MASAKRA GREKE E PANARITIT 1914

Libri-imadhPse u krye masakra greke në Panarit të Korçës, më 1914?

Dërgoi: Adriana Paloka

Po mbushen muaj që është botuar e hedhur në qarkullim gjithashtu libri “Masakra e Panaritit”, i pari dhe i vetmi studim deri tani, kushtuar kësaj ngjarje tragjike në vend, ku lexues të shumtë kanë shprehur tronditjen e thellë që kanë pësuar pas leximit të tij, por dhe habinë e madhe se si është e mundur që u është fshehur deri tani shqiptarëve një mynxyrë e këtyre përmasave, me 455 të therur e të vdekur muhaxhirë, njoftuar nga gazeta londineze “Times” e 28 korrikut 1914.
Panariti, që nga lashtësia e deri sot, ka qenë dhe mbetet fshati më i madh i Krahinës së Vakëfeve, Komuna Vithkuq (rrethi Korçë), i cili krahas sakrificave të pafundme për lirinë e këtij vendi, ruan në kujtesën e vet edhe plagën e madhe e të thellë të para një shekulli, që ndryshe njihet në ato anë me emrin “Masakra Greke e Panaritit”, e 10 korrikut të vitit 1914.
Me tragjedinë panaritase jam njohur pasi mbarova studimet e larta (dega histori), më 1979. Në muzeun e Korçës, për fat të mirë, ruheshin materiale që dëshmonin për këtë batërdi të padëgjuar ç’njerëzore, të cilat i kam studiuar dhe ballafaquar me bashkëkohës që jetonin ende në vitet ‘70-‘80 të shek. XX. Ngjarja përmendet edhe në gazetat apo revistat e kohës të viteve 1913-1919 (brenda e jashtë vendit) si “Ylli i Mëngjesit”, “Koha”, “Dielli”, “Liri e Shqipërisë”, “Kalendari Kombiar” i Vatrës etj. S’rreshtën së shkruari atëherë pena të mprehta si, Mihal Grameno, Petro Harizi, Sejfi Vllamasi, Sotir Dhosi Treska, Mit’hat Frashëri, Dhimitër Kolovani etj. U denoncuan njerëz, vendas e të huaj, u njoftuan edhe Fuqitë e Mëdha nëpërmjet Gjeneralit hollandez Dever, Lord Laëington, shkrimtares Edith Durham, Kosta Papa (Tomorit) me “Barbaritë Greke në Shqipëri, kujtime historike 1913-1914”, USA, 1917 por… vetëm heshtje! Heshtje edhe nga qeveritë shqiptare të njëpasnjëshme, deri në ditët e sotme; heshtje nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë! Vetëm në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 1985, fq.793, shkruhej me dy rreshta: “Gjatë Luftës së Parë Botërore, këtu u masakruan 300 fshatarë nga shovinistët grekë”. Kurse në botimin e vjetër të Historisë së Shqipërisë (viti 1959), për fat të keq, ajo përmendet vetëm me një paragraf. Për hir të së vërtetës, duhet kujtuar se edhe në sesionin shkencor organizuar nga Instituti i Historisë (pranë Akademisë së Shkencave Tiranë), që u mbajt në Trebickë, më 26 shtator 1984, në referatin kryesor të paraqitur atje me temë “Kontributi i zonës së Vakëfeve gjatë Periudhës së Rilindjes Kombëtare shqiptare dhe LANÇ”, përgatitur nga Myftar Grabocka, Dhori Samsuri dhe Islam Vila, në faqen 1 thuhet se “shovinistët grekë vranë e masakruan barbarisht 373 burra, gra, pleq e fëmijë të pafajshëm, panaritas”.
I papërvojë në fushën e studimeve, si i ri që isha, me intuitë kuptoja se diçka nuk shkonte. Anashkalime, gjëra të përcipta, mërmëritje, versione të ndryshme për të njëjtat aspekte, pyetje naive “ç’të duhet ty, merru me gjë tjetër?!” e të tjera dyshime e pengesa, që flisnin qartë se pak, për të mos thënë fare, autoritetet apo institucionet e specializuara ishin të interesuara të thoshin të vërtetën.
Libri-207x300I shqetësuar nga ky fakt, por edhe si pasardhës i fisit panaritas Canellarë, që ka humbur katër vetë nga masakra, iu futa punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Shpresa e vetme ku mendoja se do të gjeja të dhëna të pakontestueshme ishte Arkivi Qendror i Shtetit dhe Biblioteka Kombëtare, por, fatkeqësisht, edhe aty zhgënjehesha çdo ditë, sa më thellë gërmoja e humbisja në dosje e dokumenta pa fund. Kudo fjali të shkëputura, përmendje rastësore, radhitje e emrit Panarit në ndonjë listë, dhe kaq. Besoj se kjo është dhe një nga arsyet kryesore, mungesa e një dokumentacioni të plotë nëpër arkiva, e cila ka bërë që historianët të mos tregojnë interes në përfshirjen e punës së tyre studimore. S’kanë munguar edhe orientimet e gabuara politike e shtetërore ndaj historiografisë shqiptare në tërësi, për t’i anashkaluar ngjarje të tilla, ndërkohë që, sipas Prof. Pëllumb Xhufit (historian), “me therrorinë e tyre, viktimat e pafajshme të mizorisë greke atëherë, u bënë edhe garanci për mbrojtjen e integritetit territorial të shtetit shqiptar, ndaj ne ndjehemi borxhlinj e të turpëruar kur ballafaqohemi me ngjarje të tilla. Politika hesht, shoqëria hesht, historia hesht” (Shih “Masakra e Panaritit”, nëntor 2014, fq 20).
Shkaqet e masakrës
Çdo lexues i interesuar për këtë çështje, duhet të dijë se masakra e Panaritit nuk ishte një ngjarje ishullore, e shkëputur nga situata përreth, por e lidhur pazgjidhshmërisht me të, pjesë e pandarë e një strategjie të mirëmenduar greke në rajonin juglindor shqiptar, sidomos pas dhjetorit të 1912. Pa lënë në harresë masakrat në fshatrat e Kolonjës, Korçës, Përmetit, Tepelenës, Skraparit etj, lind pyetja: – pse andartët grekë ju vërsulën si bishat veçanërisht Panaritit, pa njohur mbi të kufij ligësie, tërbimi, mllefi dhe egërsie?! Mendojmë se dhjetë janë arsyet më kryesore që çuan në kryerjen e kësaj masakre:
1 – Ngjarja lidhet me situatën ndërkombëtare (në Europë e rajonin Ballkanik), kur Protokolli i Firences, i 17 dhjetorit 1913, vendosi përfundimisht kufijtë e Shqipërisë e për pasojë u prishën planet greke për aneksimin e “Vorio-Epirit”, ku bënte pjesë dhe Panariti si kufiri i fundit që pretendonte ta kishte ajo. Pas Protokollit të Firences, Themistokli Gërmenji e patriotët rreth tij morën urdhër nga Qeveria e Ismail Qemalit që të përzënë grekët nga territori i Panaritit, Vakëfeve e Kolonjës, e t’i marrin ato nën kontroll. Ndaj dhe goditja më e madhe hakmarrëse u dha aty, në Panaritin e pa kapërcyeshëm, për t’u hedhur në thellësi të Skraparit e Beratit.
2 – Në Panarit u ngrit për herë të parë flamuri kombëtar shqiptar në zonat e Shqipërisë juglindore të pushtuara nga greku, më 11 janar 1914, e pastaj me radhë në të gjithë fshatrat e krahinës, ku populli i priti me entuziazëm të madh Themistokli Gërmenjin, Sali Butkën, Qamil Panaritin etj. Pra, Panariti ishte i pari vend dhe e para ditë ku Flamuri me shkabën e zezë dykrenore valoi i lirë në viset e shkelura dhe pretenduara prej Greqisë, gjë që s’mund të kapërdihej kollaj prej tyre (shih Sotir Dh. Treska “Nisja e Zjarrit në Toskëri, Volumi I, 1917, Boston Mass SHBA).
3 – Në vijën: – Qafa e Martës, Çuka e Osman Kurtit, Maja e Kurorës, Lirëz, Rripa e Melckës, Mali i Miçanit, Panariti ishte kufiri i fundit ndarës midis zonës së pushtuar greke dhe asaj që ndodhej nën kontrollin e Qeverisë Provizore të Ismail Qemalit (Shih Arben Puto, Pavarsia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, Tiranë, 8 Nëntori 1978, f.185) ndaj greku mbante aty forca ushtarake të gatshme, për të dhënë goditje shkatërruese, në rastin më të volitshëm.
4 – Ky repart ushtarak i gatshëm, e çarmatosi kohë më parë popullsinë myslimane vendase (aq sa mundi), për të shmangur çdo rezistencë dhe lehtësuar punën e vet kriminale. Kështu, faza e parë e mbledhjes së armëve filloi nga muaji qershor 1913, kurse faza e dytë në muajin nëntor 1913. Qëndrimi i panaritasve qe i njëjtë, nuk kemi armë! Atëherë grekët arrestuan pleqësinë e katundit dhe i nisën për në Korçë e Follorinë. Fill mbas kësaj, mblodhën personat që gjetën në fshat, i mbyllën në një shtëpi dhe i torturuan keq (Shih historiku i Panaritit, 1965, fq.146-148).
5 – Si fshati më i madh mysliman i krahinës Panariti u vu në shënjestër të andartëve grekë, veçanrisht pas kongresit famëkeq: “panepiriot” të 6 korrikut 1914 në Delvinë, ku u dha urdhër të sulmohej (sikurse gjetkë), me justifikimin për të mbrojtur panaritasit e krishterë (pakicë) të kërcënuar nga myslimanët vendas (shumicë). Në fund të fundit, qëllimi i gjakderdhjes së kryer nga grekët ky ishte, spastrimi etnik i popullsisë mbi baza fetare, me qëllim që të krijohej një popullsi homogjene, e krishtere, sipas tyre greke, që e bënte defakto aneksimin e Shqipërisë juglindore si territor grek. Një idiotësi kjo që s’piu ujë kurrë, sepse edhe pas masakrës, të krishterë e myslimanë panaritas e vakëfllinj, së bashku e vazhduan luftën edhe më të ashpër kundrejt këtyre synimeve, deri në largimin përfundimtar të tyre, më 1920.
6 – Panaritasit u mashtruan, sepse një muaj më parë ishin larguar të gjithë në thellësi të Skraparit e Tomorricës, por premtimi “kthehuni se nuk ju trazojmë, të korrat presin draprin tuaj…etj”, i morën më qafë. Pabesia greke funksionoi me sukses. Ky është gabimi i vetëm i panaritasve, që edhe pse e dinin mirë se kë kishin përballë, dhimbja për vatanin, për atë pak pasuri e katandi që braktisën, bëri të harronin djallëzinë e pushtuesit e të mendojnë se kish mbetur sadopak zot e njerëzillëk tek ta. Për fat të keq, përveç këtij kurthi, qëllimit iu arrit edhe me mbështetjen e kryeplakut Stefan Petro Panariti, veprimi i ulët i të cilit, gjithsesi, s’mundi të njolloste qëndrimin vllazëror e patriotik të krishterëve të tjerë.
7 – Populli i Panaritit dhe çetat e famshme të tij të drejtuara nga kapedanët Riza, Qazim e Qamil Panariti, jo vetëm nuk e njohën autonominë e të ashtuquajturit Vorio-Epir, por nuk lejuan me armë vënien në jetë të tij, ndaj hanxharët u ngritën me tërbim, për ta zhdukur nga faqja e dheut këtë kështjellë të pashoqe të patriotizmit në Vakëfe, Korçë e Kolonjë.
Goditjet që kish marrë ushtria greke nga luftëtarët panaritas ishin të njëpasnjëshme dhe me humbje të mëdha, ndaj kërkohej shpagim një sahat e më parë. Pikërisht aty, mbi Panarit, në Qafën e Martës, batalioni grek (i ardhur nga Mariani i Oparit) armatosur deri në dhëmbë, u shpartallua nga trimat e Sali Butkës, Xake Panaritit, Qazim Panaritit e Lace Backës dhe mori arratinë në pyjet e Mashkullorit, më 25 korrik 1913. Veç kapitenit, atje mbetën të vrarë dhe 20 ushtarë e nënoficerë grekë (Sabri Godo, “Plaku i Butkës”, ribotimi i fundit (2012), faqe 115-121).
Qamil Panariti ishte ndër udhëheqësit kryesorë të Lëvizjes Kombëtare shqiptare kundër pushtuesve turq e grekë në Korçë e Kolonjë, krahas Sali Butkës e Th. Gërmenjit, si i tillë u prishte shumë plane atyre, ndaj duhej goditur origjina e tij, që ishte lagjja Janqisht e Panaritit
Qamili ishte heroi i luftimeve për dështimin e puçit grek të Korçës (2 prill 1914), pas të cilit bashkë me Qazim e Xake Panaritin, në krye të 200 trimave panaritas, u bashkuan me forca të tjera shqiptare dhe shkojnë në drejtim të Skraparit e Beratit, për të ndalur përparimin e ushtrisë greke dhe mbrojtur muhaxhirët që lëviznin në këtë itinerar. Sipas dëshmive të kohës, kavaleria greke në këto luftime la dhjetëra ushtarë e oficerë të vrarë, për rrjedhojë prisnin rastin më të parë për të larë hakun. (M. Meço, “Panariti gjurmë në histori”, 2007, faqe 130-131).
8 – Të qenët e Panaritit në një zonë tepër të thellë, të izoluar e malore, larg rrugëve kryesore nacionale, bënë që masakra aty të kryhej më me lehtësi, larg syve e veshëve të botës, duke përdorur të njëjtat metoda e mjete ç’njerëzore si në Hormovë. Mbas masakrës, grekët i mbanin nën një vëzhgim të rreptë (familjet e krishtere panaritase), kurse familjet e fshatrave të krishtere përreth ikën e morën arratinë nga frika e ndonjë hakmarrjeje. Andartët maskuan sa mundën gjurmët për të mos u diktuar e denoncuar, ku për muaj e muaj të tërë aty zotër të vendit ishin egërsirat e pyllit dhe korbat. Edhe të nesërmen e asaj ngjarje të ishe në Panarit, nuk kishe kë të pyesje, përveç kokave të prera dhe kufomave të ç’përfytyruara, hedhur kapicë skërrkave e rripave; sepse grekët filluan të ikin pjesë-pjesë, duke grabitur e marrë me vete sende me vlere ngarkuar në mushka (bashkë me nuse e fëmijë robër). Më vonë u kthyen reparte të posaçme andartësh, kur u siguruan se mbulimi i gjenocidit të pashembullt në sytë e botës kishte funksionuar. Sidomos shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, më 28 korrik 1914, bëri që të tërhiqet plotësisht vëmendja e opinionit të brendshëm e të jashtëm nga tragjedia panaritase, duke e çuar atë përfundimisht në kalendat greke.
9 – Masakrimi i panaritasve nuk kishte si qëllim vetëm zhdukjen nga faqja e dheut të këtij fshati rebel mysliman, por dhe t’u jepej një mësim i mirë gjithë fshatrave të krishtere përreth (të Katundtit, Stratobërdhës, Treskës, Trebickës, Grabockës si dhe vet të krishterëve panaritas ) që nuk u bindeshin e nënshtroheshin planeve aneksuese vorioepiriote. Në fakt, efekti qe i kundërt, sepse pas kësaj, lëvizja e të dyja besimeve ndaj planeve aneksioniste në krahinë mori hov shumë më të zgjeruar.
10 – Vakumi i krijuar në Vakëfe, Kolonjë e Skrapar, pas largimit të çetave patriotike drejt Korçës, Pogradecit e më pas Beratit dhe Vlorës, bënë që grekët t’i kenë duart të lira në Panarit. Kështu, më 25 qershor 1914, ushtria shqiptare prej 500 vetësh u dërgua kundër kryengritësve esadistë në Pogradec (Mokër e Starovë), nën komandën e Zalo Prodanit dhe Gani Butkës, që fatkeqësisht përfundoi me vrasjen tradhtisht të këtyre të fundit dhe 70 trimave të tjerë kolonjarë. Më 6 korrik 2014, po me tradhëti, ra Korça e Kolonja në duart e grekëve. Ushtria shqiptare me kapedanët e saj, nacionalistët korçarë dhe armatimin që dispononin, u hoq për në Voskopojë dhe që andej në Berat. Qamil Panariti me çetën e tij (sikurse kapedanët e tjerë) më 6 korrik iku në drejtim të Beratit e së fundi në Vlorë, në mbrojtje të refugjatëve nga kryengritësit esadistë, ndërkohë që Qazim Panariti dhe Xake Panariti kishin ikur bashkë me familjet e tyre, qysh në muajin maj, me mendjen e fjetur (sikurse dhe Qamili) se në Panarit janë marrë masat, fshati është boshatisur dhe nuk ka asnjë rrezik. Por qe fati i zi i mbi 100 familjeve myslimane panaritase, që ranë në kurthin grek dhe përfunduan në satërin e tyre.
Si konkluzion mund të themi se, përballë kësaj situate të favorshme, andartët grekë të armatosur deri në dhëmbë e të ushqyer nga psikoza delirante e madhështisë helene, me duar të lira, kryqin dhe hanxharin përpara, kryen atë që kishin planifikuar. Jorgo Zografi pati deklaruar në një darkë të dhënë prej tij se: “Po s’na e dhanë “Vorio-Epirin” Fuqitë e Mëdha, do ta rrafshojmë atë dhe do ta bëjmë një me tokën”. Dhe ai e mbajti fjalën, të tillë e bëri gjithë atë territor.
Ç’ndodhi realisht në Panarit?! 
Nga mbi 500 shtëpi që kishte Panariti më 1914, rreth 70 prej tyre ishin të krishtere. Në muajt prill e maj 1914, vetëm këto të fundit qëndruan në fshat, të tjerat u larguan totalisht muhaxhirë drejt Tomorricës, Mallakastrës e Ullishtave të Vlorës, për t’u shpëtuar masakrave që grekët kishin filluar mbi gjithë fshatrat e Shqipërisë Juglindore. Për fat keq, ata e kishin piketuar Panaritin si vendin ku do t’u jepej një mësim i mirë gjithë “shqiptarëve të pabindur” ndaj, përmes veglave “qorre” e mashtruan një pjesë të muhaxhirëve (rreth 100 familje) që të ktheheshin mbrapsht se nuk do t vinin dorë mbi ta. Kurthi funksionoi. Pasi i lanë disa ditë të lirë në punët dhe vatrat e tyre, me të hyrë korriku, vetëtimthi filloi me një egërsi të paimagjinueshme sulmi mbi ta. – Sipas dëshmive të shkruara në një poemë të gjatë historike nga Veledin Rrezhda (dorëshkrim, viti 1950-1951), kapeshin me forcë burrat në ara ku punonin, në shtëpi apo në mbledhje të organizuara enkas (në Ramollarë), ndaheshin në grupe, lidheshin fort me litarë që u hynte deri në mish dhe mbylleshin nëpër shtëpi të veçuara e të rrethuara nga ushtarë të armatosur. Aty liheshin një javë pa ngrënë e pa pirë, derisa i shndërronin në kufoma (kockë e lëkurë), pastaj thereshin pjesë-pjesë, herë 100, herë 40 e herë 70. Në pjesëve u priteshin veshët apo u nxirreshin sytë më parë (siç qerruan Mersin Meçon), vareshin me kokëposhtë, u prisnin këmbë e duar, u ngulnin thika në zemër e në bark, u shkulnin dhëmbët e u thyenin kafkën e kokës duke u derdhur trutë jashtë. Vendet që u kthyen në kasaphanë për burrat ishin Përroi i Dinçes, Kroi i Latos, fshati Grabockë dhe Rripa e Melckës, ku u therën si deshët rreth 200 djem e burra. Gratë dhe vajzat u plaçkitën, u rrahën, u përdhunuan, u masakruan me thika e sfurqe dhe në fund u dogjën në një shtëpi dykatëshe të lagjes Ramollarë. Kjo mënxyrë vazhdoi rreth një javë, kulmi i së cilës arriti në datën 10 korrik, kur rreth 1500 andartë, ushtarë e oficerë grekë (monstra në kuptimin e vërtetë të fjalës) e shuan të tërë atë fshat. Vetëm tre vetë mundën të shpëtonin gjallë, Barjam Bilo Rrezhda (u fsheh në oxhakun e një shtëpie të krishtere në Grabockë), Kalo Çane Nako (mashtroi ushtarët grekë me një palë opinga me xhufkë dhe u arratis) dhe Shabe Keko Ramo, e cila u iku fshehtas andartëve nga bodrumi i shtëpisë ku ishin grumbulluar gratë e vajzat për t’u therur. Vetëm këta si dhe Emine Hoxha e Lato Harun Nako, që u morën si robër nga grekët, por që u kthyen pas 15-20 vjetësh, janë dëshmitërët okularë që kanë rrëfyer tmerret e asaj tragjedie, e cila dithëron edhe fëmijët në barkun e nënës. Panariti u mbyt në gjak; toka, përrenj e rripa u mbushën me kufoma trupash të copëtuar e të mbetur pa kokë. Tymi nga djegia e grave, vajzave e fëmijëve të therur e të hedhur në zjarr, në disa shtëpi të lagjeve Nakollarë, Ramollarë, mbi Rrezhdakë apo Hoxhallarë, qëndronte lart si re e zezë.
– Në historikun e fshatit Panarit, dorëshkrim, fq.169, hartuar në vitet 1965-1971, bëhet fjalë për një bilanc të tmerrshëm gjatë masakrave: 375 vetë, burra, gra, fëmijë e pleq të therur; u rrëmbyen dhe u morën si robina më shumë se 40 nuse e vajza të reja, u dogjën dhe u bënë shkrumb e hi 150 shtëpi, qindra e mijra bagëti të therura e të ngordhura si mall pa zot; 76 persona të vdekur si muhaxhirë rrugës për në Ullishtat e Vlorës. Në luftë me forcat greke ranë 17 luftëtarë të çetës së Qazim Panaritit. Sipas një telegrami të datës 5 korrik 1921, drejtuar nga Nesim Islam Panariti, Ministrit të Punëve të Brendshme Tiranë (gjendur në Arkivin e Shtetit, fondi 152, viti 1921, dosja 129, fleta 1) bëhet fjalë për 374 martirë.
Dokumenti i parë zyrtar që na jep shifrën e të masakruarve në Panarit është lista me 250 fshatrat e djegur në Shqipëri dhe të masakruarit në secilën prej tyre, ku tek Panariti shënohet shifra 373 (Arkivi i Ministrisë së Punve të Jashtme, viti 1919, dosja 1, fl.73-75). Lista, ndonëse e paplotë, është riprodhuar siç u gjet në gazetën italiane “Corriere della Puglia” (të 14-15 dhjetorit 1914), ku ajo e ka publikuar pasi është dorëzuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe përfaqësuesve të 5 Fuqive të Mëdha.
Sikurse e cituam më sipër, sipas gazetës “Times” të Londrës, e datës 28 korrik 1914, mësojmë se: “Vendasit e fshatrave të Shqipërisë së Jugut po shuhen nga Grekërit, të cilët kanë ndihmë edhe gjiritlinjtë. Në Vlorë ndodhen 60 mijë deri në 100 mijë refugjatë, të cilët po vdesin nga urija. Grekërit dogjën tërë vendin duke dëshiruar të mbulojnë gjurmët e ligësive të tyre. Qëllimi i grekërve është të shuajnë popullin shqiptar nga faqja e dheut…Në muajin maj të vitit 1914, Qeveria greke organizoi një fuqi ushtarake të rregullt, nën urdhrin e kolonel Tsantos Vardas, që në bashkëpunim me të tjerë oficerë të ushtrisë greke dogji pothuaj tërë katundet myslimane të krahinës së Korçës. Nëntogeri Stratos me bandën e tij masakroi 455 vetë, burra, gra dhe fëmijë, në Katundin Panarit, më 10 korrik 1914”. (Marrë nga shkrimi me titull “Ç’bënë andartët e Greqisë”, botuar në gazetën shqiptare “Bashkimi”, e mërkurë, 4 shtator 1946, f. 3).
– Sot, pas 100 vjetësh, panaritasit nuk kërkojnë as hakmarrje, as shpagim, por të paktën nderim e respekt në shkallë kombëtare ndaj gjakut të martirëve; futjen e masakrës në histori, një memorial edhe më dinjitoz, përveç atij që u ndërtua nga Shoqata Atdhetare e Vakëfeve, më 13 korrik 1914, në përkujtimin e 100-vjetorit të saj. Brezat e sotëm e të nesërm duhet të dinë mirë çfarë është luajtur në kurriz të paraardhësve të tyre, të mos mashtrohen nga asnjë lloj propagande e sheqerosur, mbi të gjitha të mos e braktisin vatrën e etërve bashkë me trashëgiminë historike e kulturore, e ëmbël apo e hidhur qoftë ajo.

 *Autor i librit “Masakra e Panaritit” 

Shperndaje ne
Updated: 15 Prill, 2015 — 09:38

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.