Militante e shquar e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar

Elena_gjika_Atdheut_tim_te-dashur

Shkruan: Baki Ymeri

 

Pincesha e kulturës europiane

Elena Gjika, alias Dora d’Istria (pseudonim letrar), është shkrimtare dhe publiciste përparimtare rumune me origjinë shqiptare. U lind në Bukuresht (1828) dhe vdiq në Firencë (1888). Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore të Europës si kundërshtare e sundimit despotik dhe të shtypjes kombëtare. Përkrahu nxehtësisht lëvizjen kombëtare shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. dhe rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Elena_gjika_kombiSipas Wikipedisë, Dora D’Istria vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore/historike luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman. Është e njohur para opinionit me në një varg studimesh: La nationalité albanaise d’après les chants populaires (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore, 1866), Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale (Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore, 1867), Gli albanesi in Rumenia (Shqiptarët në Rumani, 1873) etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin Dora d’Istrias – Shqiptarët (A Dora D’Istria – Gli Albanesi, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.

 

Shkrimet e Elena Gjikës (Dora d’Istrias), e afirmuar si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare e reputacionit të madh europian, janë studime të gjera mbi foklorin dhe jetën materiale e shpirtërore të popullit rumun dhe atë të popujve të tjerë të Europës Juglindore. Duke u mbështetur në baza të shëndosha kritike e shkencore, ajo shkroi për manastiret e Europës Lindore, duke iu kundërvënë dogmatizmit, formave skolastike dhe jetës së mbyllët. Vepra voluminoze e Dora d’Istrias, Femeile in Oriente (Gratë e Orientit, Paris, 1860), është një libër atraktiv në të cilin shprehet adhurimi dhe dashuria ndaj krejt grave të siujdhesës ballkanike, humanizmi dhe mendimi progresiv i autores për emancipimin e tyre. Shkroi pastaj kujtime, studime dhe mbresa udhëtimi nga Alpet e Zvicrës s të Gjermanisë, romane dhe artikuj të panumërt, të shpërndarë nëpër gazeta dhe revista të ndryshme me renome botërore, krejt këto të mbështetura mbi një edukatë të shëndoshë, talent të fuqishëm dhe kulturë të gjerë.

 

Veprat e Dora d’Istrias janë të mbrujtura me idenë e shenjtë të emancipimit kombëtar e ndërkombëtar, të përparimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërmjet popujve. Shkrimet e saj gëzojnë një famë të madhe dhe vlerësim të lartë europian, ndërsa autorja e tyre, sipas mendimit të disa komentatorëve, qëndron krahas autoritetit të Zonjës Staël dhe George Sanda. Për Elena Gjikën, shqiptarët kanë botuar një serë monografishë, si: Vehbi Bala, Jeta e Elena Gjikës Dora d’Istrias (Mihal Duri, Tiranë, 1967, 5..000 kopje), Cristia Maksutovici, Un nume pe nderpet uitat: Dora d’Istria / Një emër i harruar me të padrejtë – Dora d’Istria (Ararat, Bukuresht, 1997), Kristia Maksuti, Elena Gjika dhe Shqiptarët e Rumanisë, Çabej, Tetovë, 2001), Ahmet Kondo, Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare, Flesh, Tiranë, 2002), Cristia Maksutovici, Dora d’Istria, Kriterion, Bukuresht, 2004), etj.

PRINCESHA E KULTURËS EUROPIANE

 

Elena Gjika ishte një enciklopedi e gjallë. Përveç shqipes e rumanishten, komunikonte edhe në pesë gjuhë tjera europiane. Posedonte një vullnet të hatashëm për hulumtime shkencore dhe mbante korrespondencë e lidhje të drejtëpërdrejta, me dijetarë e personalitete të shquara të kohës. Pşr Elena Gjikën ka shkruar për hijeshi poeti Cezar Boliac, shkrimtar dhe personalitet i njohur i kulturës transilvanase, Gheorghe Baritiu, poeti, romansieri dhe eseisti Radu Ionescu, autori i historisë së parë të madhe të Bukureshtit Grigore Peretz, i cili e filloi përkthimin në rumanishte të veprave të shkrimtares, duke botuar brenda viteve 1876-1877 dy vëllime të mëdha Operele Doamnei Dora d’Istria (Veprat e Zonjës Dora d’Istria), me një kapacitet prej afro 1.400 faqesh. Para apo pas vitit 1877, sporadikisht janë botuar edhe shkrime e përkthime të tjera të Elena Gjikës. Kah fundi i shek. XIX-të dhe fillimi i shek. XX, janë botuar artikuj të shumtë si dhe studime të mëdha në formë broshurash, përkushtuar Dora d’Istrias e të nënshkruara prej dijetarit të madh europian Nicolae Iorga, kritikut letrar Gheorghe Calinescu, publicistit Magda Nicolaescu Ioan, A. Vasculescu (i cili hartoi për të një broshurë në kuadrin e koleksionit “Njohuri të nevojshme”).

 

Elena Gjika ishte një humaniste e pashoqe. Kishte vizione të qarta politike në shërbim të popujve të vegjël. Studjonte një varg kombësishë europiane sipas foklorit të tyre, duke mos i harruar edhe shqiptarët. Shndrit në këtë drejtim, vepra e saj “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” Sipas prof. univ. Dimitrie Păcurariu, Elena Gjika është mbretëreshë e kulturës europiane. Ajo shkroi jo vetëm për emancipimin e femrës rumune, shqiptare e serbe sipas këngëve popullore, por edhe për atë hungareze, bullgare, greke, turke, etj. Ajo i ka njohur mirë popujt e Europës Juglindore, dhe në shkrimet e veta ka përfshirë aspekte nga jeta, hoistoria dhe kultura e këtyre popujve, duke e përkrahur luftën e tyre për liri, pavarësi dhe përparim. Për shembull, në serinë e studimeve mbi këngët popullore të kësaj pjese europiane, Elena Gjika është orvatur ta deshifrojë karakterin kombëtar të krejt kombeve në mënyrë të barabartë, pa ambicje e xhelozi, duke u mbështetur në reflektimet e krijimtarisë anonime të këtyre popujve. Mu për këtë gjest të hijshëm të dashurisë ndaj popujve të kësaj zone, Dora d’Istria ka qenë shumë e çmuar në shekullin e saj, si nga ana e shkrimtarëve, poashtu edhe nga ana e qarqeve intelektuale dhe personaliteteve politike të shquara të Europës.

Në njërin nga librat e saj bëhet fjalë edhe për prejardhjen e motshme shqiptare

 

Elena Gjika u lind në Bukuresht, më 2 janar të vitit 1828, ku edhe e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën. Ajo ishte e bija e guvernatorit Mihalache Ghica, i cili nga ana e tij ishte vëlla me sunduesin e Muntenisë, Grigore Ghica (1822-1828) dhe sunduesin e Vllahisë, Alexandru Ghica (1834-1842). Në kohën e sundimit të Aleksandrit, babai i Elenës ishte ministër i Punëve të Brendshme, por kur ai ra nga posti ministror, familja Gjika u detyrua ta braktisë Bukureshtin. Megjithatë në shkrime të panumërta të saj, Elena e ka evokuar me një nostalgji përdëllimtare vendlindjen e saj, Bukureshtin e fëmijërisë, shëtitjet e saj, takimin me romansierin e madh rumun, Jon Heliade Rădulescu, për të cilin në studimin “Letërsia rumune” thot: “Qysh si fëmijë, rrija pranë nënës dhe dëgjoja se si Rădulescu, me rekëtimë zemre i recitonte poemat e veta. Ishim asokohe në afërsi të Bukureshtit, në vilën e poetit, e rrethuar kjo me lule e hije dhe e strehuar prej vapës përvëlimtare të korrikut. E dëgjoja vetëm zërin e tij dhe me sytë e shpirtit ia shihja fantazmat madhështore që riftoheshin prej imagjinatës së tij krijuese. E rruajta me xhelozi kujtimin e këtyre çasteve të çmuara dhe jo më kot, ato ma mësuan dashurinë ndaj lirisë dhe kultin ndaj çdo gjëje që është e madhërishme dhe e shenjtë.”.

 

Ion Ghica është memorialisti më i madh rumun, i shekullit XIX-të, kushëri i Elena Gjikës. Në një monografi dedikuar Ion Ghikës, Dimitrie Păcurariu e ka përshkruar gjenealogjinë e kësaj familjeje, duke theksuar se familja Gjika ka tradita të vjetra në historinë e trojeve rumune. Dega e saj shquhet që nga shek. XVI-të, duke dhënë figura autoritative në Moldovë e Vllahi. Në njërin prej librave të veta, Elena Gjika bën fjalë për prejardhjen e motshme shqiptare, të kësaj familjeje të rumanizuar përgjatë gjenerateve, me anë të martesave të përzjera me rumunë. Në gjirin e kësaj familjeje kanë lindur edhe shkrimtarë tjerë të shquar, si memoralisti Jon Ghica, i cili në shkrimet e veta e përkujton edhe vëllaun e vet Pantazi Ghica, dramaturg, prozator dhe publicist i njohur i shekullit XIX-të. Elena Gjika ndërkaq, mbetet figurë markante e kësaj familjeje, ngase ajo për herë të parë, përmes prizmës kritike, argumenteve shkencore dhe artit letrar, i nxorri në dritë vetitë më të mira pozitive të popujve të Ballkanit.

Libra të rrallë.

 

DORA D’ISTRIA PËR ÇËSHTJEN KOMBËTARE SHQIPTARE

 

“Meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge, i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë. Sërbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit”. Dotra d’Istria bën fjalë për Serbinë okupatore të Car Dushanit, për Çamërinë Shqiptare, për Tivarin Shqiptar, për preokupimet e dijetarëve gjermanë lidhur me prejardhjen dhe betejat legjendare të shqiptarëve kundër pushtimit osman, për Mirditën si “Zemra e Shqipërisë Katolike”, për Katër Shqipëritë (Gegëria, Toskëria, Labëria dhe Çamëria), të cilat Rexhep Voka i Shipkovicës, qysh para një shekulli i konsideronte si “Katër Kalema”. Elena Gjika është gruaja fisnike që bën fjalë për shqiptarët trima e bujarë, për shqiptarët komb ushtarësh, për këtë popull krenar e sypatrembur. Çfarë mrekullie sikur të ishim të gjithë të këtillë! Kaherë do ta kishim Shqipërinë reale e origjinale, unike e demokratike.

Një monografi me vlera të larta shkencore

 

Të shumta janë gratë shqiptare që ia shtojnë namin Shqipërisë dhe shqiptarizmit, që nga mbretëresha Teuta e Ilirisë e deri te Dora d’ Istria e Rumanisë. Sinqerisht po qe se i analizojmë faktet, konstatojmë se Rumania ka dhënë dhe është duke dhënë kontribut të madh, edhe për çështjen shqiptare. Duke i falënderuar shkrimtarit elbasanas Milianov Kallupi, na ra në dorë libri më i bukur që kanë shkruar shqiptarët për princeshën rumune me prejardhje shqiptare: Dora d’Istria (1828-1888), e njohur në botën magjike të dijetarëve me dy përkatësi etnike dhe me dy emra të bukur: Elena Gjika (emri origjinal) dhe Dora d’Istria (pseudonim letrar). Është gruaja që bën fjalë për shqiptarët “trima e bujarë”, për shqiptarët “komb ushtarësh”, për këtë popull “krenar e sypatrembur”. Çfarë mrekullie sikur të ishim të gjithë të këtillë! Kaherë do ta kishim Shqipërinë reale e origjinale, unike e demokratike.

 

Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare (autor Ahmet Kondo, botoi FLESH, Tiranë, 2002) është një libër me vlera të larta shkencore. Autori i saj është historian i mirënjohur, bashkëpunëtor i vjetër shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, autor i një numri të madh botimesh shkencore me karakter historik, pjesa dërmuese e të cilavet i përkasin periudhës magjike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Zoti Kondo shquhet në botën tonë shkencore me monografitë Flamuri i Arbërit (1883-1887), Drita-Dituria (1884-1885), Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare në letërkëmbimin e saj me Jeronim de Radën (1971), Çështja Kombëtare në faqet e shtypit të Rilindjes (1980), Lufta kundër analfabetizmit në Shqipëri(1985), etj. Libri që mban në dorë sot lexuesi (Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare), është varianti i plotë, i zgjeruar dhe i përpunuar, me burime origjinale mbi shijet paranoike të pansllavizmit dhe panelinizmit qysh përgjatë shek. XIX-të. Në monografi del në pah admirimi i Perëndimit katolik ndaj shqiptarëve, propozimet e Elena Gjikës për hapjen e Akademisë Shqiptare në Itali etj.

 

Libri i zotit Kondo mbi Elena Gjikën ka 220 faqe ngjyrëqumshti, të një cilësie të lartë, si dhe do kopertina të bukura me portretin e autorit dhe atë të Dora d’Istrias, këtë të fundit, të riprodhuar nga piktori shqiptar, Zef Shoshi. Redaktor i botimit është Vera Ibrahimi, ndërsa pregaditjen kompiuterike, e ka bërë Laurita Hudhri. Flamur Hudhri ndërkaq, ka realizuar aspektin grafik të kësaj vepre, e botuar në sajë të mbështetjes financiare të Fondacionit për kulturën dhe artet Fan Noli. Dotra d’Istria bën fjalë për Serbinë okupatore të Car Dushanit, për Çamërinë Shqiptare, për Tivarin Shqiptar, për preokupimet e dijetarëve gjermanë lidhur me prejardhjen dhe betejat legjendare të shqiptarëve kundër pushtimit osman, për Mirditën si Zemra e Shqipërisë Katolike, për admirimin e vashave të Shkodrës ndaj princeshës rumune, për Katër Shqipëritë (Gegëria, Toskëria, Labëria dhe Çamëria), të cilat Rexhep Voka i Shipkovicës, qysh para një shekulli i konsideronte si Katër Kalema.

Militante e shquar e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar

 

105 letrat me karakter atdhetar të Dora d’Istrias dërguar De Radës, si dhe 65 faqet e komentimit të korrepondencës, ku bëhet fjalë edhe për portertin intelektual të kësaj princeshe, përbëjnë lëndën e librit në fjalë. Këto letra, të shkruara frëngjisht, Dora d’Istria ia ka dërguar De Radës brenda viteve 1865-1887, nga Zvicra, Livorno, Venediku, Torino, Firenca etj. Ato ndodhen sot, të përkthyera në gjuhën shqipe, në Arkivin Qëndror Shtetëror të Tiranës. Po japim vetëm një fragment, nga letra që ia drejton De Radës nga Firenca, më 7 nëntor 1876, një vjet para se ta intensifikojë zullumin Serbia kundër shqiptarëve të Toplicës: Zotëri! Kam marrrë shumë ekzemplarë të Manifestit Arbëresho-Italian, për të cilin më flisni. Nëqoftëse shqiptarët ishin sllavë, atëherë Shqipëria mund ta shqyrtonte çështjen nëse kombet sllave të gadishullit tonë kanë interes ta përkrahin pansllavizmin. Por, meqë bashkatdhetarët e Skënderbeut janë pellazgë, ata nuk duhet të harrojnë se familjes së ndritur pellazge, i është dashur ta mbrojë vendin e të parëve të saj, jo vetëm nga sulltanët, por edhe nga pushtuesit sllavë.. Sërbi Dushan i ka rrëmbyer Shqipërisë më shumë krahina se padishahu i Stambollit. Dhe më tej, po në të njëjtën letër vazhdon:

 

S’ka dyshim, zotëri, se asnjë nga ne nuk na ra ndërrmend t’i sigurojmë perandorisë Osmane, të shkatërruar prej shekujsh nga despotizmi, një jetë të amshuar. S’ka dyshim se ne do të gëzoheshim sikur filosllavët e Bullgarisël dhe serbët e Bosnjës, të arrinin të gëzonin të drejtat që u takojnë gjithë popujve. Por, para së gjithash, ne duhet të punojmë për vetëqenien e shqiptarëve si komb (fq.158-159). Edhepse për figurën e Dora d’Istria kanë shkruar studjues të ndryshëm shqiptarë, rumunë dhe të huaj, në këtë libër figura e saj trajtohet për herë të parë në aspektin politik, si militante e shquar, e lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar, dhe atë në dritën e letërkëmbimit të saj me Jeronim de Radën. Varianta e parë e këtij libri, e pa dritën e botimit në vitin 1971, mirëpo, Elena Kadare dhe Jusuf Vrioni, në ndërkohë shprehën mendimin që në ardhmëri libri të rimerrej përsëri në dorë nga autori, dhe të ribotohej me i plotë, dhe me kritere shkencore më të përpunuara, gjë që u kry.

 

Kjo vepër u ribotua me të njëjtin titull, por me një hyrje të gjerë studimore, me shënime dhe komente të shumta, me një përmbledhje në gjuhën angleze dhe me ilustrime. Libri në fjalë synon ta paraqesë në mënyrë më të plotë një figurë të shquar, e cila gjatë tërë jetës u përpoq të bëjë të njohur Shqipërinë dhe popullin e saj në luftën për liri e pavarësi kombëtare, duke vënë në dukje edhe punën e madhe të intelektualëve shqiptarë dhe arbëreshë në shërbim të kombit tonë. Nëpërmjet letrave dërguar De Radës dhe artikujve të shumtë, të botuar në shtypin europian dhe amerikan, del në pah edhe krenaria e saj për origjinën shqiptare të familjes Gjika të Rumanisë. Dora d’Istria për merita të larta është vlerësuar me shumë dekorata dhe vlerësime të tjera nga vende të ndryshme të botës, madje edhe në Shqipëri. Elena Gjika dhe albanologu Grigore Brënkush, që të dy nga Bukureshti, e kanë konsideruar Shqipërinë si atdheun e tyre të dytë, dhe atë, me dhjetra libra e qindra studime.

Po qe se shkenca nuk ka atdhe, njeriu i shkencës duhet të mendojë përherë për krejt atë që i sjell famë atdheut të vet. Që të dy janë dijetarë, dhe te çdo dijetar i madh, do të gjeni parasëgjithash, një patriot të madh. (Albanica)

Nga Baki Ymeri (Bukuresht)

Shperndaje ne
Updated: 13 Mars, 2015 — 05:28

The Author

Baki Ymeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.