VËSHTRIM PËR PËRMBLEDHJEN POETIKE “DIALOG ME YJE” TË POETIT, SAMI SHERIFI

VËSHTRIM PËR PËRMBLEDHJEN POETIKE “DIALOG ME YJE” TË POETIT, SAMI SHERIFI
(Dhembja dhe malli për atdheun-motive dominuese të poezisë së autorit)

I

Shkruan Zymer MEHANI

Poeti Sami Sherifi është një ndër krijuesit më seriozë të letërsisë shqipe në Maqedoni, që me dendësinë e mendimeve, të fjalëve e të vargjeve shpreh thelbin e problemeve dhe me kujdesin e mjeshtërinë e përpunimit të vargut, poezia e tij të përvetëson dhe të bën për vete që në kontaktin e parë.
Në vëllimin poetik “Dialog me yje” Sherifi, vërtet ka sjellur realizime të bukura, ku ndjenjat dhe mendimet janë gërshetuar aq mirë në mes tyre, duke na dhuruar poezi të mirëfillta me plot kuptimin e fjalës. Këtu hasim poezi të kulluara lirike (refleksive, sociale, të kurbetit, atdhetare etj.) me vlera antologjike, që janë pasqyrë e nivelit të zhvillimit të mendimit poetik të poetit, Sami Sherifi.
Mund të themi lirisht se z. Sherifi e kupton me seriozitet të theksuar rolin dhe detyrën e artistit (të poetit), që frymëzimin, motivet dhe tematikën i gjen kudo: në vatrën ku u lind e u rrit, në plagët e kurbetit, në trotuaret e rrugëve të Shkupit, në pritjet e nënës te pragu i shtëpisë, në ngjyrat kuq e zi etj. etj.
Sherifi e ka këndin e vet të vrojtimit të problemeve dhe të andrallave që i sjell jeta, nga i cili s’u mashtrua asnjëherë, por as u ndal kurrë, edhe pse shpeshherë u bënë përpjekje për ta penguar shikimin e tij dhe për ta ndaluar zërin e tij prej poeti.
Poeti, Sami Sherifi frymëzimet e veta poetike nuk i kërkon dhe as i gjen vetëm në aktualitet, por edhe në histori, në të kaluarën e njerëzve dhe të kombit tonë, duke i gërshetuar kështu elementet dhe çastet karakteristike të së kaluarës, me ato të së tashmes për të dhënë një tablo edhe më të qartë çështjesh.
Në vëllimin poetik “Dialog me yje” janë prezente pothuajse të gjitha elementet karakteristike të stilit të poetit Sami Sherifi: meditimet për jetën, lirizmi i thellë dhe tablotë, prej të cilave nxjerrim idetë, mendimet dhe porositë e poetit. Sherifi është poet, që vërtet ndjenjat dhe mendimet e frymëzimeve të veta i ka ngritur në një shkallë të lartë për t’i bërë të përgjithshme dhe të pranueshme për të gjithë. Si të këtilla, mendimet dhe idetë e tij fitojnë kuptim dhe domethënie edhe më të madhe se sa ajo që duket në shikim të parë.
Jeta në robëri, gati gjithmonë të mashtruar, kushtet e rënda për shqiptarët e Maqedonisë gjatë komunizmit, e kanë mësuar poetin Sherifi për t’i shikuar gjërat më thellë, për t’i hetuar kotësitë e përrallave dhe të shpresave të gënjeshtërta etj…dhe kështu vetë jeta, në këto kushte, në të cilat ka jetuar, e ka kalitur poetin, duke e mësuar të bëhet i qëndrueshëm dhe t’i durojë edhe sakrificat më të mëdha, siç është p.sh. largimi nga vatra ku u lind e u rrit, për të shtegtuar drejt shtigjeve të panjohura të mërgimit.
Në pjesën dërrmuese të poezive të Sherifit hasim dromca jete reale dhe të hidhura, të paraqitura bukur me mjete dhe aftësi krijuese artistike, dromca këto edhe nga historia e trojeve tona shqiptare të fyera nga i huaji, por kurrë të nënshtruara.
Vërtet poeti, Sami Sherifi është krijues që frymëzimet e veta i gjen në realitetin e jetës. Mendimet e veta për çështje të ndryshme ai i thotë me guxim dhe mjeshtëri artistike.
Kujdesi dhe angazhimi i poetit, Sherifi në gjetjen e fjalëve gjegjëse, të gdhendjes së fjalës, të vargut e të mendimit dhe preciziteti i të shprehurit i japin mundësi atij që me pak fjalë të thotë shumë. Sami Sherifi nuk shkruan vargje sipas ndonjë shablloni metrik, d.m.th. vargjet e tij s’kanë rrokje të matura dhe as rima kurrfare, ngase ai e kultivon vargun e lirë, duke i dhënë një ritëm të gjallë. Përputhja e aty-këtushme e rrokjeve që mund t’i ndeshim në vargjet e tij, u japin atyre një melodikë duke ua shtuar edhe më tepër efektin artistik. Përndryshe Sherifi në vargjet e veta kultivon një gjuhë të pastër, plot e përplot me shprehje e fjalë figurative, me trope, metafora e figura të shumta stilistike, që mund të zbërthehen pa ndonjë vështirësi të madhe.
Të gjitha këto elemente dëshmojnë se nga poezitë e z. Sherifi mund të mësohet shumë edhe për hulumtimin e gjetjen e frymëzimeve poetike, edhe për zgjedhjen e problemeve dhe potencimin e çështjeve më jetike në krijimtarinë artistike, edhe për mënyrën dhe mjetet artistike të të krijuarit dhe të thururit të vargjeve me mjete artistike, me figura që mundësojnë dendësinë e mendimeve, shprehjen e ndjenjave me fjalë të kursyera, elemente këto që e bëjnë poezinë e Sami Sherifit edhe më të lexueshme, duke i dhënë efekte të mëdha artistike e letrare.
II
Njëri prej poetëve bashkëkororë të letërsisë shqipe është edhe z. Sami Sherifi, krijues mërgimtar, meqë rreth 34 vjet të jetës së tij i kaloi në mërgim, kryesisht në Zvicër.
Sami Sherifi u lind më 15 shkurt 1950 në fshatin Sillare e Poshtme të Shkupit. Pas mbarimit të Shkollës Normale “Zef Lush Marku”, z. Sherifi ushtroi detyrën e mësimdhënësit në periudhën 1969-1981, kohë kjo, kur shumë intelektualë të shquar shqiptarë, në mesin e tyre edhe Sami Sherifi, detyrohen të largohen në egzil për shkaqe të përndjekjeve politike.
Z. Sami Sherifi diplomoi në Degën e Pedagogjisë, Grupi klasor në Universitetin e Prishtinës. Me krijimtari letrare nisi të merrej që prej vitit 1969. Veç të tjerash, poeti, Sherifi shquhet edhe për kultivimin e traditës dhe të kulturës sonë kombëtare në mërgatë.
Poeti, Sami Sherifi deri më tani ka botuar disa vëllime poetike. Botimi i librave të tij është bërë jashtë atdheut, në Itali dhe në Rumani, me cytjen e miqve krijues, z Ismail Iliazi, me vendqëndrim në Itali dhe z. Baki Ymeri, me vendqëndrim në Bukuresht, të cilët autori për punën që e bëjnë me botime në frymën kombëtare dhe për ndihmën që i bënë për botime, i falënderon nga zemra dhe u është mirënjohës përjetësisht.
Poeti Sami Sherifi me poezitë e tij është i përfshirë në disa antologji poetike. Për krijimtarinë e tij letrare janë interesuar edhe disa gazeta e revista, siç është revista letrare “ALBANEZUL “(Shqiptari) e Bukureshtit, e cila një numër tematik ia kushton jetës dhe krijimtarisë së poetit, Sherifi (nr. 6. 2014). Pastaj, për krijimtarinë e këtij poeti interesim kanë shfaqur edhe shtëpi të ndryshme televizive, si TV SHENJA e Shkupit, gazeta e Prishtinës “Bota Sot” etj. etj.
Vlen të theksohet se poeti, Sherifi gjatë periudhës së viteve 1970-1981 për shtyp i kishte dërguar në SHB “Flaka e vëllazërimit” tri përmbledhje poetike, të cilat lëre që nuk ia botuan, por ç’është më e keqja, edhe ia zhdukën fare.
Miku i z. Sami Sherifit, poeti Baki Ymeri, me banim në Bukuresht për poezinë e këtij poeti do të shkruajë:
“Idetë, provokimet, përvojat dhe frymëzimet krijojnë vepra dhe ikona letrare. Rikthimi në vendlindje nxjerr në pah botën magjike të një kohe të shkuar. Autori, Sami Sherifi ruan në këto shëtitje mallin e kohës së fëmijërisë dhe të rinisë. Ide pragmatike dhe inspirime të mirëfillta lirike. Duke menduar për ato kohë të largëta, poetit i duket sikur është më afër me aromën e barit, me zhurmën e bletëve, me ylberin e fëmijërisë. Që të depërtosh në botën e fëmijërisë duhet të mahnitësh botën.
Sami Sherifi nuk shkruan poezi për fëmijë, por për të rritur. I kujtohet koha kur fëmijët e mëhallës kafshatën e bukës e ndanin me njëri-tjetrin, kur dielli zbriste në zenit. Bota pa kujtime është si livadhi pa lule. Kjo mahnitje nxit interesim për gjithçka që na rrethon, dhe mu kjo përbën pikënisjen për çdo poezi….”.
Deri më tani poeti, Sami Sherifi ka botuar këto përmbledhje me poezi:
1. “Mallëngjim Dheu” (i botuar dhe promovuar në Itali);
2. “Si të kthehem në atdhe” (i botuar në Bukuresht);
3. “Porta e Parajsës”( botuar në Bukuresht);
4. “Dielli i atdheut tim” (i përkthyer edhe frengjisht “Le
solcit de ma patria”);
5. “Shpirti” (i përkthyer edhe në rumanisht”Sufletul”);
6. “Ëndrra e madhe mërgimtare” (në shqip, e përkthyer në anglisht dhe rumanisht);
7. “Dridhet fjala si fije bari” etj.
Pra, të gjitha këto vëllime poeti i ka botuar në Bukuresht dhe njërën syresh në Itali.
Aktualisht, poeti, Sami Sherifi gati për botim i ka edhe tri përmbledhje me poezi.
Pas kthimit nga mërgimi z. Sami Sherifi është i angazhuar në jetën kulturore dhe artistike në Shkup, ku edhe formon Klubin Letrar “ABC-ja Poetike”, të cilin e udhëheq me sukses.
Më 2015 z. Sherifi pat organizuar në Bllacë një orë letrare, që përveç karakterit poetiko-letrar, kishte për qëllim që të rikujtohet eksodi i vitit 1999. Poeti Sherifi ka organizuar edhe shumë takime letrare dhe ka marrë pjesë në shumë veprimtari kulturore, si në Shkup, Prishtinë dhe në qendrat e tjera shqiptare, ku është shpërblyer me mirënjohje dhe çmime.
Dhe fare në fund, poetin e talentuar, z. Sami Sherifi e falënderojmë për ndihmën që na ofroi, duke na dhënë informacione të nevojshme për ta përgatitur këtë biografi të shkurtër të tij.
Në emrin tim, të drejtorit të SHB “PROKULTPRESS” Mr. Fatmir Halimi dhe në emër të lexuesve tanë besnikë, poetit Sami Sherifi i urojmë suksese të mëtutjeshme në krijimtarinë e tij letrare, po ashtu edhe shëndet dhe çdo të mirë në jetë.
Me respekt të veçantë!

Shperndaje ne
Updated: 10 Maj, 2018 — 02:47

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.