Për liri, edhe pena si pushka

rilindja_penaDrejtësia në peshojë, pa politikë dhe pa diplomaci

Pushka dhe pena ishin një plumb i përbashkët kundër armikut

Mehdi_HYSENIShkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Prandaj, kur është fjala për njohjen e meritave, edhe  në kohë paqeje, si dhe për  njohjen e statusit të veteranit të UÇK-së, e meritojnë edhe ata që kanë luftuar dhe kontribuar  me penë (edhe para, edhe gjatë, edhe pas luftës), jo vetëm ata me pushkë, sepse pushka dhe pena ishin një plumb i përbashkët kundër armikut dhe  robërisë shekullore serbo-sllave, kundër  agresionit, terrorit gjenocid dhe  pushtimit të Kosovës shqiptare  nga Serbia kolonialiste.

Përpjekja dhe “lufta”  e interesave të ngushta meskine për t’i ndarë këto dy koncepte vlerore (pushkën dhe penën), do të sillte në pikëpyetje, qëllimin dhe fitoren e përbashkët politike, ushtarake, kombëtare dhe atdhetare  si  në kuptimin e ngushtë (kur është fjala për UÇK-në dhe për Kosovën e pavarur), ashtu edhe në atë gjerë gjithëkombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë së ribashkuar.

Luftëtarët e penës luftën  kundër regjimit pushtues gjenocidal serb, e patën filluar pa krisur pushka e parë e UÇK-së

adem_hamzaAta që me pushkë sakrifikojnë dhe flijojnë për liri, për komb dhe për atdhe, si edhe ata që me shkrimet dhe me veprat e tyre në shërbim të  pushkës, të luftës, të lirisë së kombit dhe të atdheut shqiptar, si në kohë lufte dhe robërie, janë dëshmuar se janë hise e pandashme e  kontributit dhe e meritave   të jashtëzakonshme të fryteve të triumfit të përbashkët kombëtar, patriotik dhe atdhetar.

 Kjo do të thotë se, edhe në kohë paqeje, rezultatet,  shpërblimet, sukseset, meritat, nderimi, njohja e të drejtave dhe privilegjeve, duhet të jenë të njëjta si për ata që kanë luftuar me pushkë në dorë, ashtu edhe për ata që kanë punuar me penë në shërbimin dhe në justifikimin e pushkës për çlirimin, për pavarësimin dhe për lirinë e Kosovës.

Duhet të jemi parimorë dhe të drejtë, duke pranuar faktin se luftëtarët e penës për çlirimin dhe për pavarësimin e Kosovës, luftën e tyre  me penë kundër regjimit pushtues gjenocidal serb, e patën filluar, ende pa krisur pushka e parë e UÇK-së,  kur Kosova ishte ende nën robërinë dhe tiraninë e Serbo-Jugosllavisë (1980), siç ishte Akademiku dhe patrioti ynë i shquar dhe i patrembur, i nderuari  Rexhep Qosja, i cili me veprat dhe me punimet e tij historike dhe politike shkencore dhe publicistike iu kundërvu “makinerisë” shoviniste akademike, politike dhe kishtare të Serbo-Jugosllavisë se Kosova dhe populli  i robëruar shqiptar mbi 2 milionë kishte të drejtën e plotë historike, politike, kombëtare dhe të vetëvendosjes, që të fitonte lirinë dhe pavarësinë sikurse të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit.

Duke mos u zgjatur në këtë temë, e cila shkas ka  padrejtësitë dhe manipulimet e ndërgjegjes së kalbur egoiste, lokaliste (mahallore provinincialiste), klanore, grupore dhe partiake etj., kur është fjala për fenomenologjinë  e njohjes së meritave, luftarake, intelektuale, politike, kombëtare dhe patriotike  për çlirimin e Kosovës, si dhe më gjerë të kauzës madhore të çështjes së përgjithshme kombëtare shqiptare dhe të Shqipërisë natyrale, askush nuk e gëzon atë drejtë ekskluzive, që t’i injorojë, t’i abuzojë, t’i diferencojë dhe t’i ndajë nga meritat e pushkës së luftës së UÇK-së, forcat centrifugale intelektuale  patriotike të penës, të cilat me “pushkën-top” të tyre  ia trandën  themelet  politikës dhe shkencës falsifikatore serbomadhe antishqiptare.

Nuk duhet të margjinalizohet kontributi i të merituarve

Ky kontribut i madh dhe meritë e jashtëzakonshme e penës intelektuale patriotike shqiptare  për mëvetësimin dhe për lirinë e Kosovës, si në kohë robërie, në kohë lufte dhe në kohë paqeje, në asnjë formë, nuk duhet të margjinalizohet, të shantazhohet, të minimizohet dhe të ndahet nga kontributi dhe nga  meritat  e pushkës çlirimtare dhe heroike të UÇK-së, sepse pena dhe pushka ishin të mishëruara si mishi me kockën për një qëllim të shenjtë të përbashkët-liri-pavarësi dhe ribashkim të Kosovës me nënën e shtrenjtë Shqipëri.

Mirëpo, në kohë paqeje (2000-2015), këtë ideal dhe objektiv të përbashkët të pushkës së UÇK-së me në krye  komandantin legjendar Adem Jashari  dhe  të penës intelektuale gjithëkombëtare me në krye Akademikun Rexhep Qosja, disa eksponentë  dhe elementë  të papërgjegjshëm, egoistë dhe sektaristë të pavetëdijshëm, për shkak të interesave personale karrieriste, ideologjike, tregtare, mafioze, korrupsioniste, nepotiste  dhe latifundiste…etj., po e shtrembërojnë, po  e baltojnë dhe po e abuzojnë idealin, pushkën dhe penën e përbashkët të vlerave dhe të meritave të luftës së drejtë çlirimtare kombëtare dhe antikoloniale të UÇK-së.

Kjo është një padrejtësi e madhe dhe, njëkohësisht një gabim tejet i rëndë dhe i pafalshëm si në aspektin historik dhe politik, ashtu edhe në atë kombëtar dhe demokratik, sepse kryekëput shpreh tendencën dhe luftën e vazhdueshme për  shtrembërimin, tjetërsimin  dhe ndryshimin e së vërtetës së historisë së përbashkët të pushkës dhe të penës për çlirimin, për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Mohimi dhe mosnjohja e meritave e atyre që kontribuuan me pushkë dhe atyre me penë

Mjerisht, këtë tendencë të rrezikshme, në funksion të përçarjes dhe të ndarjes së pushkës dhe të penës së përbashkët, e provojnë edhe disa shembuj negativë dhe irracionalë, siç janë  mohimi dhe mosnjohja e meritave e atyre që drejtpërdrejtë  me pushkë dhe me penë  kanë kontribuar për këtë Kosovë  të pavarur dhe sovrane.

Së fundi, populli le t’ua njohë meritat atyre, që më së shumti kanë kontribuar për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës qoftë me pushkë, qoftë me penë, jo mafiozëve, matrapazëve, mashtruesve, tradhtarëve dhe shitësve derbederë, hashotuxharë dhe “pashallarë” kolltukofagë filoserbë dhe filorusë, që nuk kanë dhënë kurrfarë kontributi  dhe, nuk kanë asnjë meritë për lirinë e Kosovës, as në kohë lufte e as në kohë paqeje.

-Është turp, padrejtësi, mëkat dhe primitivizëm, që të shpërblehen me dekorata të ndryshme kombëtare dhe si “qytetarë nderi”, ata që nuk kanë dhënë kurrfarë kontributi, as kurrfarë vepre konkrete për mbështetjen e kombit e të atdheut, as në kohë lufte e as në kohë paqeje, e të margjinalizohen dhe të diferencohen ata, që me pushkë dhe me penë kanë dëshmuar vlerat e tyre njerëzore, kombëtare dhe atdhetare shqiptare.

 -Një  pyetje, pse të mos u njihet statusi i veteranit të UÇK-së, edhe atyre intelektualëve, të cilët me penë, fuqishëm dhe në mënyrë shkencore botërisht e kanë mbështetur dhe e kanë justifikuar si të ligjshme edhe luftën e drejtë, edhe UÇK-në si plotësisht legjitime dhe legale sipas së drejtës ndërkombëtare.

 -Pse të mos u njihet statusi i veteranit të UÇK-së atyre intelektualëve dhe veprimtarëve të ndërgjegjshëm dhe të guximshëm shqiptarë, kur plumbat  e armikut u vërshëllenin mbi kokë dhe,  në format më ataviste  keqtrajtoheshin dhe  torturoheshin nga udbashët, policët dhe paramilitarët e Milosheviqit, të Sheshelit, të Nikoliqit, të Vuçiqit…, etj., duke u tërhequr zvarrë si “qeni” nëpër stacionet ndëshkuese policore, nëpër zyra të hetuesisë dhe nëpër burgje të Serbisë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe, vetëm pse  me shkrimet e  tyre kombëtare patriotike ishin  në mbrojtjen dhe në legalizimin e luftës së drejtë të UÇK-së?

Vetëm ndërgjegjja e kalbur dhe reaksionare antikombëtare, mund t’u heqë vizë barazimi patriotëve dhe tradhtarëve. Mirëpo, megjithëkëtë “ekskluzivitet” absurd  të nëpërkëmbjes, të abuzimit, të përbuzjes dhe të mohimit të vlerave të njëmendta etike, profesionale, kombëtare dhe atdhetare shqiptare, historia  si proces i hapur, do t’ua njohë veprat dhe meritat vetëm atyre, që me pushkë dhe me penë ishin në shërbim të luftës së UÇK-së dhe të çështjes kombëtare  shqiptare.

Ka ardhur koha të apostrofohen mafiozët e ndryshëm  anti-liri

Si kanë thënë  urtakët tanë filozofë  ” e drejta vonon, por ajo del në shesh” në mos sot, nesër po.  E, kjo do të jetë më shumë se një fitore politike  për luftëtarët dhe patriotët e vërtetë të pushkës dhe të penës për liri, për pavarësi dhe për ribashkim kombëtar dhe Shqipërinë natyrale etnike.

Ka ardhur koha që t’i apostrofojmë të gjithë  honxhobonxhot dhe mafiozët e ndryshëm  anti-liri, anti-drejtësi dhe anti-bashkim, që kanë marrë përsipër futjen e “mishit të dhisë” midis pushkës dhe penës së përbashkët, me qëllim që të blozojnë dhe të ndryshojnë historinë e  luftës së UÇK-së dhe të historisë  së Kosovës së sotme të lirë, të pavarur dhe sovrane (1999-2015).

Shperndaje ne

The Author

Dr. Mehdi Hyseni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.