KOZMOPOLITËT QË “S’JANË KUQEZI”

Kosmopolitet-qe-nuk-jane-kuq-e-zi

SOKOL_SHAMETISHKRUAN: SOKOL SHAMETI

Kozmopolitët që “s’janë kuqezi”, në të vërtetë nuk janë dashnorë të një bote pa kufi dhe urrejtje. Ata janë urrejtës selektivë të KËTIJ identiteti që ata kanë trashëguar pa dëshirën e tyre. Për ta, harta e botës do të ishte mirë të ekzistonte pa këtë copëzën e vogël territoriale që është atdheu i tyre me të cilin i lidhin kaq histori të sikletshme që u kujtojnë kohën kur mezi fshinin qurrat ose kur u shpëtonte çiçi në të mbathura. Në fund të fundit, kozmpolitët që “s’janë kuqezi” duan vetëm kujtime të mira.

Ata duan vetëm një sfond të përshtatshëm ku ata të pozojnë bukur. Problemi që ata kanë është pikërisht problem sfondi. Sfondi që u ofron Shqipëria (ku vetë ata janë kontribuues), nuk është i përshtatshëm. Prandaj ata ndihen në siklet kur i vendosin përpara tij. Në pamundësi për ta shuar fare si sfond, ata synojnë të lëvizin thjerrat perceptuese në mënyrë që sfondi të përfshijë edhe sfonde të tjera të largëta, më fisnike e kështu ta relativizojë sfondin real ku ata bëjnë pjesë.

Kozmopolitët që “s’janë kuqezi” mund të jetojnë si gjithë të tjerët në apartamente popullore, të hanë fasule për drekë, të vishen te tregu çam etj. Por në thelb, ata i urrejnë njerëzit që nuk jetojnë në vila rezidenciale, nuk hanë havjar dhe nuk vishen firmato. Kur thonë “s’jam kuqezi”, ata po thonë “unë nuk jetoj në një apartament fqinj me një punëtor, nuk ha pisllëqe si ata dhe nuk vishem si langaraq”. Sepse siç dihet, ata që shtyjnë këtë lloj jete mizerabël janë kuqezinj. Ata nuk janë si kozmopolitët tanë, por janë thjesht llum, injorancë, egërsi, janë kokëpalarë, punëtorë apo të papunë, të pashkolluar siç duhet, pa njohje të gjuhëve të huaja dhe pa kontakte ndërkombëtare në Facebook, nuk janë individë me trazime globale, por thjesht turmë, “mbushje” anonime në shkallët e stadiumeve dhe trotuaret e Partizanit të Panjohur.

Kozmopolitëve që “s’janë kuqezinj” nuk është se u rri ngushtë përmasa e dashurisë lokale, ngaqë ata kanë një dashuri më të madhe, të globalizuar, gati universale. Jo. Atyre u rri ngushtë vetëm përmasa e të mosqenët i suksesshëm, pasanik, agregat i kësaj epoke gjuetie e gjuetarësh. Ata duan asgjësimin e ndjenjës së të afërtës vetëm sepse kjo e afërt, rastisi të jetë kjo varfanjakja, problematikja, shqiptarja.

Kur kujtohen të bëjnë kozmopolitin, kozmopolitët tanë që “s’janë kuqezi” zgjedhin momentin kur deklarata e tyre të bëjë me shumë zhurmë e të bjerë më shumë në sy. Sepse kozmopolitanizmi nuk ka vlerë nëse ti thjesht ia konfirmon vetes, ndërkohë që të tjerët s’e kanë haberin ç’po bluan ti. Kur ti thua “jam kozmopolit dhe s’jam kuqezi”, duhet që të shkaktosh skandal se vetëm kështu do ta marrë vesh bota mbarë çfarë dragoi je ti.

Në fund, edhe në mos besofshin se ti je me tërë mend kozmopolit dhe “s’je kuqezi”, s’ka gjë. Do të besojnë të paktën se ai sfondi katundaresk ku të vendosnin deri dje nuk është edhe aq katundaresk, sepse, ja, atje je edhe ti me mendimin tënd të lartë, me modernizmin tënd mallëngjyes dhe me përbuzjen tënde heroike ndaj tëndes.

E gjithë kjo është një luftë kundër frikës tënde për t’u marrë për katundar. Kështu, ti do të perceptohesh gjithsesi më bukur nga sa kishe frikë në fillim. Dhe në vijim mund të vazhdosh jetën tënde në apartamentin tënd popullor, të kontrollosh nëse ke prapë fasule për drekë dhe të ndërrosh këmishën e blerë në tregun çam. Fiks si një kuqezi siç je, do apo s’do vetë të jesh.

Shperndaje ne
Updated: 26 Mars, 2015 — 23:47

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.