Zymer Mehani: PERSIATJE RRETH LIBRIT TË SHKRIMTARIT SELMAN DERVISHI-MANI, USA “KRYELEGJENDA SHQIPTARE” (PRO-PO-EPIKE),

PERSIATJE RRETH LIBRIT TË SHKRIMTARIT SELMAN DERVISHI-MANI, USA “KRYELEGJENDA SHQIPTARE”
(PRO-PO-EPIKE),

Shkruan: Prof. Zymer Mehani

1. Selman Dervishi-ndërgjegja e kombit
Selman Dervishi është emër i njohur për lexuesit shqiptarë dhe më gjerë. Ai është poet, publicist e prozator, që deri më sot (2021) ka botuar më shumë se 20 libra zhanresh të ndryshme.
Selman Dervishi u lind në fshatin Gradicë, në një familje me tradita atdhetare, më 21 mars 1948. Ky fshat shtrihet rrëzë bjeshkëve të Qyqavicës. Selmani u lind, si të themi në një kohë të pakohë, pra më 1948, që siç e dëshmon edhe vetë historia jonë kombëtare, mu në vitin kur u mbyll kufiri Kosovë-Shqipëri, ngase asokohe punonte tradhtia e madhe në kurriz të kombit dhe të trojeve tona, e dirigjuar nga diktatura ruso-serbo-jugosllavo-komuniste.
Selman Dervishi shkollën fillore katërvjeçare e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa tetëvjeçaren në ish-Dobroshec (sot Dritan), të mesmen (dega e elektros, e vijoi në ish-Obiliq (sot Kastriot), studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, dega në Mitrovicë, e specializimin profesional e kreu në ish-Gjermaninë Lindore-DDR.
Si kuadër deficitar ka punuar në Termoelektranë, Mihjen Sipërfaqësore të Thëngjillit. Si instruktor praktik profesional punoi edhe në SHMT “Nikolla Tesla” në Kastriot, dega në Drenicë. Punoi edhe si menaxher mirëmbajtjeje elektrike për vinça e ashensorë në FENI në Drenicë.
Selman Dervishi me krijimtari letrare dhe shkrime të tjera filloi të merret që nga mosha 12-vjeçare.
Gjatë takimit tonë që e realizuam me këtë krijues të zellshëm, në fundshtator të këtij viti (2018), në Prishtinë, veç tjerash na rrëfeu se frymëzues, inspirues, shtytës, nxitës i tij për t’u marrë me krijimtari letrare ishte atdhetari, mësuesi e poeti Fazli Greiçevci, të cilin e kishte patur mësues gjatë vitit shkollor: 1963/64.
Që nga mosha 20-vjeçare Selman Dervishi mërgoi në Europë, ku pati rast ta vizitojë edhe Murin Ndarës të Berlinit. Sot jeton në Nju Xhersi të SHBA-ve.
Deri më sot ky krijues ka botuar këta libra:
1. Fluturo, moj shqipe, 2000;
2. Epope e lirisë, 2001;
3. Gëzone dritën, 2002;
4. Flakë triumfi, 2003;
5. Lulëkosovë”, 2004;
6. Kthehu përsëri, 2005;
7. Thërret një zog, 2005;
8. Shqip Shqipe, 2006;
9. Ag pranvere”, 2007;
10. Tokë e qiell, 2007;
11. Liri Kosovës, 2008;
12. Popull kombi, 2009;
13. Nënë, oj Loke, 2009;
14. Gjallë shqiptaria, 2010;
15. Hyje diellore, 2012;
16. Rreze diellore, 2015;
17. Riliri ritrollit, 2018;
18. Strateg -bota në anekdota, I, 2012;
19. Strateg- bota në anekdota, II, 2013;
20. Strateg -bota në anekdota, III, 2016;
21. Gjergja -me Adema, 2018;
22. Gjergja me Adema, III, 2020.
(E falënderojmë autorin Selman Dervishi, që edhe pse në moshë 70-vjeçare, në atë ditë shtatori (2018) ishte stërngarkuar me gjithë këto libra, që m’i dhuroi, duke e pasuruar me tituj të rinj bibliotekën tonë familjare!)
2. “Kryelegjenda Shqiptare”
Shkrimtari i talentuar, Selman Dervishi gjatë shtjellimit të pro-po-epikës “Kryelegjenda Shqiptare” (kushtuar kryeheronjve kombëtarë: Gjergj Kastiotit- Skënderbeut, rilindësve shqiptarë dhe çlirimtarëve të Epokës Ademjashariane, si dhe luftëtarëve të çështjes kombëtare) e ka shfrytëzuar përvojën prej krijuesi, i prirur nga pavarësimi si krijues, d.m.th. e ka ruajtur origjinalitetin e stilit të tij krijues.
Në pro – po – epikën “Kryelegjenda Shqiptare” autori ka sjellë shumë ide e faktografi me kthjelltësi e qartësi mendimesh për figurat tona kombëtare, kryeheronjtë tanë, të cilëve ua dedikon veprën. Pjesët janë të shkruara me frymëzim të fortë dhe intenzive, duke trajtuar temën e çlirimit kombëtar dhe të lirisë. Tablotë e gjeografisë mbarëkombëtare shqiptare, autori Selman Dervishi i ka ravijëzuar me dozë temperamenti, me ethe dhe energji, duke na e imponuar konceptin e vet, autenticitetin e shprehjes etj. Vepra e Dervishit shquhet, veçanërisht për formën e të shkruarit (krye e fund është e shkruar me emocione, të cilat i shpreh me pasthirrma nga më të ndryshmet, ku vep prozës kemi edhe poezi ( në kolonë dhe distike) që kanë formë të realizimit dhe të mendimit poetik). Autori është përpjekur për një krijim konstruktiv, e kjo na bie në sy sapo të hasim në paragrafet e para të veprës.
Shkrimtari Selman Dervishi në tërë pro-po-epikën “Kryelegjenda Shqiptare” mendimet e veta i bart nga një njësi te tjetra, madje edhe në tërë pjesën e veprës, e kjo na lë të kuptojmë se ky autor ka prirje për të menduarit filozofik me anë të tërësive (edhe vepra përbëhet nga disa tërësi), që gjejnë integrim pastaj në vetë librin. Kjo na tregon qartë se idetë, motivet, temat e subjekti janë elemente, që tërësisht e përmbushin vetë pro-po-epikën “Kryelegjenda Shqiptare” të Selman Dervishit.
Kur flasim për konceptin krijues të shkrimtarit Selman Dervishi, atë duhet kundruar pikërisht në formën e sajimit të figuracionit poetik, në mënyrën e transponimit të preokupimeve dhe në vetë gjuhën letrare, që e përbëjnë vetë diskursin krijues të autorit. Në fjalët, fjalitë dhe periudhat, por edhe në vargjet, strofat dhe pjesët e veprës në fjalë, shkrimtari Dervishi ka shënuar fushën e përceptimit krijues-letrar, figurat reale për të cilat shkruan (Gjergjat me Adema…) dhe realitetin në të cilin mediton vetë shkrimtari: “Jetën njerëzore të Kryelegjendave, zulmin dhe famën e tyre” etj….
Fare në fund do të thoshim se vepra por-po-epike “Kryelegjenda Shqiptare” e shkrimtarit Selman Dervishi shquhet edhe për vlerat artistike, por edhe për inicime të reja stilistikore, të shprehjes artistike, të tematikave, ideve dhe motiveve të ndryshme, i frymëzuar nga aktualiteti, pse jo edhe nga e kaluara e popullit tonë edhe e bijve të tij më të denjë, siç ishin “Gjergja(t) me Adema…”….

Shperndaje ne
Updated: 25 Nëntor, 2021 — 02:10

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.