Papunësia, zanafilla dhe pasojat

 

KERKOJ_PUNE

Shkruan: Albert Baraku mr.sc.ek

Në shtetin e ri, që forcat politike në vend tentonin t`a ndërtonin në periudhën e pas luftës, kishte qasje nga më të ndryshmet, si: duhet t`i prishim krejtë fabrikat se ato janë komuniste; kuadrot profesionale ekzistuese në ekonomi duhet larguar nga vendpunimet e tyre sepse ata janë “nostalgjik të komunizmit” dhe si të tillë rrezikojnë mbijetimin e fabrikave dhe së fundit dominoj qasja: “krejtë fabrikat duhet privatizuar dhe ska rëndësi se si … por veq mos të jenë të popullit e as të shtetit, por të individit, e cili do jetë ai individ, kuptohet ai që është më i forti ! Kështu edhe ndodhi …! Në realitet, kishte përpjekje të vazhdushme nga kuadrot profesionale, që fuqishëm e kundërshtonin këtë privatizim dhe ate me argumente … por pa sukses. Ato përpjekje nuk dëgjoheshin fare, as nga vendorët, të cilët kryesisht ishin të papërvojë fare, e as nga ndërkombëtarët të cilën shumë mirë dinin se ku po e qonin ujin!

****

Sot 16 vite nga lufta, të gjithë ama bash të gjithë me gojë të hapur e thonë se privatizimi në Kosovë ka dështuar. Analogjikisht shtrohet pytja, a mbanë përgjegjësi dikush në këtë vend për këtë dështim kaq të madh për shtetin, a duhet t`a adresojmë dështimin dhe të ja vëjmë emrin e saktë se kush e bëri dhe kështu atyre së paku të mos ju japim të drejtën të  vazhdojnë matutje me qeverisjen e vendin, por njëherit edhe të i ndalojmë të tjerët të mos gabojnë.  Ku janë tani ata ekspertat e AKM-ës (tani AKP-ës), të Odave Ekonomike, të OJQ-vë, ata qeveritarët, ata profesorat e shitur, ata “profesoinalistat” e zëshëm të asaj kohe që e propagandonin privatizimin cdo natë, me plot gojë në TV nacionale dhe lokale? Që të gjithë ata sot me të drejtë dhe zëshëm duhet klasifikuar në tri grupe, të parët – të padijshmit, të dytët – në të shiturit për interese materiale të caktuara si poste politike e tj dhe të tretit – në ata që kanë zgjedhë heshtjen apo mos përzierjen në punët e rrezikshme, në këta të fundit bijnë edhe institucionet shkencore akademike e tj!

Dështimi i privatizimit shkaktoj shkatërrimin e ekonomisë, definitivisht atë ekonominë që është ndërtuar me decenie në Kosovë e zhbëri, a thua se nuk ka qenë kurrë. Për të rinjët e sotit, jam i bindur se ata as që munden të imagjinojnë se dikur prodhimet tona janë shitur gjithandej nëpër botë, se kanë qenë të punësuar me dhjetëra mijëra punëtor nëpër fabrikat e Kosovës dhe se Kosovarët dinjitetshëm kanë marr pjesë në tregjet ndërkombtare me prodhimet e tyre ushqimore, bujqësore, industriale, tekstili, ndërmtimtarie, druri e tj.

Dështimi i privatizimit në Kosovë ja ka dhënë teposhtzën vendit, ndërsa autorët e tij janë në mesin tonë dhe nuk bartin asnjë pasojë e as nuk skuqen e as marrohen, përveq se janë më të heshtur. Pra dështimi i privatizimit ka qenë realisht ZANAFILLA E PAPUNËSISË. Ky shkatërrim që ne Kosovarët e pësuam pra është PAPUNËSIA. Papërgjegjësia e politikës Kosovare dhe menaxhimi me këtë fenomen (papunësinë), ashtu si është menaxhuar edhe me privatizimin, si puna e strumcit që fut kokën në dhe…, ka filluar të rezultoj me pasojat e para fatale për vedin e kjo është migrimi masiv që po ndodhë muajve të fundit …! Poqese edhe ma tutje nuk do të ketë ndalim të keqes dhe ndryshime për të mirë, situata sigurisht që do të eskaloj akoma më keq, demostratat siq e dimë kanë filluar, ato do të vijojnë akoma më tutje por padyshim me trend të keqsimit. Fundja si reagon një njeri i zhgënjyar, i trathtuar, i gënjyar, i mashtruar, i varfër dhe i papërspektivë …! Të jemi të siçertë, nuk kanë të drejtë të kërkojnë nga demostruesit të jenë të qetë dhe të kulturuar, ata që e shkaktuan këtë situatë dhe sillen e jetojnë në Kosovë të pasur dhe pa asnjë brengë ! Këtë të drejtë e kemi ne qytetarët e thjeshtë që nuk kemi hise në këtë situatë të krijuar.

****

Si ka ndikuar PAPUNËSIA në aspektin personal te individi dhe cilat janë pasojat ? Të papunësuarit ia ka humbur tërësisht integritetin dhe dinjitetin dhe akoma më keq, rrethi ka formuar paragjykime për t`a, se si janë të pa aftë. Ndërsa te i punësari, që punëdhënësi sillet ndaj tij fare pa përfillje dhe vazhdimisht me kërcënimin se ka sa të duash të tjerë që munden t`a zavendësojnë, kjo manifestohet gjithashtu me pagat e të punësuarve dhe profesionalistëve në nivelin qesharak dhe diskriminues në sektorin privat dhe reagimi i të punësuarve mungon nga friga e largimit nga puna. Në këtë drejtim, ju rikujtoj sjelljet e publikuara ditë më parë të punëdhënësve privat si Bankave afariste në Kosovë ndaj të punësuarve. Pa përmendur edhe shumë të tjera raste në sektorin privat. Pra fenomeni i PAPUNËSISË ka patur dhe përditë ushtron të ketë ndikim shumë të keq si te të papunësuarit ashtu edhe tek të punësuarit dhe roli i shtetit në këtë situatë shumë të keqe nuk shifet fare në mbrojtje të qytetarit, bile përkundrazi edhe organizatat sindikale i ka vu nën kontrollë të plotë përmes individëve që janë të dëgjueshëm dhe interesgji.

Se në c`gjendje jemi katandisuar si shoqëri, tregon më së miri pamja e zymt e shesheve të qyteteve të Kosovës në ditën e Pavarësisë së vendit. Fenomen ky, deri dje një popull optimist për shembull në botë këthehet në migrues masiv dhe të heshtur. Por këto pamje ma kujtuan nga ana tjetër edhe fabulën: kur mbreti i nxjerr zyrtarët e vet në popull dhe ata i tregojnë se ka shumë pakënaqsi dhe mbreti jep urdhër që të shtrëngohen masat, por pas një kohe kur mbreti sërisht i nxjerr zyrtarët e vet për të bërë një vëzhgim e ata i thonë se tani cdo gjë është në rregull dhe nuk dëgjohet askush me ankesa, por mbreti menjëherë jep urdhër, lëshoni presionin dhe zbutni situatën …! Nga e kaluara e kemi një përvojë dhe frigoj që kjo situatë është shumë delikate dhe shumë shpejtë mundet me ndodhë që të jetë jasht kontrollit.

****

Nga tërë kjo ndodhi në Kosovë nuk mund të amnestohen ndërkombtarët. Kur e flas nocionin ndërkombëtarët, nuk mendoj asnjëherë në shtetet të cilat ata i përfqsojnë. Jo, ata janë individ dhe si të tillë e kanë një liri të sjelljes profesionale dhe menaxhimit të situatave sipas vetëdijes së tyre. Përndryshe, një mik i imi shumë i afërt gjithnjë e thotë, se për gjithë këtë, fajin e kanë të jashtmit, por, unë nuk e ndaj këtë mendim dhe fajin gjithnjë e kërkoj te vetja dmth. te vendorët. Kur ti nuk je i zoti në shtëpinë tënde atëherë normalisht që do të lësh vend të hyjnë të tjerët nga jasht. Sidoqoftë, ndërkombëtarët kanë dorë në këtë dhe ate bukur shumë, nga fakti shumë i thjeshtë, është pranuar zyrtarisht dhe ate shumë herë për dështimin e UNMIK-ut në Kosovë dhe fajet kardinale që ai ka bërë. Pastaj së fundit është pranuar zyrtarisht dhe ate disa herë që edhe EULEX-i ka dështuar dhe ate duke keqpërdorur fonde marramendëse të BE-së. Kjo tregon mjaftushëm për gabimet e ndërkomëtarëve dhe përgjegjësinë e tyre për situatën në të cilën jemi katandisur. Pa përmendur edhe disa raste të tjera, si psh. rasti i ndikimit në tenderin e autostrades etj. etj.

****

Dua të shpresoj që qeveria e re i ka parasysh këto gabime të ndodhura dhe pasojat e tyre për gjendjen e keqe në të cilën ndodhemi ne Kosovarët. Dua të shpresoj që edhe ndërkombëtarët janë me ndjesinë e fajsisë për gjendjen në të cilën ndodhemi dhe se ka ardhur koha të këndjellemi dhe të bashkuar t`i themi me vendosmëri stop të keqes dhe stop atyre që kanë keq menaxhuar këto 16 vite. Ata të cilët janë hisenik në këtë të keqe në të cilën jemi, të sankcionohen pa mëshirë dhe pa frigë, kush do qofshin ata …! Nëse kjo nuk do të ndodhë dhe ate me ritëm të shpejtuar, atëherë frigoj se do të kemi ditë të këqija në vijim. Dua të shpresoj më të mirën për vendin tim dhe për bashkëvendasit e mi.

Shperndaje ne
Updated: 27 Mars, 2015 — 12:20

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.