Është koha që Shqipëria politike, të ofrojë një qasje të re tokësore Maqedonisë!

Ilirida_shqiperi01

Mentor_NazarkoShkruan: Mentor Nazarko

Sipas shumë studiuesve, bashkëkohësve, në fund të viteve ‘70, Kosova si krahinë autonome brenda ish-Jugosllavisë kishte një farë përparimi në rrafshin ekono-mik, arsimor, kulturor, administrativ etj. Ky proces, sipas një pjese të tyre, u ndërpre për shkak se qeveria federale, ajo serbe, duke shtypur me dhunë protestat e vitit 1981, e ndërprenë këtë proces, madje duke ecur prapa deri në abrogimin e të drejtave kushtetuese të fituara me Kushtetutën e 1974-s. Ky shikim a posteriori i zhvillimeve ka nxitur një pjesë prej këtyre studiuesve të supozojnë se këto protesta ishin të nxitura me induksion nga shërbimet sekrete serbe, në mënyrë të tillë që ky proces përparimi i shqiptarëve të ndalej.

Sipas këtyre hipotezave, njerëz të lidhur me këto shërbime, duke manipuluar me potencialin studentor për ndryshim, përparim kombëtar, i nisën protestat, të cilat nuk mund të paragjykohen, megjithatë për nga pastërtia dhe idealizmi i shumë prej viktimave apo dhe i shumicës dërmuese të pjesëmarrësve të tyre. Në kushtet e sotme të ngjarjes së Kumanovës, mundësia për paralele të tilla, në disa elemente të caktuara, është reale. Nuk po hyjmë në atë që është debati më i madh i partive politike shqiptare në Maqedoni, se sa shumë është arritur prej shqiptarëve në këta 10 vjet të qeverisjes së Gruevskit me BDI-në. Pra, nuk po themi se dikush nga shërbimet maqedonase, apo dhe të tjera aleate me to, kanë dashur të ndërpresin këtë proces përparimi të shqiptarëve. Por me siguri një pjesë e mirë e atyre që u vranë, pjesë e grupimeve të armatosura, ishin të zhgënjyer, të frustruar prej ritmit të ulët të përparimit, apo me dëshirën për të imponuar me armë një alternativë më të mirë politike.

Dhe, për të kuptuar se kush kishte interes për të shkuar te një operacion i tillë, me humbje kaq të mëdha njerëzore, të paimagjinueshme në mes të Europës, le të bëjmë një lloj analize të shpejtë. Interesi i faktorit sllav Po ngjan se ka një lloj sintonizimi të faktorit politik qeverisës në Maqedoni (Presidenti Ivanov u shkroi letër disa kancelarive), të Serbisë, të Rusisë, për të fajësuar faktorin shqiptar, që sipas tyre po punon për Shqipërinë e madhe. Rusët, madje, kanë bërë kërcënime duke e konsideruar Maqedoninë si frontin e ri të përplasjes me Perëndimin, jo thjesht për shkak të rivalitetit të gazsjellësve (TAP me gazsjellësin e ri, sponsorizuar nga Rusia që kalon në Maqedoni). Në përplasjen e tyre me Perëndimin, Ballkani në përgjithësi, po shihet si një hapësirë ku mund të improvizohet një betejë e re globale.

Përkundër shpresave të para kur erdhi në pushtet, Gruevski në krye të një partie tradicionalisht probullgare, ka rrëshqitur në aksin ruso-serb të influencës. Nëpërmjet këtij fajësimi të shqiptarëve, nëpërmjet kësaj ngjarjeje, partia maqedonase në fuqi është përpjekur të krijojë një lloj kompaktësimi politik të popullit maqedonas, të tërheqë vëmendjen nga fushata e transkriptimeve të përgjimeve komprometuese, duke krijuar një minikrizë që është ciklike, sipas disa vëzhguesve.

Ndërkohë, e vërteta është se paradoksalisht ngjan se po krijohet një vetëdijësim i ri te qytetari i Maqedonisë, pavarësisht kombësisë, për të ndryshuar qeverinë. Ky vetëdijësim nuk vjen prej Partisë Socialiste të vjetër të Zaevit, parti që përfshin brenda vetes elitën e dikurshme komuniste të ish-Jugosllavisë, por prej një pjese të ndriçuar të shoqërisë civile të dy popujve përbërës të Maqedonisë. Zaevi me guximin për të publikuar përgjimet, ngjarja e Kumanovës, mund ta kenë vënë në lëvizje dhe rritur këtë vetëdijësim për një përkatësi të re qytetare maqedonase (dy flamujt krah njëri-tjetrit në protestat e fundit), por realisht ai është produkt i shoqërisë civile, i mediave sociale, që kanë njohur një fuqizim të madh kohët e fundit. Si po sillet në këtë dinamikë të re ngjarjesh faktori shqiptar, Shqipëria, përfshirë atë perëndimor? Nuk ka dyshim se shqiptarët do duhet të sinkronizojnë veprimin e vet me atë perëndimor. Në këtë veprim perëndimor ka disa piketa fikse.

Jo lejim i një skenari që rrit ndikimin rus dhe jo destabilizim, i cili do krijonte efekt domino në gjithë rajonin. Pra, faktori shqiptar, përkatësisht partitë shqiptare dhe Shqipëria do duhet të kenë në afat të shkurtër këta dy objektiva në mend: jo destabilizim dhe jo afirmim të një force politike të vjetër apo të re, që rrëshqet kah Rusia. Në këtë funksion, me gjithë diferencat që mund të vihen re midis qasjes së BE-së (të ngarkuar për të monitoruar nga afër zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni) dhe asaj amerikane, objektivi perëndimor mbetet një tranzicion normal pushteti, nëpërmjet zgjedhjeve të garantuara nga një qeveri e përkohshme, me bazë të gjerë. Në të gjitha rastet, kjo nuk duhet të sjellë përplasje të reja ndëretnike apo brendaetnike maqedonase, që do të kishte potencial destabilizues të fortë edhe jashtë Maqedonisë.  

Angazhimi shqiptar A po ecën gjithçka sipas këtij pretendimi maqedonas? A po shkon Zaevi drejt pushtetit, apo VMRO-DPMNE, që ka ndenjur në pushtet 10 vjet, e majmur dhe me burime ekonomike dhe financiare të mëdha, do rikonfirmohet, megjithëse më e dobët? Kjo do të shihet shumë shpejt, por ajo që nuk po shihet, është qasja proaktive e Shqipërisë (hiq takimet e Pogradecit), në rast të një skenari ndryshues të shumicës në pushtet. Partitë shqiptare duket se nuk po dalin nga qeveria, apo nuk po ashpërsojnë retorikën ndaj qeverisë pa legjitimitet, me gjasë sipas këshillimit perëndimor në emër të ruajtjes së stabilitetit, për të frenuar rrëshqitjen e fortë të tij. Po Shqipëria a ka kontakte me faktorët e rinj politikë? Ngjan se nuk ka, jo thjesht prej mungesës së ambasadorit, dhe ky është një gabim i madh.

Shqipëria, shqiptarët si faktorë në forcim e sipër nuk mund të lejojnë ardhjen në pushtet të dikujt, që mund ta marrë për të garantuar mbështetjen shqiptare pa dhënë asnjë garanci. Ka ardhur koha që Shqipëria politike, që sot i qaset rajonit me autoritet të lartësuar, në dukje të paanshëm ndaj partive rivale shqiptare, të ofrojë një qasje të re tërësore. Në veçanti ndaj Maqedonisë, partive sllave, por dhe atyre shqiptare. Në frymën e procesit të Berlinit, d.m.th. nëpërmjet projekteve infrastrukturore të përbashkëta me Maqedoninë, ku Korridori 8 (në veçanti, pjesa e mbetur hekurudhore) apo Rruga e Arbërit, marrëveshjet e reja për portet shqiptare etj. Shqipëria duhet ta rikonfirmojë angazhimin e vet për ruajtjen e pandashme të Maqedonisë, për të cilën akuzohet madje dhe prej Rusisë.

Duhet një aleancë e re, e fortë e shqiptarëve me Maqedoninë properëndimore. Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Bullgaria, do të ishin pjesa properëndimore e rajonit, përkundrejt Serbisë dhe Greqisë, që po luhaten rëndshëm kah Rusia. Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të hapë lojën e vet proaktive edhe nëpërmjet kontakteve, negociatave të reja me partitë opozitare sllave. Krejt ndryshe nga qasja e dikurshme e përçarjes së faktorit shqiptar, apo dhe qokave ekskluzivisht me dy krerë të partive shqiptare, qeveria e Shqipërisë duhet të synojë kah harmonizimi i qëndrimeve me faktorin shqiptar, përkatësisht dy partitë parlamentare, por edhe ndjeshmëritë e reja të shoqërisë civile shqiptare.

Shqipëria, ekspertët e saj, do duhet t’i mësojnë partitë politike shqiptare të Maqedonisë se s’duhet të tërhiqen nga territoret jo thjesht fizike të kombësisë sonë, si kishat ortodokse, teqetë bektashiane, nga gjithë qytetet ku ka pasur dhe ka shqiptarë. Kosova gjithashtu do duhet të luajë ndryshe, duke bllokuar çdo përpjekje si ajo e Kumanovës, pra në mënyrë konstruktive. Shqiptarët duhet të sigurohen se zhvillimet e reja në Maqedoni s’do t’i nxjerrin të humbur, por përkundrazi. Kështu, gjaku i atyre që u vranë në Kumanovë s’do shkonte kot. /Panorama

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.