Mendësia e robit solli Nyrenmbergun për shqiptarët.

roberita_kosoves

Salih_mehmetiShkruan: Salih  Mehmeti

Me votimin e dy projekt-ligjeve që i hapin derën krijimit të një Nyrembergu në seancën e 3 korrikut, u bë copë e grimë edhe ai pak subjektivitet që i pat mbetur shtetit tonë. Ky zhvillim retrograd po e kthen Kosovën në një pozicion inferior ngjashëm si në kohën e UNMIK-ut, ku politikbërja vendore nuk kishte unin e saj. Krijimi i një Nyrembergu për shqiptarët, që veç për eufemizëm po quhet Gjykatë Speciale, më shumë sesa pasojë e makinacioneve mujshare të ambasadorëve të huaj e qeveritarëve skllevër, është manifestim i mendësisë së skllavit tek të gjithë pa përjashtim.

‘Drejtësia’ në tokën e skllevërve ka një kuptim krejt të përçudnuar mesianik: ajo shihet si deux ex machina, një drejtësi që duhet të kërkohet nga tjetri për me i la hesapet për inatet meskine. Ky Nyremberg, të cilin e legjitimoi ligësia e qeveritarëve dhe injoranca e opozitës, është mbase shprehja e një perversiteti kolektiv, një etnomazokizmi asgjësues. ‘Drejtësia’, siç kërkohet nga moralizuesit e korruptuar, është simptomë e një ndjenje faji për një të kaluar që pandehet se ka qenë kriminale. Është krijuar gati një faj kolektiv a thua se shqiptarët ishin nazistët e fundit në Evropë që bënë pogrome ndaj serbëve. Në rrënjë të problemit është vetë idiosinkracia shqiptare në Kosovë: është pikërisht konformizmi masiv që dikur gjeti shprehjen në doktrinën e pacifizmit vetëvrasës të Ibrahim Rugovës.

E ky konformizëm latent gjithmonë është konfliktuar me anti-konformizmin e një pjese të vogël të popullit që do t’i kundërvihej me armë Serbisë dhe gjendjes së padurueshme të të qenurit i kolonizuar. Nuk është larg të vërtetës të thuhet se konformizmi është thelbi i shoqërisë shqiptare në Kosovë prej thuajse dy deceniesh: një rezignatë e pafundme e shoqëruar me pasivitet, imobilitet e me ndjenjë inferioriteti për gjithçka e ndaj gjithçkaje. Prandaj, kjo ndjenjë vetë-urrejtëse që shenjëstron gjithçka që asocion me UÇK-në është shprehja e një sedre të lënduar të servilit etnomazokist. Legjitimimi nga Kuvendi i Kosovës i një Gjykate që do të vë në bankën e të akuzuarve vetëm shqiptarët, mund të shihet si një autogol në momentin e fundit. Në mënyrë argumentum in terrorem thuhej se kjo Gjykatë nëse nuk do të themelohej nga Kuvendi, do të themelohej nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (?).

Sigurisht se një gjë e tillë nuk do të ndodhte po të kemi parasysh konjukturat e ndërlikuara në marrëdhëniet midis shteteve kryesore të Këshillit të Sigurimit, veçmas pas gjendjes së re të krijuar kur rusët hodhën poshtë Rezolutën e propozuar nga britanikët për njohjen e gjenocidit në Srebrenicë. Themelimi i Gjykatës së Veçantë, në përbërje të së cilës do të jetë mafia ndërkombëtare, po e de-subjektivizon Kosovën, duke e bërë një rast të dhimbshëm të eksperimentimit me kavie. Ky brez politik, ku përfshihet pozitë e opozitë, përfundimisht po i zhduk prospektet e mbrothësisë së vendit.

Prirja kompulsive e Thaçit dhe Veselit për të qenë gjithnjë të nën-renditur zbulon cullak mendësinë e sotme të robit që është kapilarizuar gjithandej shoqërisë. Prandaj, është me vend të kujtohet tregimi proverbial i Herodotit për skitët dhe robërit e tyre. Sipas Herodotit, derisa skitët po ktheheshin nga një mësymje ndaj medëve, skllevërit e tyre do të gjenin rastin e volitshëm për t’u kryengritur ndaj zgjedhës së padronëve të tyre. Por, njëri nga drejtuesit e zgjuar skit do t’i këshillonte bashkëluftëtarët e tij që të mos vazhdonin me luftë ndaj skllevërve se kështu vetëm do t’u dhjetoheshin forcat.

Sipas tij, skitët duhej t’i linin shtizat e harqet e në vend të tyre duhej të përdornin kamxhikun. Ky skit u thoshte bashkëluftëtarëve të tij se nëse përdoreshin armët ndaj skllevërve ata do ta cilësonin vetën si të barabartë, prandaj do të vazhdonin luftën, por kur të përdorej kërbaçi skllevërit do të kujtonin të kaluarën e tyre si të nënshtruar dhe do të pushonin kryengritjen. Siç rrëfen Herodoti, kjo metodë për çudi dha frytet e saj: luftëtarët skitë do të mësynin ndaj skllevërve të tyre pa shtiza e harqe por vetëm duke fshikulluar kamxhikët. Rebelët menjëherë do të merrnin arratinë meqë fishkëllima e kërbaçit do të rizgjonte nga thellësitë e nënvetëdijes së tyre kohën kur ishin robër. Ky tregim i historianit nga Halikarnasi mund të jetë përshkrimi i gjithëkohshëm i brezit politik të pas-luftës në Kosovë. Shumica e projekteve anti-shqiptare u mundësuan sa herë që politikanëve të shantazhuar u përmendej e kaluara e tyre prej skllevërish, filtrimet me të huaj e deri te momentet komprometuese para kuintave.

Shperndaje ne

The Author

Salih Mehmeti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.