Historia së një qeverie jetëshkurtër, Kryeministri i së cilës është jetëgjatë në historinë tonë

Noli_1924“…Qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeje është t’i japë Shqipërisë një qeveri shqiptare me një drejtim politik të qartë, larg ndërhyrjeve ballkanike, duke pasur bindjen se politika e deritanishme është shkatërrimtare nga pikëpamja e jashtme dhe përçarëse nga pikëpamja e brendshme” Fan Noli 

Shkruan: Alda Bardhyli 

“Shtegu i pashkelur i Nolit”/”DigitAlb” prezantoi dje në Muzeun Historik Kombëtar dokumentarin me autore gazetaren Beti Njuma, në 50-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fan Nolit Noli_ri

“…Ishte ora 2.40 kur u ndigjuen jashtë dy të shtijme revolverit, krizma e të cilavet i bani nji përshtypje të madhe të gjithë asamblistavet qi gjindeshin mbrenda sallës. Mbas pak sekundash hapet dera e sallës dhe hyen zoti Kryeministër një nji fytyrë të zbeht dhe posa hyen mbrenda nxjerr livoren nga brezi. Ndalet nji sekondë te dera hedh sytë përreth asamblistavet dhe mbrapa vijon të xanë vendin e vet. U muer vesht menjherë se ishte I plagosun dhe kjo punë shkaktoi një zemërim të madh ndër zemrat e të gjithëve”. Kështu e përshkruan gazeta “Ora e maleve”, një nga atentatet më të bujshme në Shqipërinë e asaj periudhe, atë të 24 shkurtit 1924. Kryeministri Ahmet Zogu ishte plagosur teksa ngjiste shkallët e Parlamentit, një ngjarje që do të shënjonte tatëpjetën e njeriut më të fuqishëm në vend.

Ky atentat do të sillte më pas dorëheqjen e Zogut si Kryeministër i vendit dhe në skenë do të dilte një emër i njohur për pamfletet e tij intelektuale dhe idetë përparimtare për kohën. Ai ishte Fan Noli, një njeri që ofroi një program me 20 pika si mund të modernizohej vendi, por që s’mundi t’i vinte në jetë për shkak të kohës së shkurtër dhe situatës politike në të cilën drejtoi.

Gati 50 vjet nga ndarja nga jeta e një prej figurave më interesante të historisë së Shqipërisë, Fan Nolit, “DigitAlb” prezantoi dje në Muzeun Historik Kombëtar dokumentarin “Shtegu i pashkelur i Nolit” me autore gazetaren Beti Njuma. Një dokumentar që kërkonte të hidhte dritë mbi jetën e një personazhi aspak të zakonshëm, një njeriu që mbartte brenda filozofin, atdhetarin, politikanin, por edhe fetarin. Njuma qartëson përmes këtij dokumentari, pikërisht momentet e revolucionit të qershorit 1924, apo atë që njihet si përplasja mes Nolit dhe Zogut? Historianë dhe dokumente të kohës qartësojnë një ngjarje që ka ende shumë pikëpyetje.  

“Rrëzimet në atë kohë ndodhnin përmes disa mënyrave dhe këtu vijmë te një moment disi i paqartë në historiografinë shqiptare që lidhet me atentatin e Beqir Valterit ndaj Zogut në shkurt të 1924-s. Është një atentat që mendohet se ishte frymëzuar nga opozita ose që opozita kishte dijeni.

Avni Rustemi,eliminimi fizik i kundërshtarit njihej si metodë normale e funksionimit politik të atyre viteve”, shprehet Blendi Fevziu në dokumentar. Sipas tij, intensiteti i debatit politik në Shqipërinë e viteve ’20 kulmoi atë fillim të 1924-s, ku mbi të gjithë si përfaqësues të dy rrymave politike të kohës kishin spikatur dy figura, diametralisht të kundërta, dy udhëheqës të vendosur për një Shqipëri të re. Fan Noli i lindur në një fshat shqiptar në Trakine Osmane, që kishte jetuar në Greqi, Egjipt dhe Amerikë dhe Ahmet Zogu, i lindur në Burgajet të Matit, një ndër ushtarakët më të zotë të vendit që përvojën politike e kishte fituar gjatë pushtimit Osman.

Vrasja e Avni Rustemit do të sillte krizë politike dhe shoqërore. Ai kishte qenë një ndër kundërshtarët më të mëdhenj të Zogut. “Opozita shqiptare liberal demokratike me në krye Nolin duke shkuar në Vlorë për varrimin e Avni Rustemit, vendosi të mos kthehet më në Tiranë dhe bën thirrje që të ngrihen kundër një qeverie që përhap oligarkinë e vjetër feudale dhe që ishte përgjegjëse për krizën në vend”, thotë historiani Paskal Milo. Ja si e përshkruan vetë Noli situatën politike në datën 26 maj, në një letër dërguar përfaqësuesit italian në Shqipëri, Duraco, duke bërë të qartë se nuk bëhej fjalë për një luftë klasash, por për një luftë mes elementëve patriotikë të ndershëm nga njëra anë dhe banditëve mercenarë e reaksionarë që pengojnë përparimin nga ana tjetër.

“Pasi luftuam për një muaj të tërë në Parlamentin e shkuar dhe Asamblenë e vdekur, për t’i dhënë vendit qeverinë e duhur, e cila do ta nderonte atë në botën e jashtme dhe do të përpiqej në mënyrë të vetëdijshme për të zgjidhur problemet e brendshme, konstatuam me keqardhje të thellë se mjetet parlamentare nuk dhanë asnjë rezultat. S’na mbetej veçse të rroknim armët dhe të marshonim mbi Tiranë, duke ndjekur kështu shembullin klasik të Duçes sonë të shquar. Qëllimi kryesor i kësaj lëvizjeje është t’i japë Shqipërisë një qeveri shqiptare me një drejtim politik të qartë, larg ndërhyrjeve ballkanike, duke pasur bindjen se politika e deritanishme është shkatërrimtare nga pikëpamja e jashtme dhe përçarëse nga pikëpamja e brendshme”, thuhet në letrën e Nolit. Ardhja e Nolit në krye të qeverisë do ta bënte Zogun të largohej drejt Jugosllavisë. Nasho Jorgaqi, njohës i mirë i figurës së Nolit e sheh 10 qershorin si “ditë festive për popullin që priste formimin e qeverisë të dalë nga kryengritja”. Në një vend ekstremisht të varfër si Shqipëria ku pakënaqësitë ishin të mëdha, qorrsokaku politik qe thuajse i pashmangshëm.

Që prej vitit 1920, vendi kishte ndryshuar 11 qeveri, një rekord i paparë në arenën politike europiane ndaj edhe qëndrimi 14-mujor i Zogut në postin e kreut të qeverisë nuk mund të konsiderohej i papërfillshëm. Por intrigat politike, zgjedhjet e nëntorit 1923, ku Zogu nuk mori dot shumicën e Parlamentit prej 102 vendesh, e bënë të vështirë qëndrimin e tij në pushtet, duke i dhënë mundësinë partisë së opozitës, bërthama e së cilës ishte Fan Noli, të rrëzonte kundërshtarin politik që nuk kishte hequr dorë nga synimet për pushtet ndonëse tashmë ishte tërhequr nga jeta publike.

Në një mesazh drejtuar Nolit, në atë kohë miku i tij, Faik Konica, i shkruan: “Nuk mund të ngresh 1 bina të re me qerre të vjetër, sepse krimbave dhe dërrasave nuk mund t’u japësh”. Dokumentari i cili së shpejti do të jepet në “DigitAlb” jep anën tjetër të historisë së një qeverie jetëshkurtër, Kryeministri i së cilës është jetëgjatë në historinë tonë.

 

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.