Historia e formimit të klubit të futbollit “Skënderbeu” të Korçës

Nga Vepror Hasani

Asgjë nuk lind rastësisht edhe pse mund të duket si e parathënë. Në fillim u krijua Shoqëria “Dituria shqip” nën kujdesin e Orhan Pojanit. Kjo shoqëri hodhi hapin e parë të krijimit më 5 shtator 1908. Dhjetë ditë më vonë zgjodhi pleqësinë. Ata ishin: Ymer Zavalani, kryetar nderi, Orhan Pojani, kryetar e të tjerë, ndërsa pleqësia përbëhej prej: Thoma Eqimit, Qani Dishnicës, Hafëz Ali Korçës, Thimi Çikozit, Ismail bej dhe Tefik Panaritit. Mbledhja u bë në shtëpinë e Sami Pojanit. “Dituria shqip” synonte që nëpërmjet lëvizjes kulturore dhe sportive t’i vinte në ndihmë çështjes kombëtare. Dhe ia arriti qëllimit.
Pa u vonuar shumë krijuan shoqërinë muzikore “Banda e Lirisë”. Ajo u bë e njohur në Korçë, në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë vendit. U krijua lëvizja teatrore. Në skenë u vu drama “Besa” e Sami Frashërit dhe pjesë të tjera teatrale. Drama u dha edhe në qytetin e Manastirit. Nxorën gazetën e parë shqiptare me emrin “Korça”. U ngrit shypshkronja “Korça”.  U nxit lëvizja sportive. Këtu nis dhe zanafilla e “Skënderbeut” të Korçës. Ëndërrohej fort për një futboll të suksesshëm, por 6 vjet më vonë, më 7 dhjetor 1912, në Korçë hyri ushtria greke me andartët dhe gjithçka u ndërpre.

Nisi përsëri aty ku kishte mbetur më 1920, pas largimit të francezëve.

Fazlli Frashëri, një emër i njohur i qytetit të Korçës themeloi sportklub Korçën dhe Skëndërbeun. Sipas Mjeshtrit të merituar të futbollit, Todo Vaso, “Skënderbeu” u themelua në vitin 1925, por pa sjellë ndonjë referencë. Për mendimin tonë “Skënderbeu” është riformim i sportklubit “Korça” nga Faslli Frashëri.

Ndërsa për sportklubin e Korçës kemi këtë njoftim:

 “Këto ditë u themelua këtu në Korçë klubi sportiv nën kryesinë e z. Fazlli Frashëri, i cili kohët e fundit po tregon një energji me pasion për organizimin e sportit. Këto ditë do të kërkojnë lejen e qeverisë dhe do të nisin nga veprimet…”.(“Gazeta e Korçës”, 17 gusht 1926)

Sportklub “Korça” u bë një skuadër e njohur. Mori pjesë edhe në ndeshjet me skuadrat e vendeve fqinje: “Sot u nisën për në Manastir lojtarët e sportklub “Korça”, nën kryesinë e kryetarit të klubit z. Fazlli Frashëri për të dhënë një maç futbolli me lojtarët e sport klub “ Bitola ”, prej të cilit dhe u ftua. Maçi do të bëhet nesër pasdreke dhe lojtarët tanë do të kthehen pasnesër, të hënë. Ju urojmë sukses të plotë. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 18 shtator 1926)

Sigurisht, para sportklub “Korçës”, më  1923 ishte themeluar shoqëria “Shpresa” e liceut francez. (Liceu pati jetën e vet edhe pas ikjes së francezëve). Dy vjet më pas, Bashkia nisi të ndihmonte ringjallejn e sportit. Shoqëria “Shpresa” bënte këtë falenderim:

“Falenderojmë nxehtësisht Bashkinë e Korçës, e cila pati mirësinë të ndihmojë shoqërinë tonë për të realizuar programin e saj sportiv me një shumë prej 500 franga ar. Shpresojmë që gjithë përkrahësit e sportit të na ndihmojnë qoftë edhe me dhurata të vogla. Kryetari i shoqërisë “Shpresa”, Refi Kasimati”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 7 shkurt 1925)  
Më pas u krijua edhe një skuadër tjetër: Njoftimi i shtypit ishte ky:

“U formua në qytetin tonë (Korçë) një grup sportiv me emrin “Zhgaba” dhe dje mori pranimin duke u njohur zyrtarisht. I urojmë të suksesojnë dhe të përparojnë”. (“Zëri i Korçës”, 23 nëntor 1926)

Megjithatë asnjë nga skuadrat që ishte krijuar më parë dhe as ato që u krijuan më pas, nuk mundën të dilnin mbi “Sportklub “Korçën”. Kjo skuadër tërhoqi edhe vëmendjen e Presidenti të asaj kohe, Ahmet Zogut. Shtypi i kohës shkruante:

“Prej burimesh të sigurta informohemi se Shkëlqesia e Tij, Ahmet Zogu, Kryetar i Republikës Shqiptare, i dhuroi sportklubit “Korça” 1000 franga ari si ndihmë që të mund të zhvillohet dhe të përparojë. Shkëlqesia e tij ka përkrahur kurdoherë artin, sportin, muzikën moralisht dhe materialisht dhe djelmuria ka mbetur kurdoherë e kënaqur dhe çfaq falenderimet”. (“Zëri i Korçës”, e shtunë, 29 janar 1927)
Ndërkohë skuadra të tjera vijonin të krijoheshin:

“U formua në qytetin tonë edhe tjatër shoqëri e re, me emrin “Klubi Sportiv Artistik” me qëllim që të merret me çvillimin e ndjenjave sportive dhe artistike të djelmurisë”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 1 janar 1927)

Viti 1927 solli edhe skuadra të tjera të quajtura: “Leka i Madh”, “Pirro”, “Brekverdhit”, “Zjarri”, “Tigri”, “Diamanti” etj, por asnjëra prej tyre nuk e pati jetën të gjatë. Në vitin 1929 përmenden këto shoqëri sportive: Skënderbeu, Kastrioti, Monarkia, Pirro dhe Dominasten. (Gazeta “Zeri i Korçës”, 27 gusht 1929).

Viti 1930 nxiti skuadrat e vendit të hynin në një stad të ri më të kualifikuar e më profesional. Enti Kombëtar, organ qendror në Tiranë,  përcaktoi 16 prillin e vitit 1930 si datën e kampionatit të parë të futbollit shqiptar. (Federata Shqiptare e Futbollit u krijua më 6 qershor 1930). Në këtë kampionat mori pjesë edhe “Skënderbeu” ku bënte pjesë “Tirana”, “Bashkimi shkodran”, “Teuta”, “Urani” (Elbasani) dhe “Vlora”.  Për këtë arsye u bënë të gjitha përpjekjet që Skënderbeu të prezantohej denjësisht.

Mbi të gjitha, pritej ardhja e Qemal Omarit dhe e Servet Teufik Agajt, dy nga më të njohur të futbollit të skuadrave turke ku ata luanin. Ardhja e tyre u pasqyrua edhe nga gazetat e korçes:

“Sikundër patmë lajmëruar në një numë më parë, që prej disa ditësh çështja e riformimit të shoqërisë sportive të Korçës, “Skënderbeu”, kishte hyrë në rrugë të mirë dhe përfundoi brenda një kohe te shkurtër. Botimet tona u vërtetuan plotësisht prej fjalëve dhe çështja sportive e Korçës përfundoi në mënyrën më të mirë e më të pëlqyer. “Skënderbeu” u formua përsëri. Dje u bënë formalitet e duhura zyrtare pranë Prefekturës prej anës së Federatës Sportive të Korçës”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 13 shtator 1930)

Përgatitjet për t’u përballur me skuadrat e tjera të kamionatit ishin të mëdha. Në ndihmë u erdhi sërish Mbreti Zog: Ato ditë u përcoll ky lajm:

Me gëzim muarëm vesh se Lartmadhëria e Tij, Mbreti, i ka dhuruar shoqërisë sportive “Skënderbej” të Korçës, një mijë franga ari. Interesimi i L.M.T. Mbretit, dhe simpathia që yshqen për sportistët korçarë ka bërë përshtypjen më të mirë në gjithë popullin e qytetit”. (Zëri i Korçës, e shtunë 6 dhjetor 1930)

Përpjekjet për një skuadër sa më të mirë vijuan edhe gjatë vitit 1931, ku sërish në krye të skuadrës së “Skënderbeut” qëndron Fazlli Frashëri, gjë që bëhet e ditur nga “Gazeta e Korçës”, 1 korrik 1931, ku  bëhet fjalë për një ekip të riorganizuar.

I shumëprituri Qemal Omari mbërriti në Korçë. Ai dhe Servet Teufik Agaj u bënë shpresa e Skënderbeut. Omari mori rolin e kapitenit të përgjithshëm. Në një nga kronikat e shtypit thuhej:

“Shoqëria sportive e Korçës “Skënderbeu”, duke dashur t’u përgjigjet lutjeve që i drejtohen, lajmëron të gjithë sportistët e qytetit, të cilët s’janë anëtarë të shoqërisë, se gjer më 4 korrik 1931 pranon të regjistrohen anëtarët të rinj futbollistë kundrejt një takse për hyrje, dy lekë. Pas asaj date nuk do të merret parasysh asnjë lutje. Dëshironjësit duhet t’i drejtohen kapitenit të përgjithshëm z. Qemal Omar ose Këshillës. Nga zyra e shoqërisë”. (“Gazeta e Korçës”, e enjte 4 qershor 1931)

Kush ishte Qemal Omari e mësojmë më së miri nga shtypi i kohës:

“Kapiten Qemal Omari fillon rregullimin e skuadrës futbollistike të Skënderbeut. Me kënaqësinë më të madhe informohemi se shoqëria sportive e këtushme “Skënderbeu” emëroi si kapiten të përgjithshëm të futbollit anëtarin e saj të shquar z. Qemal Omari duke i lënë një kompetencë të gjerë. Z. Qemal Omari s’ka nevojë për rekumandime. Ndonëse në Shqipëri ndodhet vetëm prej dy muajsh, është i njohur mirë midis atyre që merren me lëvizjen tonë sportive dhe veçanërisht me futbollin. Megjithatë e quajmë të arsyeshme të japim disa informata të shkurtra mbi zotërinë e tij, sado që e dimë se kështu do të gjendemi në kundërshtim me modestinë që e karakterizon. Z. Qemal Omari ka njëzet vjet që po merret me futbollin. Disa vite më parë ka marrë pjesë edhe në skuadrën nacionale të Turqisë, vjete me radhë ka qenë sekretar i përgjithshëm i Federatës së Stambollit, ku shërbeu për sa u kthye në atdhenë e tij. Është një arbitër internacional me kartë arbitri FIFA-s (Federation Internacional de Football Association). Në kohërat e fundit organizoi në Stamboll një shoqëri të re sportive “Istambulspor”, e cila sot ndodhet në kategorinë e parë dhe skuadra e saj footballistike fitoi vjet kupën e atij qyteti”. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë, 6 qershor 1931)

Shtypi vijonte të shkruante për Qemal Omarin:

“Kur ndodhej para pak kohe në Stamboll, me rastin që arbitroi matchin e championatit midis shoqërive Fenerbahçe-Gallatasaray, dy skuadrat më të forta të Turqisë, gazetat e atjeshme e komentuan më fjalët më të bukura arbitrazhin e tij. Për tregim, gazeta “Vëkët” datë 21 mars 1931 shkruan se “… matchi u arbitrua prej z. Qemal Omari, arbitrit më të mirë e më të drejtë të Stambollit”. “Politika” gjithë po asaj date, thosh këto: “Z. Qemal Omari e arbitroi matchin duke mos i lënë vend as parregullimit më të vogël. E përgëzojmë”. Kapiteni i skuadrës nacionale turke Zeqi bej, i pyetur prej bashkëpunëtorëve sportivë të gazetës “Xhumhuriet” midis të tjerave deklaroi edhe këto, në mbarim t’atij matchi: “Dua të flas dhe mbi një pikë kryesore, që ka shumë rëndësi për sportin e Stambollit. Me këto fjalë dua të hyj në çështjen e arbitrave, kundër të cilëve kemi patur ankime. Arbitronjësi i matchit z. Qemal Omari me shikimet e tij në vend dhe duke mos u lejuar lojtarëve as gabimet më të vogla, e drejtoi lodrën me të vërtetë si një arbitër i mbaruar i Europës dhe plotësoi detyrën e tij gjer në fund me zotësi të çquar. Do të qemë shumë të kënaqur sikur edhe arbitrat e tjerë duke vazhduar me këtë mënyrë ta plotësonin kështu detyrën që u përket, e cila lot një rol me rëndësi në përparimin e sportit. Me këtë rast e ndjej për detyrë të falenderoj z. Qemal Omar”. (“Gazeta e Korçës”, 6 qershor 1931)

Besimi i njerëzve për një Skënderbe të sukseshëm ishte rritur.

“Shoqëria e Korçës mund të quhet e lumtur dhe mund të mburret që numëron midis radhëve të saj një sportsmen me zotësinë e z. Omari. Ne nga ana jonë i urojmë suksese në detyrën që ka marrë përsipër, duke qenë të sigurtë se aktiviteti i tij do t’i sjellë shumë dobira jo vetëm sportit të Korçës, por edhe atij të Shqipërisë përgjithësisht. Edhe një rekumandim të vogël sportistëve të “Skënderbeut”, na duket jo i tepërt. Në qoftë se ata duan të përparojnë vetë dhe të ngrejnë gjithmon lart ngjyrat e shoqërisë së tyre duhet të tregohen përherë sportistë të disiplinuar e të zellshëm. Kështu do të mundin t’ua lehtësojnë barrën udhëheqësve të tyre dhe do të plotësojnë detyrën që kanë kundrejt popullit sportdashës të Korçës, i cili po i ndihmon sikundër nuk ndihmohen sportistët në asnjë qytet tjetër të shqipërisë”. (“Gazeta e Korçës, e 6 qershorit 1931)

Kampionati përfundoi dhe “Skënderbeu” u shpall nënkampion i Shqipërisë me 14 pikë aq sa kishte edhe Tirana, skuadra që u shpall kampione. Skënderbeu edhe mund të kishte qenë fitues i kampionatit, por Qemal Omari nuk pranoi të merrte pjesë në ndeshjet e plejofit ku do të përcaktohej ekipi kampion. Korça nuk u paraqit as në Korçë më 29 qershor 1931 dhe as në Tiranë më 6 korrik, 1931, pasi korçarët patën pretendime për ndeshjen direkte midis Skënderbeut dhe Tiranës në javën e fundit të kampionatit. Për këtë arsye, Tirana doli fituese në tavolinë me dy fitore aforfe me të njëjtin rezultat 2-0.
Në vitin 1933 Korça u  shpall kampione.  Emocionet e atij kampionati po i sjellim më poshtë. Në përfundim të kampionatit të vitit 1933, skuadrat kishin arritur këto rezultate: Skënderbeu: 8 matche, fituar 5, barazim 2, humbur 1, goalsa 18:6, pikë 12. Bashkimi shkodran: 7 matche, fituar 5, humbur 2, goalsa 14:8, pikë 10. Teuta: 7 matche, fituar 2, barazuar 2, humbur 3, golasa 11:10, pikë 6. Sportklub Tirana: 7 matche, fituar 2, barazuar 2, humbur 3, goalsa 10:11, pikë 6. Sportklub Kavaja: 7 matche, fituar 1, humbur 6, goalsa 4:19, pikë 2. (“Gazeta e Korçës”, e shtunë 10 qershor 1933)  

Ja si përshkruhet fitorja e kampionatit: “Korça fiton kampionatin kombëtar të futbollit. Vullneti për fitim, kurajoja dhe fati janë tri gjërat që futnë këtë vit në kampionatin e katërt të futbollit skuadrën korçare “Skënderbeun”. Atje ku ka vullnet dhe kurajo, ka edhe fitim. Dhe kjo thënie kaq e bukur u vërtetua me fitimin e kampionatit. Skuadra e Korçës në fillim të kampionatit dukej një skuadër jo në formë dhe kjo provohet nga thëniet e shumë sportdashësve të cilët gjer në atë moment që shihnin skuadrën e tyre në fushë ishin të kënaqur me vendin e tretë, ose të katërt në klasifikim se lojtarët ishin dhe të papraktikuar, ardhja e papandehur e centërforëardit, Servet Teufik Agaj u dha një kurajo të madhe dhe i shtyti, si edhe disa arsye të tjera për një bashkëpunim më vllazëror. Fitimi i match-it të parë kundër skuadrës kampione të tri viteve me radhë ua shtoi edhe më tepër zellin për fitim. Vazhdojnë matchet e tjerë edhe skuadra kampione e përkrahur prej vullnetit, kurajos, sigurimit dhe fatit, korr njëpasnjë fitime të bujshme. Qendron në krye të klasifikimit, që në krye gjer në fund të kampionatit, dhe asnjë skuadër tjetër nuk mund ta rrezikojë për ta rrëzuar. Shkodra e ndjek këmba-këmbës, por fati i saj i keq, nuk e lë që ta arrinjë. Herë e ngre me një pikë diferencë dhe herë e rrëzon me dy pikë. Dhe së fundi në matchin me Durrësin mundet me një rezultat vërtet të shtrënguar 1-0, por që i kushtoi dy pikë të vlefshme se me këtë mënyrë Korça do ta merrte kampionatin vetëm nga golasat. Thamë më sipër faktorët krysorë të fitimeve të skuadrës korçare në kampionatin e katërt, por nuk duhet të harrojmë se njëmbëdhjetësihi i Skënderbeut kishte në gji të tij dy kollonat. Me këtë nuk duam të themi se skuadra përgjithësisht nuk lojti mirë, përkundër, shumica çvilloi një lojë të bukur- këto dy kollona janë patjetër Klani Marjani i çkathët, gjak ftohtë dhe kudroherë gati, ruajtës besnik i portës së tij dhe Halfi Fori Stasa i shpejtë, dredharak dhe kurdoherë i pari në vendin e rrezikut, të cilit i bën ballë fare bukur.

Kurse vija e parë ushqehet bukur prej vijës së dytë, Agaj është rregullonjës, shpirti i vijës së parë si edhe i tërë skuadrës”. (“Gazeta e Korçës”, e mërkurë 14 qershor 1933)

Gjithsesi, asgjë nuk ndodh rastësisht, Ardhja e Qemal Omarit dhe Tefik Agajt nga Turqia bënë të mundur shkëlqimin e “Skënderbeut”. Këtë shkëlqim do ta fitonte sërish vetëm pas viteve ‘90 me kapitenin e ekipit Bledi Shkëmb.

Shperndaje ne
Updated: 30 Prill, 2018 — 16:03

The Author

Vepror Hasani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.