Kush po e vret djepin, dashurinë, rritën e bebeve shqiptare?

 

nena_femija_sot

riza_greqevciShkruan:Riza GREIÇEVCI

Kohë qyqesh të qyqeve qyqe…!

Nuk është krenari të tregosh sa shumë i pasur je, por të kesh krenari të tregosh humanitetin, dashurinë e sojit njeri ndaj atyre që janë më të varfër se sa ti! Or ti, derdimen: Hesht, se na shurdhove sa shumë e do lirinë, por ende s’tregove sa sakrifikove dhe sa herë vdiqe për lirinë e popullit tënd! Or ti, besimtar i rremë: Na i shurdhove veshët duke kokërrzuar emrin e Zotit në çdo hap, por ende s’u pa humaniteti, besimi, dashuria, respekti i Zotit në vepër. Ma ngadalë, se na çmende, or ti, i kamur, ti që po u thua të tjerëve se vërtet e ke kapur, e ke blerë, e ke bërë lodër për interesat tua, po luan me shtetin, me drejtësinë, me ligjet, si macja me miun, dhe ti ende shet miell nga gruri i skaduar ushqim për derra të Serbisë? Pse tashmë ke marrë edhe më turr për të treguar se e ke kapur shtetin, ligjin, drejtësinë në Kosovë, dhe bira e veshit s’ta ndien pse sot ashiqare shet qumësht të rremë, qumësht pluhur i përpunuar nëpër kushedi në cilat laboratorë t’Evropës, qumësht pluhur, i kontaminuar, me helm, me ujë përroskash! Shkurt e shqip: O tatari i raftë në fije ç’është përbërja e atij qumësht që e pinë fëmijët shqiptarë! Haj medet! Kohë qyqesh të qyqeve qyqe…

Kush fyen sot gjinjtë e nënës, barkun e beben e saj…?

Kush po e vret djepin, dashurinë, rritën e bebeve shqiptare?

Ka lloj-lloj fatesh në jetë. Por, fatin cub (të zi) që e përjetoi femra shqiptare në rrjedhë motesh, nuk ka shi që e lanë, nuk ka diell që e thanë. Kanuni i Maleve i tha: Darkë e dreqit! Jeta e femrës shqiptare si macja nën sofër: Tëra punët shtëpiake dhe të fushës i bëri, por së fundit sikur vendin e pati nën sofër! Haj medet! Kohë qyqesh të qyqes qyqe. Nuk iu ndal padrejtësia, punët e rënda, fjalët e hidhura, nënçmimi dhe përçmimi… Secila ditë më e zezë se tjetra. Secili muaj më i egër se tjetri. Secila stinë më e kobshme se tjetra…Sa lot me helm hidhërimi kanë pi nënat tona! Sa gjëmë kanë lëshuar. Sa mallkime kanë bërë. Sa net e net kanë qepur me vaje, me blana, me majë gjilpëre në thelb të zemrës. Por, qëndruan si Lisi qindvjeçar, të cilin sa më shumë e rrahin erërat, aq më thellë i fut rrënjët etnike Arbër. E vranë! E shanë! E dogjën!

E dhunuan e përdhunuan! E poshtëruan kohët e zeza nënën shqiptare, por qëndruan dhe shemben mite e shtojzovalle, kanun e fe e mjerim e poshtërim të qenies më të bukur njerëzore me emrin: NANË! Dhe, ja kush ishin dje dhe kush janë sot nënat shqiptare, përshkruar me penë poeti: Nënat tona s`duan fishekë: sepse kanë kulla e kanë djep! Kanë ninulla, gjoks prej guri, kanë dy gjinj qumësht biluri! S`e duan luftën, sjellin paqe, herë me djepa, herë me barqe. Por, ja që fillimshekulli i ri solli çaste edhe më të hidhura, më të zeza, më të helmuara për nënën kosovare:

Magjen e saj e mbushin me miell nga gruri i skaduar, ushqim për derra, kurse beben e nënës kosovare sot e ushqejnë me qumësht pluhur, të tredhur, të dyshuar, të pakontrolluar nga institucionet e shtetit, nga laboratorët e inspektorëve të veterinës, të mjekësisë…

Nënat shqiptare mallkojnë! Kanë të drejtë, nënat tona: Kush, pse, ashiqare, ndër sy të shtetit, të ligjit, të Zotit, qumështin e gjinjve të nënave për bebe e ndërrojnë me qumësht pluhur të kontaminuar, me ujë përroskash?! Kush po e vret djepin, dashurinë, rritën e bebeve shqiptare?

Protestojnë lopët, delet, dhia, mallkojnë nënat, qajnë fëmija…

Askush sot s’pyet: Kush po e vret djepin, dashurinë, rritën e bebeve shqiptare? Kush po vret shëndetin, kush po i vret bebet, fëmijët e nënave kosovare? Njerëzit heshtin! Shteti hesht! Qeveria hesht! Por, po flitet, s’do heshtin as s’do të pajtohen lopët, delet, dhitë….! Jo vetëm që s’do të pajtohen, por po flitet se shumë shpejt lopët e delet e dhitë qumështore, do të dalin në rrugë, do të protestojnë për padrejtësitë e qumështit të tyre, dhe kafshët kanë të drejtë të protestojnë, të mos pajtohen me kapjen e shtetit, me të pangopurit, që për pak lekë, kushedi, Zot ruana, nesër o pasnesër, do të hapin edhe një treg ku do të tregtojnë me bebe, me fëmijë, askush s’ua prish tymin e duhanit, madje as ligji, as Qeveria, as shteti! Kjo mund të ndodhë, sepse kafshët nëpër përralla flasin e veprojnë sikur njerëzit, kurse në jetë shumë nga të kamurit veprojnë si kafshët! Jo, jo, askush nga Evropa as bota demokratike sikur s’çan kokë për kapjen e shtetit nga kriminelët ekonomikë, dhe e sigurt se as në ditën kur do të protestojnë kafshët qumështore në Kosovë, ndërkombëtarët do të bëjnë sehir, por do ta bëjnë me dijen popullin e shtetit të vet, se në Kosovë ndodh për Libër të Ginisit: Protestojnë edhe kafshët për padrejtësitë që edhe atyre u bëhen, për poshtërimin, përdhosjen e qumështit të tyre, kurse shteti, Qeveria, qytetarët, drejtësia, heshtin, si heshtin gurët e varreve! Interesant: Sot askush s’merr guximin shpirtëror e mendor e moral për të protestuar: Kush e hidhëron një zemër fëmije, e helmon një shpirt nëne? Kush e përmbys një djep e shemb një atdhe?! Kush e shemb një atdhe, përmbys një diell?!

Porositin nënat Qeverinë, shtetin, drejtësinë…

Të zhgënjyera thellë në shpirt! Të penduara! Të harruara! Nënat kosovare mallkojnë…dhe kanë të drejtë të mallkojnë: të gjithë ata që kanë kapur shtetin dhe heshtin, siç heshtin gurët e varreve! Qajnë fëmijët dhe kanë të drejtë me qa: Kush ua derdh, ua shkel, ua pështyn qumështin e lopës, të deles, të dhive, dhe në vend të qumështit të shëndetshëm e të verifikuar nga mjekësia, bebet kosovare, fëmijët kosovarë sot pinë qumësht pluhur, vetëm e vetëm për hatër të kriminelëve ekonomikë, të pangopshëm, të kamur, me drejtësinë, me shtetin, me Qeverinë në xhepin e tyre, dhe sot ata s’kanë gajle as turp as gjynah, as moral për furnizuar popullatën kosovare me qumësht të dyshuar, pa vlerë ushqyese, tepër të dëmshëm për shëndetin, për rritën, për zhvillimin e tyre normal. Deri sa s’është bërë vonë, nënat kosovare porositin Qeverinë, shtetin, drejtësinë, ktheni në gojë e në sofra tona qumështin e kafshëve, dhe të mos harroni: Të dashurojmë aq sa jemi të urryer me njëri-tjetrin. Të ngrehim kokën lart aq sa jemi kokulur. Të punojmë aq sa e çojmë kohën kot. Të krenohemi aq sa jemi shqiptar. Të gëzohemi aq sa jemi të pikëlluar. Të duhemi aq sa jemi të padashur. Të hamë aq sa kemi fituar bukën. Të dimë aq sa jemi të paditur. Të jetojmë aq sa e meritojmë jetën. Të vdesim njerëz, aq sa jetuam njerëz! Të jetojmë pas vdekjes aq sa jetuam pa vdekur. Të besojmë Zotit aq sa dimë të besojmë. Ta duam lirinë aq sa luftuam për të. Ta duam shtetin aq sa e ndërtojmë atë. Ta duam Kosovën aq sa e duam Shqipërinë. Ta duam atdheun më shumë se sa ai na do. Të bëhemi të pasur aq sa jemi të varfër. Të mos duhemi aq sa urrehemi ndërmjet vete. Të vdesim për të mos vdekur… Të jetojmë për të mos vdekur për së gjalli. Të vdesim për të mos vdekur të vdekur. Rroftë jeta e vdekatarëve të gjallë!

Rroftë vdekja e jetuar nga të vdekurit! O ju të kamur: Kthena Qeverinë, shtetin, drejtësinë, ligjet, sepse, të popullit janë, tuajat s’do të bëhen kurrë

Shperndaje ne
Updated: 15 Prill, 2015 — 14:27

The Author

Riza GREICEVCI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.