Andon Zako Çajupi, zëri i ndërgjegjes shoqërore dhe kombëtare shqiptare

 cajupi_besa

Ahmet_qeriqiShkruan: Ahmet Qeriqi

Në mesin e personaliteteve më meritore të kombit, pa dyshim se një vend të rëndësishëm zë edhe Andon Zako Çajupi, (1866-1930) veprimtar dhe atdhetar i devotshëm, poet, krijues, dramaturg, publicist e përkthyes. Ai zë vend meritor dhe vend nderi në letërsinë shqipe të kohës, në radhë të parë për kundrimin dhe qasjen realiste të përshkrimit të gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve nën robërinë turke, por edhe të gjendjes po ashtu të rëndë e të nderë edhe pas periudhës së shpalljes së pavarësisë së cunguar të Shqipërisë, në nëntor të vitit 1912.

            I lindur dhe i rritur në një tokë të ashpër malore të Shqipërisë, në Sheper të Zagorisë, Çajupi gjatë tërë jetës do të mbetet një burrë i ashpër, një qortues dhe fshikullues i pa kompromis kundër të ligës e nopranisë, një bir besnik i atdheut, i cili me një anë i thurë himne Baba Tomorit, që simbolizon qëndresën historike vertikale shqiptare, por në anën tjetër nuk nguron ta paraqesë lakuriq jetën shqiptare, të tillë, në nivelin në të cilin e kishte katandisur dhe e kishte zhveshur robëria e gjatë shumëshekullore nën Perandorinë aziatike, robëri e cila për më keq kishte rezultuar edhe me përçarje, ndasi e mosmarrëveshje të rrezikshme brenda shqiptarëve. Ata, të cilët nuk i kishte tjetërsuar robëria rronin si mos më keq, ata të cilët ishin nisur në rrugën pa kthim të asimilimit, po ashtu kishin pësuar duke ndërruar identitetin, duke harruar traditat, gjuhën, doket dhe varret e të parëve. Shumica syresh dukej se kishin mbetur në gjysmë të rrugës, edhe turq edhe kaurrë, apo as turq as kaurrë. Kishin mbetur të huaj për turqit dhe të humbur për vëllezërit. Ishte një kob i madh që e kishte katandisur si mos më keq një komb të vjetër, që dikur kishte rrojtur në liri me dinjitet e krenari. 

             Çajupi lajmërohet në letrat shqipe në periudhën e konsolidimit të Rilindjes Kombëtare, në fazën e saj të fundit, kur vetëdija për domosdoshmërinë e çlirimit dhe krijimit të Shqipërisë kishte reflektuar te të gjithë shqiptarët liridashës, kudo në katër vilajetet. Pavarësisht se ishte shkolluar në gjuhë të huaj, pavarësisht se kishte parë botë dhe kishte zënë hapin me nivelin e qytetërimit evropian, ai nuk iu nda Atdheut, të cilit i shërbeu gjatë tërë jetës, jo për të përfituar nga Atdheu, sikur bënë disa nga bashkëkombësit dhe bashkëkohësit e tij, por për t’ i dhënë gjithçka kërkonte dhe gjithçka mund t’i jepte, ashtu sikur i kishin dhënë duke shkrirë tërë pasurinë e tyre: Abdyl Frashëri, Nikolla Naço, Hasan Prishtina e disa të tjerë, në kohën kur e kishin zhvatur dhe e kishin zhveshur lakuriq edhe disa nga bijtë e saj plëngprishës.

             Edhe pse në jetën e tij pësoi dy tragjedi familjare, kur humbi shoqen e jetës në vitin 1892 e më pas edhe djalin e vetëm, në vitin 1919 ai nuk u dha, nuk e humbi toruan por qëndroi vertikalisht, duke i dhënë Shqipërisë, jo vetëm kontributin madhor, por edhe qëndrimin e fortë e të patundur parimor, kombëtar.

            Ata që kanë lexuar me kujdes biografinë dhe ata që e njohin krijimtarinë e tij, nuk mund të mos pajtohen me konstatimin se Çajupi i përket panteonit të atdhetarizmit, i përket majave të larta të atdhetarisë e qytetarisë, në të cilat kanë arritur jo shumë krijues e veprimtarë shqiptarë.

            Në inteligjencien dhe botën e tij të pasur meditative, me mendje esëll dhe kurdoherë i mbështetur fuqishëm në të drejtën e në të vërtetën, Çajupi më përkujton sundimtarin e Prusisë, Frederikun e madh, i cili ka thënë:

Fryma shpirtërore e njeriut është e dobët. Më tepër se tri të katërtat e njerëzimit janë krijuar për të qenë robër deri në skajshmëri. Ata kanë frikë vetëm nga ferri dhe djalli. Prore ikin nga njeriu i mençur. Shumica e racës njerëzore është e marrë dhe e mjerë.

Teologët na thonë se Zoti e ka krijuar njeriun sipas shëmbëllesës së vet. E unë më kot po gjurmoj. Çdo qenie njerëzore në vetvete e mbanë të njëzuar egërsinë dhe janë të rrallë ata që barbarinë e tyre e mbajnë lidhur në zinxhirë. Unë besoj vetëm në fuqinë e arsyes, në atë arsye që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes, ka thënë ndër të tjera sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh, në një letër që ia ka dërguar filozofit të njohur francez, Volter.

              I tillë ka qenë edhe Çajupi. Ai ka fshikulluar babëzitë, hipokrizinë, anadollakinë, skllavërinë, makutërinë, parazitizmin, bjerrakohësinë, mendjemadhësinë, paditurinë dhe të gjitha veset e liga, qofshin ato të Sulltanit-zemër derr, të cilit nga frika i bëjnë nder, qofshin ato të doktor Adhamudhit, i cili ka “zbuluar” eliksiret e jetës, sipas parimit të eliminimit, të dhëmbë këmba, preje, të shpëtojë tjetra, të dhemb, syri kërreje, të mos sëmuret tjetri! Duke qenë një personalitet i formuar që njihte shkencë, traditë, drejtësi, religjion dhe që kishte parë botë, Çajupi me të drejtë do të zemërohej dhe pavarësisht rrethanave për unitet e bashkim, ai kurrë nuk do të pajtohej me gjysmakët e tipit të Adhamudhit, një prodhim i anadollakisë të kohës, një xhahil që barbarinë e tij nuk e mbante dot lidhur me zinxhirë.

               Çajupi ka jetuar në kohën kur Shqiptarët po zhvishnin petkat e robërisë, në kohën kritike të thyerjeve të mëdha politike, ekonomike e shoqërore. Ai ishte tejet i vetëdijshëm se e kaluara e gjatë nën robëri i kishte shkalluar shqiptarit anën fizike e shpirtërore, por nuk kishte kohë për ta vajtuar atë, nuk kishte kohë për të humbur, sepse vonesa do të kushtonte shumë andaj ishte bërë zëdhënës i idesë të domosdosë së çlirimit duke ftuar shqiptarët liridashës: Mirrni pushkëtë në duar/edhe bëni besa-besë/ Shqipëria do shpëtuar/kokë turku të mos mbesë!

              Për dallim nga Naimi, të cilin aq shumë e deshi, e nderoi dhe e respektoi, Çajupi është shumë më diskret në thirrjet e tij për çlirim nga robëria shekullore. Ai është militant i vërtetë kombëtar, është shpirt zhurituri që lufton fyt për fyt, që nuk ka kohë për të vajtuar e për të kërkuar drejtësi nga qielli. Duke qenë i vetëdijshëm se shqiptarët ndodheshin para udhëkryqit të madh historik, ai ndryshe e shtroi dilemën hamletiane, jo “të jesh apo të mos jesh”!, por “të jesh me çdo kusht” dhe të shpejtosh, meqë vonesa e zgjimit dhe çlirimit i kishte sjellë shqiptarët buzë greminës.

            Çajupi është mbase i vetmi ndër bashkëkohësit, që nuk ka kursyer as kë. I udhëhequr nga vetëdija e tij realiste, i mbështetur fuqishëm nga parimi arsyes, “në atë arsye që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, nuk mund të pajtohej me idetë retrograde të shumë bashkëkohësve, me idetë e tyre të veshura me petkun shqiptar, por me trupin e mendësinë e anadollakut të perënduar. Me publikimin e “Klubit të Selanikut”, i cili padrejtësisht u quajt dhe quhet pamflet, Çajupi në mënyrën më realiste dhe më diskrete ka stigmatizuar forcat e verbra reaksionare, të cilat nuk e shihnin as e kuptonin realitetin faktik, politik e shoqëror. Ata rronin me të kaluarën, rronin duke i bërë qejfin vetes, duke madhëruar Perandorinë osmane, pikërisht në kohën kur ajo kishte filluar të shpartallohej dhe rreziku më i madh ishte sepse me rastin e shpartallimit të saj, Shqipëria do të paguante një tagër tejet të rëndë, ashtu sikur edhe e pagoi në vitin 1912 kur shtetet sllave me ndihmën e Rusisë iu sulen tokave shqiptare, të cilat i konsideronin provinca turke dhe vranë, masakruan, zhdukën e dëbuan për në Turqi, qindra mijëra shqiptarë.

               Çajupi me kohë e kishte paraparë rrezikun dhe konstatonte me të drejtë çdo ditë e humbur nën robëri ishte një rrezik më tepër, andaj edhe stigmatizoi pamëshirshëm krerët e “Klubit të Selanikut”, e të shumë klubeve të tjera të cilët i njihte dhe e njihnin, të cilët i kishte bashkëkohës, por edhe kundërshtarë idesh e qëndrimesh, jo domodsoshmërisht personale, sikur janë interpretuar padrejtësisht sa e sa herë. Ja si në një fragment e paraqet përmbajtjen dhe brendinë ideore e politike të Klubit të Selanikut, “ Shtiva sytë në të katër anët e Klubit mos po shoh ndonjë libër a ndonjë gazetë shqip. Asnjë për Zotin! Mandej që të dëgjoj në këtë klub: Ç’është Evropa përpara Turqisë?, Turqia duhet të rrojë e të lulëzojë, faqe dheut”. “Ata që lavdërojnë krishterimin janë të marrë… Mirëpo duke qenë gjithnjë i udhëhequr nga arsyeja dhe realiteti ai konstaton me besim të patundur: “ Besa jo, shqiptarët myslimanë s’ janë si ky faqezi i çmendur që lëpin me farë e me fis çanakët e xhonturqve dhe për këtë shkak i lutet Zotit të rrojë Turqia për jetë në Shqipëri. Zoti mos i dëgjoftë të tillë njerëz të poshtër…. Rroftë Shqipëria e lirë! U shoftë Klubi i Selanikut se qenka i xhonturqve e jo i shqiptarëve! U shofshin të gjitha klubet e Shqipërisë që punojnë për xhonturqit dhe që kanë për qëllim përçarje e armiqësi në mes të shqiptarëve myslimanë e të krishterë”.

             Pavarësisht se ky qëndrim i ashpër politik i Çajupit ishte kritikuar dhe ishte demonizuar, ai nuk hoqi dorë kurrë nga e tija, por bëri tutje, duke vënë në lojë klasën e servilëve, të shpirtrobërve, të mendje-robërve, të gjithë atyre shqiptarëve laramanë e kameleonë, të cilët mjerisht i pati dhe i ka me bollëk Shqiptaria.

Andon Zako Çajupi: “Klub’ i Selanikut”

Që kur thanë se prunë konstituçi (si ta themi shqip këtë fjalë?), shqiptarët po ngrenë klub ndë çdo anë, ndë çdo qytet, ndë çdo katund, brenda ndë Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë.

Mbase shumë shqiptarë nukë dinë se ç’domethënë kjo fjalë klub (Club). Me qënë që dhe unë jam nga këta shqipëtarë të paditur, mora një ditë një fjalor dhe pashë se kjo fjalë qënka përdorur ndë ballë fare nga englezët dhe rrëfeka një mbledhje miqsh për të ngrën’ e për të pirë, duke paguar gjithkush pes’ e nga pesë.

Klub qënka pra një gosti, një drek’ a një darkë me refene.

Një doktor Johnson1) paska thënë se një klub është një shumicë burrash që mirren vesh dhe paguajnë që të kënaqen duke ngrën’ e duke pirë bashkë. Prandaj nd’Anglëterë paska patur një klub me emër «Klub i kokës demit» dhe, që t’u qëndrontej e lirë, e bënin refene. Njëqint vjet më parë, paska qenë edhe një klub i quajtur “Klub i të liqve”. Që të bënëshej anëtar, duhej të jeshe fort i shëmtuar, me fytyrë të ndyrë, i çalë, i verbër, dorac, i belbër, memec, kurrisdalë, veshgjatë etj, Një mbret, Karlua II2) paska qenë kryetar i këtij klubi. Më vonë u vendosnë klube dhe për punë të politikës, domethënë njerëz që kanë një palë mend a një qëllim të bashkët, mblidhen e mirren vesh, paguajnë nga pes’ e nga pesë, punojnë dhe lakmojnë për këtë

e për atë qëllim për të cilin bashkohen, bënen shokë.

Ahere pra, pse t’i thomi këtij bashkimi klub dhe jo shoqëri, q’është fjalë shqip?

Kur kuptova mirë se ç’na tregon fjala klub, desha të kuptoj dhe qëllimin e klubeve   që vendosnin sot shqiptarët. Ky qëllim është i bashkët a i veçantë? I tdhetartë, i vlertë, a i dëmçim? Punë fort e rëndë dhe, duke ndenjur këtu ndë Misir, ndë mes   t’arapëve e t’arapkave, ndë pikë të vapës, kuptova që s’i jap dot funt kurrë. Vërtet kisha kënduar te fleta «Liria»1) se Klub’ i Selanikut mbron të drejtat e kombit shqiptar. Vërtet kisha mësuar se Klub’ i Manastirit paskej bërë një Kongres2) (ç’domethënë prapë kjo fjalë?) për punë të abetit^) dhe paskej gjetur për mbarë të përdoren dy soje shkronja për gjuhën tonë.

Po këto lajme s’ishnë mjaft për të gjetur mirë që- llimin e klubeve. Për këtë shkak, u mendovatë bëj një udhëtim, që të shoh me syt’ e mi dhe të dëgjoj me vesht’ e mi ç’punë bëjnë dhe ç’dobi kanë për atdhenë.

U ngresh, pra, dhe ika nga Misiri dhe vajta ndreq ndë Selanik, ku me vrap kërkova dhe gjeta vendin tek gjendet Klub’ i Shqipëtarëvet. Ndë të dukur,   klubi dukej mos më keq o zot,… po do të ketë ndofta anëtarë me kokë të fortë! Gjeta brenda gjer 40 vetë, të tërë myslimanë, asnjë të krishterë! Asnjë, s’ma vari torbën, se mjerisht nuk dije turçe dhe këndonin ga- zeta ndë këtë gjuhë. Shtiva sytë më të katër anët e klubit mos shohë nonjë librë a nonjë gazetë shqip. Asnjë për zonë! Desha t’ikij, se pandeva se u gabova e hyra në nje Klub turqsh. Atë çast arriti kryetar i Klubit, Midat beu, me një bej tjetër. Guxova e thashë:

— Zoti bej, jam aksekush, u falem me nder, turçen, besa, nuk e di!…

— Prit, pakëzë, më thotë, se kam një çi-çi-çikë punë me bejnë.

Prita. Atje ku presë, pashë një djalosh të veshur alldupçe.

— Jam shqipëtar, thashë. Turçen s’e di. Të lutem tregomë Klubin e Shqipëtarëve, se një hamall më gënjeu e më solli këtu.

— Këtu, më thotë, është klubi tonë. Nga të kemi?

— Nga lumi që të më marrë…

— Sonte kemi mbledhje, se kushëriri i presidentit, që vete mutesarif në Seres …3) do të flasë për Shqipërinë gjer’ e gjatë, se është njeri fort i ditur. Vallahi, të rrish ta dëgjosh.

Ndënja ndë një bri, me zemër të gëzuar, se do të ndëgjojë dhe unë një bej shqipëtar, nga der’ e Frashërit, të na flasë shqip për më-më-më-dhenë. Pas pak erdhi beu: duart e anëtarëve u përpoqnë me një të madhe trokëllimë… Beu qënkej i thatë, i verdhë, me një fytyrë fort të shëmtuar e të dobët, ndofta nga dituria e madhe. M’erth ndë mënt Klub’ i të Liqve në Londrë, që kish për kryetar Karlon II.

Beu tundi krahët, u koll pakëz, fshiu buzët, hapi gojën dhe tha… Mos pritni t’u them se ç’tha. Për zonë s’kuptova dot mirë, se fjalët rrokulliseshin si dhëntë njëra pas tjetrës, ca të bardha, ca të zeza, ca syska, ca bejka, ca ruda, ca kaleshe, ca shyta, ca me brirë, po të të gjitha plaka të shkuara e të vjetra.

Ne foli për Shqipërinë! Jo, besa! Foli vetëm për Turqinë.

— Alldupi ka qenë kështu, ka qenë ashtu, ka bere ketë, atë,.,. .sa dhe sot gjëndet një xhami ndë Vjenë! Ç’është Evropa përpara Turqisë?… Ata që lë-vdojnë të krishtërimnë, janë te marë! Besa jonë është e vërtetë. Turqia duhet të rrojë, që të lulëzojë faq’ e dheut! Që të rrojë Turqia ndë mes t’Evropës, duhet të mbanë vetë fuqinë ndë duar të tyre, domethënë ata vetëm të jenë ministorë, valinj, komandanë, ushtarë e gjykatës!… Të krishterët duhet të punojnë, se janë lindur vetëm për punë, për mjeshtëri e për bujqësi… Dhe kështu, me këtë mënyrë, turqit (thotë) mundin të mbanë fuqinë, të kenë ndë dorë guvernën… dhe kështu do të rrojë me jetë!

Këto qenë fjalët e fundit të beut mut-e-sarif të Seresit! Duartë u përpoqnë fort, anëtarët u lëshuan të ngjatjetojnë bejnë… Zëmëra më qante dhe thashë me vehten time:

—       T’u thaftë goja, more beu ynë!

—       Të plastë koka more beu ynë!

—       Të paskan lënë mëntë, more beu ynë!

—       Qënke veshgjatë, more beu ynë!

—       Qënke turk, more beu ynë!

—       Qënke xhonturk, more beu ynë!  Ndë Klub të Shqiptarëvet na the si duhet të sillet Turqia që të shpë tojë nga rreziku i sotmë dhe të rrojë përjetë. Pse s’fole një fjalë dhe për Shqipërinë? Pse? Apo s’keshe se ç’të thoshe?  Apo t’erth frikë nga xhonturqit, që të dërguan mut-e-sarif ndë Seres, që të shaç kaurët? Pse s’tu tha

gjuha ndë gojë?…

Mos na thuani tjetër herë se jini shqiptarë, mos na çani kryet me gënjeshtra, se u kemi kuptuar se ç’jini ndë zemër tuaj! Ju punoni për Turqinë e jo për Shqipërinë. Fanatizma u ka verbuar. Duani t’u mbesojmë për shqipëtarë? Dilni nga buk’ e turkut, hani bukën me djersë si neve e jo duke rrjepur, duke vjedhur. Hiqni dorë nga fanatizma e turqëve,   mirrni qytetërimin t’Evropit, që ndriçon botën, zbukuron mendjen, zbut zakonet. Nukë them ndëroni besën jo!

Po të ndërroni mendjen, të mejtoni dhe të silli si perndimasit (evropasit) në dojni të rroni ndë mes t Evropësë.

Besa jo, shqipëtarët myslimanë, s’janë të tërë si ky faqezi i çmendur, që lëpin, me far’ e me fis, çanakët e xhonturqëvet dhe për këtë shkak i falet zotit të rrojë Turqia përjetë ndë Shqipëri. Zoti mos ndëgjoftë të tillë njerz të poshtër e këpucëgrisur!

Rroftë Shqipëria e lirë!

U shoftë Klub’ i Selanikutse qënka i xhonturqëve e, jo i shqipëtarëve!

U shofshin të tërë klubet e Shqipërisë, në punojnë për xhonturqit dhe në kanë për qëllim çarje dhe armiqësi ndë mes të shqiptarëve myslimanë e të krishterë!

Rroftë dashuria! Rroftë bashkimi!

 

*) Botuar te gazeta «Rrufeja» e Egjyptit, gusht 1909, që e drejtonte Jani Vruho.

1) dramaturg anglez (1709-1784).

2) mbret i Anglisë (1630-1685).

3) Mehdi be Frashëri

Shperndaje ne
Updated: 24 Prill, 2015 — 14:21

The Author

Ahmet Qeriqi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.