QËNDRIMI AGRESIV SERBO-MALAZEZ NDAJ SHQIPTARËVE DHE REZISTENCA E MALËSORËVE GJATË TRAZIRAVE NË FUND TË SHEK. XIX DHE FILLIMIT TË ATIJ XX, NË SYTË E NJË GAZETARE ANGLEZE.

prenk_doci_abati

“Tani kemi një armik tjetër, shumë më i keq,

që rritet dita ditës dhe ky është sllavi”

Prenk Doçi

Shkruan: Fejzula  Abdulai

Në njëzet vitet e para të shekullit XX popolli shqiptar, edhe pse i okupuar dhe i shtypur nga Perandoria osmane për mbi 500 vjet, me luftën e vet të pandërprerë shumëshekullore do mund të çlirohej dhe të krijonte shtetin e vet. Mirpo, rrethanat e asaj kohe kanë qenë të tilla ku qenë inplikuar interesa të ndryshme në dëm të shqiptarëve, që e pengonin realizimin e idealeve shqiptare për një pavarsi kombëtare dhe formimin e një shteti të pavarur e sovran shqiptar brenda trojeve të veta shekullore. Me padrejtësitë që qenë bërë nga Fuqitë e Mëdha në fund të shek. XIX dhe fillimit të atij XX lidhur me tokat shqiptare, shqiptarët tani hasën edhe me një armik tjetër, i cili vazhdimisht ka synuar t’i eliminojë si popull liridashës dhe t’ua merr trojet ku jetojnë me shekuj. Ky tani, në dallim prej të parit, është i shumëfishtë, sepse aty janë të përfshirë të gjithë popujt që gjenden për rreth, dhe shtypjet që i kanë bërë ndaj shqiptarëve i kanë kryer në mënyrën e vet, ashtu siç u është përgjigjur interesave shtetërore të tyre. Këta janë popujt sllavë të ardhur nga stepat ruse që tani pretendojnë se tokat shqiptare janë të tyre, të udhëhequr nga Rusia e cila pat vendosur që ta bënte sllav dhe orthodoks tërë Gadishullin Ballkanik. Ky popull armik në këtë periudhë, ndonse të shkurtë, për shqiptarët ka qenë një brengë e cila vetëm me një luftë heroike dhe gjakëderdhëse do shmangej.

Për këtë periudhë kohore, të gjitha padrejtësitë që i janë bërë popullit shqiptar nga ky armik i përbetuar shekullor, i nxjerr në pah publicistja e famshme angleze, EDITH DURHAM. Kjo burrneshë me cilësi të larta njerëzore dhe gazetare me përvojë, e cila me të drejtë u quajt nga malësorët e Shqipërisë së veriut “Mbretëresha e Maleve” e pati gucimin që haptas t’u bjerë ndesh politikanëve dhe ushtarakëve serbo-malazes dhe padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve nga ana e disa fuqive të mëdha të kohës.

Karakteri antishqiptar i politikës serbo-malazeze

Kuptohet, serbo-malazezët si armiq të perbetuar të popullit shqiptar, në këtë kohë kanë pasur dy qëllime parësore: luftën kundër okupuesit shekullor osman për pavarsi dhe luftën për ekspansion territorial, përkatësisht për okupim e trojeve të huaja. Këtë të fundit do ta bënin kundër shqiptarëve sepse pjesa e Malësisë në veri ka qenë një pengesë e madhe për daljen e Serbisë në detin Adriatik. Që ta mbërrinin këtë qëllim, ata sëpari kanë synuar që të dy mbretëritë të krijojnë një aleancë të përbashkët e cila më lehtë do mundësonte në realizimin e qëllimeve të tyre. Të dyja palët duke parë se ekziston një përputhshmëri e plotë në vlerësimet  politike, u paraqit një dëshirë që të themelohet një marrëveshje në mes dy mbretërive. Për formimin  e kësaj marrëveshje, iniciativa erdhi nga Mali i Zi. Kral Nikolla, paraprakisht i dërgoi Qeverisë serbe një proektmemorandum, ku propozohej krijimi i një aleance ndërmbretërore.

Përmbajtjen e këtij proektmemorandumi të përfshirë në 10 pika e gjejmë në veprën studioze të autorit shqiptar, Gjergj Nikprelaj, me titull: KRYENGRITJA E MALËSISË E VITIT 1911 (2004). Me një koment të shkurtë po e paraqesim këtë përmbajtje.

Qysh në pikën e parë vërejta që u bëhet shqiptarëve, është se, shqiptarët kryengritjen e paskan bërë pa pjesëmarrjen e serbëve, e cila pat qenë si rrjedhojë e mosmarrëveshjes ndërmjet fiseve shqiptare dhe ndonjë regjimi të ri në Turqi. Sipas të dhënave serbe të cilat mund të jenë vetëm falco pandonjë mbështetje faktografike, kinse Lëvizja Shqiptare antiosmane në këtë kohë paska lindur për shkak të një simpatie të tyre që e kanë pasur ndaj Sulltan Hamitit II të rrëzuar, e jo për një luftë për çlirim kombëtar. Gjë që është një absurd i pakuptueshëm dhe qesharak për një politikë shtetërore serbe e cila kinse është e angazhuar vetëm për çlirim nga okuptari shekullor e jo edhe për diçka tjetër! Madje serbët mendonin se, nëse krijohet një Shqipëri autonome, kjo do të ishte një goditje e madhe për shtetin serb, pasi në këtë mënyrë Serbisë do t’i ndërpritej dalja në pjesën veriore të Shqipërisë të cilat ajo i konsideronte me një strategji të veçantë. Mirpo, edhe pse shpërthimi i shqiptarëve mund të ketë qenë për pavarsi, mendonin serbet, ata qëllimin nuk do mundej ta realizonin pa ndihmën tonë, nga fakti se ata kanë një armatim shumë të dobët me të cilin nuk do ta përballonin dot luftën me ushtërinë turke dhe, në fund, nuk do të kishin ndonjë fitore të suksesshme. Nëse në trojet që kanë qenë në interes për serbët, thyhej kryengritja shqiptare dhe vihej një rrend sipas kritereve turke, atëheren, sipas serbeve, kjo do të ishte në dëm të madh për vetë serbët.

Emigrimin e shqiptarëve në Mal të Zi ata nuk e shikonin me simpati nga shkaku se  shqiptarët mund të organizoheshin me krerët e fiseve të pavarura shqiptare në Vilajetin e Shkodrës dhe të Kosovës dhe në çaste të duhura të organizohen në një kryengritje gjithshqiptare. Duke e parë këtë rrezik malazezët propozuan që kontrollën ndaj shqiptarëve ta marrin në duart e tyre vetë serbët, dhe kërkuan se emigrantëve shqiptarë të mos u jepet amnesti. Në këtë mënyrë ata do t’i përdornin shqiptarët për nevoja të posaçme. Nëse shqiptarët kthehen në tokat e tyre dhe organizohen në një kryengritje, ata do duhet të kenë qëllime të caktuara paraprake që do shkojnë për shtat në politikën serbe që synon në çlirimin e tokave  të cilat quan të vetat. Në fund nëse Qeveria e Mbretërisë së Serbisë pajtohet me këtë projektmemorandum, atëheren ajo do t’i ngarkonte eprorët  e lartë ushtarakë që të hartojnë një plan të hollësishëm të opracionve ushtarake, i cili do të miratohej edhe nga faktorët ushtarakë të Malit të Zi. Ky projektmemorandum u pranua nga të dypalët. Mali i Zi pasi ka qenë në interes të veçantë për Serbinë, nga ana e tij kërkoj që me marrëveshje të ndërsjellë të mundet tokat e çliruara të ndahen në mes tyre.

Nga kjo shihet se nëpërmjet të këtij memorandumi serbo-malazezët u munduan që të vinë në një ujdi të përbashkët në mes tyre për një luftë kundër okupatorit shekullor por duke i dëmtuar shqiptarët. Në luftërat e më vonshëme, siç vë në dukje Edith Durham, ata u munduan që shqiptarët t’i përdorin si pararojë në betejat e tyre. Qëndrimin shazarak të serbosllavëve ndaj shqiptarëve dhe rezistencën heroike të malësorëve shqiptar, në kohën e fundit e gjejmë në dy vepra studioze: në veprën e Gjergj Nikprelajt,  cituar më lartë dhe në atë të Lulash Nikë Palushaj, me titull: MALËSIA DHE FISET E SAJ (2010).

Qëndrimet diskriminuese serbo-malazeze ndaj shqiptarëve

Urrejtjet ndaj feve shqiptare.- Serbo-malazezët i përkasin konfesionit orthodoks, kurse shqiptarët, siç ështe e njohur, janë të përfshirë në tre konfesione: muslimanë, të krishterë dhe katolikë  (konfesioni katolik shtrirjen më të madhe e ka në pjesën veriore të trojeve shqiptare). Pushtetarët serbo-malazez duke synuar që të arrijnë qëllimet e tyre, ata pandërprerë kanë zhvilluar një luftë urrejtjeje edhe ndaj çdo përkatësie fetare që posedojnë shqiptarët. Në këtë kontekst, duke u bazuar në politikën ruse për zgjerimin e orthodoksizmit, ata, së pari, janë munduar të shkaktojnë përçarrje ndërfetare tek shqiptarët, e pastaj në tërësi t’i konvertojnë në fenë orthodokse.

Për fanatizmin fetar serb, E. Durham me një habitje të paparë thotë se, ata nuk urrenin vetëm islamizmin shqiptar, por urrenin edhe çdo kishë tjetër të krishterë shqiptare. Kjo është një urrejtje pa presedan e orthodoksizmit serbo-malazes ndaj besimit fetar të shqiptarëve, konstaton ajo. Jo vetëm kaq. Sipas fanatizmit të tyre, nënvizon kjo publiciste, pushtimi turk i Ballkanit i detyrohej më tepër fanatizmit të kishës Ortodokse. Mirpo, nga të dhënat burimore, shihet se ekzistojnë prova që ortodoksët e Ballkanit, turkun e kanë quajtur si rrezik më të vogël nga Papa. Kështu, ka pasur raste që në vitin 1902 në territorin serb të ketë disa xhami të hapura, ndërsa nuk ishte e lejuar që të funksionojë asnjë kishë katolike shqiptare. Në kontaktin që e pat Durham me shumë gra të huaja që qenë të martuara me serbë, i patën thënë se “për hir të qetësisë në familje”, ishin të detyruara të hyjnë në kishën Ortodokse. Qëndrimi i këtillë, nënvizon ajo, nuk rridhte ngase populli serb ishte një besimtar i thellë, por nga fakti se kisha ishte serbe, dhe përfaqësonte një nacionalizëm  jo tolerant dhe një urrejtje të paparë ndaj feve të tjera, në rradhë të parë ndaj besimit  katolik shqiptar. Mirpo, megjithatë kjo gazetare e talentuar pati mundësinë që ta  nxjerrë në pah të vërtetën e këtij qendrimi intolerant, kinse fetar.

Qëndrimet sllave ndaj malësorëve, Edith

Durham i zbulon me ndihmën e Prenk Doçit

Nuk do të ishte e mundur që të zbulohet e vërteta, nëse një kërkues nuk has në njohës të mirë të një situate. Mirpo që të arrihet një gjë e tillë, kërkuesi duhet të ketë një përgatitje paraprake mjaft të përsosur. Gazetarja e njohur angleze Edith Durham, me një përvojë të madhe, me zotësinë dhe përgatitjen e vet profesionale, ka pasur mundësi që të nxjerrë në pah të vërtetën e armikut shekullor të shqiptarëve. Në këtë rast ajo pati mundësi ta gjejë njeriun e vërtetë, përkatësisht njohësin solid të situatës politike të asaj kohe në Ballkan, i cili pandonjë neglizhencë i erdhi në ndihmë kësaj dashamirëse të popullit shqiptar. Ky është, siç  quhej, Abati i Mirditës, Prenk Doçi. Për këtë thotë se ka qenë me zotësi të madhe dhe me dituri të pakrahasueshme, dhe ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet për çështjen kombëtare. Ka qenë aktiv në Lidhjen Shqiptare, në kryengritjen kundër sundimit turk dhe në Traktatin e Berlinit. Aktiviteti i këtillë i tij, thotë Durham, duke qenë në presion të madh, e ka detyruar atë që të arratiset. Kohën e mërgimit e pat kaluar si prift në Newfaunland dhe në Indi. Edhepse në mërgim, aktivitetin nuk e pat ndërprerë. Intensivisht e mëson gjuhën angleze, dhe, njëkohësisht, tregon një aktivitet të paparë për çështjen shqiptare. Këtu, sipas Durham, ai shpiku një sistem spelcial për të shkruar shqipen dhe shumë gjëra të tjerë që kanë qenë në interes të kombit shqiptar. Me aftësinë e tij, ai pati mundësi që t’i bindë autoritetet e Fuqive të kohës që ta shikojnë realitetin në Ballkan. Ky erudit shqiptar, me bisedat e sinqerta dhe miqësore që i ka pasur me këtë dashamirëse, u orvat që tja tregojë realitetin që po ndodh në trojet shqiptare të okupuara nga të huajit dhe padrejtësive që u bëheshin shqiptarëve për një pavarsi kombëtare. Ai, sipas bindjeve të thella që i ka pasur,  thotë se, Turqia nuk është armik më i keq që kanë shqiptarët, “…armik tjetër, shumë më i keq, që rritet dita ditës ky është sllavi”. Ky armik, thotë ai, në krye të ndihmesës e ka pasur Rusinë, e cila me kishën e saj famëkeqe dhe fanatike, në bashkëpunim me çetat e egra serbe e bullgare, ka synuar që të shkatërrojë çdo gjë që është shqiptare, por në rradhë të parë të fshijë nga faqja e dheut fetë shqiptare- katolike dhe atë myslimane, vazhdon ai në bisedën miqësore që e pat me dashamirësen e kombit shqiptar. Prenk Doçi, nuk mbaron me kaq. Për Kosovën thotë se është një Shqipëri shumë më e vjetër, e jo siç e quajnë serbët, Serbi e Vjetër. Madje tregon edhe për qëndrimet shtazarake të okupuesëve sllavë në Kosovë e në trojet e tjera shqipatre. Në luftën që ai e bën për çlirimin kombëtar, thotë se duhet bërë së pari një angazhim  propagandistik më i madh ku duhet t’i tregohet Evropës se në Ballkan ka edhe popuj të tjerë që duhet të çlirohen, se nuk janë vetëm serbët e bullgarët. Në vazhdim ai thekson:

Për tani turku është si  e vetmja për mbrojtje që kemi kundër sllavit shkelës. Prandaj unë them të mos bëjmë asgjë që mund të dobësojë turkun, gjersa ne të jemi aq të fortë sa të qëndrojmë vetë më këmbë e të kemi fituar njohjen e Evropës. Kur do rrëzohet Perandoria Turke, dhe do rrëzohet padyshim, na duhet të mos biem as në duar të austriakut as në ato të sllavit” (E. Durham: Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Tiranë, 2001.). Durham thotë se Prenk Doçi këtë politikë e vazhdoi pandërprerë, të cilën më vonë e tregoj koha se është më e mençur. Ajo i pat premtuar se do bëjë çmos me atë që ka pasur në dorë, që çështjen shqiptare ta bëjë të njohur tek anglezët dhe se, edhe vetë do punojë për çlirimin e Shqipërisë.

Favorizimi i kryengritjes së malësorëve nga ana e malazezëve nuk ka qenë në interes të shqiptarëve

Serbo-malazezët qenë të vendosur që në çdo mënyrë të fitojnë pavarsinë e tyre nga okupuesi shekullor osman. Në fakt, nuk ka qenë vetëm ky qëllimi parësor i tyre, por “me ndihmën e shqiptarëve malësorë”, të cilët poashtu kanë qenë të okupuar, të organizohen në një kryengritje ku shqiptarët do luftonin, kurse ata në “prapa vijë” do t’i furnizonin me armë dhe nevoja të tjera për një luftë të suksesshme. Qëllimi i tyre këtu ka qenë, thotë Durham, që malësorët të luftojnë, kurse Mali i Zi të përvetësojë sa më tepër troje shqiptare të çliruara nga okupimi turk.

Për një kryengritje të suksesshëme kundër okupimit turk, malazezët punonin pa pushim. Nga njëra anë, shqiptarët i furnizonin me armë e municion, nga ana tjetër u premtonin se pas mbarimit të luftës vetë do të jenë zot në trojet e çliruara. Në fillim malësorët nuk qenë në gjendje t’i zbulojnë qëllimet sekrete të tyre të cilët kanë qenë më të rrezikshme se të okupatorit shekullor. Paraprakisht shërbimet malazeze për të pasur një organizim më të suksesshëm, filluan të kërkojnë bashkëpuntorë të tyre në mesin e malësorëve të cilët do t’u dilnin në ndihmë. Në fillim ata patën sukses që të bëjnë për vete një shqiptar me emrin Sokol Baca,  një burrë me vlerë nga fisi i Grudës. Mbreti i Malit të Zi (Nikolla) i pat dhënë mjaft shpërblime nga ana e tij me qëllim që ai kur do të jetë nevoja t’i dalë në ndihmë. Prej këtij plaku, mbreti kërkoi që ai t’i bindë malësorët katolikë të shpërngulen në Mal të Zi duke u premtuar, po të bënin kryengritje kundër turkut, strehë dhe mbrojtje për gratë dhe fëmijët gjer sa të çlironin vendin. Kuptohet, do furnizoheshin mirë me armë dhe municion që të bënin një luftë sa më të suksesshëme. Nga ana e tij, mbreti Nikolla, fiseve shqiptare u premtonte edhe pavarsi të plotë. Më vonë, thotë Durham, “…ky plak i pandërgjegjshëm me fisin e tij, kur e merr vesh se çfar qëllim kanë pasur malazezët u pedua me një hidhërim të madh që e lejoj veten të bëhet vegël e tyrë për të tradhëtuar bashkëkombësit e vet” (E. Durham, vepër e cituar më lartë).

Dredhinat që po u bëheshin malësorëve i pat mundësi t’i zbulojë edhe Edit Durham. Ajo në kontaktet e shumta që i ka pasur, prej një udhëheqsi malazes i dëgjon këto të thëna: “Më helmohet zemra kur shikoj këta malësorë trima të vdesin vetëm sepse duan të kenë lirinë e shkollave për fëmijët e tyre”. Mirpo në realitet, thotë ajo, Mali i Zi asnjëherë nuk pat lejuar që të hapet ndonjë shkollë shqipe. Në shumë vende të Malësisë, me të madhe kishte vazhduar sllavizimi i popullatës shqiptare dhe plaçkitja e fshatrave. Pasi lufta qe e pasuksesshme, Mali i Zi në mënyrë shtazarake filloi t’i shpërngulë shqiptarët nga vendi i tij.  Shumë qartë u demaskua se, favorizimi i kryengritjes së malësorëve nga ana e malazezëve nuk ka qenë në interes të shqiptarëve.

Gjatë përgatitjeve që i bënin malësorët për një kryengritje për çlirimin e trojeve të veta nga Perandoria Osmane, tërësisht u distancuan nga ndihmat që desh tua jep Mali i Zi të cilat kanë pasur qëllime të caktuara. Prandaj në vendimin kryesor të malësorëve të sjellë në mbledhjen e mbajtur në vendin Vrella të Ribnicës në vitin 1910, thuhet se “ata Malin e Zi e duan për kojshi e mik, por jo edhe për vëlla” (Lulash Nikë Palushaj, vepër e cituar më lartë). Këto fjalë delegacionit malazez ja përcolli Nikë Gjelosh Luli. Pastaj, veç kësaj, Fuqive të Mëdha të kohës iu bë në dije se Malësia e Madhe është pjesë e pandarë e trollit shqiptar (Lulash Nikë Palushaj, po aty).

Duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet antishqiptare të politikës malazeze, malësorët vetë patën mundësi të organizohen. Mirpo, që të ish e suksesshme një kryengritje, është dashur që të krijohet një Komitet që do të udhëhiqte me sukses kryengritjen. Komiteti u krijua në Podgoricë, ku në përbërjen e tij merrnin pjesë 10 anëtarë. Për kryetar u zgjoth Sokol Baci, i cili me vjet banonte në Podgoricë dhe ishte armik i përbetuar i osmanlinjëve, kurse me malazezët vazhdoj të ketë miqësi por jo edhe bashkëpunim në dëm të shqiptarëve. Ky si mik i kral Nikollës do mundej më lehtë t’i furnizonte me armë dhe municion kryengritësat malësorë (Lulash Nikë Palushaj, po aty). Në përbërje e këtij Komiteti ka qenë edhe luftëtari legjendar i Malësisë së Madhe, Dedë Gjon Luli.

Me Traktatet e kësaj kohe u cënuan interesat e shqiptarëve

Serbia me pozitën e vet në Ballkanin Qendror, duke tërhequr interesin e fuqive të perëndimit e të lindjes për të shtrirë dominimin e tyre në këtë rajon,ndikoi që udhëheqësia e saj interesat shtetërore t’i kthejë njëherë nga perëndimi e njëherë nga lindja. Në fakt, kjo ndikoj që Rusia pas mbarimit të luftës ruso-turke (1877), duke u friguar nga Serbia, me një udhëheqsi e cila në këtë kohë, ka pasur një politikë më tepër properëndimore, mund ta pengonte zgjerimin e pansllavizmit në Ballkan dhe kufizimin e lakmisë ruse ndaj Konstadinopojës. Pikërshit për këtë gjë, me Traktatin e Shën Stefanit (1878), rusët duke shpenzuar tërë energjinë dhe angazhimin e pakufizuar të diplomacisë së vet, do të krijonin  një Bullgari të Madhe nëpërmjet të së cilës do t’i  realizonin ëndrrat e tyre pas ngadhënjmit të kësaj lufte, vë në dukje Durham, në zbulimin e sekreteve në Ballkan. Me këtë Traktat ata krijuan Bullgarinë e Madhe, e cila në përbërjen e saj përfshiu mjaft troje shqiptare të pjesës jugore. Padrejtësia ndaj shqiptarëve nuk mbaroj me kaq. Ndërkaq,  Fuqitë e Mëdha duke parë se ç’po bën Rusia në Ballkan, menjëherë organizuan një Kongres në Berlin, ku në rend të ditës ishte çështja e Ballkanit. Me punimet e veta ky Kongres do fillonte më 13 qershor dhe do vazhdonte gati një muajë gjer më 13 korrik të vitit 1878. Mirpo, shqiptarët duke mos denjtur me duar kryq, para se të fillonin tubimin e tyre Fuqitë e Mëdha, organizuan një takim të përbashkët në Prizren të quajtur Lidhja e Prezrenit. Ky takim që filloi punët më 10 qershor (tri ditë para se të fillonte me punë Kongresi i Berlinit) ku merrnin pjesë patriotë nga të gjitha trojet shqiptare, kishte për qëllim ruajtjen e trojeve të coptuara, dhe t’u tregojë Fuqive të Mëdha për padrejtësitë që iu bënë shqiptarëve nga vendimet e sjella me Traktatin e Shën Stefanit. Pastaj do kërkohej që trojet e tjera të populluara me shqiptarë t’i mbeten Shqipërisë. Mirpo, me Traktatin e këtij Kongresi shqiptarët sërish mbetën të zhgënjyer. Kosova mbeti nën Turqinë, kurse Serbia nuk zgjerohej në drejtim të Mitrovicës dhe të Prishtinës. Asaj ju dhanë krahinat që i qenë premtuar Bullgarisë nga ana e Rusisë. Malit të Zi ja dhanë krahinat e Tivarit, të Podgoricës, të Plavës, të Gucisë, të Rugovës dhe të Kolashinit.

Siç shihet, vënë dukje gazetarja e shquar angleze Edith Durham, shqiptarët në Ballkan kanë qenë më të dëmtuarit nga të gjithë kombet e tjerë. Kjo nga fakti se popujt sllavë ndërmjet tyre krijuar aleanca të përbashkëta që kishin për qëllim jo vetëm të çlirohen nga okupatori shumë shekullor, por të rëmbejnë sa më tepër toka shqiptare. Megjithatë, nënvizon ajo, shqiptarët me trimërinë dhe dinjitetin e vet bënë një luftë heroike kundër turqëve dhe agresorëve sllavë. Në këtë drejtim, në veri të Shqipërisë, me një trimëri dhe me një heroizëm që se kanë pasur popujt e tjerë, u shquan malësorët e Malësisë së Madhe. Edhe në jug të Shqipërisë, shqiptarët nën komandën e patriotëve të shquar, heroikisht luftuan kundër agresorit grek për ruajtjen e trojeve të veta./geoprespa

(Shënim: Literatura e shfrytëzuar është e cituar në tekst)

Shperndaje ne
Updated: 6 Maj, 2015 — 17:28

The Author

Fejzula Abdulai

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.