Shqiptarët në Maqedoni ndihen të kërcënuar si dje, si sot, si nesër.

Aleksandri_i_Madh_01                                    Maqedonia e vogël matet me hijen e Aleksandrit të Madh

Ndue_DedajShkruan: NDUE DEDAJ

 Sulmi në Kumanovë

Gruevski është tepër i vogëlth për të qenë një “perandor” në Ballkanin e sotëm.

Është e tmerrshme ajo që ka ndodhur në Kumanovë para tri ditësh, një lagje e tërë e shfarosur, thua ngaqë mbante emrin “Lagjja e Trimave”? As bombardimet e Luftës së Dytë Botërore nuk do ta kishin shfytyruar aq sa artileria e rëndë vrastare e vetë shtetit maqedonas? Është ende pa përgjigje pyetja se cili mund të ketë qenë shkaku, që ishte akumuluar gjithë ajo urrejtje nga qeveria e Shkupit ndaj kësaj lagjeje shqiptare, ku me sa dukej pritej rasti, më sot më nesër, për ta goditur mizorisht. Apo thjesht urrejtja ndaj gjithë etnisë shqiptare në Maqedoni, që shpërthen si murtajë herë në një zonë e herë në një tjetër? Në vend që prej racizmit dhe padrejtësive që dëshmohen ndaj tyre si shtetas të dorës së dytë (ndonëse të një shteti kukull!) të mos ishin dakord dibranët, tetovarët, manastirasit, strugasit e shqiptarët e tjerë në trojet e tyre atje, të identifikoheshin me atë shtet e nënshtetësinë e tij. Nuk ka, pra, një shkak për represaljen shembullore, pretekst po, kinse një grup i armatosur, destabilizues, i strehuar aty. Për cilindo që e njeh historinë dhe pandryshueshmërinë e psikologjisë sllave ndaj shqiptarëve, shkaku është shekullor dhe vetëm përsëritet në mënyrë ciklike (maqedonasit në pushtet nuk i pranojnë shqiptarët si të barabartë), njëlloj si në Tanushën e 2001-it. Kujtesa është e freskët, jo vetëm ajo e 15 viteve më parë.

Pse e lejoi bota e qytetëruar vrasjen e shqiptarëve 

Maqedonia ka ngritur shtatoren fantazmagorike të Aleksandrit të Madh 14 metra të lartë, si për t’ia përvetësuar figurën e tij madhore historisë dhe çdo mëngjes matet me hijen e tij, por pa pasur asgjë perandorake në sjelljen dhe qëndrimet e saj politike, shtetërore, policore. Gruevski është tepër i vogëlth për të qenë një “perandor” në Ballkanin e sotëm, ai është e shumta një tiran, nga ata që ky Gadishull ka njohur me shumicë. Por, si qytetar i këtij rajoni dhe si shqiptar, ajo që nuk kuptoj është se si bota e qytetëruar, me institucione  demokratike, lejon një shtet të vrasë 22 nënshtetas të vet në një paradite fundjave, si të ishte fjala për një gjueti shtrigash të mirëllogaritur, pa u mbyllur mirë kremtimet e Ditës së Evropës. E lajmi i zi korb për kancelaritë nuk qenka dhe aq ky, domethënë shuarja e njëzet e dy jetëve dhe plagosja e dyfishit të këtij numri njerëzish, çka errësoi qiellin dhe tokën shqiptare (që do të kishte hije të ngrinte në këmbë gjer NATO-n për shpëtimin e popullsisë civile në Kumanovë), por ai nëse Kryeministri i Shqipërisë e kishte fjalën për “Shqipërinë e Madhe”, apo aludoi rreth kësaj, gjatë një interviste në një verandë të Ulqinit.

 Marrëveshja e Ohrit, e flakur në liqen

Çfarë mund të ndodhë më tepër se kaq në një vend problematik si Maqedonia, që qeveria e saj të ndalohet të derdhë gjak? Të urdhërohet për këtë nga Amerika dhe Bashkimi Evropian e jo thjeshtë t’i tërhiqet veshi. “Ej, ju andej nga Shkupi, bëni pak kujdes!” Nga ana tjetër, çfarë duhet të bëjnë shqiptarët, të cilëve, përpos përpjekjeve shtetërore të përditshme për asimilimin kulturor e gjuhësor, iu ndodhin sistematikisht gjëma të tilla të rënda, në shtëpinë e tyre, iu vriten familjet, iu shkrumbohet prona, iu shkelet çdo liri dhe e drejtë njerëzore, iu shuhet perspektiva? Të shullëhen e flladitën në hijen e Alesandrit të Madh në bronz e t’i nënshtrohen qorrazi pushtetit të verbër të Gruevskit? Qeveria e ka për detyrë t’iu vërë emër gjerave që ndodhin në territorin e saj, emër dhe mbiemër, kush, si, pse? Asgjë nuk dihet nga këto në rastin e Kumanovës, që përgjaket si një drenushë e pafajshme. Dhe me gjasë nuk ka për t’u ditur. Ka vetëm një shpjegim, shteti maqedonas “Ohrin” e bujshëm e ka flakur në liqen, e ka rrokullisur si një top leckash në këmbët e evropianëve, nuk e ka në rendin e ditës Marrëveshjen e tij, që ishte një dokument me bekimin e ndërkombëtarëve. Shqiptarët nuk mund të mos shqetësohen, kur shohin se nuk i lënë të jenë shtetformues në Maqedoni, po veç pjesëmarrës formalë në një shtet e pushtet okult, një “garniturë” për të përligjur të pamundurën bashkëjetesë dhe bashkëqeverisje ndëretnike, jo se kjo nuk është një kauzë e çmuar, porse nuk i bindet faktori maqedonas. Kësisoj shqiptarët etnikë atje nuk e besojnë më diplomacinë dhe gjuhën e saj lakonike dhe natyrshëm kujtohen për kohërat e hershme të arta të tyre, kur ishin të lirë, matanë kufijve të 1913-s që i kanë si vargonj të rëndë në qafë prej 102 vitesh. Destabiliet është ky?… Apo luftë për dinjitet?… Duhet ndalur barbaria e Gruevskit njëherë e mirë! Nuk e ka fajin Shqipëria e Madhe, po Maqedonia e vockël që sheh ëndrra donkishoteske, të përgjakshme? Kumanova tregoi shumëçka, që shteti maqedonas nuk mund ta qeverisë territorin e tij pa vandalizëm shtetëror, që shqiptarët atje ndihen të kërcënuar si dje, si sot, si nesër, që komuniteti ndërkombëtar duhet të japë drejtësi për ngjarjen dhe të gjejë zgjidhje politike për të nesërmen e përgjithmonë.

Në mos, shqiptarët nuk do të reshtin së kërkuari e së projektuari vetë lirinë e tyre. /Kosovasot

Shperndaje ne
Updated: 16 Maj, 2015 — 08:29

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.