“Prifti me kobure”

at_irakli_pylli_01Shkruan:  Nuri PLAKU (Specialist në Muzeun Historik Fier.)

Nëse duam ta personifikojmë Rilindjen tonë Kombëtare në fushën arsimore për krahinën e Myzeqesë, asaj duhet t’i japim portretin e At Irakli Pyllit, të mbiquajtur At Isaia.

Sepse në aktin e pashembullt të këtij patrioti, kemi të sintetizuar vlerat dhe sakrificat e asaj kohe të vështirë, përzier me idealin e shenjtë të kombit, të cilat e kthejnë atë në një “Petro Nini” myzeqar. Veprimi i tij i njohur për mbrojtjen e guximshme të abetares dhe shenjtërimin e saj, është një sakrificë e mirëfilltë martirizimi, jehona e së cilës kumbon ende, në kujtesën e brezave. Ky martirizim dhe ky shenjtërim është kthyer tashmë në një “zjarr të bardhë” shkronjash që “digjet” ende në sfondin e trishtë të historisë sonë kombëtare.

At Irakli Pylli u lind në Shënpjetër të Fierit, në prill të vitit 1872 dhe jetoi deri më 1944. Gjithë aktivitetin e tij patriotik e ushtroi i angazhuar në dy drejtime; me penë dhe pushkë. Fillimisht u arsimua pran shkollës greke në Manastirin e Pojanit së bashku me Llazi Spiro Shënpjetrën dhe mësues Kostandin Mingën. Për arsimimin e tij u kujdes gjyshi nga nëna, kleriku Pjetër Çuni i cili e ndihmoi për të ndjekur studimet e mëtejshme teologjike në Greqi. Gjatë viteve të para të mësimit, spikat bota fëminore e pasur e këtij djaloshi, mbushur me kureshti të shumta dhe dashuri për dije. Ambjenti i shkollave të huaja në këtë periudhë, ashtu si edhe në kisha të tjera të krahinës ishte i ndohtur me prapagandë dhe ndikime shoviniste greke. Ishin shkolla ku edhe ëmbëlsirat e vitit të ri mësuesit progrek ua dhuronin fëmijëve të mbledhura me letra të bukura shumënjyrëshe, ku spikaste e stampuar harta e Greqisë. Brenda saj ishte pretendimi vorioepiriot dhe besimi se ortodoksët ishin grek. Në këtë mënyrë synohej helmimi gradual i ndërgjegjes së tyre me shovinizëm. Por, shpesh ndodhte e kundërta.

Nxënësit dhe prindërit i refuzonin dhuratat djallëzore. Madje në Kolkondas nxënësit mbushnin kobure me gjethe plepi të shkërmoqura dhe i zbraznin mbi mësuesit duke shprehur revoltën e tyre fëminore, për të mbrojtur ndjenjat patriotike. Midis shkollave greke, të Myzeqesë, ishte pikërisht shkolla e Pojanit ajo që nxori dy nga figurat më të spikatura të kësaj krahine: Spiron dhe Pyllin. Dy patriot të rëndësishëm, të cilët së bashku me liderin më të shquar autokton, Jani Mingën, do t’i jepnin tonin të gjitha ngjarjeve të zhvilluara në gjysmën e parë të shekullit XX. Është interesante se të tre këta burra i përkasin të njëjtit fshat, Shënpjetrës i cili është bërë i njohur pikërisht për faktin se nxori nga gjiri i tij këto tre figura që i bëjnë nder çdo kapitulli të historisë.[1] Mësuesi i Popullit Jani Minga i mbi quajtur  “patrioti me vulë”, patrioti dhe këngëtari virtuoz i folkut krahinor, “bilbili i Myzeqesë”, Llazi Spiro ose Llazi Shënpjetra dhe kleriku mësonjës, “prifti me kobure”, At Isaia, ishin jo vetëm bashkëfshatarë por edhe moshatarë, të cilët ndonëse lindën në familje të thjeshta, ditën të gjejnë kahun përparimtar të zhvillimeve bashkëkohore e të ecin drejt progresit duke e kapërcyer aq shumë kohën e vet.[2]

Pas mbarimit të studimeve në Greqi, Irakli Pylli kthehet në vendlindje. Në vitin 1906 martohet me Anën, një bashkëfshataren e tij me të cilën pati dy fëmijë. Pastaj shugurohet prift në kishën e fshatit të tij, nga i cili vareshin edhe shtatë fshatra të tjerë. Me rrason fetare mbi supe ai u bë protagonisti kryesor i përhapjes së gjuhës amtare në popull. Psalmet në shqip ishin aksionet e tij të para që kryeheshin në gjuhën e nënës. Altari i Zotit u bë altari patriotizmës dhe bekimi i tij përzihej me bekimin e kombit. Në popull filloi të pëshpëritej me krenari urimi për priftin që psalte shqip. Ai thirrej,”mjalti i shqipes”. Në këto vite futi edhe mësimin e gjuhës shqipe në Shënpjetër. Si klasë përdori një nga ambjentet e kishës dhe si justifikim përdori mësimin e gjuhës greke. Ati donte t’ju mësonte fëmijëve, ”gjuhën tonë që është më e ëmbla ndër më të ëmblat”.[3]

Ky ishte refreni i tij që krijonte paradigmën filozofike me thënien e Naimit për gjuhën “tënë” “sa e ëmbël, sa e mirë” dhe që shpesh merrte vlerat e përdorimit të një sentence polisemantike për kohën. Dhe me këtë paradigmë u hap porta arsimore e shekullit të XX-të në krahinën e Myzeqesë. Është pikërisht kjo portë që e bën Atin tonë një ndër përfaqësuesit më të denj të kësaj lëvizjeje. Por nga një përhapës ilegal i shqipes në popull, At Isaia do të kthehej shumë shpejt në një përmendore heroizmi të këtij aksioni të madh kombëtar. Me këtë status, ai hodhi përpara së ardhmes dorashkën e kavalierit. Nxënësit e tij ishin të moshës 10 -12 vjeç, në një moshë ku ekzistonte komunikimi intim midis brezave dhe pikërisht mbi këtë intimitet, ai ndërtoi me guxim lojën e pllakave. I kishte paisur nxënësit me dy pllaka shkrimi, ku në njërën shkruanin shqip e në tjetrën greqisht me qellim që kur të vinin “hafijet”, të fshihnin ato ku shkruanin shqip dhe të nxirrnin pllakat e shkruara greqisht. Ishin dy pllaka grafiti që shënonin kufirin e idealizmës dhe antipatriotizmës, legales dhe ilegales dhe pikërisht mbi këto dualitete, ai kreu aktin e tij të dytë; heroizmin. Heroizmi përbën kulmin e aktivitetit të këtij rilindasi. Sepse ky u shfaq në një moment kulmor për nacionalizmin shqiptar, atëherë kur patriotët po legalizonin vendimet e tyre nëpërmjët formave më të larta të organizimit; kongreseve kombëtare.

Dhe kjo ndodhi në periudhën e ashpërsimit të kontradiktave me xhonturqit, të cilët, pasi nuk mundën ta frenonin dotë vërshimin e nacionalizmit shqiptar, tentuan të ndryshonin drejtimin e tij. “Për këtë qellim ata u përpoqën të zëvendësonin gërmat latine të alfabetit kombëtar shqiptar me gërma arabe, duke shpallur në të njëjtën kohë që shkronjat latine ishin shpikje e të huajve, objektivi i të cilëve ishte të devijonin myslimanët e mirë nga besimi i tyre, dhe që shkronjat arabe ishin të shenjta”.[4] Por edhe kjo propagandë naive, dështoi me turp përpara bashkimit të përgjithshëm të popullsisë shqiptare, mysliman e të krishter, të cilët nën sloganin kuptimplotë të Rilindjes sonë Kombëtare, “feja e shqyptarit ashtë shyptaria”, kishin sheshuar çdo dasi fetare midis tyre. Dhe, pas dështimit të planeve për devijimin e arsimit shqip, xhonturqit vendosën ta asgjesonin atë krejtësisht nëpërmjet dhunës dhe arbitraritetit absurd. Qindra nacionalistë u arratisën, qindra të tjerë u arrestuan, u burgosën e u persekutuan pa mëshirë. Nën shtypjen e terrorit të pashembullt xhonturk, u mbyllën shkollat dhe botimi i gazetave dhe librave shqip u ndalua. “Edhe shtypja e fjalëve “Shqipëri” dhe “shqiptarë” ishte e ndaluar! Nuk kishte më shqiptarë! Të gjithë ishin otomanë! Vështirë të përfytyrohet një politikë më foshnjarake!”[5]

Vigjilenca e Turqëve të Rinj ndaj mësimit të shqipes u kthye në një vigjilencë skifteri. Kudo vëzhgohej. Hafijet njoftonin herë pas herë patrullat ushtarake të cilat kryenin kontrolle të befasishme tek të gjithë ata individë dhe subjekte që dyshoheshin për të tilla akte antiligjore. Në Shën Pjetër dhe Radostinë kishte informacin për aktivitet ilegal nga dy patriotët; At Isaia dhe Ymer Hoxha. Të dy këta u bën objekt vëzhgimi dhe kontrolli. “Në fillim të vitit 1910, xhonturqit treguan se ishin tiranët më të këqinj se paraardhësit e tyre.”[6] Ata u vërsulën me tërbim mbi çdo vatër shqiptarizme për t’i shuar me çdo kusht zjarret e sapo ndezur të arsimit shqiptar. Në muajin mars të këtij viti, kjo “tirani” u shfaq edhe në Shën Pjetër. Kur në oborrin e kishës u ndje trokthi i rrëmbyer i kuajve “xhon”, nxënësit të trëmbur i fshehën pllakat me gërmat e shqipes dhe në vend të tyre nxorrën ato me shkrimin grek. Por informacioni ishte aq i besueshëm sa ushtarët u derdhëm me egërsi mbi fëmijët dhe ju xhvatën nga gjoksi, pllakat e fshehura. Pastaj u vërsulën mbi mësuesin dhe e goditën barbarisht.

Më pas e tërhoqën jashtë prej mjekrre, i rrëmbyen kryqin nga qafa, sahatin, i shkuan litarin në gjoks, e lidhën në shalë të kalit dhe e tërhoqën zvarr nëpër baltën e udhës së Semanit, deri në qytetin e Fierit. Rrugës njerëzit shihnin të tmerruar masakrimin e mësuesit prift. Kuajt rendnin në galop duke hedhur nga patkojtë, stërkalat e baltës mbi fytyrën e tij. Në Fier njerëzit u stepën. Ushtarët turq e turpëruan mësuesin duke e shetitur nëpër qytet të zhveshur me një këmborë të varur në qafë si bagëti. Në krah të tij kishin vën edhe Ymer Hozhën, akuzuar për përhapjen e librit shqip në Myzeqe. Edhe atij i kishin varur në qafë një këmborë dhe e godisnin duke e shtyrë me përçmim. Pastaj i rrasën në burg të dy “rrebelët” dhe i ndëshkuan me tortura fizike nga më çnjerëzoret. ”Asgjë nuk lanë mangut turkomëdhenjtë e rinj që udhëhiqeshin më shumë nga një mëri e verbër vetiake se sa nga arsyet e shtetit”.[7] Tirania e tyre bëhej edhe më e egër sepse politika që ndiqnin ata, orientohej nga injoranca dhe skepticizmi. Xhonturqit “nuk kishin as arsimimin dhe as përvojën shtetërore të nevojshme për t’iu përshtatur, apo për t’iu kundërvënë kësaj sprove të re të lëvizjes kombëtare në rritje, sepse vetë zhvillimi i tyre intelektual ishte të paktën 50 vjet prapa”.[8]

Por Ati nuk u tërhoq. “Gjuha jonë është më e ëmbla ndër më të ëmblat” ju thoshte sërisht nxënësve të tij, kur doli nga burgu. Dhe nga larg i fanitej Naimi me po të njëjtën shprehje, “Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e dlirë”. Ishte po i njëjti refren që ishte ngulitur edhe në ndërgjegjen e Papa Kristo Negovanit, vrarë më 1906-ën, me urdhër të Fotinit, dhespotit grek të Korçës. “Për mbi çdo gjë gjuha shqipe ishte ajo që duhej mësuar sa më parë”, [9] u thoshte nxënësve Negovani.

Me këtë ndjenjë të thellë patriotike, At Isaia u frymëzua edhe në periudhën e Pavarësisë. Tashmë, ngjeshi koburen dhe vu në krahë të burrave për të pritur Ismail Qemalin dhe për ta shoqëruar atë deri në ngritjen e flamurit. Pastaj u kthye sërisht pran kishës dhe pranë shkollës. Dhe prap nga shkolla i erdhi ndëshkimi i dytë, më fatal se i pari. Këtë radhë heroizmi i tij mori tjetër përmasë, ai u kthye në shenjtërim të abetares. Ishin vitet ku vet historia po i thurte Shqipërisë një nga kurthet më paradoksale në jetën e saj. Një kryengritje haxhiqamiliste me flamur osman, me 12 “nyjetë e Krujësë” ishte një bombë e vërtetë në oxhakun e shqiptarizmës. Shpërthimi i saj në mos vrau verboi. Hiri i endur i vatrës u kthye në mjegull tymi që i bëri përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha të nxirnin nga xhepi shamitë e hundëve. Ishte një tështimë kombëtare. Gripi osman kishte lën virusin e tij aktiv. Dukej sikur bisha 500 vjeçare kishte kthyer bishtin e saj në dordolecin psikologjik të fanatikëve shqiptar. Dëshmija ishte fatale. Atëhere kur diplomacia e Fuqive të Mëdha kishte ligjëruar Princ Vidin për të udhëhequr vendin, dhe kur qeveritë shoviniste fqinje bënin plane për copëtimin e trojeve tona, osmanizmi u rishfaq si fantazmë me gogolat e fanatizmit absurd.

Dhe furtuna e ndërmarrë qe tipike orientale sepse u operua me po ato metoda të hershme obskurantiste që bigëzoheshin në dy koncepte sa primitive aq edhe fatale për kombin; ngritja e flamurit osman dhe shkatërrimi i shkollave shqipe. Flamuri dhe princi, arsimi dhe feja, shkolla dhe islami, abetarja dhe kurani, “kauri i qenit” dhe “myslimani i fisshëm.” Ishin të gjitha këto dualitete që mbanin peng shqiptarin fatalist të kohës tek i cili feja ishte ende komb, sulltani ishte ende bab. Kauri vinte me psikozat e hershme të qytetërimit islam, ku,“të gjithë ata që që banonin përtej kufijve të tyre perëndimor, vazhdonin të gjykoheshin si ca barbarë e injorantë, madje më inferiorë edhe se të pafetë aziatikë, që banonin në Lindjen e Largët”.[10] Kjo e bëri qytetërimin islam të mospërfitonte nga ecuria e hovëshme e kulturës perëndimore, të mos kalonte “pragun” e Revolucionit Industrial më 1800 dhe të mbetej në klasën e historisë. Ndërsa mentaliteti që kishte hedhur rrënjët në Shqipëri ishte fosilizuar me thellësitë e mesjetës.

Ky ishte një paradoks që mbolli vetëm gjurmët e kryqëzatave. Kryengritja qamiliste ishte kryqëzata e fundit osmane që vërshoi mbi dherat e këtij vendi si kolera dhe ishte më barbare sepse vepronte me dorën e vëllavrasjes dhe më e egër sepse ishte dyfeku i ndryshkur, që kthehej ndaj së ardhmes së kombit. Në zonën e Lushnjes, shkruante revista e Mihal Gramenos në Bukuresht, rebelët kishin “përveshur krahët” dhe tmerronin popullsinë e Myzeqesë me masakra të papara. “Rebelët, porsa hynë në Lushnjë, zbritnë flamurin shkabëtor edhe ngritnë flamurin e Turqisë. Dhe pasi u siguruanë se Myzeqeja mbeti në duart e tyre, sakaq nisnë të ndjekin dhe të mundojnë shqipëtarët atdhetarë… Kështu prishnë shtëpinë të z. Llaz Bozos; shtëpinë e të nderçmit At Ikonom Dhimës Çipllaka, At Spiro Sht-Pjetrasi, Lame Kruati;ç’gjendeshin brënda dhe gjën e gjallë u rëmbyen… Tërë shkollat sa qenë në Myzeqe i prishnë, duke djegur tërë librat shqipe si edhe çdo shenjë atdhetarizme që gjendej nëpër shkolla. Mësuësit vojtnë shumë nga rebelët, u burgosnë dhe u munduan si Krishti, duke dashur t’i frikësojnë që paskëtaj të mos kuxojnë të thonë se janë shqiptarë”.[11] 

Ndërsa në Fier ndodhi një akt madhor që mban brenda vetes virtutin e një kombi; përplasja me Irakli Pyllin dhe sfida e tij. Nuk ka akt më të madh në jetën e një populli, se sa, kur një shtetar i thjeshtë, manifeston virtute të larta përpara kërcënimeve të tilla makabre. Asnjë trimëri nuk mund t’i rezistoj virgjërisë së saj përpara plumbit. Jan të rrallë ata që e bëjnë këtë akt, sepse të tilla veprime i frymëzojnë vetëm besime të mëdha. At Irakliu besonte në një Zot të madh, që ishte abetarja. Abetarja dhe kombi. Por ai dëshmoi se besonte në një trinitet të pashoq, në një formulë magjike që e kishte bër të tillë ideali i Rilindjes sonë Kombëtare. Ai besoi në Zot, në Abetare dhe në Komb. Ky ishte “Ati, biri dhe shpirti shenjtë”, i këtij luftëtari të paepur të shkollës shqipe.

“Diku buzë Gjanicës në Fier, vërshuan me brohorima rrebelët (lukuni ujqish të uritur) dhe e kapën Atin. Mësuesi ikte i lirë me një trastë ku mbante abetaren dhe pllakat e shkrimit me një kalem guri. Ju hodhën përsipër, e lidhën me litar dhe e vun përpara ta sjellin tek eprorët, tek Ara e Papuçinjve, ku sot ndodhet parku “Rinia”. Aty ishin ato çaste shtabi dhe aty do të ngriheshin themelet e xhamisë së parë të urdhëruar nga Haxhi Qamili”.[12] Ngritja e xhamisë ishte akti i dytë që kryen rrebelët në Fier. Në vend të abetares, një kuran, në vend të shkollave të rrënuara një xhami. Akt që për 50 vjet nuk e kishin bër as pashallarët vrionas, themeluesit e këtij qyteti, megjithse ishin të së njëjtës fe dhe mbanin si libër të parë në bibliotekat e tyre kuranin. Në moment Atin e dënuan me diskreditim.

Provokuan nderin përpara plumbit dhe nënshtrimin përpara kamzhikut. Ja shqyer rrobat e trupit dhe e bënë lakuriq, i hodhën në kokë një thes dhe e gjuanin duke u tallur me ”kaurin e qenit” se jepte mësim në gjuhën shqipe për fëmijët e popullit. E njëjta gjë si në marsin e vitit 1910 me xhonturqit. E tallën njëlloj si Jezuin dhe i thirrën ta shkelte me këmbë abetaren duke e kërcënuar me rrjepje lëkure. A nuk mori sipas ligjit romak edhe Jezui dënimin më të turpshëm e më poshtërues, identik me hajdutët, kriminelët dhe tradhëtarët e athershëm? A nuk i kërkonin edhe Jezuit të mohonte origjinën e tij hyjnore dhe të pranonte akuzën se ishte vetëquajtur mbret i judenjve? Jezuit i kërkohej pohimi, ndërsa At Isaisë i kërkohej mohimi. E shenjta ishte po ajo; drita e diturisë dhe drita e Zotit. Pastaj Jezuin e ngjitën në Golgotë me kryq në qafë, kurse Irakliun e çuan në një baltovinë dhe ja vun “kryqin” abetare te këmbët. Shkele i thoshin. Pikërisht këtu është madhështia e njeriut idealist. Maja e piramidës së këtij ideali, lëshoi mbi dumbabistët rrufetë e heroizmit sfidant. Shkele! – Jo! Shkele – Kurrë! A ka refren më të madh për një komb sesa një qendrim i tillë manifestuar nga një prej shtetarëve të tijë të frymëzuar? A nuk tregon kjo sjellje vetë palcën kurrizore të kombit? Të kërcënohesh me vdekje përpara abetares dhe të rezistosh përpara saj për ta bër atë të pavdekshme. Ku e gjente të tillë force ky burr? Dikur para pohimit zyrtar të krishtërimit, njerëzit çuditeshin me predikuesit e tij se kur i dënonin në Romën e lashtë duke ua hedhur trupat në kafazet e bishave të uritura, ata e prisnin vdekjen me qetësi të thellë. Nuk qanin, nuk lebetiteshin, nuk luteshin për mëshirë. Njerëzit besonin edhe nga vdekja e tyre se Zoti që i frymëzonte ata ishte shumë i fuqishëm. I tillë ishte edhe Ati. Bishat e ndëshkuan në kafazin e tyre të injorancës, ndërsa ai e priti me qetësi ndëshkimin pa e tradhëtuar “Zotin” e tij, idealin e Rilindjes sonë Kombëtare, e cila po fekste dritën e viteve te fundit me fitoren e Pavaresise se vendit. Mbas rrebeshit të poshtërimit mësuesin e rrëmbyen ish nxënësit e tij dhe e fshehën në një pyll, për ta mbajtur largë konfliktit. Nga ky shkak ai u mbiquajt në popull Irakli Pylli. Edhe trupin e Jezuit e morën apostujt e tij. Pastaj erdhi ringjallja. Ndërsa për Atin tonë erdhi pavdekësia e aktit. Ai akt u kthye në “zjarrin e bardhë” të abetares.

Përgjat viteve të Luftës së Parë Botërore, me organizimin e ri të sistemit arsimor të vitit 1916 nën drejtimin e Luigj Gurakuqit, At Isaia cilësohet mësues me rrogë në nënprefekturën e Fierit[13], krahas Spiro Saqellarit, Kozma Ikonomit dhe Anastas Ikonomit. Mësimdhënia ishte e qetë për sa kohë qendruan forcat austrohungareze. Pastaj me zëvendësimin e tyre nga forcat italiane, filloi përndjekja e patriotëve. Italianët donin ta shuanin çdo lëvizje patriotike tek banorët e kësaj zone. “Qeveria italiane, me qëllim që t’i realizonte më lehtë këto plane grabitqare ndaj Shqipërisë, i shtoi orvatjet për të përçarë lëvizjen kombëtare shqiptar”. [14] “Në gusht të vitit 1918 italianët mbyllën shkollën në Kolkondas dhe pushkatuan mësuesin e saj Kozma Dhima… ndjekin papa Isainë dhe pasi nuk e zenë i djegin shkollën në Shënpjetër.” [15]  Ndërsa në mbarim të luftës, Ati hapi përsëri shkollën shqipe në fshatin e lindjes duke shfrytëzuar për ambjente shtëpinë e një bashkëfshatari. Një të tillë e hapi edhe në Pyllin e Janjit, në afërsi të fshatit Seman.

Tani paradigma rilindase ishe zgjeruar kuptimin e saj. Sentenca e dikurshme ishte konvertuar në punë këmbëngulëse sistematike. “Tani ta mësojmë mirë shqipen, ju thoshte ai nxënësve, se kjo është gjuha jonë. Të gjithë të mësoni e të bëheni mësonjës, që shqipen e bukur t’ua mësoni tërë popullit”. [16]  

Në Luftën e Vlorës At Isaisë ju desh të ngjeshi armën dhe të shkoi në front. Ishte në krah të Mingës, Halim Xhelos dhe Avni Rustemit. Tashmë lëvizte gjithmonë i armatosur. Në popull kjo bëri aq përshtypje sa e thërrisnin “prifti me kobure”. Më 3 shtator 1920 kryengritësit zbritën triumfalisht në qytetin e çliruar të Vlorës. Midis personaliteteve që përshëndetën popullin në këtë ditë të shënuar historike ishte; Qazim Kokoshi, Ali Asllani, Jani Minga, Kostë Paftali, Qazim Koculi, Myqerem Hamza, Osman Nuri, etj. Ndërsa bekimin e kësaj feste e dhanë Myderiz Shuaip Efendiu, At Shtjefën Gjeçovi dhe At Isaia.[17]

Kontribut të rëndësishëm ka dhënë At Isaia edhe në përpjekjet e klerikëve tanë përparimtarë për autoqefalinë e kishës shqiptare. Në shkurt të vitit 1922 së bashku me Jani Mingën, organizojnë një miting në mbështetje të proklamatës së parisë së Vlorës për përdorimin e gjuhës shqipe në shërbesat fetare të të gjitha kishave të krahinës. Si pasojë e këtij angazhimi, hierarkia e klerit grek e çkishëron duke e cilësuar “prift i mallkuar”.[18]

Në lëvizjen e qershorit Ati u angazhua si pjesë e lëvizjes demokratike të opozitës. Këto raporte si dhe aktiviteti i tij intensiv në gjirin e lëvizjes patriotike e kishin lidhur ngushtë me Nolin. Janë shumë dëshmi gojore që e konfirmojnë këtë lidhje. Dhe ishte e natyrshme sepse Noli shihte tek ai sivëllaun e religjonit i cili përmes rrobës së priftërisë kryente aktivitetin e një patrioti të flakët. Ai gjendet edhe në firmosjen e aktit të revoltës për faljen e Avni Rustemit mbas atentatit të Esat pash Toptanit. Madje në kulmin e reaksionit, pas rënies së qeverisë së Nolit, ashtu si dhe shumë revolucionar të tjerë të kësaj treve, At Isaia ju nënshtrua përndjekjes ndëshkimore që ndërmori qeveria e Zogut për të gjithë revolucionarët e qershorit. Për t’i shpëtuar një burgimi të ri, miku i tij i vjetër Jani Minga, e ndihmoi të emërohej prift në kishën e shën Jovanit në Vlorë. Në këtë kohë, populli i Vlorës i ngriti edhe një nga këngët me kuptim mjaft domethënës; “Telegramet venë e vijnë/ Vijnë për At’Isainë/ Ne, këtë prift e njohim mirë/ Rrofshin me zotin Mingë.” [19]  

Gjatë pushtimin të vendit në Luftën e Dytë Botërore, At Isaia u bë pjesë e frontit antifashist Nacionalçlirimtar. Nga ky shkak, në dhjetor të vitit 1943, arrestohet nga pushtuesit hitlerian dhe burgoset në Elbasan, pastaj dërgohet në kampin e internimit në Zemun të Jugosllavisë ku nga torturat vdes më 12 prill 1944, në moshën 72 vjeçare. [20]  Për kontribut të shquar patriotik është dekoruar nga Kuvendi Popullor me urdhërin, “Për veprimtari patriotike”, ndërsa një rruge në Fier i është dhënë emri i tij.

Tashmë ne vëmë re se maja e piramidës së Rilindjes Kombëtare në krahinën e Myzeqesë vazhdon të presi rrufetë e pashtershme të harrimit. Herë –herë erërat sjellin ndryshkun e viteve deri në verbimin e kujtesës sonë historike. Por At Irakliu shfaqet njeriu që as sot, as nesër, nuk mund t’i shteret portreti interpretues. Ai qarkullon me vlerat e kohë, rishikohet aq herë sa të zbulohen fakte për të shkuarën dhe aq herë sa të kujtohet e shkuara si një vlerë. Dikur në periudhën moniste kur kryengritja e Haxhi Qamilit vishej me petkun e antifeudalizmit dhe revoltës popullore drejtuar ndaj “shfrytëzimit barbar të bejlerëve”, Atin tonë nuk i binte askujt në hatër për ta përmendur. Në Historikun e Arsimit Fier Mallakaster që gjendet pranë Muzeut Historik të Fierit, hasim për figurën e tij një citim mjaft të reduktuar,”Forcat esadiste persekutuan mësuesit patriot Kozma Dhima dhe Papa Isaia të cilët i burgosën dhe mbyllën shkollën e Kolkondasit e Shënpjetrës.” [21] Asgjë më shumë.

Gjithëshka e thënë shkurt dhe shkarazi. Kështu vazhdoi përgjatë gjysëm shekulli. Gjysëm shekulli e kredhur në heshtje absurde. Po sot, ku është sot abetarja heroike e Myzeqesë, abetarja e pashkelur e At Isaisë? A nuk duhet të kthehet ajo nga kujtesa historike e idealit në mermerin e prekshëm të lavdisë së tijë? Sepse nuk ka midis nesh, rast më tipik se ky, që ta përfaqësojë përpjekjen e përgjakur të myzeqarëve për hapjen e shkollës shqipe në këtë krahinë me kaq heroizëm. Por, nga ky moment, ne kemi vetëm imazhin e këtij akti dhe jo realen e tij. Realja ka mbetur në mëshirë të kohës, sa vjen e varfërohet, zbehet dhe bëhet anemike. Ashtu si mbetet anemike edhe reklama e Shkollës së parë shqipe në Libofshë.

Përkujtohen çdo vit akte trimërie të përgjakura nga plumbat e vdekjes por nuk kujtohen aktet e sakrificës sublime për përhapjen e kulturës dhe arsimit shqip në Myzeqe. Dhe harrojmë fjalën lapidare të Sami Frashërit se; “Viktimat e gjuhës, jan më shumë se ato të shpatës”. A thua se kjo krahinë duhet ta harrojë kujtesën e sajë, të harrojë atë kohë të vështirë e të papërsëritshme kur nxori nga gjiri i vetë trima të tillë që vriteshin për ideal? Në qytetin e Korçës është përjetësuar abc-eja e parë e vitit 1887. Ky është simboli i kështjellës arsimore shqiptare. Por, edhe luftrat për mbrojtjen e kështjellave janë po aq të lavdishme sa edhe ato për marrjen e tyre. Edhe mbrojtja e kështjellës – abetare në Fier është pikërisht një luftë e tillë. Një përmendore me abetaren e sakrificës do të përjetësoj këtë vlerë. Dhe fëmijët tanë do t’i duan më shumë abetaret e së ardhmes dhe do të jen më trima, më besnik dhe më të dashur për atdheun e tyre. Sepse më shumë se gjithëshka tjetër në jetën e një kombi duhet të shenjtërohet abetarja. Dhe një shenjtërim të tillë e kreu Ati ynë i lavdishëm, Irakli Pylli. Veç ai ndezi “zjarrin e bardhë” të shkronjave shqipe, “zjarrin e bardhë” të abetares së tij të pa shkelur, “zjarrin e bardhë” të shqiptarizmës në fushën e nacionalizmit arsimor. Dhe është pikërisht ky zjarr që vjen deri më sotë i ndezur në vatrën patriotike të kësaj krahine e që s’do të shuhet kurrë më, nga kujtesa e saj historike.

 Nuri PLAKU (Specialist në Muzeun Historik Fier.)

 


[1] Naun Kule, Mësonjëtorja e parë Shqipe në Myzeqe, Tiranë: Globus R, 2008, fq.42.
[2] N.Kule, vepër e përmendur, fq.43.
[3] MHF. Themi Spiro. At Isaia. D.211, fl,20.
[4] Joseph Swire, Shqipëria, ngritja e një mbretërie, Tiranë: DITURIA, 2005, fq, 93.
[5] J. Swire, vepër e përmendur, fq, 94.
[6] Mid’hat Frashëri, Çështja e Epirit, Tiranë: “Lumo Skëndo”, 1998, fq. 38.
[7] M. Frashëri. Vepër e përmendur, fq. 40.
[8] Eqrem bej Vlora, Baronesha Marie Amelie Von Godin, Ndihmesë për Historinë e sundimit turk në Shqipëri. Tiranë: ”55”, fq, 202.
[9] Arben Llalla. Gazeta Ndryshe, 7 mars 2009,
[10] Bernard Leivis. Ku është gabuar? Tiranë; fq.22.
[11] M. Bellkameni, “Shkaku i prishjes Myzeqesë”, Zëri i Shqipërisë, Nr.3, Sofia, Shtypshkronja “VITOSHA” maj 1915, fq,15
[12] Bisedë me veteranin Tashko Lako. Dt. 24/ 09/ 2010.
[13] AQSH. F.195, V.1917. D.4, fl,11.
[14] Historia e Shqipërisë, Tiranë: “Mihal Duri”, 1965, fq. 458{[15] MHF, Grup autorësh. Historiku i Arsimit Fier Mallakastër, Dosja 197, fq.73.
[16] Th. Spiro, po aty, fq.3.
[17] Iliaz Gogaj, Jan Kostandin Minga, mësues i shqiptarizmës. Tiranë; 2011: fq.22.
[18] N. Kule, vepër e përmendur, fq.46.
[19] Th. Spiro, po aty, fq.3.
[20] Figura të shquara të rrethit të Fierit. Kavajë; Gutemberg, 2002, fq.10.
[21] Historiku i Arsimit Fier Mallakastër, Vepër e përmendur, fq. 70.                                                                             

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.