Norbert Jokli: Inçizimi i parë i shqipes së Ballkanit

Shqiptare-i-Rekes-se-Eperme,-Maqedoni-1907_07

Një shqiptar nga Shtirovica në Rekën e Epërme, Maqedoni. Foto nga Bajazid Elmaz Doda, rreth vitit 1907. Biblioteka Kombëtare e Austrisë. Arkivi Fotografik. Numri NB902062B.

Në pranverën e vitit 1914, Norbert Jokli dëgjoi për një grup shqiptarësh pastiçierë që punonin në Hungari. Pa humbur kohë, u nis për t’i takuar dhe për të bërë shënime gjuhësore për dialektin e tyre. Me mbështetjen e Komisionit për Ballkanin të Akademisë Austriake të Shkencave, Jokli e ftoi njërin prej punëtorëve, një Mustafa Abdyli (lindur me 1876) nga Vrapçishta e Gostivarit (Maqedoni), në Vjenë për një muaj për një inçizim zanor të gjuhës së tij në Arkivin Fonogramik aty.

Ky inçizim pesë minutësh, i kryer më 4 prill 1914 dhe i paraqitur këtu për herë të parë, duket se është dokumenti më i hershëm zanor i gjuhës shqipe nga Ballkani. Inçizimi i mirëfilltë mbi një pllakë të vjetër dylli ruhet në Arkivin Fonogramik të Akademisë së Shkencave (Zentrum Sprachwissenschaft, Bild- und Tondokumentation, Phonogrammarchiv, Österreichische Akademie der Wissenschaften) në Vjenë.

I jemi mirënjohës Arkivit që na lajoi t’ia paraqesim këtë inçizim publikut të gjerë.

-Incezimi i pare.

Perralla: Pela dhe Ujku

Paska një pelë një vakët. E pela dalka e shkuaka prej shtëpisë, e shkuaka e kullotka. Kullotka e ardhka në shtëpi. Prej shtëpisë del e shkon në fushë. Prej fushe vjen e vjen në shtëpi. Prej shtëpisë del e shkon në fushë. E kulloten si kulloten, shkon në fushë si shkon në fushë, e u çuaka pela e mbajtka katërmbedhjetë muaj. Katërmbedhjetë muaj, i ardhka vakti me pjell. Pjellka, e u bëka mazi. Si u bëka mazi, kana rrit. Si kana rrit, shkuaka pela e kullotka në fushë. E kullotka e ardhka në shtëpi, e del prej shtëpisë e shkon në fushë. Prej fushe kulloten e vjen në shtëpi. Si vjen në shtëpi e i thotë mazit: Akur të dalë prej derës unë, e ta më çelish derën, thotë, e del e shkon në fushë. E vjen në fushë. Prej fushe e thotë:

“Pelo, pelo, çilma derën, se të kam pru barë, kashtë, tagjije.”

Pela, mazi e çelën. Hyn brenda. Si hyn brenda, bëhët: ditë kana, natë kana bërë.

Incezimi i dyte.

shtrungë
mollë

pemë
pesë
venë
sy
vesh, vesha
katund
vdorë (borë)
brymë, bryma
punë
dëllënjë
me u rrit
unë e shkruaj
vorbë, vorba
mollë, molla
pej truallit
zot, zoti
të afrohesh
ethe
shteg
unë e bëj
zdrohët
mjeli
luaj
muaj
buz, dy buza
[unë] e di
ne e dimë
ju dini
diell
shat
kur
me lidh

-Incezimi i trete

një, dy, tre, katër,
pesë, gjashtë, shtatë,

tetë, nëntë, dhjetë,
njëmbëdhjetë,
dymbëdhjetë,
trembëdhjetë,
katërmbëdhjetë,
pesëmbëdhjetë,
gjashtëmbëdhjetë,
shtatëmbëdhjetë,
tetëmbëdhjetë,
nëntëmbëdhjetë,
njëzet.

[Hyrje nga Robert Elsie. Inçizimi: Ph 2351 – Ph 2353, në Arkivin Fonografik, Vjenë, më 4 prill 1914 nga Leo Hajek. Tejshkrimi dhe përkthimi nga Norbert Jokl. Akademia Austriake e Shkencave. Qendra për Gjuhësinë, Dokumentimin Pamor dhe Zanor, Arkivi Fonografik www.pha.oeaw.ac.at]/ Shkëputur: http://www.albanianlanguage.net/*

 

jokl

Norbert Jokl si kapter në Luftën e Parë Botërore.

Jeta e autorit: Norbert Jokl

Gjuhëtari dhe albanologu austriak Norbert Jokl (1877-1942) ka lindur në një familje hebre në Bzenec (Bisenz) të Moravisë jugore. Pasi mbaroi shkollën e mesme gjermanisht në Uherske Hradishte (Ungarisch Hradisch) në korrik të vitit 1895, shkoi në Vjenë ku studioi drejtësi dhe shkencën politike. Mbaroi doktoraturën në vitin 1901 dhe filloi si praktikant pranë një firme avokatie, por së shpejti dha dorëheqjen dhe u kthye në universitet. Kësaj radhe Jokli studioi filologjinë indoevropiane pranë profesorit Paul Kretschmer (1866-1956), filologjinë romane pranë profesorit Wilhelm Meyer-Lübke (1861-1936) dhe filologjinë sllave pranë profesorëve Vratoslav Jagiq (1838-1923) dhe Vaclav Vondrak (1859-1925). Duke njohur gjuhën çeke nga fëmijëria, ai zgjodhi si specialitet filologjinë sllave. Në vitin 1903 filloi punë në bibliotekën e Universitetit të Vjenës dhe, pas mbarimit të doktoraturës së dytë me vlerësimin summa cum laude në mars 1908, vazhdoi punë aty deri në fund të karrierës së tij. Në 1913 u emërua ligjërues për filologjinë shqipe, sllave dhe balte dhe, në vitin 1923 u bë profesor universiteti, post që e mbajti deri në vitin 1938, ku u pushua nga puna për arsye racore.

Jokli kishte mësuar shqip me Gjergj Pekmezin (1872-1938) dhe me shqiptarë të tjerë në Vjenë. Nga raporti paraprak i hulumtimit të dialekteve gege, të cilin ai e përgatiti në vitin 1914 për Akademinë Austriake të Shkencave, del e qartë se kishte një interes të veçantë për variantet rajonale të gjuhës shqipe.

Norbert Jokli dha mësim në Universitetin e Vjenës nga 1913 deri në 1938 dhe u shqua ndër albanologët gjermanishtfolës më të mirë. Me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1937 nga qeveria shqiptare i akordoi Medaljen e Skënderbeut dhe në atë rast bëri vizitë në Shqipëri për herë të parë dhe për herë të fundit. Në 1941, me shumë vonesë, kur jeta për hebrenjtë në Rajhun e Tretë u bë më se e padurueshme, kërkoi të arratisej dhe të gjente një punë në Shqipëri. E bindur për ndihmesën e tij të madhe për albanologjinë, qeveria shqiptare nën pushtimin italian mbështeti kërkesën e tij dhe ministri i arsimit, Ernest Koliqi (1903-1975) i ofroi një post si organizatori i bibliotekave të Shqipërisë. Ministri italian i Punëve të Jashtme, me këmbënguljen e gjuhëtarit Karlo Taljavini (Carlo Tagliavini, 1903-1982), kërkoi një vizë daljeje për atë. Mirëpo, autoritetet gjermane e hodhën poshtë kërkesën dhe nuk lejuan që Jokli të dilte prej vendit. Më 2 mars 1942 u arrestua nga nazistët në fushatën e tyre kundër hebrejve dhe më 6 maj u deportua në Maly Trostinec afër Minskut. Vdiq më 6 maj apo rreth kësaj date, gjatë transportit ose pas ardhjes në kamp.

Norbert Jokli njihet si autor i rreth gjashtëdhjetë artikujve shkencorë për gjuhën shqipe, kryesisht gjermanisht. Me një rëndësi të veçantë është libri i tij: Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen (Hulumtime gjuhësore dhe kulturohistorike në lëmin e shqipes), Berlin 1923, kurse dorëshkrimi i tij Einführung in die vergleichende historische Grammatik des Albanischen (Hyrje në gramatikën historike krahasuese të shqipes), për të cilin kishte punuar mes viteve 1913-1937, mbeti i pabotuar. Ai ruhet në degën e dorëshkrimeve në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë, bashkë me disa shkrime të tjera të autorit.*

*Po aty

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.