Edi Rama në rrugën e Abdyl Frashërit dhe të Ismail Qemalit, do ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, plotësisht e drejtë!

harta_ne_bronzBarometri diplomatik

Faktorët ndërkombëtarë ta marrin me seriozitet ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Kryeministri Edi Rama si  pasues konsekuent  i mbështetjes së amanetit të Rilindësve tanë për ribashkimin kombëtar dhe të Shqipërisë, me gjithë  “pluhurin” dhe me   shantazhet  propagandistike të reagimeve dhe të kritikave të serbomëdhenjve dhe të mbeturinave filoserbe në shkallë ballkanike dhe evropiane, jo që u pendua dhe u frikësua para tyre, por ashtu si i ka hije një burrë shteti të formatit të Ismail Qemalit të Shqipërisë Etnike, me të drejtë, me guxim, me vendosmëri, me krenari, me konsekuencë, me urti dhe me takt diplomatik racional iu përgjigj  të gjithë oponentëve të deklaratave të tij  se ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i domosdoshëm

Mehdi_HYSENIShkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Ndaj i gjithë spektri politik shqiptar në Ballkan, si dhe faktorët evropianë dhe ndërkombëtarë, duhet t’i marrin me seriozitetin  më të madh deklaratat e tij zyrtare për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ndryshe  siç ka pohuar më parë  ideologu, vizionari, patrioti dhe kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit(1878), Abdyl Frashëri, duke i apostrofuar qendrat e vendosjes  diplomatike evropiane se  ” Në rast se  Fuqitë e Mëdha do ta dënojnë këtë popull trim dhe liridashës të mbetet në robëri dhe ca më keq të copëtohet midis shteteve fqinje, Gadishulli Ballkanik nuk do të ketë kurrë qetësi, sepse shqiptarët nuk do të pushojnë kurrë së luftuari për të fituar pavarësinë e tyre kombëtare. Përkundrazi, në rast se shqiptarëve do t’u njihen të drejtat e tyre kombëtare, Shqipëria do të bëhet faktor i paqes në Gadishullin Ballkanik.”

Ndërkaq deklarata e ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova se “Jemi dy vëllezër, por jetojmë në shtëpi të ndara”, e rikujtuar dhe e mbështetur sot  nga ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu,  është antitezë e ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, që kur të përkthehet edhe në gjuhën norvegjeze apo në ndonjë gjuhë tjetër të huaj, do të thotë, jo kurrfarë ribashkimi, por secili le të qëndrojë në shtëpinë e vet, edhe pse jemi vëllezër. 
Kjo deklaratë  e Rugovës, logjikisht dhe përmbajtësisht, është  e papranueshme, sepse këtu nuk është fjala për “dy vëllezër” të ndarë me qejf, në rrugë normale, paqësore sipas dëshirës dhe marrëveshjes së tyre të vullnetshme, por janë  të ndarë në shtëpi të ndryshme, si shkak dhe pasojë e ushtrimit të forcës, të terrorit, të gjenocidit, të dhunës, të shpërnguljes dhe të pushtimit kolonial të Serbisë së Madhe hegjemoniste dhe militariste (1878-1999).

Ambasadori Braathu mbështet Rugovën, jo kryeministrin Rama

Këtë pozicionim diplomatik të ambasadorit norvegjez Jan Braathu në mbështetje të deklaratës së Ibrahim Rugovës, jo të deklaratave të kryeministrit Edi Rama për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, duhet kuptuar vetëm si qëndrim personal të tij, jo si qëndrim e as si akt  zyrtar  të politikës dhe të diplomacisë së Norvegjisë.

 Prandaj, edhe pse ambasadorit norvegjez Jan Braathu i pëlqen deklaratën e theksuar të Rugovës, askush nuk ka  t’ia imponojë kërkesën e drejtë  dhe legjitime për ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, ashtu siç është prononcuar publikisht, edhe kryeministri i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama “duam bashkim qoftë përmes BE-së, qoftë në “mënyrë klasike” sipas së drejtës ndërkombëtare.

Mirëpo, janë të diskutueshme  dhe të papranueshme këto vlerësime hipotetike të tij, kur thotë se: 1) “”Në momentin që Kosova do t’i bashkohet Shqipërisë, mendoj se Prishtina nuk do të jetë kryeqytet i Shqipërisë së Madhe. Nuk besoj se Kosova do të jetë në qendër të aktiviteteve. 2) Nuk besoj se Kosova do të jetë pjesë e politikave funksionale të Shqipërisë së Madhe. E më pas do të lindte problemi mes Jugut dhe Veriut të Shqipërisë, kështu që mendoj se qasja e Ibrahim Rugovës e shpjegon më së miri këtë gjë”, u shpreh ambasadori norvegjez Braathu.

 Këto dy teza spekuluese politike, nuk kanë lidhje me realitetin historik, as faktik dhe të ligjshëm, se gjoja, nëse do vinte deri te marrëveshja dhe pëlqimi i dy qeverive që të ribashkohej Kosova me Shqipërinë, Prishtina do ta “humbiste” rolin, rëndësinë dhe statusin  e saj si qendër politike. Përkundrazi,  do ta fuqizonte edhe më shumë përmes  Tiranës zyrtare, ku përgjithmonë, do të merrnin fund pretendimet territoriale dhe përzierja e Serbisë në çështje të brendshme të Kosovës së Shqipërisë. Kjo do të ishte fitorja më e madhe e Prishtinës dhe e Tiranës. Shkurt e shqip, pa Tiranën, Prishtina, nuk do të ishte kurrfarë kryeqendre politike dhe diplomatike  me ndikim as në Ballkan e as në Evropë. Këtë, realitet, duhet ta mbajnë parasysh të gjithë ata faktorë qoftë të brendshëm a të jashtëm, që kanë qëndrim negativ dhe po e pengojnë ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

 Së pari, nuk do të kishte kurrfarë problemi a mosmarrëveshjeje, se cili do të  ishte kryeqyteti i Shqipërisë së ribashkuar, Prishtina apo Tirana.

Kjo nuk është e diskutueshme fare, sepse dihet, se  cili do të ishte kryeqyteti i Shqipërisë së ribashkuar, ai që si kryeqytet është më i vjetër historikisht, kombëtarisht, politikisht, diplomatikisht  dhe ndërkombëtarisht-Tirana si kryeqendër e zhvillimit  të të gjitha aktiviteteve politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomiko-shoqërore etj., jo Prishtina, e cila ende nuk është njohur nga OKB-ja.

Fundja, për Prishtinën si kryeqytet të Kosovës, nuk ka qenë propozim, as miratim i popullit shqiptar të Kosovës, sepse pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Prizreni ishte kryeqendër e Kosovës. Mirëpo, duke qenë se Prizreni ishte shumë afër kufirit me Shqipërinë, politika fashiste serbomadhe antishqiptare me në krye Titon dhe Rankoviqin dhe me kolaboracionistët e tyre shqipfolës (thjesht për çështje gjeopolitike dhe gjeostrategjike, duke u frikësuar nga Shqipëria), kryeqytetin e Kosovës-Prizrenin e  zhvendosin në Prishtinë.

Me këtë desha ta vërë në dijeni ambasadorin norvegjez, Braathu, se po qese do bëhej ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, fare shqiptarët e Kosovës  nuk do të ishin nostalgjikë nëse kryeqyteti  i tyre, do të  ishte Tirana, edhe pse  ne kemi jetuar të ndarë nga vëllezërit  tanë, Tiranën gjithmonë në mendje, në shpirt dhe në zemër, e kemi konsideruar si kryeqytetin tonë, jo Prishtinën, edhe pse kjo formalisht dhe de fakto ishte kryeqyteti i Kosovës.

Shqipëria nuk është Afrikë  “Veri-Jug”!

Prandaj, ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, nuk do të thotë “Shqipërinë e madhe”, por vetëm Shqipërinë etnike natyrale, e cila fatkeqësisht, është copëtuar dhe kolonizuar nga Serbia e Madhe (1912).

Këtë të vërtetë historike, do të duhej ta kishte ditur ambasadori Jan Braathu, jo të shërbehej me sintagmën  serbe “Shqipëria e Madhe” e cila, sipas opinionit të tij të paqëndrueshëm dhe të imagjinuar ” do të shkaktonte problemin  mes Jugut dhe Veriut të Shqipërisë, kështu që mendoj se qasja e Ibrahim Rugovës e shpjegon më së miri këtë gjë”, u shpreh ambasadori norvegjez Braathu!?

Jo, jo z.ambasador Braathu, tezat tuaja janë plotësisht të gabueshme, sepse në Ballkan, nuk “banon” kurrfarë “Shqipërie e Madhe”, as kurrë në historinë e derisotme të Ballkanit, nuk ka pasur “problem Veri-Jug” mes shqiptarëve, edhe pse  këta u përkasin tri feve të ndryshme (myslimanë, katolikë dhe ortodoksë) jetojnë në harmoni dhe në paqe të qëndrueshme, të cilët janë shembull unik në botë, sepse kanë një gjak, një gjuhë, një kulturë, një komb dhe një atdhe të përbashkët-Shqipërinë natyrale, jo kurrfarë “Shqipërie të Madhe”.

Edhe pse z.ambasador norvegjez, Jan Braathu e mbështet këtë deklaratë  të Rugovës, kjo është plotësisht e gabueshme si në aspektin historik, ashtu edhe në të së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve në Ballkan, sepse është fjala për një popull dhe për një territor të copëtuar, të aneksuar, të kolonizuar dhe të shtypur egërsisht  nga Serbia kolonialiste mbi 100 vjet (1912-1999).

Si rrjedhim, nuk ka kurrfarë kuptimi që ky popull, domethënë populli shqiptar, t’i ketë dy shtete në të njëjtin territor etnik dhe gjeopolitik, t’i ketë dy qeveri, dy kryeqytete, dy politika, si dhe të ketë dy shtete të njëjta shqiptare në BE,në NATO dhe në OKB.

– Një status i këtillë politiko-juridik dhe kushtetues i këtyre dy shteteve, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht nuk është i justifikueshëm  as në kuptimin e politikës së brendshme, as  në atë ndërkombëtar.

Ndaj, na pëlqeu apo jo, ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i domosdoshëm dhe plotësisht i arsyeshëm dhe i justifikueshëm edhe sipas së drejtës ndërkombëtare, sepse ky lloj integrimi i  të njëjtit popull dhe i të njëjtit territor nuk ka të bëjë me Serbinë, sepse kjo nuk ka asnjë pëllëmbë territor në Kosovë, edhe pse Kosova dikur ishte koloni e saj 100-vjeçare (1912-1999). Me një fjalë, Serbia as serbët nuk kanë humbur kurrfarë Kosove, por vetëm koloninë e tyre njëshekullore, as më pak e as më shumë. Prandaj, rrjedhimisht, logjikisht, ligjërisht dhe praktikisht Serbia nuk ka kurrfarë të drejte të përzihet në çështje të brendshme të Kosovës, as të Shqipërisë, sepse ribashkimi i tyre është i ligjshëm dhe varet vetëm prej vullnetit dhe dëshirës së tyre, jo prej Serbisë.

Deklarata e Rugovës si Kushtetuta e  Kosovës

Nuk ka asnjë dyshim se kjo deklaratë e Rugovës,  e rikujtuar  nga z.ambasador Jan Braathu, është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës ku thuhet : ” Neni 1, paragrafi 3. Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”.

Nga kjo “klauzolë” juridike kushtetuese del se  Qeveria e Kosovës de fakto dhe de jure, është kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, ashtu sikurse Rugova me deklaratën e tij “secili le të rri në shtëpinë e vet”.

Mirëpo, duhet të pranohet fakti se si Kushtetuta e Kosovës, ashtu edhe deklarata fatkeqe e Rugovës, janë në kundërshtim me të drejtën historike dhe me Kushtetutën  në fuqi të Republikës së Shqipërisë (1998), ku thuhet  “me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin  dhe bashkimin kombëtar” (Preambula).

Gjithashtu, si Kushtetua e Kosovës, ashtu edhe deklarata e Rugovës, janë në shpërputhje  me deklaratat e kryeministrit aktual të Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, që Kosova dhe Shqipëria do të ribashkohen qoftë përmes BE-së ( e në rast refuzimi të BE-së), qoftë sipas “mënyrës klasike” siç parashikon e drejta ndërkombëtare, në mënyrë ligjore, demokratike dhe paqësore.

Ndryshe nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga deklarata e Rugovës kundër ribashkimit të Kosovës me Shqipërinë, kryeministri Edi Rama si  pasues konsekuent  i mbështetjes së amanetit të Rilindësve tanë për ribashkimin kombëtar dhe të Shqipërisë, me gjithë  “pluhurin” dhe me   shantazhet  propagandistike të reagimeve dhe të kritikave të serbomëdhenjve dhe të mbeturinave filoserbe në shkallë ballkanike dhe evropiane, jo që u pendua dhe u frikësua para tyre, por ashtu si i ka hije një burrë shteti të formatit të Ismail Qemalit të Shqipërisë Etnike, me të drejtë, me guxim, me vendosmëri, me krenari, me konsekuencë, me urti dhe me takt diplomatik racional iu përgjigj  të gjithë oponentëve të deklaratave të tij  se ribashkimi i Kosovës me Shqipërinë, është i domosdoshëm.

Shperndaje ne

The Author

Dr. Mehdi Hyseni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.