Një popull të përçarë, nuk e respekton askush!

Eduard_grey_630

Nuri-DragoiSHKRUAN: Nuri Dragoi

Ishte pasditja e datës 21 marsit të vitit 2011. Sapo dola nga një takim, në Përmet, ku kisha shkuar për fenomenin e ndryshimit të identitetit, një prej miqve më tha se, pak më tej Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, ulur pranë një stoli mes lulishtes, po më priste dikush. Kur u afrova, vura re se ishte një plak i vjetër, i cili sapo më pa, nuk luajti fare nga vendi, por duke lëvizur bastunin e tij prej thane, më tregoi një vend ku të ulesha aty pranë.
– Unë jam 98 vjeç, – më tha ai, – ndofta edhe njëqind – shtoi pas pak.
Menjëherë sapo i pashë duart që i dridheshin së bashku me bastunin, e ftova të uleshim në ndonjë kafe për të biseduar më mirë. Por ai me anë të shkopit prej thane, më tregoi përsëri një karrocë invalidësh, që kishte aty pranë, për të më thënë se nuk lëvizte dot aq kollaj nga vendi. Ndërsa ftesës për ndonjë kafe iu përgjigj:
– Unë pi vetëm një kafe në ditë dhe atë e pi në mëngjes herët. Vuaj nga tensioni – shtoi pas pak, – megjithëse mbahem mirë për moshën që kam. Menjëherë, pas kësaj, për të krijuar një mjedis miqësor, unë i zgjata paketën e cigareve, të cilën e mbaja më shumë për shokë e miq, por ai refuzoi, duke thënë rëndë: E ndez vetëm nga duhani i çibukut tim.
Unë heshta. Pas dy refuzimeve, u ndjeva disi në siklet, por pa e humbur dëshirën për të folur me të, e pyeta:
– Ç’kemi ndonjë gjë të re këtej?
– Nga, këtej? Unë nuk jam që këndej, por vij nga matanë atij malit atje, tha ai dhe tregoi me shkop drejtimin ku ndodhej vendbanimi i vet. Pas atij mali, janë edhe shumë male të tjerë, para se të shfaqet deti. Jetoj në Firence, – shtoi pas pak.
Unë nuk fola dhe ai vazhdoi.
-Kam ardhur këtu që të vdes në vendin tim. Po qëndroj në Durrës. Sot më solli mbesa dhe tregoi me shkop një makinë të markës Fiat, me ngjyrë të kuqe, që priste në rrugë. Brenda saj ishte ulur një vajzë e bukur, që fliste vazhdimisht në telefon.
Ai diç gërmonte me shkop në kënd të stolit dhe befas ngriti kokën, duke më vështruar në formë hetimi. I thashë të më sillte një herë në Shqipëri, pasi nuk doja të mbyllja sytë, pa e parë edhe një herë këtë vend të bukur, por të shumëvuajtur.
– Mirë ke bërë, – ia ktheva, – Po ti do të rrosh edhe 100 vite të tjera, sepse ata që e duan Shqipërinë, jetojnë gjatë.
-Ashtu qoftë! Djali i një mikut tim, që banon këtu, më foli për ju. Më tregoi dhe atë librin që ke bërë lidhur me marrëdhëniet shqiptaro-greke, e më tha se ishe këtu, ndaj dola të të takoja, – shtoi plaku.
– Faleminderit! Po përse doje të më takoje, – thashë duke e humbur dalëngadalë dëshirën për të folur, ngaqë kisha lënë dy shokë në pritje.
– Sepse kam gjetur një thesar floriri dhe nuk di kujt t’ia jap, – tha ai, ndofta për të më rikthyer në bisedë.
– Jepja mbesës tënde dhe nipërve, – ia preva unë, duke kuptuar qesëndinë e tij, por duke mos e kuptuar se ku e kishte hallin.
– Unë jam njëri nga nipërit e oxhakut të Mehmet Konicës, – më tha pas pak, sikur të më paralajmëronte, se tani duhet t’i linim shakatë dhe pas pak shtoi: E njeh, ti, Mehmet Konicën?
– Po, – iu përgjigja. E njoh për bëmat dhe burrërinë e tij. Ka qenë anëtar i delegacionit tonë në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës.
– Unë kam lindur atë kohë, kur u bë Konferenca e Londrës – vijoi ai dhe shtoi: Mehmet Konica u ndodh atje, ku u bë therja e madhe e Shqipërisë sonë. Atë ditë ishte data 22 mars. Dhe sot është data 21 mars, tha mendueshëm plaku, dhe vazhdoi. Mora vesh për atë që po bëni dhe erdha të them, se copëtimi që filloi nga Londra, nuk mund të ndreqet nga Përmeti.
-Dakord, – i thashë, e rëndësishme është që të ndreqet. Secili duhet të jap kontributin e vet, sipas mundësisë.
– Në radhë të parë, duhet të rregulloni punët këtu brenda. Të gjeni gjuhën e të vendosni paqen midis shqiptarëve. Po bëtë këtë, gjithçka mund të arrini. Të përçarë, nuk u respekton askush.
Fliste dhe shikimin e kishte tretur, përtej “Gurit të Qytetit”. Ndenji pak në mendime dhe shtoi me zërin e tij kumbues:
– Atë ditë, kur linda unë, Mehmet Konica ndodhej në zyrën e Eduard Greit. I kërkoi takim dhe ai e priti, por kur hyri Mehmeti, Grei po qëndronte me shpinë nga hyrja e zyrës.
Për një copë herë ai e ndaloi rrëfimin e tij dhe ngriti sytë nga unë, për të kuptuar, nëse po e ndiqja me vëmendje dhe pastaj vazhdoi:
“Mehmeti e thirri dy herë, me emër dhe mbiemër, por ministri i Jashtëm ingliz, i mbante sytë nga muri. Pasi e thirri për herë të tretë, Grei iu përgjigj: “Folë, çfarë kërkon”?
– Në Shqipëri kemi gjetur një minierë të madhe floriri. Janë zbuluar dhe rezerva të mëdha nafte, por nuk dimë kujt t’ia japim, kujt t’ia besojmë, – i tha Mehmeti.
Atëherë, Eduard Grei, u kthye nga ai dhe e pyeti: “Për çfarë thesari e keni fjalën”?
Në atë moment, Mehmeti i pa sytë. Ishin ca sy zhbirues si të ujkut, me pamjen që marrin pasi rrafshon vathën e bagëtive. Mehmeti nuk i harroi kurrë ata sy dhe kur isha i vogël, më ka folur mbi 100 herë për këtë takim.
– Çfarë ndodhi më tej? – e pyeta unë, megjithëse nga historia kisha mësuar thuajse gjithçka për traumën tonë kombëtare, që u vulos në Konferencën e Londrës.
– Pastaj, Konica i parë i tha, se kjo marrëveshje që u bë në konferencë, duhej të prishej. “Ju po shkatërroni fatin e një populli, duke e futur atë në një kasaphanë të përjetshme”, – kishin qenë fjalët e tij.
Por ministri ingliz, ngriti duart lartë, dhe i pati hapur pak më shumë se gjerësia e kraharorit dhe iu përgjigj: “Nuk kam, çfarë të bëj, ky është vendim i konferencës. Është mendimi i ambasadorëve. Bëhet për të shpëtuar Shqipërinë nga uria dhe nga trazirat e pushtimeve”.
Mehmeti ia ktheu:
-Ju po e shpëtoni nga uria dhe po e therni në 4 pjesë, duke e lënë që t’i rrjedhë gjak në 7 breza. Po e shpëtoni nga pushtimet dhe po e çani në mes, për ta mbajtur të pushtuar për 300 vjet.
Pas kësaj, Grei pa orën dhe iu drejtua gjyshit: “Takimi mbaroi, duhet të largoheni. Është kohë dreke”. Dhe urdhëroi rojet ta nxirrni jashtë. Ndërsa, Mehmeti i tha: “Keni ende oreks për të ngrënë edhe pasi e keni shqyer Shqipërinë me gjithë kocka? Pastaj hynë rojet dhe ai doli jashtë, për të mos e takuar dot më kurrë.
Për një copë herë plaku nuk foli, vetëm ndezi shkrepësen dhe afroi çibukun.
– E di, – i thashë, – ishte një ngjarje e tmerrshme.
– Gjëma ndodhi në Londër dhe çdo rregullim duhet të fillojë që andej, e jo këtej, – përsëriti plaku. Pastaj, më vështroi thellë në sy dhe shtoi: “Ata nuk të ndihmojnë kurrë, nëse nuk u thua me forcë, se ne jemi gjallë, nëse nuk u troket aq fort, sa t’u gërricësh nervat”.
Papritur vuri buzën në gaz. “Punë dreqi”, – tha – Ata s’kanë as nerva!
– Gjithsecili bën, aq sa mundet, – ia prita unë dhe pasi u qetësua disi, e pyeta njëkohësisht për iniciativën tonë.
Është shumë e turpshme, që shqiptarët të ndërrojnë kombësinë, me vullnetin e tyre, për një copë bukë. Është e turpshme që të vazhdojnë ende dhe sot të braktisin vendin e tyre, pse politika nuk është në gjendje t’u jap drejtim punëve, por mendon vetëm për xhepin. Ndaj ju thashë, të gjeni gjuhën midis njëri-tjetrit në radhë të parë. Po gjetët gjuhën, do të kini më shumë bukë, më shumë gjellë e më shumë para. Dhe nëse i kini këto, të tjerët u nderojnë më shumë. Pas kësaj, ju pret beteja e madhe e bashkimit.
Qeshi dhe më ra shpatullave. Kur po bëheshim gati të ngriheshim, unë kërkova ta ndihmoja, për ta hipur në karrocën e tij të invalidit, por plaku nuk pranoi. Ndërkohë, mbesa e tij hapi derën e makinës dhe u afrua. Kur po ndaheshim, vura re se nga sytë e tij rrëshqiti një pikë lot.
– Mua ma lanë amanet gjyshërit por unë nuk e çova dot në vend amanetin e tyre. Po ua lë këtë amanet nipërve të mi, – përfundoi ai dhe u ndamë. Kur po ikja, pashë se si mbesa po e sistemonte në karrocë, të cilën e afroi më pas tek makina. Prita derisa ajo, me ndihmën e një djaloshi e futi brenda dhe pastaj ika me dhimbjen, se atë plak, që po e takoja për herë të parë, nuk do ta shihja më në jetë. Dhe kjo më dhembi. Por nuk do ta harroja kurrë.

Gjatë kthimit…
U ndava prej plakut, por mendja më rrinte te biseda me të. Kisha lexuar nga profesor Bedri Pejani, për një takim të Mehmet Konicës me Eduard Grein, i cili përputhej me tregimin e 99-vjeçarit. Sipas B. Pejanit, Eduard Grei, Ministri i Jashtëm i Mbretërisë Britanike dhe Kryetar i Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, organizuar nga Fuqitë e Mëdha për çështjen e Ballkanit, kishte lënë në dispozicion vetëm 15 minuta kohë, për takimin me përfaqësuesin shqiptar, Mehmet Konicën. Mbi tryezën e tij, qe shtrirë harta e madhe e Ballkanit dhe Ministri e dinte fare mire që Shqipëria e dobët, ishte e humbura e madhe. Kishte pak vullnet për të diskutuar me një shqiptar edhe pse ndërmjetës të takimit ishin disa miq të përbashkët, aristokratë të vjetër, që kishin ruajtur gjithmonë lidhje me Orientin e largët.
Me fytyrë nga dritarja, kur ambasadori shqiptar hyri në salle, Grei nuk denjoi të kthehej. I kërkoi atij, vetëm të fliste, duke ndenjur gjithmonë me shpinë dhe duke ndjekur lëvizjet në rrugë. Një njohës i vjetër i Londrës dhe mik i disa prej lordëve të fuqishëm në vend, Konica, nuk përmendi asgjë për kufijtë. Me një zë të shtruar, i tregoi Ministrit që qëndronte me kurriz, se në Shqipëri ishte zbuluar një minierë e pasur floriri dhe se qeveria shqiptare e Ismail Qemalit, kërkonte që Mbretëria Britanike të merrte koncesionin e saj. Grei u kthye dhe me mjaft delikatesë dhe e ftoi të uleshin së bashku në një tavolinë më tej, ku priste shokë e miq të afërt. Një minutë më vonë, me po aq elegancë, Mehmet Konica, i shpjegoi se kjo nuk ishte aspak e vërtetë, porse ai kishte dashur të shihte, se si do të ndryshonin interesat e Britanisë në një rast të tillë.
Askush nuk e ka përshkruar më tej bisedën e tyre, por një gjë është e qartë. Grei i ka pranuar Konicës se Shqipëria do të dilte më e humbura në këtë histori, sepse kjo ishte një çështje interesash. Interesa nga ato që përcaktonin politikën afatgjatë të Fuqive të Mëdha dhe balancat midis tyre.

Mehmet_Konica

Mehmet Konica

Në fakt, ata biseduan gjatë dhe Mehmet Konica, vëllai i Faik Konicës, nuk foli më kurrë për këtë bisedë. Ai e përmendi vetëm vite më vonë, më 1949, në Firence, ndërsa kishte filluar t’i diktonte kujtimet e tij një gazetari italian. Vdekja ia la kujtimet përgjysmë dhe libri nuk u publikua kurrë. Sipas Pejanit, familja e tij mori një kopje për kujtim dhe dorëshkrimi ndodhet sot në Siri, ku gjenden edhe trashëgimtarët e tjerë. Ndofta, Mehmeti ishte shkëputur nga trungu familjar dhe qëndronte në Firence. Ose, kishte patur ndonjë itinerar tjetër, ku pavarësisht nga axhendat, pa dyshim, destinacioni i tij i fundit pati qenë Shqipëria. /Shkëputur: pakufij

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.