Shqiptari Hasan Tahsin Mesarea, Gjeneral-pashai me famë që u dhuroi grekëve Selanikun më 1912-n

40Dorzimi_i_selaniku_grekeve

arben_llallaShkruan: Arben Llalla

Selaniku është kryeqendra e Greqisë së Veriut. Unë jetova dhe punova rreth 12 vjet në këtë qytet. Gjatë qëndrimit tim u mora dhe me studime historike që lidheshin me jetën politike-shoqërore të shqiptarëve që nga koha e perandorisë osmane e deri më sot. Gjatë kësaj kohe mësova se në Selanik ka jetuar disa vite Ismail Qemal Vlora, mbreti Ahmet Zogu qëndroi pak muaj mbas largimit nga Shqipëria në vitin 1939. Në qytetin e Selanikut është vrarë ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Prishtina, më 12 gusht 1933. Gjatë kohës së kryengritjes së turqve të rinj (Xhonturqve), në korrik-gusht të vitit 1908, Çerçiz Topulli, Bajo Topulli dhe Mihal Grameno, qëndruan disa ditë në Selanik. Në fillim të shekullit të 20-të Kristo Luarasi ngriti këtu shtypshkronjën “Mbrotësia”. Në vitin 1916, në qytetin e Selanikut forcat greke të ndihmuar nga ushtria franceze pushkatuan atdhetarin e shquar Themistokli Gërmenjin. Bashkësia shqiptare në Selanik ka pasur edhe varrezat e saja në lagjen e sotme Triandhria. Vendi i varrezave të shqiptarëve ka qenë i blerë nga familjet shqiptare që kanë jetuar dhe punuar në Selanik në kohën e Perandorisë Osmane. Këto varrezat u shkatërruan nga qeveria greke në vitin 1983. Eshtrat e mijëra të vdekurve u zhdukën, përveç disa të cilat i tërhoqën familjarët e tyre që jetonin ende në Selanik atë vit.

Me Selanikun lidhet një ngjarje tjetër shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe për Greqinë, është ngjarja e 26 tetorit 1912, kur komandanti turk me kombësi shqiptare, gjenerali Hasan Tahsin Pashë Mesarea (1845-1918), pas largimit të turqve, ua dhuroi grekëve dhe jo bullgarëve qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Pasha, pasi ua dha grekëve Selanikun, u largua, në fillim për në Francë e më pas në Zvicër. Vdiq në vitin 1918, në Lozanë të Zvicrës, ku dhe u varros. Por varrimi i tij ka një odise të gjatë dhe, natyrisht, të dhimbshme, pasi varroset dhe zhvarroset tri herë.

Hasan Tahsin Pashë Mesarea kishte 7 fëmijë, prej të cilëve vetëm 3 jetuan, dy djem dhe një vajzë. Njëri nga djemtë e tij, Qemal Mesarea ka qenë ambasador i Shqipërisë në Athinë më 1933-1934. Ai u martua me një greke dhe vdiq në vitin 1968. Vajza e vetme e Hasan Tahsin Pashës u martua në Turqi. Kurse djali tjetër i tij, quhej Qenan Mesarea (1889-1965). Gjenerali Hasan Mesarea ka shërbyer si komandant i përgjithshëm i trupave osmane në Jemen, Siri, Irak, Qipro, Kretë dhe së fundmi në Selanik. Gjatë kohës që ka shërbyer në Kretë, ai lidhi miqësi me Venizelon, i cili pas dhurimit pa luftë të qytetit të Selanikut, si shpërblim e ndihmoi më vonë familjen Mesarea që të largohej për në Francë dhe të fitonte shtetësinë greke. Hasan Tahsin Mesarea i përket ajkës së shqiptarëve që kanë studiuar në shkollën e mesme Zosimea të Janinës. Siç dihet në këtë gjimnaz kanë ndjekur mësimet Konstandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Hoxhë Hasan Tahsimi, Ali Asllani, Abedin Pash Dino, Naim dhe Sami Frashëri, Sali Nivica, Aleksandër Xhuvani e shumë shqiptarë të tjerë që u dalluan për protagonizëm në të gjitha situatat historike që kaloi Shqipëria në kohën e tyre.

Historia e Hasan Tahsin Mesaresë është një nga historitë e shumta të ushtarakëve shqiptarë që i kanë shërbyer ushtrive të huaja. Rrugëtimi i Hasan Tahsin Mesaresë nisi në vitin 1845, në fshatin Mesare, në Jugun e Shqipërisë (Mesare do të thotë mes-are, fshat i vendosur në mes të arave, një fshat i vogël i besimit mysliman. Ky fshat fatkeq  ndodhej pranë Leskovikut. Themi fatkeq, sepse ai nuk ekziston më. Në vitin 1913 Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve brutalisht e ndau këtë fshat më dysh, gjysma mbeti këtej kufirit shqiptar dhe gjysma tjetër iu dha Greqisë. Pas kësaj fshatarët e të dyja pjesëve e braktisën vendlindjen e tyre dhe shkuan shumica në qytetet e Shqipërisë, sidomos në Korçë, Kolonjë, Durrës dhe në Tiranë) dhe përfundoi në 2006, në Veriun e Greqisë, në qytetin e Selanikut. Hasan Tahsin Mesarea ishte një ushtarak vizionar i cili shpëtoj jetët e mijëra qytetarëve të kombësive të ndryshme që jetonin në qytetin e Selanikut. Akti i tij për dhurimin me paqe të këtij qyteti tregon shpirtin human të një njeriut të cilit i takon nderi më i madh për shpëtimin e Selanikut nga shkatërrimi nën grykat e topave të tri ushtrive, turqve, bullgarëve dhe grekëve.

Historianët grekë çlirim e Selanikut ia dedikojnë komandanti të ushtrisë greke, Konstandin apo Venizelosit, por këto merita janë të pavlera përpara aktit human, zgjuarsisë dhe urtësisë të gjeneral-pashait Hasan Tasin Mesaresë, i cili preferoi më mirë dorëzimin me nder se sa të derdhej gjaku lumë. Në çastin e dhurimit të Selanikut, gjeneral Mesarea kishte 26.000 ushtarë nën komandë dhe preferoi më mirë t’u shpëtonte jetën se sa të vriteshin në një betejë të kotë dhe të panevojshme pas një armëpushimi.

Ja si gjenerali shqiptar u dhuroi grekëve me dorën e tij “çelësin” e Selanikut

7.Komandanti grek, Kostandini dhe Hasan Tahsin MesareaPas luftimeve të gjata midis forcave turke dhe forcave të ushtrisë greke në Greqinë e Veriut u arrit armëpushimi. Gjenerali turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha, në 26 tetor 1912, kishte firmosur dhurimin e qytetit grekëve dhe po përgatitej të largohej bashkë me ushtrinë për në Turqi. Më 27 tetor, të dërguarit e krye-gjeneralit të ushtrisë bullgare Teodorov, duke mbajtur flamurin e bardhë u takuan me gjeneral Hasan Tahsinin. Bullgarët përfaqësoheshin nga një kolonel, dy oficerë dhe kapiteni Standov, që më pas u bë ambasador i Bullgarisë në Paris. Gjatë bisedës kapiten Standovi shprehu befasinë dhe pakënaqësinë për dorëzimin e Selanikut grekëve, pasi, siç tha ai, ushtria bullgare kishte hyrë duke luftuar disa herë në Selanik. Prandaj gëzonte të drejtën që të marrë në dorëzim në emër të naltmadhnisë së tij Carit të Bullgarisë. Por gjeneral Hasan Tahsini u kujtoi bullgarëve se ushtria turke kishte pasur kundërshtar lufte për Selanikun vetëm ushtrinë greke. Koloneli kryetar i përfaqësueses bullgare mbas këtyre fjalëve u përgjigj me tërbim se para pak orëve ushtria bullgare kishte luftuar kundra ushtrisë turke në rrethinat e Selanikut, prandaj duhej të përgatitej menjëherë një shkresë e posaçme, sipas të cilës qyteti i Selanikut u dorëzohej ushtrisë bullgare. Ndonëse tashmë i mundur, gjenerali Hasan Tahsin Pasha me kryelartësi tha JO. Atëherë me diplomaci ndërhyri kapiten Standovi për të qetësuar përshtypjen e keqe që kishte lënë koloneli bullgar, duke thënë se mbas një përgjigje pozitive për bullgarët, Hasan Tahsin Pasha do të vlerësohej nga kryegjenerali Todorov dhe ushtria e tij.

Pas dy orë bisedime pa bindur gjeneral Tahsinin, kapiten Standovi shprehu dëshirë të bisedonte vetëm për vetëm me djalin e gjeneralit, adjutantin Qenan Mesarea. Pasi kaluan në një sallë veçmas, zoti Standovi nxori nga çanta e tij një çek të një banke londineze me një shumë marramendëse, që ia dha adjutant Mesaresë, duke pëshpëritur se çeku ishte shpërblimi për një firmë të thjeshtë të babait të tij. Në atë çast Qenan Mesarea mbeti i hutuar dhe u kthye në zyrë duke refuzuar shpërblimin. Pasi dështuan kërcënimet dhe shpërblimet e ndryshme, përfaqësuesit bullgarë kërkuan që gjeneral Hasan Tahsin Pasha t’u jepte një kopje të protokollit të dorëzimit të Selanikut forcave të ushtrisë greke. Pasi morën kopjen e protokollit të dorëzimit të qytetit të Selanikut forcave greke, përfaqësuesit e ushtrisë bullgare u larguan për të mos u kthyer më kurrë.

 

“Arhondi i Janinës”

1.Qenan Mesarea, autoportretS’dihet pse, për atë historinë e famshme bashkë me të atin në Selanik më 1912, për atë që ishte i biri i një gjeneral-pashai të njohur, për atë që kishte marrë të shoqen në një nga dyert më të mëdha dhe më të pasura të Çamërisë, për atë karizmën dhe sharmin e spikatur fizik dhe intelektual që reflektonte në rrethet shoqërore, për profesionalizmin dhe talentin e madh në artin e pikturës, zejen e tij të zemrës, apo për të gjitha këto së bashku, ai është quajtur “Arhondi i Janinës”, qytetit ku kaloi pjesën më të madhe të jetës, ku dhe mbylli sytë përgjithmonë.

Qenan Mesarea, djali i Hasan Tahsin Pashë Mesaresë, u martua në Janinë me Rafetën,vajzën e shqiptarit Mustafa Pasha, që ishte pasanik më i madh i Çamërisë dhe gjithë Epirit. Pas mbarimit të shkollës në Janinë, studioi në shkollën Gallatasarait në Stamboll. Në fillim Qenani punoi adjutant i babait të tij, gjeneral Hasan Tahsinit. Ai ishte piktor i vetë mësuar dhe pas martesës më 1934, u vendos në qytetin e lindjes, Janinë. U mor me pikturë dhe shumë vepra të tij gjenden tek koleksionistët privat dhe në Shtabin e Armatës së Tretë të ushtrisë greke në Janinë, në klubin e oficerëve në Selanik e gjetkë. Një nga pikturat e rëndësishme është çasti kur babai i tij, gjenerali Hasan Tahsin Pasha firmosi dokumentin e dhurimit të qytetit të Selanikut grekëve në 26 tetor 1912. (Kjo foto është vendosur si foto kryesore edhe në çeljen e këtij shkrimi).

Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhen disa punime të Qenan Mesaresë, që përbën një koleksion të rrallë dhe që është nder për këtë institucion. Këto punime piktori i ka lënë kur ka hyrë e ka dalë disa herë në Shqipëri, duke bashkëpunuar me shumë artistë shqiptarë të kohës. Fatkeqësisht, në vitet e regjimit komunist atij iu ndalua hyrja në Shqipëri, çka do ta ketë prekur rëndë shpirtin e tij të ndjeshëm prej artisti.

Nëpër penelin e tij kaluan peizazhet e liqenit të Janinën, shpendët e ndryshme, çaste të çlirimit të Selanikut dhe Janinës. Është njëri nga hartuesit e kufirit të Greqisë së Re. Vdiq në vitin 1965, dhe u varros sipas dëshirës së tij në varrin familjar në varrezat shqiptare të Selanikut. Pas prishjes brutale nga shteti grek të këtyre varrezave eshtrat e tij u rivarrosën në një varr me babanë e tij më 2006. Për nder të figurës artiste të Qenan Mesarea, qyteti i Janinës ka një rrugë me emrin e tij, Kenan Mesare. Prefektura e Janinës ka botuar edhe një album me pikturat e Qenan Mesaresë si pjesë e propagandës turistike të këtij qyteti.

Djali i Qenan Mesare, Shahini i njohur me emrin Serxhio ose Ini Mesarea ka lindur në Janinë më 1936, u martua me Margarita Arvanitidhu, dhe bashkëshortja e tij ishte me origjinë shqiptare. Nga kjo martesë patën vetëm një fëmijë, Aleksandrën. Shahin-Ini Mesarea ndoqi gjimnazin Zosimea të Janinës dhe më tej u diplomua në Romë më 1962, dega Arkitekturë. Vajza e Shahin Mesaresë, Aleksandra ka punuar deri pak vitesh në zyrën e Greenpeace.

 

Deformime të qëllimta të historiografisë greke

pasawHistorianët grek rreth ngjarjeve që kanë lidhje më familjen Mesarea hedhin teza gënjeshtërta, duke shtrembëruar të vërtetën dhe ushqyer lexuesin me histori të shtrembëruar. Ata na i paraqesin personazhet e njohur në versione në të cilat nuk kanë qenë asnjëherë:

Historianët dhe studiuesit grekë shkruajnë se gruaja e gjeneral Hasan Tahsin Mesarea ishte greke e fesë myslimane. Këtë tezë e paraqesin vetëm e vetëm për të përfituar vlerat e larta të piktorit Qenan Mesaresë, për të cilin thonë se ka gjak grek nga nëna. Por deri më sot asnjë historian dhe studiues grek s’na ka ofruar fakte se si quhej gruaja e Hasan Tahsin Mesaresë, pra nëna e Qenanit, nga cili vend ishte, etj. Kështu, çdo tezë se gruaja e gjeneral Mesaresë është greke bie poshtë. Gruaja e Hasan Tahsin Mesaresë kishte shoqëri të ngushtë me gruan e Mustafa Pashës, pasanikut më të madh të Çamërisë. Kjo shoqëri e ngushtë u bë shkak që Qenan Mesarea të martohej më 1934 me Rafetën, vajzën e shqiptarit Mustafa Pasha. Siç dihet Kushtetuta e shek. 19 dhe fillim të shek. 20 përcaktonte qartë se kush quhej grek. Grek quhej ai njeri që i përkiste besimit ortodoks. E si paska qenë greke gruaja e Hasan Tahsin Mesaresë dhe nëna e Qenanit, kur ajo i përkiste besimit mysliman!?…

Historikisht grekët festojnë çlirimin e Selanikut, por e vërteta është se Selaniku nuk u çlirua, por u dhurua nga gjenerali Hasan Tahsin Mesarea. Ky akt i madh ka të bëj me botën humane dhe njerëzore të këtij ushtaraku që preferoi të shpëtoj jetët e mijëra qytetarëve që i përkisnin kombësive dhe besimeve të ndryshme se sa të masakroheshin. Nuk besoj se në Ballkan ka ndodhur ndonjëherë një akt i tillë i dhurimit me paqe dhe pa kushte të ndonjë qyteti apo kështjelle. Pra, qyteti i Selanikut nuk është çliruar e as dorëzuar, por është dhuruar, kjo gjë del qartë nga dokumentet historike, sepse gjeneral Mesarea ka patur mundësi t’iu dhuronte bullgarëve. Nëse do bëhej një akt i tillë, nuk e dimë se si do ishin kufijtë dhe politika ballkanike sot.

Dhurimi i Selanikut u bë pa luftë, pa asnjë kusht dhe për këtë Porta e Lartë e dënoi me vdekje gjeneral Hasan Tahsin Mesarenë dhe djalin e tij, Qenanin. Familja Mesarea u largua për në Francë me ndihmën personale të Venizelosit i cili më tej do t’u jepte edhe shtetësinë greke. Nuk është dëgjuar asnjëherë që të ndihmohet një kundërshtar lufte i dorëzuar pa kushte dhe të pajiset me shtetësinë e shtetit që pak kohë më parë kishte luftuar me armë!?

Grekët festojnë si datë të çlirimit të Selanikut, 28 tetorin, 1912, por ajo ditë në të vërtetë s’ka qenë ditë e çlirimit. Më 28 tetor, 1912, ora 11 paradite, komandanti i trupave greke, Konstandini hyri zyrtarisht me flamurin grek në Selanik dhe në mesditë në kishën e Shën Minas u mbajt mesha fetare. Më 29 tetor në Selanik mbërriti dhe mbreti Gjeorgjio.

Historia e familjes Mesare është njëra nga ato historitë e shumta të familjeve shqiptare që kanë dhënë një kontribut të madh Greqisë moderne. E pash të arsyeshme t’i rikthehesha edhe njëherë historisë të gjeneral Hasan Tahsin Pashë Mesaresë, e cila, besoj se ka vend për plotësime edhe në të ardhmen për të zbardhur figurën dhe kontributin e familjes Mesarea në të mirën e Greqisë moderne.

Tre varret e Hasan Tahsin Pashës

3.Varri i sotem i Hasan dhe Qenan Mesarese në Muzeun e Luftërave Ballkanike, 25 km larg SelanikutHasan Tahsin Pasha u varros aty ku dhe vdiq, në Lozanë të Zvicrës. Kjo ishte edhe hera e parë. Në vitin 1937 Hasan Tahsin Pasha ç’varroset dhe eshtrat e tij u varrosën për herë të dytë në varrezat e shqiptarëve në Selanik, në varrin familjar Mesarea. Pasi u prishën varrezat shqiptare më 1983, përsëri ç’varroset dhe rivarroset në varrezat e Malakopit, ku eshtrat i qëndruan 23 vjet. Më 2006, eshtrat e Hasan Tahsin Pashës do të ç’varrosen për të tretën herë për t’u rivarrosur me nderime të larta ushtarake bashkë me eshtrat e djalit të tij, Qenanit, në Muzeun e Luftërave Ballkanike që ndodhet 25 km larg Selanikut në drejtim të qytetit të Edesës. Ndërtesa që është kthyer në Muze ka shërbyer për bisedime midis gjeneral Mesaresë dhe komandantit të ushtrisë greke, Kostandinit nga 25-26 tetori 1912. Në vitin 2012, Kristo K. Kristodhulos botoi librin me titull Tre Varret e Hasan Tahsin Pashës, promovomi i këtij libri u bë në dhjetor të 2012 në qytetin e Selanikut./Dita

Shperndaje ne

The Author

Arben Llalla

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.