GJUHË DHE GJAK

shq_650

Shumëkujt do t’i jenë dukur të tepruara, në mos foshnjore, pretendimet e përsëritura të sllavo-maqedonasve për lidhje të posaçme të tyret me maqedonasit e lashtësisë dhe lavdinë e Aleksandrit.

Në të vërtetë, dukuria e përvetësimit të një të kaluare imagjinare, për të amplifikuar krenarinë ose identitetin kombëtar, nuk është e kufizuar vetëm në fqinjët lindorë të Shqipërisë.

Bullgarët kanë kohë që identifikohen, njëfarësoj, me popullsitë trake që jetonin në trojet e Bullgarisë së sotme para se të dyndeshin sllavët; edhe pse bullgarët vetë flasin një gjuhë të grupit sllav dhe e kanë marrë emrin nga një fis turk që zbriti në Ballkan në Mesjetën e Hershme.

Turqit, nga ana e tyre, tregojnë interesim të veçantë për kulturën dhe arkeologjinë e hititëve, një popullsi indo-evropiane që jetonte në Azinë e Vogël mijëra vjet para se të shfaqeshin atje fiset Osmane.

Edhe egjiptianët e sotëm, një popull arab që flet arabisht, duan të gjejnë te egjiptianët e lashtë të faraonëve dhe të piramidave stërgjyshët e tyre të ligjshëm.

Për t’u kthyer në Ballkan, në veri të Shqipërisë, kroatët gjithnjë i kanë mëshuar lidhjeve të posaçme me ilirët e Dalmacisë, edhe pse kroatët vetë flasin një gjuhë sllave me ndonjë element iranik.

Më anën tjetër të gadishullit, rumunët, që si popullsi dhe si gjuhë janë vazhdues të latinitetit sjellë e mbjellë prej Romës në Ballkan, i mbajnë me të madhe lidhjet e tyre reale e të supozuara me dakët, një fis që mund të ketë qenë i afërt me trakët, por mund edhe të mos ketë qenë.

Sa baza kanë mitologji të tilla? A duhen shpërfillur si përpjekje fëminore për t’i gjetur një histori vetvetes?

Këtyre pyetjeve nuk u përgjigjesh dot lehtë. Megjithatë, e nga ana tjetër, nuk ka as arsye pse të identifikohet me çdo kusht gjuha me popullin që e flet, gabim ky që ndonjëherë historia moderne nuk e ka shmangur dot.

Nuk ka asnjë dyshim që rumanishtja është gjuhë romane, “motër” e italishtes, frëngjishtes, spanjishtes e portugalishtes. Por kjo nuk do të thotë që rumunët, etnikisht, janë “vëllezër” me italianët, francezët, spanjollët e portugezët.

Francezët, si popull, kanë një komponente të fortë kelte (galike), edhe pse kjo nuk duket shumë në leksik e në gramatikë të frëngjishtes; rumunët, nga ana e tyre, kanë edhe ata karakteristika të forta që i dallojnë nga popujt e tjerë neolatinë, e që, pas gjase, pjesërisht janë trashëguar nga popullsia vendase – dakët.

Anglezët e sotëm, po t’i gjykosh nga gjuha, rezultojnë gjysmë të romanizuar – sepse anglishtja ka një numër shumë të madh fjalësh me prejardhje nga gjuhët romane; por dihet se këto fjalë i detyrohen kryesisht sundimit të aristokracisë normane, e cila ishte numerikisht e papërfillshme në raport me popullsinë vendase, anglo-saksone (gjermanike) dhe pjesërisht kelte.

Po ashtu, greqishtja e re është qartazi vazhduese e greqishtes së vjetër, çka është vështirë të thuhet për grekët e sotëm si popullsi, të cilët kanë përvetësuar një trashëgimi të pasur gjenetike dhe kulturore prej sllavëve dhe arbërorëve në Mesjetë.

Në Itali, dallimet e mëdha etnike midis Jugut dhe Veriut kanë lidhje edhe me praninë e një komponenteje greke-arbërore (Bizantine) në jug të gadishullit, e cila i kundërvihet një komponenteje gjermanike në veri të gadishullit – pa përmendur pastaj nënshtratin etrusk në Toscana e në Marche.

Me fjalë të tjera, lëvizjet e gjuhëve dhe lëvizjet e popujve jo gjithnjë përkojnë. Edhe vetë përhapja e gjuhëve indo-evropiane nuk duhet kuptuar aq si shpërthim demografik popujsh, sesa si ekspansion i një kulture superiore, e cila iu mbivendos, aristokratikisht, kulturave para-indoevropiane ekzistuese dhe, me kohë i asimiloi.

Popujt mund edhe të ndërrojnë gjuhë. Rumunët e sotëm nuk janë aq vazhdues të kolonëve latinë në Ballkan, sesa pasardhës të stërgjyshëve të tyre dakë që u romanizuan. Francezët, që deri edhe emrin kombëtar e morën nga fisi gjermanik i frankëve, janë pasardhës të popullsive të romanizuara kelte të Galisë.

Suksesi i një kulture, që sjell me vete edhe suksesin e gjuhës përkatëse në dëm të gjuhëve humbëse, nuk do barazuar me zëvendësimin fizik të popullsive. Humbësit mund të përfundojnë demografikisht të pafavorizuar, por kjo s’do të thotë se janë shfarosur; përkundrazi, zakonisht mbijetojnë duke adoptuar kulturën tjetër.

Edhe për zanafillën e shqiptarëve dhe të shqipes vlen i njëjti arsyetim parimor: madje hipoteza që shqiptarët e sotëm janë pasardhës të ilirëve të jugut tingëllon sot për sot më e mbështetur se hipoteza që shqipja është vazhduese e një dialekti të ilirishtes jugore.

Disa vështirësi objektive që ndeshin përkrahësit e hipotezës së dytë, nuk mjaftojnë për ta zhvlerësuar të parën; dhe zhvillimet gjithnjë e më premtuese në fushën e gjenetikës së popullsive njerëzore po e bëjnë gjithnjë e më të qartë nevojën për t’i mbajtur të ndara të dy perspektivat./Shkëputur nga: Peizazhe

Shperndaje ne

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.