HERONJTË E SHQIPES

Ismail_kadare_largpaweb

Rahim_ombashiProf. assoc. dr. Rahim OMBASHI

Sot, në mos për t’u ngritur te niveli i trimit qytetar, të paktën, të bëhem bashkë me ata që dinë të nderojnë heronjtë. Për fatin tonë të madh, asnjëherë nuk na kanë munguar. Edhe sot ka të tillë, edhe këtu, ndaj i përshëndes me përvujtësi: Tungjatjeta! Përdorimi i funksionalizuar i pikëçuditëses, bashkë me komunikimin si funksion referencial, përcjell ngjyrimin emocional, funksionin fatik si dhe atë metalinguistik të ligjërimit. Këto vlera të shumëfishta janë gjithnjë aktuale, duke u bërë kështu jo vetëm pjesë e trashëgimisë sonë, por edhe e vetëdijes sonë. Për heronjtë e shqipes mos prit të dëgjosh për dragonj, kreshnikë, luftëtarë të armatosur apo edhe… Mund të jenë edhe bilbil finoshë, apo siç thotë për njërin prej tyre Sabri Hamiti:

“Lasgushi nuk është një Albatros që ndihet qesharak mbi tokë, por një Pelikan i vetëflijuar në jetë për të tjerët.”

Në vitin 1896, te Albania e vet, Faik Konica hodhi idenë e krijimit të gjuhës standard. Synimi ishte i qartë. Lidheshin me avullore ishulli gegë me ishullin toskë, niste epoka e krijimit të kombit. Po të paditurit, jo të paktë në numër, si gjithkund e kurdoherë, kundërshtojnë si natyrë fëminore për çdokënd dhe për gjithçka. Koha nuk priste, shto kësaj edhe temperamentin e tij dhe natyrshëm del mallkimi:

“Ca zaptije, ca alkoolikë, ca kafshë, armiq të amëshuar të çdo përparimi, të cilët e marrin kufirin e mendjes së tyre për kufirin e botës, nuk e kanë pëlqyer kurrë këtë qëllim tonin. Vërtet, është më e lehtë të pijë raki njeriu, të pështyjë të shara se të përpiqet të kuptojë. Po, këtu, kuptimi s’është i vështirë. A ka punë më të kulluar e më të kuptueshme se kjo?”

Ata, heronjtë e pendës, që përgatitën mëvetësimin e atdheut e kishin bindje se duke u kujdesur për gjuhën po i ngrinin strehën shqiptarit.

“Gjuha është shtëpia e qenies. Njeriu banon në strehën e saj. Mendimtarët dhe poetët janë rojtarët e kësaj strehe.” Martin Heideger (Martin Heidegger, 1889-1976)

Ndaj jemi mbledhur për gjuhën në sallën e Muzeut Historik Kombëtar, thjesht, si për një kult, pra si për më shumë se një pasion. Diferenca kuptimore mes dy fjalëve është e madhe. Kulti vjen nga lashtësia e nuk është i moçëm, sepse gjuha nuk di të moshohet. Jeton me shoqërinë e zhvillohet bashkë me të. Me gjirin mëkohemi edhe me gjuhën. Bëlbëzimat e para u ngjajnë cicërimave, ta ka ënda t’i dëgjosh dhe jo vetëm. Motmot fjala u shenjtërua në epose legjendare, kode zakonore, proverba, mite… deri në librin doktrinor. Më pas u shpall libri që ftonte për lexim. Kurani i konsideron hyjnore shkrimet e librave të shenjta, si Torah të Moisiut dhe Ungjillin e Krishtit. Tekstet e Biblës ebraike dhe Ungjillit të krishterë shfaqen të freskuara dhe të sintetizuara në librin e Profetit. Ky ishte leximi i njeriut që nuk di të lexojë, thekson akademiku Zejnullah Rrahmani. Fill për këtë asrsye u ftuan dijetarë që duhet të shkruanin shpalljen. Bashkë me trajtën e shkruar, vijoi tradita profetike e të mësuarit përmendësh. U dërgua Mesazhi i Përjetshëm në formën e përsosur dhe të pandryshuar nga dora njerëzore. U dha modeli, si mësim i detyrimit normativ në përdorimin e saj. Kulti porositte për ta respektuar diturinë. Shqiptarët, sipas këtyre normave të fjalës së shkruar apo leximit, ruanin kulturën kolektive gojore, Kodin e Maleve, monumentin tonë letrar. Në epokën e krijimit vetjak u shkrua Formula e pagëzimit, Meshari i Buzukut, Historia e Skënderbeut e Barletit, Divani i Nezim Beratit, Ëvetaret e Naum Veqilharxhit, veprat e De Radës, Naimit… Me vështirësi, por arriti të ngjizej tradita e kulturës së shkruar. Koha ftonte për diturinë e dokumetuar në librin si krijim, si lexim vetjak, si heroizëm i dijes. Te vjersha Gjuha shqipe e përmbledhjes Lulet e verës, Naim Frashëri porosit:

Sa burra kordhëtarë
Ka nxjerrë Shqipëria
Më pastaj e më parë,
Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë
Dhe kish mundime tepër,
Po sot pëndë dhe kartë
Na duhet, nukë tjetër.

Vepra lirike e bën Naimin themelues të shqipes letrare, i letërsisë moderne në trojet shqiptare dhe i sedrës shqiptare. E kanë marrë “llafin dhe po llafiten”, si thuhet te eposi i kreshnikëve, sa ne e dimë! Fjala e shkruar, për fat, u pranua si hyjnore edhe te ne. Ndaj Faik Konica porosit:

“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por dhe të sillemi ashtu. Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu qoftë!” Faik KONICA

Mendimtarët dhe shkrimtarët tanë kanë qenë të angazhuar, në kuptimin modern të fjalës. Gjithçka i shërbente qëllimit kombëtar. Sakrifikuan shumë për kohën e çastin historik, por, duke u kujdesur për gjuhën, i shërbyen së ardhmes. Nuk përsërisnin njëri-tjetrin, krijonin. Duke e përdorur edhe e dokumentuan. Filluan ta pastrojnë e pasurojnë. Me Lasgush Poradecin qasja u bë në rrafshin ontologjik. Gjuha u pa si një element i qenësishëm i shqiptarit, i shqiptarisë, i kulturës shqiptare.

“Mos e shani gjuhën duke kujtuar se po e pastroni. Puna nuk është aq në fjalët e huaja sesa në shpirtin e gjuhës, të cilin duhet ta ruani nga çdo bastardim. Në qoftë se për të gjitha gjuhët çështja e pastërtisë është me rëndësi të madhe, për gjuhën shqipe ajo ka rëndësi jetësore.” Norbert JOKL

Në një studim mbi poemën Naim Frashërit të Lasgush Poradecit, Anton Papleka veçon përkushtimin e lirikut të madh, kur ai i drejtohet Naimit:

O t’a njoha prej së largu buzëqeshjen e shëmtuar,/ Ti, demon i shkretëtirës, që kalon me vaj në duar: / M’i përdredhur se zilia t’u pat çfytyruar shtati, / Mu në fund të vetëdijës ty të ndrin një sy lugati; / Je njeri i papandehur sikur ngjan me sprijë zalli,/ Flet me gojë, – e papandehur sikur ulërin çakalli…

Statusi i Pavarësisë, si nuk pritej, solli rrezikun e paparashikuar. Shqipen burimore e kërcënonte gjuha e shkruar pa shpirt, e mbarsur me ndikime të huaja artificiale. Ashti i brishtë shqiptar u sulmua nga hibridi i provincializmit dhe kozmopolitizmit levantin, siç i ka etiketuar F. Konica. Rrezikohej rrëgjimi i tingujve të shpirtit kombëtar: Gjuha: shpirt i shent’ i kombit, që kalon duke kënduar!, siç këndon L. Poradeci.

“Nëpërmjet veglave të ndryshme që përdor njeriu, vegla më e çuditshme është LİBRİ. Të gjitha të tjerat mund t’i quash zgjatime të tij fizike. Mikroskopi dhe teleskopi janë vazhdimësi e syrit, telefoni – vazhdim i zërit, plugu dhe shpata – i duarve. Por libri është një punë tjetër, libri është vazhdim i kujtesës dhe i imagjinatës.”  Jorge Luis BORGES (1899-1986)

Pas gjuhës së shkruar, që ndikonte edhe mbi atë të folur, mbrohej edhe identiteti etnik, si zjarr ku digjet mendimi i frymëzuar. Bëhej kështu Gjuha: afsh i gjallë i jetës… / shpat e ndritur e lirisë! / yll i vjershërisë! / Gjuha: Verb’ i Perëndisë!

Pikëçuditësja e funksionalizuar arrin nivele sipërore te poezia ATA QË MA SHANË ATDHEUN, Faik KONICA.

Ma shanë atdheun, ma shanë nga nëna,
në një bar, mbushur me të bardhë e negër…
Shtrëngova dhëmbët të mos më çahej zëmra,
e mbi ta të lëshohej si bishė e egër…

Ma shanë atdheun buzë detit Egje.
Si m’u mbyll goja e nuk volla mallkime!?
Po për kë t’i shaja!? Ata s’kishin atdhe…
Ma shanë atdheun, në gjuhën time.

Ata që kishin mundësi ta shkruanin shqipen ishin aq pak, vetëm një grusht. Një dokument interesant i Ilir Ikonomit, dëshmon se legata amerikane në Tiranë kishte një listë me 14 persona, që mund të shkruanin saktë gjuhën shqipe. Lista ishte përgatitur nga përkthyesi i Legatës, Kolë Kuqali. Me shumë vështirësi, lista mund të zgjerohej deri te 40 vetët:

“Në vitin 1924, legata amerikane në Tiranë kishte një listë të 14 njerëzve që mund ta shkruanin saktë gjuhën shqipe. Nevoja e kësaj liste kishte lindur ngaqë një numër termash të përdorura në kushtetutën e përkohshme të hartuar me nxitim në Kongresin e Lushnjes (1920), mund të interpretoheshin me dy kuptime. Amerikanët donin të dinin se me cilët mund të këshilloheshin për çështjet e gjuhës.”

Më poshtë lista:

  1. Faik Konica, Kryetar i “Vatrës”, editor i “Diellit”, Boston.
  2. Fan Noli, Kryeministër dhe kryepeshkop i Dioqezës Ortodokse të Durrësit.
  3. Konstandin Çekrezi, pedagog, Universiteti George Ëashington, W ashington, DC.
  4. At Gjergj Fishta, prift françeskan dhe poet, Shkodër.
  5. Luigj Gurakuqi, ministër i Financave.
  6. Llazar (Zai) Fundo, Kryetar i “Shoqërisë Bashkimi”, editor i gazetës së saj, Tiranë.
  7. Kristo Dako, klerik i krishterë, i punësuar nga kompania “Standard Oil”, Tiranë.
  8. Mit’hat Frashëri, ministër fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi.
  9. Milto Sotir Gurra, mësues, Korçë.
  10. Sotir Gjika, zv/kryeredaktor, “Gazzetta di Puglia”, Bari.
  11. Dom Lazër Shantoja, prift jezuit, Shkodër.
  12. Arqile Tasi, editor i “Diellit”, Boston.
  13. Sejfulla Malëshova, kryesekretar, zyra e Kryeministrit, Tiranë.
  14. Andon Frashëri (Adams), sekretar privat i Kryeministrit, Korçë, Tiranë.

Ky grusht njerëzish u shtua ndjeshëm. Në penën e Çabejt, Mitrush Kutelit, Sterjo Spasses, A. Xhuvanit shqipja nisi të forcohej e rritej, u shtuan edhe heronjtë e saj. Nuk munguan sprovat e institucionalizimit të heroizmit. Pas Luftës II Botërore u ec më masivisht. U mblodh Kongresi i Drejtshkrimit në vitin 1972, kësaj here në Tiranë, pas atij të Manastirit më 1908. Shpejt do të dilte Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Te ky botim akademik heronjtë nuk ndihen pelikanë, por shtojzovalle dinjitoze të ritmeve të jetës.

Kapëm kohën kur shkëlqimi i botës ishte pasuruar nga një bukuri e re: nga bukuria e shpejtësisë, siç thuhet në Manifestin e futurizmit. Vizioni unitar i dha në dorë njeriut modern shqiptar befasimin. Kur gjuhëprishësit e shumtë shkërmoqin deri identitetin kombëtar, si befas, dalin ata që nuk e shfrytëzojnë zotërimin e botës. Pa zhurmë bëjnë detyrën për mëmën që nuk moshohet kurrë.

Qorrfermani, siç u mposht nga trinomi zjarr-dritë-dituri, do të mposhtet sa herë të shpallet nga shpurat. Deviza: Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë!… nuk di të moshohet. Heronjtë e gjuhës, siç kumton Ismail Kadareja, janë me sy të ndritur, “ata që shohin më qartë dhe më larg, në të ardhmen, dhe janë të padëshirueshëm për çdo pushtet tiranik.”

Për ata, që, jo pak here, e harrojnë këtë mësim, le të kujtojmë porosinë e Ernest Koliqit:

“Na, që i themi vetes poetë e prozatorë të rysun në mjeshtëritë ma të stërholla të letërsive botnore, në daç të Lindjes, në daç të Perëndimit, mos jemi kah e thejmë e coptojmë jo vetëm sintaksin e periudhave të shqipes, por edhe atë të shpirtit shqiptar.”

Në të kundërt, heronjtë do të vjellin mallkime./GS

Shperndaje ne

The Author

Prof.Dr. Rahim OMBASHI

1 Comment

Add a Comment
  1. Ku e keni gjetur burimin e poezise “Ma shane atdheun” me autorsi Konicen?… ne shume vende kjo poezi mban autoresine e Sokrat Habilaj…

Lini një Përgjigje te Samiu Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.