SELVERI DHEMBJA DHE KRENARIA JONË KOMBËTARE

selveri

Avdi_ibrahimiShkruan: Avdi Ibrahimi

Selver Bajram Maçkaj, u lind më 04. 01. 1967 në fshatin Lybeqevë të Prizrenit, ra dëshmor më 31. 05. 1999 në Gorozhup të Hasit.

Proverbi shqiptar thotë, se “Gjaku i derdhur për Atdhe është gjaku që nuk falet, se është gjak Lirie… ” ky proverb është kuptuar drejt, nga idealistët e gjakut shqiptar. Në plejaden e këtyre idealistëve historikë bënë pjesë edhe Dëshmori i Kombit i radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në brigade 28-128 të Zonës Operative Pashtrikut, Selver Maçkaj, qysh heret ishte përcaktuar për sakrificë pa çmim, për çlirimin e Kosovës dhe ribashkimin e kombit shqiptar të copëtuar me dhunë nga Evropa.

Ai në radhet e UÇK-së u kyç me 17. 03. 1999. në shtabin nr. 1. në Kukës, për ta hequr qafe pushtuesen Serbi.

Për Selverin, vitet e robërisë nën sundimin serb ishin vite të padurueshme. Terrori i këtij pushteti okupues nuk kurseu as popullatën civile në Zonën Operative të Pashtrikut. Ky regjim gjakatar serb jetësisht ishte i interesuar për zbrazjen e vendbanimeve shqiptare dhe serbizimin e Kosovës. Terrori, dhuna, ndjekjet, persekutimet, burgosjet, vrasjet, ishin bërë rutin e përditshme e popullit shqiptar që jetonte në trojet e veta stërgjyshore. Kosova mbi trupin e vet të përgjakur ndër shekuj po përjetonte stinën e gjatë të dhunës orën policore, shtetrrethimin, luftën klasike, të tanksave, të topave, të aeroplanëve luftarakë, të bombardimeve, të djegieve të shtëpive, ku gjat djegijes së shtëpisë në lagjen Tussus të Prizrenit, barbarët serbë ja djegin të gjallë motren e Selverit.

Këtë ngjarje ai e përjetoi rëndë dhe ishte betuar se do të hakmerrej ndaj barbarëve serb.

Kjo ditë po afrohej, me 26 maj në operacionin “SHIGJETA” brigada 28-128 sulmoi kufirin shqiptaro-shqiptar në Gorozhup, ku Selveri në cilësinë e Oficerit të ndërlidhjes do të shquhej për trimeri duke luftuar me shpirt e zemër pushtuesin serb.

Ai do të gjendej sa në një pozicion luftarak, sa në tjetrin tyta e pushkës së tijë do të jetë vazhdimisht e skuqur duke shkrepur plumba mbi armikun, njëkohësisht do të raportonte me radiolidhje nga vijat e zjarrit për zhvillimet luftarake komandandit të brigades Ruzhdi Saramatit.

Ne shokët dhe bashkëluftëtarët e brigadës e donim dhe e çmonin së tepërmi sa për guximin e vendosmërinë e tij aq edhe për faktin se kishte lënë çdo gjë në Perendim gjegjësisht në Itali, ashtu siç kishte lënë Shpend Berisha dhe Gani Saramati, Gjermaninë e disa të tjerë dhe kishin ardhur për të luftuar në Kosovë. Tashmë po afrohemi në përvjetorin e 11-të, të luftëtarëve të lirisë që fituan pavdeksin në betejen e përgjaksme kundër forcave serbe në Betejen e lavdishme në Gorozhup rrënzë malit Pashtrik.

Me 31 maj 1999 ranë në altarin e lirisë Selver Bajram Maçkaj, bashkë me, Shpend Sefer Berishen, Gani Hamdi Saramatin, Beran Muhamet Gashin, luftëtarët trima të lirisë emrin e tyre e lanë të shkruajtur në “Fenikset e Lirisë” por edhe në mendjet dhe në zemrat e një kombi të tërë.

Për çka edhe historikisht është vërtetuar se dëshmorët janë margaritar dhe krenaria e kombit.

Beteja e Gorozhupit do të mbahet mend dhe mbetet në faqet më të ndritura të historisë për faktin se është thyer miti i pathyeshmërisë së kufirit shqiptaro-shqiptarë. Rënia e tyre heroike, sado e dhembshme, luftëtarët e brigades nuk i demoralizoi, por përkundrazi na nxiti të luftonim më të bashkuar që të arrinim drejtë qëllimit të lartë. Gjaku i bashkëluftëtarëve tanë u bë shkëndijë drite e fitoreve të reja. Vullneti ynë i pathyeshëm thyente pozicionet e armikut ku mbetën disa të vrarë e të plagosur, hakmarrja jonë për shokët e rënë në betejat e një pas njëshme qe edhe qëllimi ynë për ta çuar përpara amanetin e bashkëluftëtarëve tanë.

Përveq shokëve që humbëm në këto beteja, armiku kish infiltruar edhe njerëz të dyshimt në radhët e UÇK-së të cilët permes shpifjeve dhe intrigave u përpoqën t’i shpartallojnë forcat tona luftarake. Por Shtabi i brigadës me komandantin e saj Ruzhdi Saramatin, në vend të çorientimit dhe dezintegrimit, nxitëm syçeltësinë, mobilizimin unitetin e pathyeshëm, në vend të panikut e frikës mbollëm guximin, ku kryem akcione të shumta në frontin e armikut të ndihmuar edhe nga aerplanët bombardues të NATO-s.

Dëshmi kjo e qartë e një qëndrese të fuqishme e një betimi hakmarrës për gjakun e derdhur të shokëve tanë të shtrenjtë. Më kishte rastisur kur në kohë të shkurtër ndaleshin luftimet, të dëgjoja Selverin kur këndonte këngën patriotike për Kosovën, sipas një poezie të Asdrenit:

“ Kosovë, o vend i famshëm i trimërisë,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipërisë!
Nalt mbaje kryet tande si gjithmonë,
Diftou e zonja, koha sot e don”…

Më buçisnin veshët nga zëri i ëmbël i Selverit, teksa e këndonte këngën; me buçisnin veshët nga zëri prej ushtaraku gjatë raportimit luftarak nga radiolidhja e tij; me buçisnin veshët nga krisma e pushkës së tij që jehonte në malet e Pashtrikut. Më kujtohen ato ditë të fund majit, Selveri lëvizte plot shkathtësi, si një luftëtar i mire, me zgjuarësi zinte vendin që duhej, sulej si trim për të zënë një pozicion të ri në front, të cilin pozicion e mbronte me këmngulësi. Më kujtohen betejat e ashpra ku gjithçka rreth e rrotull skuqej nga flakët e armëve të lloj-llojta, zjarri i bombave, predhave e gjaku i derdhur i dëshmorëve dhe të plagosurve nga radhet tona. Selveri e njihte artin e luftës, ajo ishte e vështirë sidomos për ne që luftonim në terren gati të zhveshur të Hasit, kjo vështirësi kërkonte heroizëm, durimin e urisë, lodhjen, etjen. Aty nga mesdita Aeroplan të armikut bombarduan caqet tona, atë ditë të 31 majit. Mes këtyre gjëmimeve bombarduese qëndronte e s’tundej nga llogoret, brigade 28-128. Qielli ishte me re, fryente një erë e lehtë toka përvëlonte nga zjarri i luftës. Artileria serbe hapi zjarre të forta, sulmi me tanke, me katçusha 32 tytëshe, topa e minahedhës goditnin pa ndalur pozicionet tona.

Luftëtrët e lirisë, suleshin të tërbuar drej llogoreve të armikut, hidhnin granata, qëllonin me kundërtanke, topa pa dridhje e minahedhës të artilerëve tanë të komnduar nga komandanti Sali Saramati. Beteja ishte tepër e ashpër e pabarabartë si në numër të forcave ushtarake e poashtu edhe të teknikës luftarake. Ushtria serbe kishte aktivizuar forca të mëdha ushtarake, të ndihmuar nga paramilitar e mercenar rus, grek, bullgar, e nga vende tjera të botës dhe posedonte teknik moderne luftarake. Forcat tona të UÇK-së ishin të pakta në numër dhe posedonim teknik luftarake të këmbësorisë. Rrëbeshit të armikut luftëtarët e brigades iu përgjigjen me luftë të vendosur. Fusha e betejes u shndërrua në erë baroti e djegie. Një predhë tanku goditi trupin e pamposhtur të ushtarakut të ndërlidhjes Selver Maçkaj. Në çast kur po shkonte drejt pavdekësisë thirri:

Përpara, se fitorja është e jona !
– Bashkëluftëtarë të mi! – Çoni fjalë prindërve të dashur gruas dhe tre fëmijëve të mi, se Selveri e kreu detyrën për bashkimin e Shqipërisë… përderisa dha frymën e fundit të jetës. Ne luftëtarët e lirisë, me dhembje të thellë, u bëmë nderimet e fundit trimave që ranë në luftën heroike në Epopen e Gorozhupit, pranë malit Pshtrik.

Trupi pa jetë i Selverit, Ganiut, Shpendit, Beronit, po ftoheshin nën erën flladitëse që sillte gryka e lumit Drin dhe malet e Pashtrikut. Këta bijë të Shqipërisë Etnike, kapën armën e lirisë në dorë për t’i dale zot atdheut dhe më armë në dorë ranë për lirin e atdheut… 

bashkshortja_selverit

                                             Foto: Bashkëshortja dhe djali i dëshmorit të Kombit Selver Maqkaj

LAVDI TË GJITHË DËSHMORËVE TË KOMBIT QË RANË NË ALTARIN E LIRISË!

LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË DËSHMORIT TË KOMBIT SELVER MAÇKAJ!

P. S. Autori i këtij shkrimi ishte- ish baskëluftëtar i Selverit dhe ish- Z.kom i Brigadës 128. Shpresoj ky shkrim ende ruan aktualitetin ngase dëshmorët janë të pavdekshëm!

Me 22.02.2010.

Shperndaje ne

The Author

Avdi Ibrahimi

Autori ish- Z.kom i Brigadës 128. ZOP

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.