërruar pronarë; sheh se i duhen edhe përfaqësues nga shtypi e media dhe zgjedh disa të tillë në mbështetje, që kur të lipset, pa ngurrim të përdorin armët e tyre mediatike. Këta të zgjedhur kanë dallime të dukshme e të ndjeshme nga zgjedhësit e tyre, përgjithësisht të varfër, një pjesë të papunë, një pjesë me borxhe te dyqanet e bukës dhe ushqimeve, një pjesë “vjedhës” të energjisë elektrike. Shumica e tyre, ngaqë nuk mbrojnë parime, në pakënaqësinë e parë që u ndodh, fillojnë e zemërohen. Ata, si Toma, Blushi e të tjerë që do dalin, pasi konfliktohen, kujtohen se duhet të sulmojnë e mbrohen me armën Parime, Statut, Elektorat e nuk di çfarë tjetër. Makar, sikur dhe një prej tyre të ishte e vërtetë, ata do meritonin mandatet kontrabandë që kanë marrë, por nuk është kështu. Ndonëse ata nuk kanë asnjë veprimtari në partinë që do përfaqësojnë, madje, një legjislaturë më parë i kanë përkitur palës tjetër, joshja, për hir të bizneseve që ua kanë kaluar grave, është e madhe, por edhe tundimi është me rrezik, por rëndom ndodh. Është e sigurt që kryetari i penduar tani mallkon çastin kur e pëlqeu dhe e zgjodhi Tomën, por nuk e sheh gërmadhën morale të shijes së tij. 

Balanca mes shtetit dhe shoqërisë

Një vështrim i shpejtë mbi organizimet shoqërore, pa përjashtim edhe këto modernet, na mëson se ato gjithsesi mbështeten sa te lidhjet farefisnore, aq dhe tek ato shoqërore. Përvojat e gjata historike tregojnë se qeniet njerëzore kanë prirjen të përkrahin familjen dhe miqtë e të shkëmbejnë favore me ta, prirje që dobësojnë si shtetin ashtu dhe shoqërinë demokratike. Francis Fukayama, te “Fillesat e rendit politik”, ka një kapitull të nënvizuar me emërtimin, “Të bëhemi si Danimarka”, përmes së cilës shpjegon aspiratën e vendeve që i janë futur demokratizimit. Për analogji, kjo na kujton ëndrrën e rilindësve tanë dhe ideologëve të pas pavarësisë për ta bërë Shqipërinë si Zvicra. Ngjashmëria në madhësi territori, popullsie dhe relieve, e nxitnin fantazinë për të menduar se asnjë pengesë nuk ka për të kopjuar sistemin e këtij shteti të pasur dhe me punë ta bëjmë që shpejt t’i ngjasim. Mirëpo dardha e ka bishtin mbrapa! Nuk mjaftojnë vetëm ëndrrat e bukura, na u kërkuaka që këto aspirata të kenë edhe shoqërinë e një shteti të fortë, ku dhuna e ligjit krijon premisat e demokracisë. Më tej, Fukayama na ndërmend në parim se institucionet tona politike që kemi ngritur, na qenkan, as më pak dhe as më shumë, se pasqyrë e vlerave kulturore të Shqiptarëve. Në këto rrethana, ëndrrën “Zvicër”, harrojeni! U dashka që më parë të kulturohemi dhe të bëjmë një shtet të fortë. Gjërat marrin edhe për më keq kur na shpjegohet se, shtet i fortë quhet ai që është i aftë të mbledhë taksat. Lamtumirë ëndrra Zvicër!

Shperndaje ne
Updated: 5 Mars, 2015 — 08:15

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.