QËNDRESA SHQIPTARE NDAJ PENGESAVE ARMIQËSORE GJATË 140 VITEVE


(Disa ngjarje kryesore historike të rrugëtimit të kombit shqiptar)

Historikisht të gjithë shekujt në trevat tona kanë sjellë njëri pas tjetrit pushtues të ndryshëm dhe gjithnjë njëri më i lig se tjetri.
Romakët i ndanë trevat në katër copash; Bizanti ndërhyri me ndërrimin e identitetit duke na detyruar ortodoksinë; Otomani po ashtu me islamin; komunizmi na çliroi nga identiteti fetar duke na identifikuar si “Proletarë pa atdhe”. Të gjithë të njëzëshëm, por me metoda të kamufluara si e si të na zhduknin si komb. Këto situata që kanë shoqëruar historinë kërkojnë që të mos humbim vigjilencën, aftësitë mendore dhe fizike për mbrojtje dhe ecje përpara.
Të frymëzuar nga djenjat e thella atdhetare, nga rizgjimi i ndërgjegjes kombëtare, shqiptarët nuk kanë rreshtur duke luftuar për të mos lejuar që vendi të pushtohet dhe sundohet nga të tjerët. Kemi ruajtur atdheun (aq sa kemi mundur), kombësinë, gjuhën, zakonet tona ndaj ndërhyrjeve brutale të të huajve.
Historia dymijëvjeçare flet qartë për sakrificat sublime të kësaj etnie, e cila ka mbijetuar dhe mbijeton në saje të cilësive të veçanta trimërie, zgjuarsie, karakterit të fortë dhe dallues që përcaktimin e kombit e mbështet tek anët objektive të cilat mbajnë në themel fiset, gjuhën, territorin, traditat dhe jo tek besimi fetar cilido qoftë.
Është pikërisht ky botkuptim, shkaku i vërtetë që ne veçojmë nga gjithë të tjerët dhe njëherazi i tërbon të tjerët kundër nesh!!.
Mbas një përgjumjeje lënguese afro 1,400 vjeçare, rishfaqet identiteti i një populli që historikisht kishte shkëlqyer ndër mijëvjeçarët e para Krishtit.
●- Dy mars 1444 në Kishën e Shën-Kollit në Lezhë u mbajt Kuvendi i Princërve Arbëror, i njohur “Kuvendi i Lezhës”, i cili vendosi:
1. Krijimin e Besëlidhjes Arbërore me në krye Gjergj Kastriot Skënderbeun.
2. Formimin e një ushtrie të përbashkët me komandant të përgjithshëm Gjergj Kastriotin.
3. Krijimin e arkës së përbashkët për të përballuar shpenzimet udhtarake.
Lindi “Lidhja e Lezhës”, aleancë politiko-ushtarake e princërve arbërorë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu bashkoi gjithë princat arbëror dhe krijoi ushtrinë. Lidhja e Lezhës u bë guri themeltar i Bashkimit,baza e krijimit të shtetit Arbëror. Gjergj Kastriot Skënderbeu u bë figura kryesore ndaj së cilës u lidh e ardhmja arbërore.
•- Më 28 Nëntor të vitit 1443, Gjergj Kastrioti ngriti flamurin kombëtar në Krujë dhe krijoi shtetin mesjetar Shqiptar.
Perandoria Osmane, arriti të shtrijë pushtimin e saj në trojet arbërore, duke vrarë, shkatërruar, grabitur pasuritë e popujve të pushtuar. Sikundër edhe përpjekjet e arbëroro-epirotëve nuk u ndërprenë asnjëherë me kryengritje kundër pushtuesve.
Fuqitë e Mëdha, e spjeguam, nuk donin një shtet që nuk mbështetej tek mbizotërimi i një besimi fetar. Përpjekje të parreshtura me “Kuvende”, shqiptarët kërkonin krijimin e shtetit që të përfaqësonte kombin e tyre jo mbi baza fetare.
● Kuvendi i Prevezës i 11 janarit 1879 mori vendime politike dhe ushtarake. Delegatët në Kuvend të vendosur për mos lëshimin e Epirit deri te lumi Thyamis (Kalama), Mbretërisë Greke. Në rast se Fuqitë e Mëdha nuk do t’i merrnin parasysh interesat e Shqipërisë, atëherë shqiptarët do t’i kundërshtonin me armë ato vendime.
● Kuvendi Kombëtar i Prizrenit i 10 qershorit 1878, përpiloi kërkesat shqiptare për t’ua paraqitur Fuqive të Mëdha përpara mbledhjes së Kongresit ë Berlinit, të 13 qershorit 1878.
Kuvendi i Përgjithshëm u përqëndrua në fushën e mendimin politiko-shoqëror për konsolidimin e unitetit kombëtar të shqiptarëve; në mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut; në formimin e shtetit shqiptar autonon si hap drejt krijimit të shtetit kombëtar të pavarur, demokratik. Platforma kryesore e Kuvendit, ishte koncepti filozofik për kombin, mbasi koncepti mesjetar, mbante bashkësinë fetare të çdo populli si përbërës të domosdoshëm për të qenë një komb.
Ky koncept subjektiv vazhdonte të sundonte në arenën ndërkombëtare. Shqiptarët të cilët kishin tre besime fetare të ndryshme, nuk mund të konsideroheshin si pjesëtarë të një kombi. Ky konceptim mbizotëronte tek Perandoria Osmane, tek Fuqitë e Mëdha dhe shtetet fqinje ballkanike. Nga ky shkak konceptimi, Shqiptarëve nuk u njihej e drejta për të formuar shtet kombëtar më vete.
Kundër këtij koncepti të prapambetur, u ngritën të gjithë ideologët dhe aktivistët e lëvizjes kulturore shqiptare. Në vitin 1879 shkrimtari Pashko Vasa, hodhi tej me përçmim ato koncepte dhe paraqiti konceptin shqiptar:“Të ngresh besimin fetar në parim kombësie dhe të marrësh dogmën për racë apo ritin për atdhe, nuk është aspak e pranueshme”.
Lidhja e Prizrenit ishte e para lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar; lëvizja e parë masive që synonte të përmbushte programin e Rilindjes: ”Njohjen e kombit shqiptar si një bashkësi të pandarë: mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut; formimin e një shteti shqiptar autonom e demokratik”.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënoi një hap të madh cilësor në funksionet politike; në shtrirjen territoriale dhe në mjetet e luftës, krahasuar me besëlidhjet para saj. Ajo arriti të fitonte atributet e një qeverie të përkohshme shqiptare, pothuajse krejtësisht të pavarur nga autoriteti i Perandorisë Osmane.
•- Plot 140 vjet më parë, gjashtë Fuqitë e Mëdha të Europës, me në krye kancelarin gjerman Otto Bismark, morën vendimet më të padrejta për kombin shqiptar.
Vendimet e Kongresit të Berlinit diktuan shpërndarjen e katër vilajeteve shqiptare, duke u a kaluar shteteve fqinje. Porta e Lartë trojet shqiptare i kishte ndarë në katër pjesë dhe quheshin “Vilajete” (provincë, distrikt), ndarja ishte për një mirëadministrim më të favorshëm perandorak.
Vilajetet shqiptare në momentin e vendimeve të atij kongresi fatkeq ishin:
1).-Vilajeti i Shkodrës: Me popullsi prej 322.000 banorë, nga këta 220.000 shiptarë dhe përfshinte: Podgoricën, Tivarin, Cetinjën, Ulqinin, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin dhe Kavajën.
Në Vilajetin e Shkodrës popullsi e parë ishin shqiptarët me 68, 32%, ndërsa popullsi e dytë rezutonin serbët me 70 mijë banorë, ose 21,74%.
2).-Vilajeti i Kosovës: Me popullsi prej 908.915 banorë, nga këta shqiptarë 417.250 dhe përfshinte: Shkupin, Tetovën, Dibrën, Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Mitrovicën, Bujanovcin, Preshevën, Prishtinën, Gjilanin, Vranjën, Beranën, Leskovcin, Novi Pazarin, Nishin. Ky vilajet popullsi të parë kishte shqiptarët me 46% dhe të dytët ishin bullgarët me 264.680 banorë, ose me 29,10 %, ndërsa banorët serbë ishin 112.870 veta, ose 12,40 %.
3).- Vilajeti i Manastirit: Me popullsi 846.495 banorë, nga këta shqiptarë 318.650 dhe përfshinte: Prilepin, Kërçovën, Kosturin, Follorinën, Ohrin, Korçën dhe Elbasanin. Në vilajetin e Manastirit popullsi e parë rezultonin bullgarët me 354.700 veta, ose 41,90 % dhe të dytët shqiptarët me 37,64%.
4).- Vilajeti i Janinës: Me popullsi 648.000 banorë, nga këta 315.000 shqiptarë dhe përfshinte: Janinën, Konicën, Leskovikun, Paramëthinë, Artën, Prevezën, Pargën, Margëllëçin, Volën, Korfuzin, Gumenicën, Filatin, Gjirokastrën, Beratin, Vlorën.
Në vilajetin e Janinës popullsia shqiptare zinte vendin e parë të popullsisë me 48,60%, pas tyre vinin vllehët me 180.000 veta, ose 27,78 %; popullsi e tretë ishin grekët me 110.000 veta, ose me 17 %.
Gjithësej popullsia e katër vilajeteve të mësipërmë ishte 2.725.410 banorë, nga këta 1.270.900 ishin shqiptarë, ose 46,63 %, të tjerët ishin turq, bullgarë, serbë, hebrej, romë, grekë, vllehë etj.
Numuri i banorëve shqiptarë, në të katër vilajetet, ka qenë më i madh, por në ato kohëra shumë shqiptarë të besimit mysliman trajtoheshin dhe regjistroheshin si turq, më i theksuar ky fakt ishte i pranishëm në Vilajetin e Manastirit. Megjithatë përsëri edhe tek ky distrik raporti bullgarë/shqiptarë ndryshonte vetëm me 4,26% me parësi etnia bullgare.
E tillë ishte situata dhe prezenca e popullsive në prag të Kongresit të Berlinit, i cili nuk mori në konsideratë se në këto hapësira, më shumë se gjysma e popullsisë ishte shqiptare, por vendosën ta fshijnë nga njohja si shtet shqiptar. Të gjithë atë hapësirë territoriale ja kaluan kombësive të tjera si bullgarëve që ishin rreth 23 %; serbëve 6,70% dhe grekëve me 6,10 % të popullsisë sipas përkatësisë së atyre katër vilajeteve. Kjo ishte padrejtësia e Kongresit të Berlinit në vitin 1878, që mbolli fatin e rëndë të kombit shqiptar.
Ishte Kongres antidemokratik. Shpërfillës i ndjenjave kombëtare të shqiptarve. Kongresi i Berlinit u mbajt më 13 qershor 1878 me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit, me pjesëmarrjen e gjashtë Fuqive të Mëdha të Evropës: Gjermania, Anglia, Franca, Rusia dhe Italia. Punimet e Kongresit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark.
Me gjithë përpjekjet e bëra nga Abdyl Frashëri, kryetar i delegacionit shqiptar, për ta bindur kryetarin e Kongresit, kancelarin Bismark, për përfshirje në rendin e ditës çështjen e kombit shqiptar, ai nuk pranoi duke u shprehur brutalisht se “Nuk ka një komb shqiptar”.
Ky mentalitet shovinist fetar, është mbartës i të gjitha pengesave dhe vështirësive që kanë shoqëruar dhe shoqërojnë shqiptarët ndër shekuj.
Fuqitë e Mëdha, siç shkruante më vonë Abdyl Frashëri, ndërhynë që reformat të merrnin karakter joshqiptar, duke favorizuar serbët në vilajetin e Kosovës; bullgarët në vilajetin e Manastirit dhe grekët në vilajetin e Janinës. Si rrjedhim, me zbatimin e vendimeve të atij Kongresi, rritej oreksi drejt aneksimit të trojeve shqiptare nga shtetet fqinje ballkanike.
•- Shqipëria ishte Provincë e perandorisë otomane, si shumë vende të tjera, por puna tejet e përkushtuar e intelektualëve patriotë të kohës me në krye Ismail bej Qemalin, arritën të realizojnë pavarësinë e saj, megjithëse, tepër e cunguar, vetëm në 31% të sipërfaqes së saj territoriale (28.000 km²). Më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria u bë e Pavarur.
Sipas statistikave osmane, Shqipëria në vitin 1910 kishte një sipërfaqe prej 90,187 km², sipas vilajeteve paraqitej: Vilajeti i Shkodrës kishte një sipërfaqe prej 10,887 km2; Vilajeti i Kosovës kishte 32,900 km2; Vilajeti i Manastirit kishte 28,500 km2 dhe Vilajeti i Janinës 17,900 km2. Gjithësej të katër vilajetet Shqiptare, në vitin 1910 kishin 3,804,000 banorë, në strukturë shqiptarët zinin 66%, ndërsa popullsia e përzierë e maqedonasve, vllehëve dhe bullgarëve ishte 16%, serbët rreth 5%, grekët rreth 4%. Edhe në këtë momen historik, Fuqitë e Mëdha nuk morën në konsideratë strukturën përbëse të popullsisë, ku shqiptarët zinin mbi 66%, por i dhanë përparësi parimeve të përkatësisë fetare në formimin e shteteve, ashtu siç ndodhi edhe me vendimet e Kongresit të Berlinit.
•- Në Konferencën e Versajës (¹), Shqipëria u mbrojt nga Lordi Sesil (²), i cili parashtroi për miratim kërkesën e Shqipërisë duke u shprehur se:“Shqipëria duhej të pranohej, pasi paraqiste të gjitha karakteret e një kombi krejtësisht të formuar dhe se ajo kishte vuajtur po aq sa kombet e tjerë të Ballkanit, prandaj duhej që t’i vinin në ndihmë”.
Mbas shumë përpjekjesh e votimesh në asamble, Lordi Sesil arriti të siguronte votimin njëzëri për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Kërkesa për anëtarësim e Shqipërisë u pranua me 35 vota, pa asnjë kundërshtim, në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920. Ky akt shërbeu si një moment i kthesës së plotë në favor të çështjes së Shqipërisë. Shqipëria u njoh shtet sovran dhe i pavarur.
•- Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u krijua Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB-ja), e cila për nga shtrirja gjeografike dhe rëndësia e problemeve që mbulon, ka marrë statusin e një organizate ndërkombëtare universale të mirëfilltë.
Nismëtarët e krijimit të OKB-së, e cila zëvendësoi Lidhjen e Kombeve, ishin Fuqitë e Mëdha të koalicionit antifashist. Fillimisht u anëtarësuan shtetet fituese dhe neutrale të Luftës së Dytë Botërore.
Mbas 43 viteve të pavarësisë së saj, Shqipëria u pranua vend anëtar më 14 dhjetor të vitit 1955, duke u bërë vendi i 76 anëtar i OKB-së.
•- Më 7 prill 1939 Italia sulmoi Shqipërinë. Në tetor të vitit 1940 forcat italiane e përdorën vendin tonë si bazë ushtarake për të pushtuar Greqinë. Gjermania naziste pushtoi Greqinë dhe Jugosllavinë në vitin 1941. Shqipëria u rrjeshtua në anën e Aleatëve në luftë kundër Boshtit. Lufta Nacional Çlirimtare u kurorëzua me sukses. Më 29 nëntor të vitit 1944 vendi u çlirua nga pushtuesit.
•- Me çlirimin e vendit, populli shqiptar i udhëhequr nga qeveritë e kohës, filloi rindërtimin e vendit nga shkatërrimet e luftërave. Ndër programet madhore ishin tharja e kënetave, bonifikimet, transporti, industrializimi i vendit, arsimimi: hapja e shkollave dhe kurseve të analfabetizmit, mbasi 99% e popullsisë ishin analfabetë.
Në nëntor të vitit 1947 inaugurohet linja e parë hekurudhore Durrës – Peqin.
Më 8 nëntor 1951 u inaugurua Kombinati tekstileve “Stalin” në Tiranë. U krijua universiteti i parë në vitin 1957. Ndërsa dita e parë e televizionit shqiptar është 29 qershori i vitit1960.
•- Republika e Shqipërisë është një kandidate zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Europian që nga qershori i vitit 2014. Zyrtarisht u njoh nga BE si “shtet kandidat potencial” në vitin 2000. Shqipëria filloi bisedimet me Marrëveshjen e Stabilizim dhe Asocimit (MSA) në vitin 2003. Për këtë u ra dakord me sukses dhe u nënshkrua më 12 qershor 2006, duke kompletuar kështu hapin e parë të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në BE.
•-17 shkurti 2008, ngjarje e një rëndësie tepër të veçantë për kombin shqiptar, ishte shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ngjarjet, rrethanat e krijuara nga egërsia e racizmit etno-fetar serb, bindën udhëheqjen ndërkombëtare se duhej filluar korigjimi pjesërisht i vendimeve të Konferencës së Londrës. Krahina e Kosovës u çliruara nga kthetrat e racizmit serb. Kosova u shpall shtet i pavarur.
•- Lëvizjet kuptimplota dhe të drejta të shqiptarëve të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, gjatë viteve të fundit, krijuan atmosferë bindëse tek ndërkombëtarët për të realizuar njohjen e të drejtës shtetformuese të shqiptarëve. Negociatat shqiptaro-maqedonase në Ohër, përfunduan më 13 gusht 2001, të cilat u kurorëzuan me “Marrëveshjen Kornizë të Ohrit”. U realizua kontrata shqiptaro-maqedonase për raportet e reja shoqëroro-politike dhe ndërtimin e mëtejshëm të shtetit Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë.
•- Shqipëria vazhdon me bindje në rrugën e saj inspiruese drejt sloganit: “Shqipëria në Europë”. U aplikua për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 28 prill 2009, në ndjekje të hapave të shteteve që u bashkuan në BE në vitin 2004. Shqipëria sot është e angazhuar me institucionet e BE-së, u bashkua me NATON-n si anëtare e plotë në vitin 2009. Më 9 korrik 2008, të 26 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan gjatë një ceremonie në selinë e NATO-s në Bruksel, Protokollet e Anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë. Aktet juridike i u bashkëngjitën Traktatit të Uashingtonit duke siguruar hapin e rëndësishëm institucional të anëtarësimit të vendit në Aleancën Atlantike.
•- Shqipëria mori pjesë për herë të parën si anëtare me të drejta të plota e NATO-s në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009. Ndërkohë më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në NATO.
•- Në menatën e 21 Korrikut 2017 u miratua “Reforma në Drejtësi”, sipas Ligjit: “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, e ndryshuar”, me 140 vota pro”. Data 21 korrik 2017 shënoi kthesën historike të Shqipërisë, mbas shumë peripecive të shkaktuara si rrjedhojë e koncepteve qesharake mesjetare në përcaktimin e kombit shqiptar.
•- Shqipëria nuk ndalet, ecën e sigurtë drejt hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE, dhe me shpresë se brënda qershorit të këtij viti ta realizojë atë. Në vijim të reformës në drejtësi, megjithë pengesat e brendshme subjektive, me datë 18.12.2017 u zgjodh Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme. Emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm, në kushtet konkrete u zgjodh i Përkohshëm, por ishte i ligjshëm dhe në linjë me ecurinë e reformës në drejtësi. U realizua gjithashtu ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), strukturë kushtetuese e Refomës në Drejtësi. Institucion i cili emëron edhe Prokurorin e Përgjithshëm.
•- Me datë 17 prill 2018, drejtuesit kryesorë të Këshillit të BE-së dhanë rekomandimin për hapjen e negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Me shumë shpresa presim muajt maj-qershor që 27 vendet e BE-së të na ligjërojnë çeljen e negociatave.
•- Uroj që negociatat dypalëshe Shqipëri-Greqi të rezultojnë të suksesëshme, të mos priren nga konceptet fetaro-nacionaliste për zgjidhjen e problemeve të mbartura nga e kaluara.T’u jepet e drejta e mohuar popujve që të banojnë të lirë dhe të barabartë në vendet e tyre autoktone.
Uroj që ndjenjat ndaj përgjegjësive kombëtare të sfidojnë zilitë dhe ambicjet negative partiake, të cilat vazhdojnë të dëmtojnë dhe pengojnë seriozisht për shumë kohë ecjen e Shqipërisë në vendin e merituar, të shumë vonuar. Konceptet e djeshme “Partia mbi të gjitha” dhe të sotmet “Partia mbi interesat e Atdheut”, kanë vlera të përkohshme. Partitë përfaqësojnë interesa grupnjerëzish, me jetëgjatësi të kufizuar dhe vdesin siç vdiq e djeshmja. Partitë sigurojnë jetëgjatësi kur janë të njëzëshme ndaj interesave të Atdheut!
Uroj gjithë shqiptarët kudo ndodhen, që nëpërmjet përpjekjeve dhe punëve serioze të arrijnë të bëjnë fakte të gjitha synimet drejt një vendi të ndritur, siç e kanë dëshiruar dhe kërkuar “Rilindasit” tanë në shekullin që kaloi.

24 prill 2018.- Fahri Dahri

•.- Shënim(¹):Traktati i Versajës- Ishte një nga traktatet e paqes në fund të Luftës së Parë Botërore. U nënshkrua më 28 qershor 1919. Traktati i paqes u regjistruar nga Sekretariati i Lidhjes së Kombeve më 21 tetor 1919, dhe u botua në “Serinë e Traktateve të Ligës së Kombeve
•.- Shënime (²): Lordi Sesel, përfaqësuesi i Afrikës Jugut, dashamirës i shqiptarëve, propozoi dhe insistoi që kërkesa e Shqipërisë të shqyrtohej e të votohej në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme.
•.- Rrugëtimi historik, synon në domosdoshmërinë e ballafaqimit të përgjegjshmërisë kombëtare të lidërve të djeshëm patriotë, me veprimet agresive mes drejtuesve të partive të pas vitit 1991, me pasoja deri në kufijt kritikë të ekzistencës së shtetit. Prandaj kujtohet rrugëtimi historik, për të ndikuar tek të gjithë në rritjen e përgjegjshmërisë kombëtare!

Shperndaje ne
Updated: 28 Prill, 2018 — 13:33

The Author

Fahri Dahri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Bashkimi i Shqipërisë © 2014 Bashkimi i Shqiperise
Show Buttons
Hide Buttons