Fronti i dytë i Kumanovës

kumanove11maj2015-1Në fakt, një Maqedoni e njohur nuk i prish asnjë punë Greqisë, madje mund të jetë Greqia që do mund ta përthithte më rehat Maqedoninë, sepse ka sidoqoftë fuqinë, ekonominë, aspiratën dhe interesin për ta bërë këtë. Por, në kuadër gjeopolitik, një Maqedoni e mosnjohur ndreq më shumë punë si e tillë, e panjohur, e paidentifikuar, e errët.

Zeno_jahajShkruan: ZENO JAHAJ

Fronti” i Kumanovës nuk fillon e as përfundon te Gruevski. As vetëm te maqedonasit, as te shqiptarët në Maqedoni. Ai shtrihet më thellë në histori e më larg në gjeografi.
Nis me “mosnjohjen” e një shteti maqedonas, që ishte plotësisht i njohur në kuadër të ish-Federatës Jugosllave. Pikërisht pse ishte i tillë, prandaj nuk qe aspak e vështirë që, edhe pa shkrepur asnjë armë, me të drejtën juridike me vete, thjesht shpalli çka kishte pasë qenë nën atë Federatë: Republikën e Maqedonisë. Por një shtet anëtar i NATO-s, përkundër të drejtës juridike, përkundër edhe NATO-s, u kujtua të mos e njohë, sepse “i rrezikon sovranitetin me pretendim territorial”. Një rrezik që mund të frikësonte krejt më natyrshëm shtetin maqedonas e, për pasojë, të mos e njihte fare Greqinë, sepse kjo e fundit pretendon Maqedoninë, domethënë edhe Republikën e Maqedonisë!
Por a ka këllqe Maqedonia të ndërtojë politika, strategji, fuqi, numra e lobing që të rrezikojë Greqinë? A mund ta pretendojë Greqinë një Maqedoni që mbahet në këmbë e mund të qëndrojë në këmbë vetëm në sajë të një Marrëveshjeje me garantë ndërkombëtarë? E zorshme për ta menduar. E pamundur për ta realizuar.
Atëherë, pse iu desh, pse i duhet akoma dhe deri kur do t’i duhet Greqisë vetoja e mosnjohjes?
Në fakt, një Maqedoni e njohur nuk i prish asnjë punë Greqisë, madje mund të jetë Greqia që do mund ta përthithte më rehat Maqedoninë, sepse ka sidoqoftë fuqinë, ekonominë, aspiratën dhe interesin për ta bërë këtë. Por, në kuadër gjeopolitik, një Maqedoni e mosnjohur ndreq më shumë punë si e tillë, e panjohur, e paidentifikuar, e errët. Një Maqedoni e mosnjohur është një marrëveshje e heshtur, që të mbahet më i kontrolluar korridori Serbi-Greqi, që të mbahen gjallë rrugët e mafies e të trafiqeve, që Maqedonia të mbetet e armiqësuar me Bullgarinë, që Maqedonia të mbetet pjesë e një një harku dhe e një brime të zezë në Ballkan. Një Maqedoni jashtë NATO-s e BE-së do të thotë një shtet pa rregulla, një shtet me autokraci të pandëshkueshme, një shtet policor i ndërtuar mbi përgjimet, mbi shtypjen etnike, që paguan mirë çfarëdo alibie, sepse i ka liritë e nevojshme për korrupsion, për blerje, për trafik e të tjera.
Një Maqedoni jashtë NATO-s e BE-së natyrisht nuk është interes i NATO-s, as i Europës. Dikush është i interesuar që në Ballkan e në Maqedoni të ketë më pak NATO dhe Europë e, respektivisht, më shumë Rusi. Shihni ç’ndodh: ende pa dalë tymi i ngjarjeve të fundit në Kumanovë të Maqedonisë, Serbia nxitoi të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare! Nuk dihet me saktësi se për çfarë i duhej Serbisë alarmi dhe aktivizimi i organit të alarmit, por një gjë merret vesh qartazi: që i duhej dhënë stafetë boshtit, apo më mirë, një fronti në shpinë të NATO-s. Kishte filluar plot një çerek shekulli më parë me mosnjohjen e Maqedonisë, për të vijuar pastaj me kërcënimet greke për të ikur nga vjehrra europiane te mullixhiu rus, për të vijuar pastaj me ngjarjet e Kumanovës e deri në mbledhjen urgjente të Këshillit Serb të Sigurisë Kombëtare!
E të gjitha këto, pikërisht në prag të 9 Majit, kur Rusia do të festonte fitoren mbi fashizmin, këtë herë pa praninë e “Frontit të Dytë” antifashist. Në ato kohë të vështira të Luftës së Dytë Botërore, osh-Bashkimi Sovjetik do të kërkonte me këmbëngulje hapjen e Frontit të Dytë – atë të Perëndimit, për ta vënë Hitlerin midis dy zjarresh. Nuk do të vonohej të ngrihej një aleancë e çuditshme midis komunizmit dhe demokracisë – një aleancë që, gjithsesi, i dha aq shumë shpresë njerëzimit, për t’ia marrë përsëri atë në Luftën e Ftohtë.
putiniPikërisht tani, Rusia ka më shumë nevojë për një tjetër “Front të Dytë”, atë që shtrihet pas shpinës së NATO-s. Rusia e sotme e ka hapur tashmë një front, atë të periferisë së saj. E filloi me Gjeorgjinë, për ta vazhduar me Ukrainën dhe, falë ambiguitetit të Perëndimit, kushedi se kush e ka radhën në planet e Rusisë.
Duhet, pra, hapja e Frontit të Dytë. Skema është ngritur me kohë. Mosnjohja e Maqedonisë duket sheshit se ka qenë dhe është një veto e fshehtë e Rusisë. Sot me Maqedoninë, ky Front i Dytë ka filluar të funksionojë. Nesër Rusia mund të aktivizojë edhe Maqedonira të tjera, mjafton që të mbahet ndezur “Fronti i Dytë”, me qëllim që Rusia t’i ketë duart të lira në “Frontin e Parë”. Një flirt më i hershëm mes Gruevskit të Maqedonisë dhe Viktor Urban të Hungarisë flet jo pak për këtë. Qipro ka kohë që e është në këtë valle.
Ky front ka shumë pengesa, por meqë zinxhiri këputet në hallkën më të dobët, zgjidhja bëhet mbi shqiptarët. Një Maqedoni e paidentifikuar mund t’i shndërrojë shqiptarët në geto pa u ndëshkuar nga askush. Nuk është e rastit që politika maqedonase fajësoi “një shtet të paidentifikuar” si shkaktare të ngjarjeve në Maqedoni. Ka një interes që të demonizohen jo vetëm shqiptarët si komb, por vetë Shqipëria, një shtet anëtar i NATO-s. Ka interes të shtypen shqiptarët në Maqedoni, që të mos bëhen zë, sepse një zë shqiptar më shumë, veç Shqipërisë e Kosovës, është një pengesë e madhe që e shpërthen “Frontin e Dytë”. Synimi është më se djallëzor, antieuropian, jo vetëm antishqiptar.

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.