Frymëzim atdhetarizmi e qëndrese: Avni Rrustemi

Revolucioni_1924

Mehmet_Bislimi02Shkruan: Mehmet Bislimi

Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre burrave që përpiqen për çlirimin e trojeve shqiptare, njëkohësisht vërejtje për të gjithë ata që ushqenin dhe ndihmonin përçarjen vendit, vërejtje për te gjithë ata që u shërbenin pushtuesve tanë shekullorë sllavo-grek, vërejtje për të gjithë ata që synonin kolltukë e “pushtet” nën tutelën e pushtuesve!

Avni Rrustemi, lindur në Libohovë, në vitin 1895 në gjirin e një familjeje atdhetare me tradita të lashta përparimtare. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindjen e tij. I etur për dituri, mësimet i vazhdoi në normalen e Elbasanit e më pas edhe në Shën Mitër Korone, ndërkaq studimet e larta për pedagogji i ndoqi në Universitetin e Romës.

            Avniu, biri i Libohovës dhe i Shqipërisë, atdhetar dhe i patundur me orientime demokratike të kohës, duke parë gjendjen e rëndë ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri, ai „u shkri si qiriri“, i Namit i gatshëm për të dhënë çdo gjë nga vetja e tij si shembull i brazave djaloshare të kohës, qëllimi i të cilit ishte edukata e gjeneratës së re, e cila po rritej në një frymë krejtësisht përparimtare për t’i dalë zot shqiptarisë.

            Ai, me kohë i kuptoi më mirë dhe më qartë nga të tjerët qëllimet grabitqare të shteteve fqinje të cilat hapur e fshehur po synonin ri copëtimin e Shqipërisë, për fat të keq e gjitha kjo me mbështetjen dhe qëndrimin antishqiptar të disa prej Fuqive të Mëdha, të cilat nën ndikimin e Rusisë Cariste po mbyllnin njërin sy para invadimeve serbe, greke e bullgare në territoret shqiptare. Në këtë mes, edhe me qëndrimin e “imzanë” e Portës së lartë, e cila për më se pesë shekuj shqiptarëve ua kishte sjellë diellin mbi kokë! Politika e atëhershme franceze, angleze etj. Për fat të keq kishin treguar gatishmëri që Shqipërinë ta shpërbënin dhe ta fshinin përgjithmonë qoftë edhe nga harta evropiane si shtet.

            Duke vërejtur e përjetuar këtë përballje me këtë gjendje të rëndë, Avniu dhe bashkëluftëtarët e tij, nuk po rrinin duarkryq, ata kishin mobilizuar të gjitha forcat e veta dhe së bashku me rininë djaloshare po vepronin anë e kënd atdheut të shqipeve në mënyrë, që një ditë të afërt të ishin gati që atdheut t’i dilnin në mbrojtje edhe me armë në dorë! Tokës sonë të shenjtë, ku Italia veç kishte mësyrë Vlorën!…

            Avniu, ishte atdhetar, demokrat, revolucionar dhe intelektual, i cili çështjen e atdheut e kishte vënë mbi të gjitha, madje edhe mbi jetën e tij. Ai, duke e ndier si nevojë të kohës që djemtë atdhedashës t’i mobilizojë dhe t’i ketë kurdoherë të gatshëm, për të qenë pranë e pranë, themeloi Shoqërinë Demokratike „Bashkimi“. shumë nga pikat e atij programi edhe sot e kësaj dite nuk e kanë humbur aktualitetin e tyre. Ai ishte pjesëtar i denjë i opozitës demokratike në Asamblenë Kombëtare mu në prag të Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit të vitit 1924. Ishte kjo Qeveria e parë Demokratike në Ballkan e më gjerë që udhëhiqej nga bijtë më të devotshëm të shqiptarisë në krye me Fan Nolin e madh.

            Avniu, punoi si mësues në Libohovë, pastaj në Tragjas të Vlorës, në Tepelenë e në Vlorë etj. Ai, ishte rreshtuar me kohë në mjedise atdhetarësh, që po përpiqeshin e luftonin me pushkën krahut për të zmbrapsur lakmitë e armiqve te Shqipërisë si dhe për të penguar përçarjen e vendit nga agallarë e bejlerë dritëshkurtër, të cilët i kishte verbuar lakmia për prona e pushtet. Qëllimet e Avniut dhe bashkëmendimtarëve e bashkëluftëtarëve të tij, ishin të prera dhe të çarta: liria dhe pavarësia e tërësisë tokësore shqiptare mbi të gjitha, qëndresë, luftë dhe përpjekje për Shqipërinë e lirë, sovrane e demokratike, që do të jetonte në fqinjësi të mirë me të gjitha ato shtate që do ta respektonin parimin e vlerave universale ndërkombëtare.

            Në vitin 1908, braktisi bankat shkollore dhe iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit. Më 1910, Avniu me kobure në dorë bëri përpjekje qe ta qëronte nga faqja e dheut, edhe gjeneralin otoman, gjakpirësin Shefqet Turgut Pasha, komandant i ekspeditës turke në Shkodër. Atëbotë, Ishte në moshë fare të re, por me veprimin tij të guximshëm, ai tregoi se si duhet të „dekorohen“ pushtuesit e tokave shqiptare dhe tradhtarët e vendit! Ky ishte një frymëzim i mirë për të gjithë popujt e pushtuar e në këtë kontest edhe për ne, që për liri dhe bashkim të vendit jemi përpjekur pareshtur ndër vite deri tek ditët e sotme, ku shumë bijë të devotshëm kanë ndjekur rrugën e Avni Rrustemit, Çerçiz Topullit, Ramadan Zaskocit, Mic Sokolit, Vasil Laçit, Vojo Kushit, e dhjetëra bijve tanë të devotshëm, që u flijuan për atdhe!            

             Në vitin 1914, u radhit në radhën e forcave çlirimtare të vendit, që për pikësynim kishin çlirimin e Jugut të Shqipërisë nga pushtuesit grekë, të cilët ishin futur në tokat tona! Më 1918, Avniu e mori edhe një nismën për themelimin e Shoqërie atdhetare të të rinjve nga Vlora, që e pagëzoi me emrin: „Djalëria e Vlorës“. Drejtimin e shoqërisë e mori përsipër vet përsipër, i cili pa humbur kohë së bashku me bashkëveprimtarët e tij u vunë në një lëvizje të shpejt në mënyrë që më 28 Nëntor 1918, të organizonin një demonstratë të fuqishme kundër pushtuesit Italian, dhe këtë e arritën me sukses. Një vit më vonë, pra më 1919, në Shën Mitër, ai themelon edhe; „Lidhjen Rinisë Shqiptare“ e cila kishte për qëllim mbrojtjen e të drejtave tona kombëtare etj.

             Aktin madhor historik dhe heroik, Avniu e kreu më 13 qershor 1920, kur me atentat vrau në Paris Esat Pasha Toptanin, krye tradhtarin e vendit, veglën e shteteve fqinje, njëkohësisht edhe të fuqive të huaja dhe shitësin e interesave të Shqipërisë, me këtë akt trimërie Avniu tronditi Konferencën e „Paqes“ në Paris dhe prishi planet që bëheshin për ri copëtimin e Shqipërisë edhe ashtu të përgjysmuar! Ky akt heroik e historik i Avniut, që ekzekutoi në mes të Parisit tradhtarin e kombit Pasha Toptanin, ishte akt atdhetarie e vendosmërie që do t’iu binte kokës të gjithë atyre që do të guxonin të bënin pazar në dëm të tokave shqiptare!

            Kushtrimi i krismave të kobures së Avniut, ishte kushtrim për bashkimin e të gjithë atyre burrave që përpiqen për çlirimin e trojeve shqiptare, njëkohësisht vërejtje për të gjithë ata që ushqenin dhe ndihmonin përçarjen vendit, vërejtje për te gjithë ata që u shërbenin pushtuesve tanë shekullorë sllavo-grek, vërejtje për të gjithë ata që synonin kolltukë e “pushtet” nën tutelën e pushtuesve! Ai, në këtë mënyrë i tregoi botës se dora e popullit do t’i arrijë tradhtarët e kombit edhe në Paris, Londër e kudo që fshihen e strehohen ata! Gjyqin e Parisit, që iu ngrit për ta dënuar atë, ai e shndërroi në një tribunë politike, ku mbrojti me konsekuencë të drejtat shqiptare, duke fituar kështu simpatinë e qindra intelektualëve të kohës, të cilët u solidarizuan me qëllimin e lartë të veprës së Avniut dhe me të drejtën e popullit shqiptar për të qenë i lirë në tokat e veta.

             Nëpër të gjitha qytetet e Shqipërisë organizoheshin tubime e manifestime në shenjë përkrahjeje për Avniun; me të vetmen kërkesë: „LIROJENI DJALIN TONË!”- tradhtarët plumbin kanë hak…

             Avni Rrustemi dhe populli shqiptar e fituan edhe këtë gjyq. Në dhjetor të vitit 1920, Avniu kthehet në Shqipëri. Masat popullore liridashëse e pritën me entuziazëm, e pritën si një hero të vërtetë. Ai për asnjë çast nuk e ndali veprimtarinë e vet dhe as edhe njëherë nuk mendoi se „e kreva detyrën ndaj atdheut!“…

              Ai nuk qe vetëm organizatori kryesor i shoqërive demokratike – përparimtare dhe çlirimtare, por edhe njëri ndër ideologët më të shquar të saj. Idetë e tij të publikuara, një herësh u bënë edhe armë e fuqishme në duart e rinisë demokratike shqiptare dhe të masave të shtypura. Idetë e tij për përparimin e vendit ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku edhe u zgjodh deputet nga populli i ish prefekturës së Kosovës. Ai mbrojti me guxim e zjarr traditat luftarake të popullit tonë, përpjekjet e të drejtat e tyre për t’u çliruar nga zgjedha serbo-sllave dhe greke, për të jetuar të lirë dhe të bashkuar- ashtu siç jetojnë popujt e tjerë të botës së lirë e përparimtare…

  Forcat e errëta Monarkiste, përgatitën likuidimin e Avniut, ai ra me 22 prill, të vitit 1924, ra për të mos rënë kurrë!… Figura e Avniut do të qëndrojë lartë në ndërgjegjen e luftëtarëve të lirisë.

            Vepra e Avniut nuk do të harrohet kurrë, emri i tij është nderi i shqiptarisë!

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.