20 vjet nga Masakra e Peshkëpisë

Djemte_e_Gjirokastres

“Djemtë e Gjirokastrës” nderuan ushtarakët që mbrojtën atdheun – Familjarët e të dy të vrarëve dhe banorët përreth, si edhe anëtarë të Shoqatës së Ish-ushtarakëve u ndodhën të pranishëm duke vendosur lule e kryer homazhe tek vendi i memorialit

Ilir_Ademi

Ilir Ademi

Për 20 vjet, askush tjetër përveç familjarëve të dëshmorëve nuk e ka përkujtuar këtë sulm terrorist grek të kryer në mes të natës.
Si sot 20 vjet më parë ranë në krye të detyrës Kapiteni i Parë Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, të vrarë pabesisht nga një komando ushtarake greke.
Nga ky repart, “Djemtë e Gjirokastrës” përmendën me nderim të gjithë ata funksionarë të shtetit, ushtarakë, policë, si edhe persona të shërbimeve të tjera shtetërore të cilët ndër vite kanë dhënë jetën në mbrojtje të interesave kombëtare, por janë përballur me harresën institucionale.
Ata theksuan se “Shpirtrat e tyre nuk kërkojnë hakmarrje, por drejtësi e respekt, dhe jo harresë.
Sot tek reparti që para 20 vjetësh u bë simboli i trimërisë, por për 20 vjet me rradhë u shndrrua në simbol të harresës, vendosim një pllakadë përkujtimore për nder të dy ushtarakëve që dhanë jetën e tyre në krye të detyrës – vetëm se ishin Shqiptarë”.
Organizata Shqiptaro-Amerikane Çamëria dhe aktivistë shqiptaro-amerikanë u solidarizuan me këtë ngjarje përkujtimore dhe ndihmuan materialisht ngritjen e memorialit.

Komandoja greke dhe MAVI terrorizoi 130 ushtarë e vrau 2 ushtarë shqiptarë në emër të “Vorio Epirit”

Ajo që njihet në histori si “Masakra e Peshkëpisë” ku një komando greke ne 10 prill 1994, u fut në tokën shqiptare, brenda në kazermën ku flinin 130 ushtarë dhe oficerë, duke i terrorizuar e duke hapur zjarr me kallashnikov. Komandoja u udhëhoq nga Jorgo Anastasulis, oficer i ushtrisë greke me gradën toger dhe Apostolos Karvelas punonjës i policisë greke. Për pasojë, nga ky akt terrori u vranë oficeri, Kapiteni i Parë Fatmir Sali Shehu dhe 20-vjeçari Arsen Llazar Gjini. Në ikje, komandoja greke rrëmbeu armë dhe municione luftarake dhe u largua nga erdhi. Një ngjarje e rëndë kjo, që ndonëse u identifikuan dhe arrestuan autorët “Luftëtarë të Vorio-Epirit”, shteti grek i dënoi vetëm për “armëmbajtje pa leje” Ndërsa më pas, këta terroristë të lirë, u panë në Shqipëri edhe në fushata elektorale në jug të vendit me eksponentë të partisë neonaziste greke Agimi i Artë.

Kush është MAVI dhe çfarë përfaqëson ajo?

MAVI janë simbolet e Frontit për Çlirimin e Vorio Epirit. Kjo organizatë ka vepruar në Shqipëri qysh gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Ajo është formuar në vitin 1942 nga gjenerali famëkeq Napolon Zerva që masakroi popullsinë shqiptare të Çamërisë. Në korrik të vitit 1942, Ilias Kosta, Mihal Mano, Jakis Taso, Anastasios Kokaveshi, etj., themeluan degën e kësaj organizate në Tiranë. MAVI nuk arriti të bëjë asgjë gjatë kohës së regjimit komunist. Organizata terroriste greke Fronti për Çlirimin e Vorio Epirit, menjëherë pas ndërrimit të sistemit politik në Shqipëri në fundin e vitit 1990, e pa se kishte ardhur koha për të ringjallur edhe njëherë ëndrrën shoviniste për ti shkëputur Shqipërisë pjesën jugore të saj. Elementët nacionalistë ekstremistë grekë të mbështetur nga grupe politikanësh të rëndësishëm, klerikë ortodoksë, dhe segmente të shërbimeve sekrete nisën rekrutimin, stërvitjen dhe më pas koordinimin e strukturave paramilitare për të sulmuar shtetin shqiptar. Synimi ishte i qartë dhe më mirë se kushdo tjetër do ta dëshmonte ngjarja e Peshkëpisë.

Greqia ende në gjendje lufte me Shqipërinë, autorët të lirë

Kanë kaluar 20 vjet nga masakra e Peshkëpisë, por autoritetet shqiptare ende nuk kanë ndëshkuar autorët e këtij krimi të rëndë. Çdo 10 prill, familjarët dhe të afërm të dy dëshmorëve të atdheut ngjiten sërish në repartin e Peshkëpisë për të nderuar viktimat e komandos paraushtarake të Frontit për Çlirimin e Vorio Epirit. Ata kërkuan vazhdimisht t’u tërhiqnin vëmendjen autoriteteve të drejtësisë për të zbardhur krimin që u mori jetën dy kufitarëve në krye të detyrës.
Madje, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë ka deklaruar zyrtarisht se ligji i luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë mbeten ende në fuqi (Nr. 2636 i vitit 1940 dhe Nr. 4560 i vitit 1966). Ngjarja e rëndë postës kufitare të Peshkëpisë dëshmoi se sa i pafuqishëm ishte shteti shqiptar për të mbrojtur integritetin e vet pas ndryshimeve politike në vitin 1990. Krimi vazhdon të mbetet pa autorë, pavarësisht se emrat e tyre janë bërë publikë prej kohësh. Më 12 korrik 1995, prokuroria e Athinës në mënyrë krejt të papritur i pushoi të gjitha akuzat ndaj pjestarëve të organizatës terroriste “MAVI”, duke u lënë në ngarkim vetëm armëmbajtjen pa leje. Alibia e të shtatëve të komandos terroriste se kishin qenë për gjah në kufirin shqiptar gjeti zbatim. Më 21 mars 1996, saktësisht një vit nga vendimi me arrest burgu të dhënë nga gjykata e Janinës, të gjithë të arrestuarit u liruan për mungesë provash nga Gjykata e Athinës dhe u trajtuan si heronj që kishin luftuar për aneksimin e Epirit të Veriut nga Shqipëria.

Shperndaje ne
Updated: 26 Nëntor, 2014 — 09:19

The Author

Admin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.