S’ka alternativë tjetër, o federalizim, o ribashkim me Shqipërinë

harta_ilirida

                                                      Barometri diplomatik

Mehdi_HYSENI01Shkruan: Prof. Dr. Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

Shqiptarët nën Maqedoni  të mos lihen nën “mëshirën” e politikës së terrorit shtetëror sllavomaqedonas

Për një zgjidhje të këtillë të konfliktit shqiptar-sllavomaqedon, që nga viti 2001, kemi shkruar në vazhdimësi. Mirëpo, deri tani, si shteti sllavomaqedon, ashtu edhe elita politike shqiptare (participuese në Qeverinë dhe në Kuvendin maqedonas), janë treguar të “shurdhër”, duke mos bërë asgjë  për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë (1991), e cila pa asnjë të drejtë ka sanksionuar shqiptarët (mbi 50%) si “minoritet”!!! 

Nëse  Qeveria dhe Kuvendi sllavomaqedon  urgjentisht nuk e ndryshojnë Kushtetutën në fuqi të Republikës së Maqedonisë (1991),  e cila do t’ia hapte rrugën  dialogut dhe kompromisit politik, demokratik dhe paqësor të zgjidhjes së konfliktit sllavomaqedon-shqiptar, së shpejti do të vijë në shprehje shthurja e kësaj  ish-republike titiste dhe gligoroviste. Këtë e paralajmërojnë edhe protestat dhe revoltat e shqiptarëve në Maqedoni, për shkak të shtypjes, burgosjeve, torturave, arrestimeve, vrasjeve, persekutimeve, terrorit policor dhe militarist, diskriminimit, të racizmit dhe të aparteidit nga ana  e pushtetit sllavomaqedon (1991-2015).

Shqiptarët e Maqedonisë  do të kërkojnë bashkim me Shqipërinë

Një gjendje e këtillë alarmuese për Ballkanin dhe për Evropën, mund të tejkalohet vetëm me federalizimin e Republikës së Maqedonisë. Ndryshe, Maqedonia numëron vetëm ditët e fundit të ekzistencës së saj, sepse shqiptarët me të drejtë, do të kërkojnë bashkimin e tyre me Shqipërinë. Nuk ka opsion tjetër, o federalizim, o RIBSHKIM me Shqipërinë.

Që nga fundi i viteve të 90-a të shekullit XX, në vazhdimësi  e kemi theksuar domosdoshmërinë  që shqiptarët nën Maqedoni, të mos lihen nën “mëshirën” e politikës së terrorit shtetëror sllavomaqedon, ashtu sikurse nën ish-RSFJ-në (1945-1990), por të merren nën mbrojtjen direkte të shtetit ëmë, i cili, edhe sipas Kushtetutës në fuqi e  ka për detyrë dhe të drejtën  e plotë që të “mbrojë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.” (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Neni 8, pika 1, paragrafi 1).

Mirëpo, që nga shthurja e RSFJ-së (1990), si shkak dhe pasojë e agresioneve gjenocidale pushtuese të Serbisë me në krye Slobodan Milosheviqi (“kasapin e Ballkanit”), u pavarësua si shtet, edhe ish-republika e Maqedonisë me në krye Kiro Gligorov (1991), të cilën me plot të drejtë nuk e pati njohur Greqia, për shkak të emërtimit dhe të flamurit të saj shtetëror ngase vërtet, historikisht, kjo ngrehinë artificiale shtetërore e ish-RSFJ-së, nuk ka asnjë lidhje të historisë trashëgimore të Maqedonisë antike të Aleksandrit të Madh, të cilin si Athina, ashtu edhe Shkupi, në bazë të falsifikimit të historisë së tyre po luftojnë që ta përvetësojnë dhe të identifikohen me simbolet e Maqedonisë antike dhe me Aleksandrin e Madh.

Mirëpo, historia e derisotme flet ndryshe nga tezat e rreme dhe të falsifikuara të historisë greke dhe të kësaj sllavomaqedone, sepse vetëm shqiptarët dhe Shqipëria etnike kanë gjenezën historike të përbashkët me Maqedoninë antike dhe me Aleksandrin e Madh (Lekën). 
Këtë tezë të qëndrueshme historike të shkencëtarëve dhe  të autorëve të shumtë botërorë, me argumente shkencore e ka justifikuar edhe autori i mirënjohur frëng Robert d’Angely se: “Që nga epoka romake Maqedonia u përfshi në Illyricom, i cili përbëhej nga një popullsi homogjene pellazge me emra  të ndryshëm si maqedonas, epirotë, albanë (toskë etruskë dhe gegë, dalmatë dhe emra të tjerë ilirë, që flisni po atë gjuhë pellazgjishten ose shqipen).

 Këtë fakt të njohur historik e pasqyruam me qëllim që t’i rikujtojmë sllavomaqedonasit së bashku me qeveritë e tyre terrorizuese ndaj shqiptarëve autoktonë, se ka ardhur koha që të vetëdijesohen  dhe të ballafaqohen me historinë dhe me realitetin gjeopolitik dhe etnik të shqiptarëve, të cilët nuk janë kurrfarë “mbetje etnike”, as kurrfarë migrantësh kolonë, të shpërngulur nga stepat e Siberisë dhe të Kaukazit rus, sikurse që është vetë konglomerati sllavomaqedon, i ardhur dhe i vendosur me dhunë, me barbari dhe me gjenocid (që në shekullin VII)  në truallin pellazg-ilir-shqiptar të Maqedonisë antike të Lekës së Madh.

Shqiptarët janë komb, jo minoritet në shtëpinë-atdheun e vet pellazgo-ilir!

Nga doli  dhe kush e shpalli etnikumin pellazg-ilir-shqiptar “minoritet” në Maqedoni, kur ai kurrë nuk ka qenë minoritet, por statistikat  regjistruese të popullsisë që nga  mbretëritë e ndryshme serbo-jugosllave (1912-1945) dhe nga  ish-SFRJ-a e Titos (1945-1990), si dhe më pas statistikat e falsifikuara të së ashtuquajturës FYROM dhe Maqedoni (1991-2015), në vazhdimësinë historike e kanë falsifikuar numrin e popullsisë shqiptare, me qëllim që, t’i mbajnë “peng” nën sundimin dhe terrorin gjeonocid sllavomaqedonas.

 Këtë padrejtësi ndaj shqiptarëve, e kanë bërë dhe, ende janë duke e bërë qeveritë e sotme sllavo-maqedonase, me qëllim që ta “bindin” Evropën dhe botën se gjoja shqiptarët janë “minoritet” në “tokë të huaj-sllavomaqedonase”, të cilët as me ligj dhe as me Kushtetutën në fuqi nuk gëzojnë të drejtën, që të jetë komb shtetformues i barabartë me sllavomaqedonasit.

Ky është problem tejet serioz, që kërkon zgjidhje imediate dhe të drejtë, sepse një popull  autokton në truallin e tij, siç është në këtë rast, populli shqiptar, në asnjë mënyrë, nuk mund të jetë “minoritet”, ashtu siç e kanë  shpallur statistikat e falsifikuara politike, dhe, ashtu siç e ka sanksionuar Kushtetuta në fuqi e qeverive dhe e kuvendeve hibride sllavo-maqedonase, të ndihmuara nga aleancat dhe nga partneret e tyre politikë shqiptarë, të instaluar në pushtetin shtetëror (1991-2015).

Është absurd dhe i papranueshëm fakti se si partitë politike shqiptare në pushtet (PDSH dhe PDI) deri më sot (1991-2015) kanë gjetur gjuhë të përbashkët me  politikën drejtuese sllavomaqedone (si në Qeveri, ashtu edhe në Kuvend), duke ia mohuar të drejtën historike, kombëtare  dhe të drejtën e vetëvendosjes popullit të vet, që të mos jetë i barabartë me “kombin” sllavomaqedonasit.

Populli shqiptar në Maqedoni është autokton

Liderët e të dy partive politike në pushtetin sllavomaqedonas (PDSH dhe BDI) mbajnë përgjegjësi historike, politike, ligjore dhe kombëtare, pse deri më sot (1991-2015), nuk ia arritën, që të paktën, t’i bindin aleatët e tyre politikë sllavomaqedonë, si dhe partnerët evropianë ndërkombëtarë (BE, NATO, OSBE) për ta ndryshuar Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, ku populli shqiptar autokton, do të  kishte cilësinë politike, juridike dhe kushtetuese si element shtetformues, i barabartë me “kombin” sllavomaqedon, jo të diskriminohej, duke e shpallur “minoritet” sikurse me minoritet e tjera në Maqedoni.

Të gjithë ata sllavomaqedonë dhe shqiptarë, që duan të ushtrojnë pushtet të përbashkët, me qëllim që, edhe më tej ta ruajnë Republikën e Titos(ngrehinë artificiale) në funksion të mbrojtjes së strategjisë gjeopolitike serb-jugosllave, për t’i mbajtur shqiptarët të kolonizuar dhe të copëtuar  nga trungu i tyre kombëtar, territorial dhe shtetëror, janë të detyruar, që sa më parë të jetë e mundur, me procedurë të shkurtër, ta ndryshojnë Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë(1991), me ç’rast shqiptarët do të fitonin vetëm minimumin e kërkesës së tyre politike, kombëtare dhe shtetërore,duke  u barazuar me “kombin” sllavomaqedon.

Ndryshe konflikti  politik shqiptar-sllavomaqedon, është i pazgjidhshëm, dhe, do të çojë në konfrontime dhe polarizime të vazhdueshme, pavarësisht nga shtypja dhe terrori shtetëror sllavomaqedon ndaj shqiptarëve si  “minoritet”, të cilët  nuk do të pajtohen kurrë me këtë status diskriminues dhe mohues të identitetit të tyre kombëtar dhe shtetëror.

Ndaj, e gjithë ajo që  po ndodhë sot në Shkup, në Tetovë, në Gostivar, në Kumanovë etj., është e drejtë e ligjshme dhe demokratike, e pacenueshme e asaj pjese të kombit shqiptar dhe të Shqipërisë etnike, që të mos pajtohet kurrë me sundimin e huaj terrorist kolonial sllavomaqedon, sepse janë në shtëpinë dhe në truallin e tyre stërgjyshor pellazgo-ilir-shqiptar.

Aksi Tiranë-Prishtinë, ta  lexojë vëmendshëm deklaratën e Kim Mehmetit!

Pajtohem katërcipërisht me deklaratën e Kim Mehmetit, që ka apeluar  kryeministrat e Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët, lidhur me situatën e krijuar të zhvillimit të ngjarjeve dramatike në Maqedoni, kanë shprehur dëshirën, t’i vizitojnë kryeliderët politikë të PDSH-së dhe të BDI-së, kinse për t’i pajtuar ata.

Ky është fataliteti politik, juridik dhe kushtetues. Në këtë pikëvështrim, nuk ka se çfarë të debatojë dhe të pajtojë politika zyrtare e Tiranës dhe e Prishtinës, duke dashur që tani t’i pajtonte kryeliderin e BDI-së Ali Ahmeti me kryeliderin e PDSH-së Menduh Thaçi, sepse këta, sikurse kryeliderët e tyre të mëparshëm, kanë të njëjtin koncept politik, duan sundim  të përbashkët me sllavomaqedonët në kurrizin  e së drejtës së vetëvendosjes së shqiptarëve. Ky është problemi kryesor, që në mënyrë koherente galvanizon, përkeqëson dhe destabilizon situatën politike në Maqedoni.

Ja, po e citojmë në tërësi tekstin origjinal të Deklaratës së shkrimtarit, publicistit dhe analistit tonë të shquar, Kim Mehmeti:

 Lidhur me këtë “vizitë historike”, të paralajmëruar nga Tirana dhe nga Prishtina zyrtare, Kim Mehmeti  me të drejtë ka shtruar pyetjet shumë serioze dhe domethënëse : “Është e mundur vallë që këta dy burrështetas të jenë aq të painformuar sa mos e dinë se kryesuesit e BDI-së e të PDSH-së, gjithmonë kanë bashkëvepruar, se përherë ata kanë qenë të teledirigjuar nga të njëjtat qendra policore e politike të DPMNE-së!? Pastaj është e mundur që të mos e dinë se shqiptarët e këtushëm nuk janë më ata të dikurshmit, të cilëve kushdo nga Tirana apo Prishtina, mund t’ua shiste kumbullat si qershi dhe se prej moti ata e kanë kuptuar se Tiranën e Prishtinën zyrtare, më shumë i shqetëson fati i kolegëve të tyre të këtushëm ‘hajdutokrat’, se sa ai i popullit të këtushëm shqiptar! Andaj shqiptarët e Maqedonisë mund të dalin me një kërkesë befasuese për mysafirët nga Tirane e Prishtina: Të kërkojnë nga ata që në kthim për në shtëpi, t’i marrin me vete këta me të cilët do hanë darka e dreka, e të cilët kurrë nuk i pyetën si ndodhi që popullit të vetë t’ia ‘gllabërojnë’ krejt çka pati, duke ia lënë vetëm varfërinë dhe përbuzjen!”

Shperndaje ne

The Author

Dr. Mehdi Hyseni

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.