Shpend Berisha – Dëshmori që Luftoi me trimëri për Atdheun

12Shpend_berisha

Avdi_ibrahimiShkruan: Avdi Ibrahimi

Çdo komb në botë ka heronjtë dhe dëshmorët e vetë, poashtu edhe kombi shqiptar i ka heronjtë dhe dëshmorët që treguan trimëri e dashuri nëpër shekuj për atdheun e vetë Shqipërinë. Një dashuri të tillë trimërie e dashurie për atdheun kishte edhe Shpendi.

Shpend (Sefer) Berisha u lind në fshatin Volljake të Klines 27.06.1960, në një familje të varfër fshatare me tradita atdhetare. Mёsimet e para i mori nё shkollёn fillore “Emin Duraku” nё fshatin Sverkё tё Gashit, ndёrsa tё mesmёn nё “Luigj Gurakuqi “ nё Klinё. Gjendja e dobёt ekonomike i bënë të pamundur shkollimin e mёtutjeshem universitar.

Shtypja, terrori, shfrytëzimi i pushtuesve jugosllavo – serb, që po bëhej kundër shqiptarëve të mbetur dhunshëm nën pushtuesit jugosllav, ia shtuan urrejtjen për rregjimin gjakatar Tito – Rankoviq – Millosheviq. Kështu ai u bë person i padëshiruar për regjimin shovenist të Beogradit, dhe survejohej nga sahanlëpirësit e “vllazërim – bashkimit” aso kohe. Nga pamundёsia pёr tu punësuar, njёherit i ndjekur nga policia çetnike serbo-sllave ai u detyrua tё merrte rrugёn e shumё tё rinjёve shqiptar, rrugёn e gurbetit. Shpendi u punësua nё Gjermani. Edhe pse larg atdheut ai për asnjë çast nuk e kishte larguar nga zemra dashurin për lirin e atdhut, për këtë qëllim ai kishte ndarë mjete financiare për Fondin “Vendlindja Thërret”, mjete këto që financonin Ushtrin Çlirimtare në Kosovë. Shpendi nuk u kënaq me kaq, por vendos që ta lërë përgjithnji mërgimin për tu rreshtuar në radhët e UÇK-së. Më 4 prill të vitit 1999, në Kukës, kyqet në brigadën 28-128 të UÇK-së në Zonën Operative të Pashtrikut. Pas përfundimit të stërvitjeve luftarake në Burrel, komandanti i brigadës, Ruzhdi Saramati, e emëron për komandant të kompanisë Shpend Berishën.

Më urdhër të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së në operacionin luftarak ”Shigjeta” në mbrëmjen e 25 majit 1999, brigadës 28-128, dhe formacioneve tjera luftarake i jepet urdhër për të sulmuar pushtuesin serbo – malazez në hapsirat e kufirit shqiptaro – shqiptar në Gorozhup e Pashtrik të Hasit. Ku për 87 vjet më radhë pushtuesi jugosllav kishte mbjellur vdekje e urrejtje, dhe armiqësi ndërshqiptare. Të nesërmen, ende pa zbardhur mirë, gurët dhe drurët e Gorozhupit e të Pashtrikut do të jehonin krismat e papara ndonjëherë të armëve të UÇK-së.

Në mesditën e asaj dite, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së do të njoftonte përmes Agjencisë Shtetërore Informative “KOSOVAPRESS” në lajme ditore date 26 maj 1999, sipas Komunikatës nr. 79, se;

“…Operacioni sulmues “Shigjeta” filloi sot, me 26 maj 1999, në
ora 04.00 dhe po zhvillohet me sukses. Deri në orët e mesditës
së ditës së sotme forcat e Ushtirsë Çlirimtare të Kosovës kanë
marrë nën kontrollë malin Pashtrik dhe pjerrësitë veriore të tij,
fshatin Milaj, kanë asgjësuar disa posta kufitare dhe po
vazhdojnë luftimet për pastrimin e gjithë brezit kufitar me
Shqipërinë, duke mësyer gjithnjë e më në thellsi të territorit të
Kosovës.

Si rrjedhojë e luftimeve të deritashme, armikut i janë vrarë 20
ushtarë dhe i janë kapur robë dy të tjerë, përveç teknikë dhe
armatim të shumtë të dalë jashtë luftimit.
Nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka një të vrarë dhe
dy të plagosur.
Operacioni vazhdon.”

SHEFI I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM AGIM ÇEKU

Pra siç shihet nga komunikata nr.79. e SH. P. të UÇK-së, më 26 maj para agimit, në operacionin “Shigjeta”, përgjatë tërë vijës sulmuese Gorozhup e Pashtrik, u zhvilluan luftime të përgjakshme dhe në këto luftime të pabarabarta si ne teknik luftarake ponjashtu dhe në numër më të paktë ishin formacionet luftarake të UÇK-së, në këtë ditë luftimi të Operacionit “Shigjeta” pati një të vrarë, dëshmorin e parë në këtë front lufte, Bafti Haxhiun, dhe dy të plagosur, ndërsa nga ana e armikut numroheshin disa të vrarë e të plagosur.

Kështu luftimet vazhdonin çdo ditë, por Intensiteti më i madh i luftimeve ishte në fund të majit 1999, ku për brigadën 28-128, ishte dita më e përgjakshme, këtë ditë luftohej me të gjitha forcat që psedonim nga Drini i Bardhë e deri në Pashtrik. Këtë ditë luftimi komandant Shpendi më kompanin e tij luftonte si të ishte Oso Kuka i Vraninës, me forcat armike, njësitë tjera të brigadës arritën të depërtonin në thellësi të pozicioneve serbe. Forcat serbe ndërkohë sjellin përforcime të reja dhe kanë përdorur tërë arsenalin e armatimit të rëndë dhe, aktivizoi edhe helikopterë të shumtë për ta përballuar sulmin tonë që ne sulmonim nga toka, e forcat e NATO-s bombardonin pozicionet serbe nga ajri.

Zjarr me të gjitha armët, zjarr në mbrojtjen e trojeve tona shqiptare, ky ishte trimi nga Volljaka Shpend Berisha, i cili u thoshte bashkëluftëtarëve të lirisë, se luftën për liri e kemi si qëllim të vetëm të jetës.

UÇK-ja, që në fillim, ishte ushtri prej vullnetaresh nga të gjitha trojet shqiptare. Djemtë dhe vajzat shqiptarë e kishin për krenari, që ishin luftëtarë të këssaj ushtrie, sepse ata ishin të bindur se kjo luftë çlirimtare ishte e drejtë. Për këtë ata kishin guximin të luftonin ushtri me ushtri e jo me gra e fëmijë, me pleq e me plaka të pambrojtur, siç bënte ushtria dhe forcat speciale te policisë serbo-çetnike. Prandaj e gjithë brigada 28-128 e me formacionet tjera luftarake të UÇK-së luftonte si një trup i vetëm kundër këtij pushtuesi të egër e gjakatar duke shkulur nga pozicicionet ushtrin pushtuese sllave. Paniku i kishte kapur çetniket serbo – malazezë e mercenarët rusë, këta që tregoheshin trima para popullatës shqiptare të parmatosur, tani kishin marrë arratin dhe shanin Serbinë. Forcat serebe te armatosura ushtarako – policore po ia kthenin shpinën betejes dhe, si zagarët kur tmerrohen nga rrufetë e bubullimat, po tërhiqeshin me ankth e panik nga luanët e ushtrisë çlirimtare.

Në këtë luftim prej disa orësh, aty nga mesdita e kësaj beteje të ashpër për jetë a vdekje bie në fushën e nderit komandanti Shpend Berisha, Gani Sarmati, Selver Maçkaj, Beron Gashi, ndërsa plagosen rëndë komandanti i artilerisë Sali Saramati, i cili me 6 prill 1999. në spitalin ushtarak të Tiranës i pushon së rrahuri zemra e madhe e këtij trimi të papepur për liri e bashkim kombëtar, të plagosur rëndë në këto beteja të përgjakshme ishte edhe mjeku Ilir Rakaj dhe Jeton Krasniqi, në këtë betejë patëm edhe disa ushtar tjerë të plagosur. Ndërsa forcat armike patën me dhjetra të vrarë e të plagosur dhe humbje të konsiderueshme të teknikës luftarake, mes tjerash njoftonte Agjencia e lajmeve të BBS-së.

Atdhetarët, gjithnji luftuan për tu çliruar nga pushtuesi i huaj. janë këta atdhetarët, që nuk duan të jetojnë si skllevër, por duan të jetojnë me dinjitet jetën e tyre, duke trasheguar traditat e veta kombëtare, ku motivi për të luftuar për liri e të drejta kombëtare shqiptare thyen edhe armët më të sofistikuara të armiqve. Këta trima luftëtarë ishin njerëzit më idealist e të vendosur deri në vdekje për çështjen kombëtare shqiptare. Mbi këtë çështje madhore ata nuk vinin asgjë, as jetën, as familjen e tyre.

I tillë ishte edhe Shpend Berisha. Sërish bijtë e bijat e brigadës 28-128, bashkuan gjokset shkëmb graniti, duke u shndërruar në mure të pakapërcyeshme për armikun, mure këto lavdie dhe krenarie për kombin shqiptar. Në këtë qëndresë trimërie do të bie i përgjakur nga predhat e armikut, komandanti i kompanisë, Shpend Berisha, i cili gjatë rrugës tek po e dërgonin bashkëluftëtarët e tij të luftës për në spitalin e Kukësit, ndalon së rrahuri zemra e Shpendit, zemra e këtij trimi, që e deshi aq shumë jetën e kombit pellazgo-iliro-shqiptar, e që ai i fali jetën të ardhmës së atdheut.

Mes të tjerash në biografin e shkurtër të Shpendit shkruan Naimi, këta rreshta të cilët nuk po ndërhyj për të ndryshuar asgjë nga origjinaliteti i të shkruarit: “ Shpendi pas vetit la shoqen, dy djem dhe dy vajza ku sot jetojnё nё Klinё nё ni gjendje jo aq te mirё, nё njё banes me kushte minimale pёr jetes me ni penzion modest sa per ta mbajtur familjen.”

Si mund ta shpjegojmë këtë gjendje jo të mirë ekonomike të familjes së ngushtë të dëshmorit Shpend Berisha dhe, përplot familjarëve tjer të dëshmorëve, invalideve e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku me sytë tanë kemi parë luftëtarë që dilte me plag në trup nga spitali dhe shkonte drejt luftës në Kosovë, kurse tjetri i të njejtës moshë, shkonte me vrap drejt plazheve të bregdetit shqiptar?!… E ne që jemi dëshmitar të këtyre ngjarjeve të pas luftës si të shikoheshim sy me sy me këtë profiter, të hypur në makinë të shtrenjtë dhe super luksoze, i cili ka ikur nga lufta e sot është veshur me pushtet duke u bërë i pasur, që të blen me para?!… Janë këto kontraste të tejskajshme, karshi një luftëtari të gjymtuar, që dikush për bamirësi e shtyen me karrocë rrugëve të Kosovës.

Për këso atdheu nuk luftuan dëshmorët. Ja kjo është fatkeqësia njerëzore, në ato ditë lufte dikush shkonte drejt luftës e vritej për Kosovë, tjetri bënte karshillëk plazheve bregdetare… Familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e luftës, duhet të jetojnë dinjitetshëm dhe, të mos vuajnë për kafshatën e bukës, fal kësaj shterse të shoqërisë ne sot e gëzojmë lirinë.

Ish – komanda e brigadës 28-128 të UÇK-së, kujton me respekt të lartë rënien heroike të Shpend Berishës dhe dëshmorëve tjer që ranë për lirin e atdheut në betejat e Gorozhupit dhe Pashtrikut,.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!

Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorit të kombit Shpend ( Sefer) Berishës!

P.S. Autori i këtij shkrimi ka qenë ish-zëvëndës komandant i brigades 28-128 të UÇK-së në ZOP. Shpresoj se shkrimet për dëshmorët e kombit në çdo kohë ruajnë aktualitetin.

31. Maj. 2011

Shperndaje ne

The Author

Avdi Ibrahimi

Autori ish- Z.kom i Brigadës 128. ZOP

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.