Bashkoji kokat Shqipe Flamuri!

Publikuar: E enjte 30 Tetor 2014, 

Urtësi nga më të shquarit e kombit

Dje kishim një kokë dhe të madhe një tokë, sot, as kemi një tokë, as një kokë!

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

riza_grecevci

Më thuaj, o babagjysh: Cila është mbesa jote sot, t’u tregoj fëmijëve të mi nesër? Jam ajo që isha dje në letër, apo sot jam krejt dikush tjetër? Ime mbesë: Askush sot s’është sikur dje, as dje askush s’ishte sikur jemi sot! Dje Iliria kishte një kokë dhe të madhe një tokë, e sot, as kemi një tokë, as kemi një kokë! Dhe kemi një gjuhë e djep e fe! Dhe kemi të përbashkët një: Atdhe! Sot s’e kemi tokën që kishim dje, as kokën e djeshme që kemi sot?Ç’ndodhi me Ilirinë, babagjysh? E ndanë në copa, të gjakut ilir shumë toka, dhe për këtë shkak janë këputur shumë koka! Koka për toka? Po, ime mbesë: Koka për Ilirinë peshon sa toka! Kështu vepruan dhe lanë amanet më të shquarit burra të kombit. Mbaje në mend, o ime mbesë, Viola: Shumë trojet të Ilirisë dje i kishim, por sot s’i kemi! Epo: dje kishim një kokë dhe të madhe një tokë! Ishim dhe jemi: Arbër një lis, shqipe me plis, ani pse sot, as kemi një tokë, as një kokë! Mund të bashkohen e Ilirit toka me të Arbrit toka! Dhe do të vijë shpejt ajo ditë e Bashkimit, babagjyshi im! Heu! Se ç’më bëre edhe mua si fëmijë serbes, një dëshirë përjashta shpirtit ta qes: Toka dhe koka ilire bashkohen kur të bashkojmë dy kokat e shqiponjës në përkrenare të Skënderbeut! Babagjysh, besa e Zotit!- u betua Viola.Kështu lanë amanet burrat e kombit!- foli babagjyshi mbi krye një plis e trupin lis.

 “Besëlidhja e Lezhës”

Besëlidhja e Lezhës” u mbajt më 2 mars 1444, në katedralen e Shën Nikollës në Lezhë (Shqipëri). Si organizatorë të Kuvendit merret i posakthyeri nga Stambolli, gjenerali Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Qëllimet e Kuvendit: Bashkimi i sa më shumë fisnikëve e Principatave nga tokat që më parë në botë krishtere ishin të njohura si toka të Perandorisë së Bizantit, si dhe rimëkëmbja e Mbretërisë së Arbrit. Princërit më të dëgjuar që morën pjesë ishin këta: Gjergj Arianiti; Andrea Topia (Thopia), Stërnip i Karol Thopisë, prin i krahinës midis Krujës dheDurrësit, i shoqëruar nga dy djemtë e tij dhe nga i nipi Tanush Topia,Teodor Korona Muzaka, princ i Beratit dhe disa princër të tjerë të Myzeqesë, Gjergj Stres Balsha, princ i krahinës midis Krujës dhe Lezhës,Pal dhe Nikollë Dukagjini, principata e të cilëve zgjatej nga Drini në Kosovë gjer në kufi të Serbisë, Lek Zaharia Altisferi, princ i Danjës, Pjetër Spani, princ i Malësive të Shoshit e të Shalës i shoqëruar nga të katër djemtë e tij. Lek Dushmani, princ i Zadrimës, Stefan Çernoviçi, princ i Malit të Zi. Veç këtyre u mblodhën në Kuvend edhe përfaqësues të Republikës së Venedikut si vëzhgues. Vendimet e kuvendit ishin:krijimi i një Besëlidhjeje Arbërore në krye me Skënderbeun,formimi i një ushtrie të përbashkët të komanduar nga Skënderbeu si kapiten i përgjithshëm.

Të gjithë shqiptarët janë gjeneralë!

Të mahnitur nga qëndresa heroike që u bënë kryengritësit kosovarë ushtrive osmane në Grykën e Kaçanikut më 1910, gazetarët e huaj po kërkonin me ngulm të mësonin. Cili ishte ai gjeneral i famshëm që e drejtonte luftën? Kur u gjetën përpara udhëheqësit trim Idriz Seferi, e pyetën: “Ti je gjenerali i kësaj qëndrese luftarake?”. Idriz Seferi, duke fërkuar mustaqet, u përgjigj: “Jo vetëm unë! Këtu janë të gjithë trima dhe gjeneralë, sepse armën kundër armikut ua ka mësuar nëna që në djep. Të gjithë shqiptarët janë gjeneralë kur luftojnë për vendin e vet, por në vend të gradave në supe, i kemi armët e brezit!

As gegë, as toskë, vetëm shqiptar!

Në mbledhjen e Manastirit, në vitin 1910, një nga përfaqësuesit e shquar të asaj kohe për çështjet shqiptare, Dervish Hima, u ngrit e tha: “Dua të flas për Kosovën. Serbët po derdhin shumë të holla për të shkombëtarizuar vëllezërit tanë dhe thonë se vendësit e Kosovës janë më të shumtit serbë. Kurrë s’mund të bëhet që ne shqiptarët të heshtim, duke parë gjithë këto gjëra që bëhen kundër nesh. Që sot e tutje nuk do të përmendim më fjalën gegë e toskë, por vetëm shqiptarë, sepse gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjuhë e një gjak kemi, të gjithë një atdhe e një qëllim të lartë kemi: Përparimi i kombit shqiptar!”

“Mua mund të me vrisni, por…”

Pasi osmanlinjtë e zunë në pabesi udhëheqësin ushtarak të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Sulejman Vokshin, e dënuan me vdekje në litar. Kryetari i Gjyqit Ushtarak të Prizrenit e pyeti: Ke gjë për të thënë, o malok? Sulejman Vokshi, duke shikuar me përbuzje, i tha: “Po, kam për të thënë këtë gjë: Mua mund të më vrisni e të më varni, se unë, një frymë jam, por malet e Shqipërisë, ku luftojnë trimat për liri, flamurë, trojet të Shqipërisë etnike, jo nuk mund t’i varni, as t’i vrisni kurrë!”

Të pabesit shqiptari kurrë s’i ka zënë besë!

I dërguari i Stambollit i shkoi në shtëpi të Isa Boletinit dhe e pyeti: “Përse nuk doli ta priste Sulltan Reshatin, kur ai erdhi në Kosovë, në korrik të vitit 1911?”. Nuk mund të vija se ju më kërkuat të dorëzoja armët! Pse, nuk u zure besë fjalëve të sulltanit? “Unë i zë besë vetëm grykës së pushkës që mbaj me vete! Sulltanët na kanë pritur gjithmonë me muzikë, e pas shpine na kanë ngulur thikën! Të pabesit shqiptari kurrë s’i ka zënë besë!”

Hasan Prishtina në Kuvendin e Prekazit

 Më 5 maj 1912, në Prekaz, u tubuan krerët e Drenicës. Në kullën e Ahmet Delisë do të mbahej një Kuvend historik. 
Foli Hasan Prishtina: Të dashur vëllezër! Perandoria e kalbur po shembet. T’u dalim zot trojeve tona stërgjyshore. Këtë mund ta bëjmë vetëm të bashkuar. Unë e braktisa Parlamentin e ndyrë turk. Tri vjet i kalova në të dhe çdoherë i pakënaqur. U përpoqa me ngulm t’i mbroja të drejtat që na u garantuan me Kushtetutën e vitit 1908, por kot. 
Sa patëm mundësi e shfrytëzuam: E bëmë Alfabetin dhe i hapëm ca shkolla shqipe. Disa djem kosovarë ia dërgova Luigjit në Normalen e Elbasanit. Tërë pasurinë pata me e shkri për shkollat shqipe. Kabineti i Hilmi Pasha pati deklaruar: Rreziku më i madh i Turqisë, janë shqiptarët. Është frikë e madhe nga ky komb të mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe të mos mëkëmbët, të mos marrë dituri në gjuhën e vet dhe atëherë e mori lumi Turqinë, Evropën. E ndër të parët që do t’i rrok armët do të jem unë. Sot, në kullën e këtij trimi besnik po e ngrinim flamurin e lirisë, atë të Skënderbeut dhe po i shpallim luftë Turqisë! Burrat drenicarë lidhen besën: “Bajmë be, dhe e japim besën e burrave, se kemi me ba çfarëdo flije e në qoftë nevoja kemi me i ba kurban edhe robët e fëmijët tanë!”

Shperndaje ne
Updated: 1 Janar, 2015 — 23:49

The Author

Riza GREICEVCI

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.