MAQEDONIA ANTIKE NË VEPRAT E STUDIUESËVE SHQIPTARË

maqedonia_antike_33601

Shkruan: Fejzula Abdulai

Mbi Maqedoninë antike në kohën e fundit shumë po flitet në qarqet  politike dhe shkencore sllavomaqedone, jo nga fakti se ekziston ndonjë dëshirë që të nxirret në pah e vërteta për të kaluarën antike të kësaj gjeohapësire, por për të treguar kinse identitetin e tyre antik dhe se në një pjesë të saj ku ata sot jetojnë, të tregojnë para qarqeve shkencore e politike botërore, se aty janë më të vjetër se etnitë e tjera.

Në këtë kontekst janë bërë studime edhe nga ana e autorëve të huaj, natyrisht, edhe nga autorët shqiptarë të cilët aty janë me shekuj. Në këtë shkrim do të përmbahemi në studimet që i ka bërë studiuesi shqiptar   Asllan SELMANI[1], mbi gjeografinë e Maqedonisë antike.

Studiuesi Asllan SELMANI, në sajë të një literature të mirëfilltë sheknore, përkatësisht të studimeve të bëra qysh nga autorët antikë, grekë, sllavë, shqiptarë pa edhe evropjanë të interesuar mbi të kaluarën historike-gjeografike të Maqedonisë antike, e cila për kah pozita gjeografike e strategjike dallon nga vendet e tjera të Ballkanit, të gjitha konstatimet dhe përfundimet shkencore në mënyrë koncize i paraqet në veprën e tij “GJEOGRAFIA E MAQEDONISË ANTIKE” (2000).

 KU JANË KUFIJTE MAQEDONISË ANTIKE

Maqedonia si tërësi natyrore është e pozicionuar në pjesën juglindore të Ballkanit. Për kufijt e saj në kohën antike, autori Selmani iu referohet disa autorëve. Kështu, bie fjala, Studiuesja F. Papazogllu, është e mendimit se kufiri perëndimor i Maqedonisë antike përputhet me kufijtë etnikë në mes fiseve maqedone dhe atyre ilire. Megjithatë, ajo shumë fise ilire i nxjerr jashtë kufijve të Maqedonisë së asaj kohe. Kështu bie fjala, sipas saj, (Papazoglu) desaretët që përfshinin rajonin e Ohrit e të Prespës, gjenden jashtë territorit të Maqedonisë. Po ashtu jashtë kufijve maqedonas gjenden edhe fiset peneste rreth burimit të lumit Erigon (Cërna Rekës, lumë që e përshkon fushën e Pellagonisë) dhe Vardarit, që përfshinin një shtrrirje më të gjerë se të parët.

Sipas Strobonit në pjesën perëndimore, në sajë të të dhënave të Polibit të cilave iu referohet, kufiri etnik në mes maqedonëve e ilirëve është distanca hapësinore midis Lihnidës dhe Heraklesë në vendin ku kalon Via Egnatia, rrugë me rëndësi ekonomike e strategjike.

Nga fiset dardane, përkatësisht me Dardaninë në veri, Maqedoninë e ndante kufiri që kalonte në Byllazorë (Veles), pikë me rëndësi strategjike në luginën e lumit Aksi (Aksisos, Vardari). Ky ka qenë edhe qyteti më i madh në mbretërinë e Peonisë. Këtë qytet Filipi i V në vitin 167 p.e. sonë e shtie në duart e maqedonëve.

Kufirin verior e përshkruan Ptolomeu. Ai merr vijën që shkon në drejtim të Scardus-it (Mali Sharr), pastaj të malit Orbelos, prej këtu vazhdon gjer në pikën prej 49 shkallë të gjatësisë gjeografike lindore dhe 42 shkallë e 20 minuta të gjerësisë gjeografike veriore. Mirpo Stroboni, nga ana tjetër, si kufi  verior të Maqedonisë e merr vijën që shkon prej perëndimit në drejtim  të lindjes duke i bashkuar malet Bertiscos, Scoradus, Orbelos, Rhodope dhe Haemus. Këto të dhëna që i jep ky autor antik (Stroboni) për kufizimin e Maqedonisë në pjesën veriore, prof. Selmani është i mendimit se nuk mund të merren në tërësi si të sakta. Këtë e arsyeton me faktin se Stroboni shkon shumë në veri, gjë që nuk mund të shihet në të dhënat e autorëve të kësaj periudhe kohore. Kështu, p.sh. mali Orbelos nuk mund të identifikohet me Malin e Zi të Shkupit, as me malin Bellasica. Ky i fundit mund të identifikohet me malin Osogovo, kurse Haemus me malin Ballkan.

Përk kufirin lindor nuk jepen shumë të dhëna. Përmëndet se Maqedonia antike në vitin 160 p.e. sonë në këtë anë kufizohej me mbretërinë e Peonisë.

Në pjesën jugore kufiri i Maqedonsë fillon prej lumit Penea. Ky lumë ndan dy krahina të Maqedonisë, Pierinë dhe Magnesinë e Thesalisë me krahinën e tretë në veri e cila përfshin një hapësirë shumë të madhe. Pjesët e tjera të kufirit në këtë anë, Selmani i cakton në sajë të të dhënave të periudhës romake. Në bregun e Haliakmonit gjendet Dolihe qytet me rëndësi i Tripolisit peraibik në Republikën e Thesalisë. Në këtë anë kufiri ka kaluar nëpër anët perëndimore të Olimpit në veri, që pastaj kalon në Pition (Thesali) dhe Petre ose Pjetri në Maqedoni.

POPULLSIA

          Popullsia antike e Maqedonisë nuk ka pasur kurfarë lidhje me helenët. Aty pat jetuar një popullsi e ndryshme dhe komplekse. Specifikat e etniteteve në pjesën qendrore të Ballkanit ku është e pozicionuar Maqedonia, janë ruajtur në sajë të vetë topografisë specifike që ka pasur kjo gjeohapësirë.

              Për strukturën e popullsisë antike në këtë hapësirë janë marrë shumë autorë, Në këtë  drejtim dallohet edhe studiuesi J.G. fon Han. Ky autor ka bërë një analizë mjaft të gjerë për strukturën e etniteteve. Ai shprehimisht thotë: “Epirotët dhe maqedonët qysh në kohën e Strobon-it kanë qenë jogrekë ose barbarë. Epirotët, maqedonët dhe ilirët janë fise të afërta me njëri-tjetrin, ose me prejardhje të përbashkët. Ka shumë shenja se epirotët dhe maqedonët formonin bërthamën e trungut të popujve tireno-pellazgjikë…”

         Truallin e Maqedonisë antike, sipas të dhënave që jep Asllan Selmani në këtë vepër, e popullonin këto etni: maqedonët, peonët, desaretët, penestët, lynkestët, pellagonët, dardanët dhe fise të tjera.

            Polib-i autor antik, maqedonët dhe peonët i quan grekë. Mirpo për këta dy popuj studiuesi kroat A. Stipçeviq në librin e tij “Ilirët” thotë se janë me prejardhje ilire. M a q e d o n ë t  e  p e o n ë t  gjatë shekullit të IV qenë helenizuar duke humbur gradualisht identitetin e tyre.

P e o n ë t, ky fis antik shtrihej kryesisht në pjesën lindore të Maqedonisë së sotme. Qenë përhapur në luginën e lumtit Axios (Vardari) gjer në bregdetin e detit Egje. Rrjedhjen e poshtëme të lumit Erigon dhe gjer në afërsi të Byllazorës (Velesi i sotëm). Në lindje ka qenë pak më në lindje të Liqenit të Dojranit dhe në rrjedhjen e poshtëme të Astibos. Fiset peone shtrirjen gjeografike më të madhe e patën në shekullin e VI  p.e.sonë. Autorët antikë janë të mendimit se peonët shtriheshin në pjesën jugore të Serbisë së sotme, në lindje deri në Sofje, duke u kufizuar me fiset maidoi. Në veri kufizoheshin me dardanët, në perëndim me demopët, pellagonët, lynkestët e desaretët. Ptolomeu flet për dy fiset peone: astrai dhe iori. Për këto fise thotë se qenë të ngulitur në pjesën   verilindore të Pangeut. Organizimin shoqëror në shtet e patën organizuar në shekullin e VI para erës sonë.

  D e s a r e t ë t  qenë përqëndruar në rrethinën e Liqenit të Ohrit dhe të Prespës, Kurse rreth luginës së Drinit të Zi qe përhapur fisi ilir i

p e n e s t ë v e. Për këtë fis supozohet se pat populluar edhe një pjesë të Pollogut. Fis fqinj i këtyre të fundit qenë p i r u s t ë t. L y n k e s t ë t  të cilit e zinin vendin e vendasve-pellagonëve, sipas Tukudidit qenë maqedonë, kurse A.Vajgal i quan ilirë. Aty ku janë të ngulitur kanë ardhur prej krahinës së Eordajës. Gjatë luftës këtë popull e udhëhiqnin udhëheqës maqedonë. Krahina e tyrë eshtë quajtur Lynkestida e cila shtrihej deri në Herakle. Këtë autori Selmani nuk e identifikon me fushëgropën e Pellagonisë. Është i mendimit se kjo anë  ka qenë regjion më vete me veçoritë dhe specifikat e veta. Lynkestida kufizohej me viset e Lerinit (Fllorinës) në jug, kurse në veri me fiset e Pellagonisë. Për Pellagoninë është i mendimit  se ka pasur qytetin e vet me emrin Pellagonia.  P e ll a g o n ë t  poashtu janë të fisit ilir. Qenë të shpërndarë në jugperëndim të Peonisë (në dy anët e Erigonit). Fiset e Maqedonisë së Epërme nëpërgjithësi qenë të pozicionuar në anën jugore, perëndimore e veriore të Maqedonisë antike. Kryeqendra e Pellagonisë në kohën antike qe Heraklea. Në kohën kur Peonia e mbrin lulëzimni e vet (kjo ndodh në shek. e III para erës sonë), Pellagonia qe qeverisur nga fiset peone.

           Fis tjetër ilir që i pat sjellë probleme të shumta shtetit maqedon në kohën e Filipit të II, qenë d a r d a n ë t. Përfshinin një shtrirje mjaft të madhe në territorin e Maqedonisë së sotme me kryeqendër Scupin (Shkupin). Ky fis dallonte dukshëm në këto hapësira nga fiset e tjerë. Kishte karakteristika të veçanta në trungun e Ballkanit. Kufiri që ndante këtë fis me të tjerët qe Scardus Monsi (Mali Shar). Ky mal qe kufi natyror midis grupeve më të mëdha të popujve. Numër më i madh i autorëve të kohës jan të mendimit se ky mal pat qenë kufi në mes dardanëve në lindje, ilirëve  në pjesën perëndimore dhe maqedonëve në jug.

 DISA AUTORË ANTIKË MBI PËRBËRJEN ETNIKE

         Autorë të dalluar antikë që përmenden në këtë vepër lidhur me përbërjen etnike të Maqedonisë antike janë: Stroboni e Tukididi.  Të dhëna me vlerë për përkatësinë dhe prejardhjen e popullsisë në territorin e Maqedonsë antike pat dhën Stroboni. Sipas tij “popujt e jugut janë ilirët dhe trakët me përzjerje të vogla me keltët e me disa popuj të tjerë deri në Greqi”. Sipas tij ekziston një ndarje mjaft e dukshme midis epirotëve dhe grekëve. Arkarnët të banuar në gjirin e Abrakisë janë me prejardhje greke, kurse kasopët që banonin anën e majtë të tyre janë epirotë. Në perëndim dhe në veri të siujdhesës (ndoshta mendon për siujdhesën Ballkanike f.a.) janë fiset epirote, dhe ilire, kurse në lindje gjer në Bizant fiset maqedone. Sipas Strobonit fiset që jetonin në lindje të Epirit qenë barbarë e jo grekë. Aty përmendet edhe një numër i maqedonëve që jetojnë në tokat e Epirit. Fiset që qenë të pozicionuar në lindje të malit Pind, Stroboni i përmend: lynkestët, deuriopët, pellagonët, eordejtë, elimejtë dhe eratirët. Ato fise që qenë shtrirë në Epir dhe Maqedoni, pos këtyrë që u përmendën (që janë të ngushtë për nga prejardhja), është i mendimit (Stroboni) se  mund të jenë epirotë, por jo edhe grekë, janë: kaonët, tesprotët, kasopejtë, amphilokët, molosët, atamanët, aetikët, timohejtë, orsetët, parorejtë, atintanët, pastaj fiset ndërmjetës me ilirët, boulinët, taulantët, partinët dhe brigët ilirrë e tj. Gjithsej 14 fise epirote.

         Sikurse Strobini edhe Tukididi, popullsinë e banuar në koto hapësira, përkatësisht fiset krysore të Epirit i quan barbarë e jo grekë. Aty përmend edhe një numër të maqedonëve që jetonin në tokat e Epirit. Mbi prejardhjen e maqedonëve antikë ekzistojnë teza të ndryshme. Tukididi është i mendimit se 650 vjet para erës sonë, maqedonët prejardhjen e kanë pasur prej fanuljes Tempide të Peloponezit Argos. Këtë tezë e përkrahin edhe organizatorët e lojrave olimpike.

   NUMRI I POPULLSISË

 Në këtë vepër shkencore autori ka tentuar që të japë disa të dhëna numerikë për numrin e popullsisë në truallin e Maqedonisë antike. Që të caktohet një numër i saktë për këtë kohë, mendon ai, është mjaft vështirë nga fakti se Maqedonia në kohën në fjalë nuk ka pasur kufij të përhershëm. Madje sipas tij nuk ekzistonin të dhëna materiale  të cilat do mund të jepnin një numër të popullsisë më të afërt realitetit. Megjithatë, thotë ai, akzistojnë disa të dhëna vetëm për numrin e meshkujve të armatosur. Kështu në vitin 334 p.e. sonë të armatosur kanë qenë rreth 35 000, kurse numri i përgjithshëm sillej prej 85 000 gjer më 95 000 banorë (vlerësim aproksimativ). Nga kjo del se popullsi e rritur të gjinisë mashkullore dhe të paarmatosur ka pasur rreth 50 000 gjer më 60 000 . Kurse qytetarë të rendit të dytë, siç i quan ai, ka pasur prej 50 000 gjer më 80 000 banorë. Meshkuj të rritur ka pasur rreth 150 000. Në fund përfundon autori Selmani, se në territorin e Maqedonisë së asaj kohe mund të kenë banuar rreth 500 000 banorë.

KRAHINAT DEMOGJEOGRAFIKE TE MAQEDONISE ANTIKE NE HAPESIREN E MAQEDONISE SE SOTME

        Në territorin e Maqedonisë së sotme në kohën antike, prof. Asllan Selmani, në sajë të dokumentave që iu referohet, i përshkruan këto krahina:

  1. Lynkestida
  2. Pellagonia
  3. Desaretia
  4. Dardania
  5. Peonia
  1. Lynkestida

 Qysh në fillim autori i këtij studime,  e vë në pyetje caktimin e rajoneve demogjeografike të kohës në fjalë, pa i përmendur historianët e gjeografët antikë. Këtë e potencon nga fakti se ata kanë lënë shënime për territore të caktuara të Maqedonisë.

Për këto vise nuk kanë ekzistuar mendime të unifikuara. Aty përmenden disa autorë antikë. Kështu, sipas Tukididit, fisi lynkest i Lynkestidës ishte me prejardhje maqedone, kurse sipas të tjerëve (Vrangel-it) me prejardhje ilire. Sipas të dhënave antike gjeografike, Lykestida ka pasur varësi gjeografike, sepse ka qenë e ndarë nga Maqedonia, ndërsa në lindje kufizohej me ilirët, konstaton Selmani. Në  një kompleks demogjeografik është mjaft vështirë që kjo krahinë të jetë enklavë e izoluar. Ajo përbënte një sistem të ndërlidhjeve fisnore ilire, në perëndim e në lindje, në veri me dardanët e në jug me maqedonët.

Lynkestida si territor më vete përmendet nga shumë gjeografë antikë. Të dhëna të sakta jep Polibi e Stroboni. Mirpo të dhënat e këtyre autorëve, studiuesi Selmani i pranon me rezervë, nga fakti se këta autorë janë shërbyer me të dhëna të vjetra, para kohës kur ata kanë jetuar. Kjo krahinë shtrihej në një pjesë të Maqedonisë së sotme jugperëndimore. Në lindje shtrihej gjer në qytetin  Herakle, por nuk identifikohej me Pellagoninë. Madje në jug kufizohej me viset e Lerinit (Fllorinës) në jug, kurse në veri me viset e Pellagonisë.

  1. Pellagonia

       Sipas të dhënave antike ky rajon shtrihej në pjesën qendrore të Maqedonisë së sotme. Në pjesën lindore të rajonit pat rrjedhur lumi Axios (Vardari). Në shkrimet e tjera mund të gjendet se Pellagonia shtrihej në verilindje të Lynkestidës dhe Heraklesë, duke vazhduar në luginën e Erigonit (Crna Reka), në perëndim  në desaretët. Një pjesë e madhe e autorëve janë të mendimit se Pellagonia si hapësirë gjeografike ka pasur shtrirje në pjesën jugore të Pellagonisë së sotme, në kufijt e së cilës përfshihej edhe Heraklea. Venediku, për shembull, Pellagoninë e ka definuar si rajon me shtrirje afër Axiosit dhe derdhjes së Erigonit. Këtë tezë, nënvizon Selmani, nuk e pranon studiuesja më e madhe i periudhës antike të Maqedonisë, F. Papazogllu.  Në shekullin e IV e të III para erës së re, pellagonët që e patë populluar Pellagoninë, në burimet e vjetra shumë pak përmenden. Sipas disa autorëve, ata mund të kenë rënë nën sundimin e Peonisë. Pellagonia si provincë përmendet në vitn 167. Në këtë kohë qyteti me të njëjtin emër bëhet kryeqendër. Në shekullin e II qe e banuar me pellagonë (fis jomaqedon) dhe i takonte Maqedonisë së Epërme. Stroboni, Pellagoninë si rajon e përmend në luginën e lumit Erigon (Crna Reka). Fqinjësi i ka pasur Deuriopët dhe Lynkestinë. Në kohën e këtij autori janë bërë ndryshime të kufijve ndërmjet rajoneve të kontrolluar më parë prej ilirëve.

  1. Desaretia

 Kjo krahinë demogjeografike pat përfshirë një rajon më të gjerë të Liqenit të Ohrit e të Prespës. Jo vetëm kaq, kjo hapësirë përfshinte edhe pjesë të territorit grek e atij shqiptar. Desaretët si fis ilir, kishin një shtrirje edhe në rrjedhat e lumenjëve Apsa dhe Eordaika në anën perëndimore, përkatësisht në rrjedhat e lumenjëve të sotëm Semen dhe Devoll. Në anën veriore ky fis kufizohej me fiset ilire, penestë dhe pirusë. Këta dy të fundit qenë të vendosur në fushëgropën e Kërçovës dhe të Pollogut.

Në vitin 167 Desaretia kishte mbetur në kuadrin e shtetit ilir, kurse më vonë në atë maqedon. Edhe pse nën sundimin e këtij të fundit desaretët nuk qenë asimiluar. Qytet më i madh dhe më i njohur i kësaj krahine qe Lyhnidus (Lihnida).

Megjithatë, autori Selmani thotë se disa autorë antikë (Polibi, Livi) nuk kanë qenë të  sigurtë vall ky qytet shrihet në Desareti. Sipas Livit thuhet se “ad Lychnidum Dassaretiorum” , kurse në vend tjetër nënvizohet se Lihnidi është jashtë Desaretisë. Kjo ndoshta vjen, thotë autori Selmani, nga fakti se ky qytet në atë kohë kishte një farë vetqeverisjeje, d.m.th. i ndarë prej fiseve të tjerë që përfshiheshin në Desareti.

 4.  Dardania

         Kjo krahinë gjeografikisht pat përfshirë pjesën veriore të Maqedonisë (në veri të qytetit Byllazorë, Velesi i sotëm). Në anën perëndimore përfshinte rajonin e Tetovës dhe të Krumës, në pjesën veriore të Shqipërisë. Kufiri kalonte nëpër luginën e Drinit të Bardhë, në Bjeshkët e Nemura, Mokra Gorë, luginën e Ibrit dhe vazhdonte më tutje.  Dardanët çdo herë kanë qenë armik  dhe fis i rrezikshëm i Maqedonisë. Me ta patën problem edhe romakët. Në perëndim të dardanëve patën jetuar autariatët dhe deziatët, një fis i njohur i kohës antike.

  1. Peonia

          Gjeografikisht Peonia shtrihej në pjesën lindore të Maqedonisë antike. Në kohën e formimit të mbretërisë së peonëve, shtrirja e tyre arrinte gjer në Pellagoni dhe Deuriop. Kufizohej me Dardaninë në veri, kurse në jug me Pellagoninë. Ka pasur një shtrirje mjaft të madhe në territorin e Maqedonisë.

         Për kolonizimin e Peonisë interes kanë pasur fiset e krahinave të tjera në Maqedoni. Kësht, në pjesën veriore pretendime për territore të Peonisë ka pasur Dardania. Ndaj vazhdimisht në këtë anë kjo krahinë qe sulmuar nga hordhite e dardanëve. Peonia pavarsinë e humbet pas vdekjes së mbretit Agis. Tani në krye të saj vjen Likei, i cili ka qenë i detyruar Filipin e II ta furnizojë me ushtarë. Mirpo më vonë qe i detyruar të lidhet me Athinën me qëllim që të organizojë një propagandë kundër Filipit të II, mretit të Maqedonisë. Ky koalicion qe i destinuar të dështojë pasi Filipi i II reagoj shumë shpejt. Më vonë në vitin 315 para erës son ë në krye te Peonisë vjen Aydeleoni. Pas vdekjes së këtij të fundit në krye të Peonisë vjen djali i tij Leoni. Dinastia e Peonisë vazhdon më tutje. Pas vdekjes së Leonit në krye vjen djali i tij Dropinoni.

Maqedonia_filipitDISA FJALË MBI MBRETËRINË E MAQEDONISË

           Dinastitë e Mbretërisë  Maqedone, për nga numri dhe për nga kohëzgjatja, patën qenë mjaft të gjata, konstatton A.Selmani. Mbreti i parë i Maqedonisë ka qenë Perdika I, pastaj pësonin Argei, Filipi I, Eropi, Alketa, Aminta, Aleksandri  I, Perdika II dhe Arhelai. Gjatë sundimit të tyre Maqedonia nuk pat shënuar ndonjë zhvillim të duhur. Koha kur vërehet zhvillim i dalluar i vendit është gjatë sundimit të Filipit II dhe Aleksnadrit të Madh.

         Reforma të dukshme në strukturën ekonomike pat bërë mbreti i parë Perdika I, i cili kujdesej për blektorinë si degë e nevojshme ekonomike për ekzistencën e popullatës. Ky mbret pat ndërtuar një qytet ku do ta vendoste selinë e vet për të udhëhequr me shtetin e parë të quajtur Ege (përkëthyer në shqip, Ege do të thotë “dhi”). Në këtë kohë fisi i brigëve i shpërngulur në Azinë e Vogël, Perdikës I i kishte mundësuar të zgjerohet në drejtim të tokave të tyre. Gjatë shekullit të VI p.e. së re Maqedonia qe zgjeruar edhe në tokat e Persisë, Botisë dhe Almopisë. Këto toka në atë kohë formonin një tërësi mobile gjeografike, konstaton studiuesi Selmani.

         Sukses në zgjerim territorial Maqedonia pat pasur në kohën e Aleksandrit I. Në këtë kohë ajo ishte më stabile nga fakti se të gjitha shtetet përrreth ishin më të dobëta në përgatitjet ushtarake dhe stabilitetin ekonomik. Sukses i këtillë ekziston edhe gjatë Perdikës II. Edhe pse Maqedonia pat sukses në këtë kohë, ajo përsëri qe e rrezikuar prej disa fuqive, në rradhë të parë prej Athinës e pastaj prej forcave ushtarake persiane.

         Pas vdekjes së Perdikës II, në oborin mbretëror vendoset djali i tij, Arhelai. Në vitin 339 Arhelai vritet nga Krateri, shoku dhe miku i tij i afërt.

         Probleme të shumta në atë kohë Maqedonia pat me fiset ilire. Kjo situatë vazhdoi gjer në kohën e Filipit II. Përforcimi ushtarak i Maqedonisë nën udhëheqjen e tij mundësoj që të stabilizohet situata e rrethimit të vazhdueshëm që e pati Maqedonia nga fiset ilire.

         Pas vrasjes së Filipit II, Maqedonia udhëhiqet nga djali i tij njëzetvjeçar Leka i Madh (Aleksandri i  Madh).  Në kohën kur Leka vjen në krye të oborit mbretëror, Maqedonia ndodhej e përfshirë në konflikte mjaft të shumta lidhur me vrasjen e babait të tij. Pjesa më e madhe e përfaqësuesve të oborit mbretëror mendonin se Olimpia qendronte pas vrasjes së Filipit II. Ajo në vitin 337 p.e. sonë për ngatërresa bashkëshortore ishte çkurorizuar me të. Betejat Leka i fillon menjëherë pas ardhjes në fronin mbretëror. Në fillim ai shkoj në drejtim të veriut. Duke kaluar Danubin pati për qëllim që t’i qetësojë tribalët dhe gotët. Më në jug edhe ilirët.

         Në forcat ushtarake të Lekës bënin pjesë edhe forcat ilire. Në vitin 334 p.e. sonë ai krijon një ushtëri të fortë prej 30 000 këmbësorësh, Në këtë numër përfshiheshin 13 000 maqedonë, 5 000 grekë dhe pjesa tjetër ishin nga aleatët e Lekës. Ilirët merrnin pjesë me 5 000 këmbësorë. Gjatë kohës së tij Leka pat shkaktuar luftëra të ashpërta me qëllim të zgjerimit territorial të vendit të tij. Pas vdekjes së Lekës, Maqedonia fillon gradualisht ta humbasë prestigjin e vet. Shumë pjesë të okupuara i humbi si rjedhojë e mosafëtisë së udhëheqësve që e pasuan Lekën.

 VENDBANIMET ANTIKE

       Në këtë kohë në Maqedoni ka pasur mjaft vendbanime të cilët ishin të pozicionuara në vende të ndryshme. Më të dalluara kanë qenë këto vendbanime:

  1. Damastioni
  2. Stobi
  3. Heraclea
  4. Pellagonia
  5. Antigonea
  6. Amydoni
  7. Byllazora
  8. Stybera
  9. Alkomena
  10. Lihnida
  11. Uscana
  12. Astibo
  13. Bargalla

            Në vazhdim do t’i përmendim disa prej tyre:

 Damastioni

         Për këtë qytet antik nuk dihet me siguri themelimi  dhe pozicionimi i tij, ndaj në kohën e fundit e ka tërhequr shumë vemendjen e studiuesëve që merren me të kaluarën historike të gjeohapësirës maqedonase. Megjithatë, ekzistojnë mendime se ky qytet mund të ketë qenë në afërsi të minierave të argjendit në Peoni.

         E kaluara e qytetit përmendet edhe në autorët antikë. Për herë të parë Demastionin si qytet e përmend Stroboni, i cili sipas citimit të autorit Selmani, thotë: “Pas Epidamnit dhe Apolonisë deri te malet Keraune jetojnë bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët, aty janë edhe  minierat e argjendit në Demastion, rreth të cilave dyestët vendosën sundimin  e tyre…”. Një autor tjetër vë në dukje se Demastioni duhet kërkuar jashtë territorit të sotëm të Shqipërisë.

         Ndërkaq, gjetja e monedhave dhe lokacionet e tyre, japin  mudësinë se ky qytet duhet kërkuar në hapësirën e basenit të  Shkupit, Kumanovës, Kosovës dhe Moravës Jugore. Lidhje më të mira  qyteti i Damastionit ka pasur me Shkupin.

         Shumë autorë vendndodhjen e këtij qyteti e kërkojnë në territorin e Epirit Jugor, në Krujën e sotme, dhe në rajonin e Tomorit në Shqipëri. Disa janë të menidmit se gjendej në perëndim dhe veriperëndim të Resnjës së sotmë, në rajonin e Prespës.

 Stobi

         Qyteti i rrethuar me mure është i pozicionuar në luginën e Vardarit, në zonat terracore relievike me lëshim kah lugina e lumit Cërna Reka  (Erigon). Ka pasur një pozitë tranzite dhe gjeostrategjike mjaft të rëndësishme.

         Për zhvilliomin dhe kulturën në  të kaluarën historike të tij flasin mbeturionat e gjetura: keramikat, stolitë e ndryshme, përpunimet e prej qelqi, e tj. Në këtë qytet janë gjetur gjurmat e kulturës peone, helene, romake dhe bizntine. Supozohet se  qyteti mund të ketë ekzistuar në shekullin e VII ose të VI para erës sonë.

         Është interesant të flitet për emrin e qytetit, sepse për të ekzistojnë mendime të ndryshme. Autori K. J. Beloch, është i mendimit se ka prejardhje greke, nga fakti se aty banonin peonët për të cilët mendon se janë grekë. Kacarov, nga ana tjetër,  është i mendimit se emri i qytetit ka prejardhje ilire. Oshtir nënvizon se emri Stobi është me prejardhje paraindogjermane, që do të thotë “parashqiptare”. Kurse Tomaschek dhe Kretschmer, thon se peonët janë të trungut ilir, ndaj dhe emri i qytetit duhet të ketë prejardhje ilire.

 Heraclea

         Këtë qytet në territorin e Lynkestidës e themeloi Filipi II. Lokacionin e qytetit e përshkruan Stroboni. Sipas tij qyteti ndodhet në hyrje të Lynkestidës. Rruga Via Egnatia pat ndikuar tepër në përforcimin e pozitës gjeografike dhe tranzitore të këtij qyteti antik. Lulëzimin e madh Heraclea e pat në kohën e Augustit. Qyteti ka qenë qendër e rëndësishme fetare nga se aty ka qenë qendra e episkopisë së Lynkestidës.

         Për qytetin është me rëndësi viti 48 p. e. sonë kur është mbajtur takimi midis Pompesë dhe të dërguarit të mbretit të Dakisë. Duhet theksuar fakti se qyteti i Heraclesë edhe pse i pozicionuar në Lynkestidë, ai qe qytet maqedono-grek, sepse kjo dallonte tepër në arhitekturë dhe mënyrën e ndërtimit.

Pellagonia

         Në hapësirën e Pellagonisë dëshmohet se në kohën antika pat ekzistuar një qytet me emrin Pellagoni. Për këtë qytet të dhëna japin Polibi dhe Tit Livi. Banorët e këtij qyteti nuk kanë qenë si etnitet më vete nga shkaku i përzjerjeve të mëdha  midis peonëve, desaretëve, lynkestëve në këtë kapësirë në Pellagonisë. Për lokacionin e qytetit është mjaft vështirë të dihet. Të dhëna të pakëta për këtë qytet japin edhe autorë të tjerë antikë. Por sipas tyre nuk mund të konstatohet diç me rëndësi për historinë e tij. Megjithatë, F. Papazogllu është e mendimit se ky qytet nuk duhet kërkuar në hapësirën e Pellagonisë, por ndokund në Mariovë, në luginën e lumit Cërna Reka (Erigon). Në kohën e fundit autori T. Tomovski, propozon se këtë qytet duhet kërkuar para hyrjes së Erigonit në ngushticën e Skoçivirit, në lokacionin midis fshatrave Germijan, Baç, Brod dhe Gneotino. Nga kjo mund të thuhet se akoma nuk dihet me siguri pozicionimi i këtij qyteti antik.

 Lihnida

         Lihnida ka qenë kryeqytet i desaretisë. Përmendet me emra të ndryshëm si: Lyhnid, Lyhnia, Lyhnidos, Lyhnites, Lyhniton, Aulinidos, Lignido, Licnido, Licinitum dhe Credo. Qyteti  qe i pozicionuar në pjesën verilindore të Liqenit të Ohrit. Desaretia ka qenë krahinë ilire. Më vonë në kohën e Filipit II, shumë pjesë të kësaj krahine bien nën sundimin e Maqedonisë. Në vitin 167 p.e. sonë, kur territori i Maqedonisë qe ndarë në katër krahina, Desaretia mbetet jashtë territorit të Maqedonisë, kurse kufiri ka qenë në lindje të Lihnidës.

 Astibo

         Për këtë qytet antik F. Papazogllu thotë se në Tabula Peuntingeriana përmendet vetëm si stacion dhe është vështirë të konstatohet se ka mundur të ekzistojë qytet me këtë emër. Stacioni e pat marë emrin sipas lumit Astibo. Në literaturën antike nënvizon studiuesi Selmani,  mund të shihet se në lumin Astibo janë larë mbretërit e Peonisë në momentin kur shpalleshin për mbret.

         Qyteti qe pozicionuar në rrugën që ka vazhduar prej Stobi në drejtim verilindje në largësi prej 20 milja (njësi matëse e vjetër për gjatësi). Me emrin Astibo është quajtur edhe lumi i sotëm Bregallnica. Qyteti me këtë emër është shtrirë në lokacionin e sotëm të Shtipit.

          Këti ishin disa nga qytetet antike në territorin e Maqedonisë antike që i përmend autori Selmani në veprën e tij.

         Megjithatë, autori i veprës në fjalë, vend të posaçëm iu kushton vendbanimeve parahistorike në Fushëgropën e Shkupit e cila në atë kohë ka luajtur rol me rëndësi gjeostrategjik në rajonin e Evropës Juglindore. Në këtë fushëgropë, vë në dukje ai, patën ekzistuar disa qyteza (opidume). Këto datojnë prej shekullit të VII gjer në shekullin e IV para.e.s. Në këtë kohë kur popullata pat migruar prej viseve malore në drejtim të luginave dhe fushëgropave me qëllim që t’i shfrytëzojë të mirat që i ofron natyra, aty filluan të ndërtohen qytet.

         Po i përmendim disa prej qytezave: “Gradishte” në vendin Brazda, “ Kale-Varvara” në Gorlevo, “Sofce” në Nerezi i Epërm, “Zajçev Rid” (Scupi) në Zllokuqan, “Vrnjak” në Markova Sushica, “Kale” në Shkup dhe “Isar” në Studeniçan. Në vazhdim do të bëjmë fjalë vetëm për qytetin e Scupit.

Scupi

Të dhënat e shumta në të kaluarën për këtë qytet nuk kanë qenë të karakterit shkecor por propagandistik, ndaj nuk kanë dhënë ndonjë pasqyrë lidhur me lashtësinë e qytetit të Shkupit (Scupit). Studimet arkeologjike në kohën e fundit kanë dhën kontributin e vet në ndriçimin e shumë dilemave rreth themelimit të këtij qyteti antik.

         Për qytetin e Scupit autori A. Evans është i mendimit se Scupi mund të jetë prodhim i kulturës romake, përkatësisht në kohën kur romakët e kishin përvetësuar pjesën jugore të Dardanisë dhe Peonisë. Sipas mendimit të këtij autori, pas goditjes së tërmetit katastrofal më 518, i cili e shkatërroi qytetin në themel, qyteti nuk u ndërtua në të njëjtin vend, por në Kala (pjesa e sipërme  e qytetit).

         Të gjitha elementet e strukturës urbane të qyteteve në Maqedoninë antike kanë karakteristikat italo-romake, kjo nga fakti se në kohën romake në këtë vend është bërë një urbanizim i vërtetë, i cili edhe sot mund të vërehet në çdo anë të vendit.

         Në kohën romake, nënvizon autori Selmani, në hapësirën e sotme të Shkupit përmenden vendbanime të lokalizuara në hapësira të ndryshme, për të cilat mendohet se janë qendrat e para të thelelimit të Scupit. Një nga to përmendet lokaliteti “Zajçev Rid” në afërsi të fshatit Zllakuqan. Mendohet se emri Scupi ka prejardhje dardane që do të thotë-strehim, shupë. Për themelimin e Scupit antik në hapësirën e Shkupit, sipas të dhënave arkeologjike, sot dëshmon kultura materiale e gjetur në varezat e kohës së Oktavian Augustit.

         Kjo ishte në vija të shkurta gjeografia  e Maqedonisë në kohën antike që e paraqet studiuesi Asllan Selmani në veprën e tij studimore “Gjeografia e Maqedonisë antike” botuar në vitin 2000.


[1] Asllan Selmani  lindi më 10.06.1945 në fshatin Llojane të Kumanovës. Shkollimin fillor e kreu në fshatin Miratovc të komunës së Preshevës, ndërsa të mesmen, normalen në Shkup. Studimet e larta për gjeografi i kreu në Fakultetit të Shkencave Natyrore në Shkup, kurse ato pasuniverzitare në Univerzitetin e Zagrebit. Doktoroi në Univerzitetin e Shkupit në vitin 1982. Prej vitit 1986 gjer në vitin 2009, kur penzionohet, punoi si docent, pastaj edhe si profesor ordinar në Institutin e Gjeografisë, në Fakultetit të Shkencave Natyrore në Shkup. Ndërroi jetë në vitin 2011.

Asllani Selmani ka qenë shkencëtar i dalluar në fushën shkencore. Opusi shkencor i tij është mjaft i gjerë. La pas 270 punime shkencore dhe 147 punime profesionale dhe eseje. Pat botuar 38 libra shkencore dhe 14 libra universitare (me ribotime). Aktiviteti i tij shkencor shihet edhe në pjesëmarrjen aktive në simpoziume shkencorë brenda dhe jashtë vendit.

Asllani nuk ka qenë vetëm shkencëtar, por edhe poet. Ka botuar 10 përmbledhje  poezish.

Shperndaje ne

The Author

Fejzula Abdulai

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.