Restauruesi rizbulon shpatën e “ujkut që turret”

Arma me të cilën luftuan mercenarët gjermanë në radhët e ushtrisë së Skënderbeut në Betejën e Stefigradit  

armeteSkenderbeut

Armet e Skenderbeut

Restauruesi Frederik Stamati, gjatë vizitës së tij në Muzeun e Armëve në Gjirokastër ka rizbuluar një shpatë të vjetër prodhim në Pason apo Solingen në tehun e së cilës gjendet stampa e “Ujku qp turret” dhe që dyshohet se ajo është përdorur nga ushtarët mercenarë gjermanë që shërbyen në radhët e ushtrisë së Skënderbeut në betejën e Sfetigradit të vitit 1449.

Në muzetë e Shqipërisë ruhen dhe ekspozohen rreth 200 shpata dekorative dhe luftarake me simbole dhe shkrime në gjuhë të ndryshme orientale, me germa cirilike apo latine. Por në muzetë tanë ekzistojnë vetëm 4 ekzemplarë të serisë me stampën “Ujku që turret”. Njëra prej tyre është kjo e ekspozuar në Muzeun e Armëve në Gjirokastër, një tjetër ndodhet në Muzeun Etnografik në Elbasan, një në Muzeun e Kalasë së Rozafës në Shkodër dhe një në koleksionin privat të Artan Lames”, thotë Stamati.

Sipas tij, shpata në gjendjen më të mirë është shpata që ndodhet në Muzeun e Kalasë së Rozafës në Shkodër, pasi tek ajo të gjitha kanalet e imazhit janë të mbushura me ar. Gjendet në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë edhe një shpatë tjetër me stampën “Ujku që turret”, por nga studimi i saj ka rezultuar që ajo nuk është origjinale. Sepse nuk është i njëjti çelik përbërës dhe stampa duket e imituar, kushedi se kur dhe kushedi se ku.

Kjo shpatë është restauruar vite më parë nga vetë prof. as. dr. Frederik Stamati dhe gjatë punës për pastrimin, ai ka mundur të zbulojë imazhin e ujkut me gojë të hapur të stampuar në tehun e saj disa centimetra sipër dorezës mbajtëse. “Shpata origjinale me stampën “Ujku që turret” shquhet për cilësinë e lartë të çelikut dhe për formën e stampimit me goditje mbi trupin e tehut të shpatës. Lidhur me origjinën e këtyre shpatave, eksperti thotë se; “Sipas Fan Nolit, në Betejën e Stefigradit, prijësi i shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, thirri ushtarë mercenarë të fortë dhe të stërvitur mirë nga Gjermania, të cilët erdhën së bashku me armatimet e tyre. Mbështetur në studimet e mëvonshme ka rezultuar që shpatat e kësaj periudhe në tehun e së cilës ndodhet stampa e “Ujku që turret” kanë prodhuar në Pason apo Solingen në Çeki ose Gjermani.

Restauruesi Frederik Stamati shprehet i kënaqur që ky objekt i rrallë nuk ka pasur fatin e atyre dhjetëra objekteve muzeore të grabitura në Muzeun e Armëve në Gjirokastër, por gjithsesi i trishtuar për gjendjen e ruajtjes dhe të konservimit të tyre. “Është për të ardhur keq që këto objekte me vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare të ruhen në këto kushte ku vihet në rrezik dhe humbet identiteti. Kurrë nuk është vonë për t’i shpëtuar këto vlera, ka ende mundësi dhe arsye për t’i shpëtuar nga gërryerja e ndryshkut që favorizohet nga lagështia e madhe e ambientit të paizoluar i ambienteve muzeore. E. Serjani (Gazeta Shqip)

Shperndaje ne
Updated: 19 Nëntor, 2014 — 21:12

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.