VËSHTRIM PËR VËLLIMIN POETIK”DIELL NË SHPIRT LIRIE” (KUSHTUAR DËSHMORIT TË KOMBIT, FADIL NIMANI)

Përmbledhja poetike “Diell në shpirt lirie” (Vargje për dëshmorin, Fadil Nimani), përgatitur nga poeti z. Nehat JAHIU.
I

Shkruan Zymer Mehani

Poezitë e vëllimit për dëshmorin Fadil Nimani po vijnë në duart e lexuesve në Vitin e Gjergjit- në 550-vjetorin e lindjes së kryeheroit tonë kombëtar, ngjarje me rëndësi tepër të madhe për kombin tonë.
Madhështore janë të gjitha poezitë e vëllimit “Diell në shpirt lirie”, që e përjetësojnë në art figurën heroike të Fadil Nimanit, i cili ishte këmbëngulës dhe nuk lejoi asnjëherë përdhosjen e atdheut dhe as të flamurit tonë kombëtar, që shqiptarëve u priu në luftëra të pareshtura për liri që nga Moti i Madh i Skënderbeut e deri në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Andaj, duke qeni i brumosur me atdhedashuri, ky trim:

(…)
Prej Kosove
Për lirinë e Ilirisë
Me bekimin e Nënëlokes
Me lavdi luftës
Ia ka nisë

(…)
Në fushë nderi
E me burrëri
Fadil Nimani
Prej Dukagjini
Ra hero
Për liri

(Hysen Këqiku “Lum për nënën që të ka rritë”).

E përgjakshme do të ishte jeta e Atdheut dhe shekujt do ta rëndonin me motet e robërisë, po mos të ishin atdhetarët, siç ishte edhe Fadil NImani, që u sakrifikuan për gjuhën dhe flamurin, për shkëmbin e gurin, fushën dhe malin, lumin e detin.
(…)
Shekujt i kam shkruar në ballin e shqiptarisë
Kurrë nuk do lejoj të shkelet ëndrra e lirisë.

Lashë një porosi o shokë, ndaj mos harroni
Me gjuhën e zemrës para se të vdiste foli:
“Dëshmor ose jo, si të doni më quani
Por amanetin për liri, vëllezër ma ruani”.

(Nehat Jahiu “Amanetin për liri”)

Heronjtë nuk u stepën as u ndalën për asnjë çast.
Pas përplasjeve të stuhishme në qiellin e atdheut, dritë lirie do të dukej mbi retë e robërisë, sepse si rreze lirie do të shfaqeshin në qiellin e atdheut heronjtë: Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha, Shabani, Ademi e Hamzai, Fehmiu e Xheva, Antigonë Fazliu e Vëllezërit Haradinaj, Sandokani, Fadil Nimani, Tahir Sinani e shumë e shumë të tjerë, të cilët luftuan e qëndruan nën flamurin kuq e zi. U betuan në Shqipen Dykrenare se do ta rilindnin madhështinë e Atdheut dhe do t’ia kthenin krenarinë duke i kërkuar dhe vizatuar me gjakun çlirimtar kufijtë e Shqipërisë Natyrale, të lodhur e të drobitur nga robëria dhe të rrudhur e të tkurrur gjithandej nga barbarët.
Poezia e poetëve në këtë përmbledhje, na del si një poezi kushtruese, në të cilën dominon ideja e atdhetarizmit të dëshmorit Fadil Nimani me shokë, ku sublimon ideali i lartë për një Atdhe pa ndarje, në të cilin shqiptarët do të jetonin me dinjitet të panëpërkëmbur në tokën e tyre të mohuar.

Sa shumë dëshmorë, sa shumë heronj,
Nuk e kursyen jetën për liri,
Mbetën martirë të përjetshëm në histori
Populli nuk ju harron, ju ngre në piedestal
Ju këndon këngë me sharki e çifteli

Krenohet Kosova që lindi e rriti djem si ti’
Që s’iu trembën dushmanit serb e sllav,
Trim mbi trimat, Fadil Nimani
Nuk të harron kurrë vatani
Trim e atdhedashës, burrë i mençur i rrallë.

(Shqiponja Panajoti “Për ty, Fadil Nimani”)

II
Pra, u kuptua mirëfilli se vargjet e thurura bukur, të brumosura me plot atdhedashuri, kushtuar dëshmorit Fadil Nimani në këtë përmbledhje i këngëtojnë poetët nga Shqipëria aktuale, nga Kosova, nga Lugina e Ilirida, por edhe nga diaspora.
Të flasësh për vëllimin poetik “Fadil Nimani”, do të thotë, në radhë të parë, të flasësh për lidhjet e këtyre poezive me fatet e atdheut tonë dhe të bijave e bijve më të denjë të tij, që u flijuan për lirinë e tij. E njëri ndër më trimat ishte edhe dëshmori Fadil Nimani, figura e të cilit është ravijëzuar në këtë përmbledhje përmes vargjesh, përshkrimesh dhe tablosh të detajuara në motivin konkret gjithnjë atdhetar, në pasqyrime emocionuese aktesh të heroizmit të tij, në reflektime poetike ndjenjash e mendimesh frymëzuese për këtë dëshmor të atdheut. Të gjitha këto tablo gjetën bazament të fortë në faqet e biografisë së lavdishme kombëtare të dëshmorit Fadil Nimani, që ne poetët i shfrytëzuam për t’i shtjelluar në vargjet tona, secili në mënyrën e vet të këndvështrimit. Dhe fatmirësisht poetët ia kanë dalur me sukses që këtyre krijimeve letrare t’u japin tretman estetik, gjë që është thelbësore për artin në përgjithësi.
Ja si shprehet një poet për dëshmorin, Fadil Nimani:

(…)
Në Çabrat bashkë me Ali Podrimjen
Ke ngjitur vargun për krismat e atdheut
Psherëtimat e qiejve kanë jehuar me ty
Kur ulërimën e ujqve në fyt ia ndaloje

Prandaj, dëshmori Fadil Nimani gjithmonë do të dëshironte që:

Ama dëshmitar të keni vetëm gjakun tim
Liria e atdheut të flasë me një gjuhë
Kufiri im kuron plagën deri në amshim
Koha ime të jetojë në ty Atdhe

(Nexhat Rexha “Testament i patretur”)

Shikuar nga këndi i realizimit artistik, poezitë e këtij vëllimi na shfaqen si heterogjene, për faktin se janë të shkruara nga shumë poetë. Prandaj është krejt e natyrshme që vargjet këtu na dalin si jounike në modelim. Aty kemi vargje llojesh të ndryshme, si vargun e lidhur, vargun e bardhë, vargun e thyer etj. Te vargu i lidhur i rimuar, hetohet dominimi i një ritmi uniform ngase ruhen veçoritë esenciale të ritmit. Poezitë kryesisht janë të pasura me figuracion poetik dhe e kanë mjaft të kamufluar kuptimin e vargjeve.
Nga ky vëllim poetik, po kuptohet qartë se nuk mund të nxirret një model i njëjtë i vargëzimit, sepse siç u tha edhe më heret, këtu kemi një shumësi modelesh e stilesh dhe për pasojë vërehet një polimorfi poetike, që vërtet përmbledhjes ia shton vlerën artistike më tepër.
Te poezitë e thurura në vargun e lidhur dominojnë konvencat e forta strofike, por në disa poezi paksa më të gjata teksti nuk i nënshtrohet shabllonit të ndarjes në fragmente, por logjikës spontane të rrëfimit.
Kryesisht poezitë e vëllimit “Diell në shpirt lirie” dalin mjaft të realizuara edhe kuptimisht, edhe estetikisht dhe libri vërtet shquhet për varietet vlerash poetike.
Duke i patur parasysh të gjitha këto fakte që u përmendën, konstatojmë se në këtë përmbledhje poetike shpirti dhe mendja e poetëve tanë, mbetet e lidhur fort me idealin e lirisë së Atdheut, për të cilin ranë bijat dhe bijtë më të denjë të kombit, siç ishte edhe dëshmori Fadil Nimani.
Me gjithë këtë bagazh poetik, përmbledhja në fjalë është një vepër e re poetike, që do të qëndrojë me dinjitet në piedestalin letrar shqiptar përkrah krijimeve më të mira poetike, duke e pasuruar kështu fondin e poezisë artistike atdhetare te ne përgjithësisht.
Ky vëllim poetik është ndërtuar si një bisedë e ngrohtë e sinqertë dhe intime e poetëve me dëshmorin Fadil Nimani, ku çiltërsia e ndjenjave jetësohet organikisht me figurat e pasura, të thjeshta e komunikuese, ku shprehjet poetike rrjedhin natyrshëm dhe me plot lirizëm.
Veprës, veç tjerash, vlerën ia shton edhe laryshia e stileve, gjuha e thjeshtë, e përdorur me shumë kujdes, e kuptueshme dhe komunikuese, figuracioni i pasur poetik: si dhe llojet e vargjeve me ritëm, rimë e meter të ndryshëm, elemente këto me vlera të larta teoriko-letrare, që kësaj përmbledhjeje i japin freski dhe gjallëri.
III
Dridhjet e zemrës gjatë leximit të kësaj përmbledhjeje, magjia e fjalës, ritmi, notat poetike, të gjitha këto e ngrenë përmbledhjen në lartësinë e qiellit poetik të letërsisë sonë të sotme. Në këtë vëllim poetik poetët na kanë treguar me mjeshtëri të lartë artistike dhe me thellësi të madhe atdhedashurie historinë e një qëndrese ndaj okupatrit, historinë e Fadil Nimanit.
Fadili vërtet është hero dhe i ndershëm, por ai nuk dëshiron të shkëputet nga normat dhe idetë për çlirim përfundimtar të atdheut tonë, me të cilat ishte edukuar që në fëmijëri. Në çdo poezi, madje edhe në çdo fjalë e varg ne ndjejmë kudo heroizmin dhe dashurinë ndaj popullit prej atdhetari të vërtetë, revoltën, që siç tregon edhe vepra e tij, është karakteristikë e tij, kur është fjala për çlirimin e vendit.

Heroizmi dhe atdhedashuria, qëndresa dhe sakrifica që gjejmë për Fadilin në këtë vëllim janë tipare të shqiptarit të vërtetë që me asnjë çmim s’i braktis interesat e popullit, madje as me çmimin e gjakut dhe të jetës, të cilën edhe ia dhuron lirisë së atdheut. Në vargjet poetike të kësaj përmbledhjeje motivi atdhetar të tërheq dhe të bën të ndjehesh krenar për të qenit shqiptar.

Jemi një komb, kemi një atdhe
Kemi shqiponjën me më të bukurën fole
Kemi një gjak, kemi një shpirt
Ilirida jonë me gjak është ujitë.

(Zeqirja Latifi “Trim Fadil Nimani”)

Fadili është madhështor në veprimet ndaj armikut, por tejet i thjeshtë me bashkëluftëtarët e tij besnikë. Brumosja që nga prehri i nënës me atdhedashuri, sinqeriteti i thellë, ashpërsia kundrejt armikut shekullor, e bëjnë Fadilin prore të pavdekshëm dhe e e ngrehin atë në Altarin e Madhështisë.
Rënia heroike e Fadilit është nga çastet më të dhimbshme, një dhembje gjithnjë e përzier me krenari, që e hasim në shumë poezi të këtij vëllimi.
Ky vëllim vërtet është një përmbledhje poezish që të josh me magjinë e fjalës poetike dhe me mendimet të skalitura bukur në çdo fjalë e varg. Duke lexuar këtë përmbledhje, ne çmojmë pa masë humanizmin e autorëve të kësaj vepre, diapazanin e gjerë të ndjenjave dhe mjeshtërinë në nivel artistik.

Brezi i ri i sotëm, që nuk e ka njohur nga afër luftën e lavdishme të UÇK-së, është i etur të dijë e të mësojë për rrënjët dhe për zanafillën e kësaj rezistence të armatosur kundër shtypjes shekullore serbosllave. Prandaj, edhe poezia atdhetare është burim njohurish i llojit të vet, që lexuesi i ri e fiton në mënyrë të këndshme.
Në qendër të vëllimit poetik “Diell në shpirt lirie” është figura madhështore e Fadil Nimanit. Autorët e vëllimit në fjalë, Fadilin na e paraqesin të fuqishëm, atdhedashës dhe tejet luftarak:

As plumbi i armiqve
S’mund t`ju zinte
S’mund t“ju shponte asnjëherë
Tigër për armikun
Trim në beteja në trojet shqiptare
Derisa të vijë liria kudo
Grykëhollat rojëtare
Fisnik në luftë, pavdekësi në jetë
Përkujtimin ta kemi borxh-amanet!

(Drita Kosumi-Syla “Të falemi, komandant”)

Është e pranueshme mënyra e përshkrimit dhe e portretizimit të Fadilit me shokë. Figura e tij sikur gjallërohen nga vargu në varg, nga poezia në poezi dhe nga faqja në faqe të këtij vëllimi dhe kështu e vazhdon pavdekësinë pa andralla dhe shqetësime në këto poezi.
Me stil të pasur e me ngjyrime lirike autorët e kësaj përmbledhjeje arrijnë për ta gjetur rrugën e komunikimit me mendjen dhe zemrën e lexuesit.
IV
Mendojmë se përmbledhja “Diell në shpirt lirie” në përgjithësi ka vlera artistike. Ndjenjat e atdhedashurisë, të thurura bukur në vargun poetik, shpërthyen nga zemra e autorëve dhe kanë diçka të përbahkët me bardhësitë e atdheut dhe janë vetë ritmet e jetës.

Njeriu është i lidhur me truallin e vet që nga gërvishtjet e gjunjëve, kur mëson të ecë dhe gjatë gjithë jetës së tij. Ai gjithmonë ka jetuar në tokën amtare. I ka kënduar dhe ka qarë, është prerë e vrarë gjatë jetës së kaluar me shtypje e përbuzje të vazhdueshme. I afrohej asaj në ditë të mira e në luftë, shtrihej mes saj si për ta përqafuar, si për t’i pëshpëritur ato fjalë të fundit që mbyllin një jetë tragjike, por plot lavdi, se njeriu binte për tokën, për rrënjët e jetës. Kështu veproi edhe Fadil Nimani, që me heroizmin e tij kaloi në përjetësi. Me këtë dashuri për trollin e të parëve do të edukohen dhe brumosen edhe fëmijët e të rinjtë tanë, që sot po rriten në liri, sapo të hasin në këto poezi, kushtuar dëshmorit tonë.
Dashtë Zoti që brezit të ri t’i këndojnë sytë dhe t’i ndrisin plot shkëlqim drejt së ardhmes, sepse tek e fundit, Fadili me shokë u flijuan për lirinë e atdheut, në të cilin do të rriten fëmijët tanë krejt të lirë:

Një faqe të ndritur gëzon sot flamuri
Ndaj brezat e rinj e puthin në ballë,
Dëshmor i paharruar qofsh Fadil Nimani
Lule e pavyshkur mbirë në lapidar…!

(Eduart Mata “Ekstazë lirie”)

Poetët i shkruajtën këto vargje me gjithë zemër, sepse poeti i vërtetë mburrje s’njeh, as di të mburret. Edhe poetët, sikur heronjtë i karakterizon altruizmi dhe thjeshtësia, madje heronjtë dhe poetët janë NJË.

Shperndaje ne
Updated: 15 Maj, 2018 — 13:29

The Author

Prof. Zymer Mehani

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.